Mitizuesit e globalizmit

May 11, 2018 09:33

Mitizuesit e globalizmit

Moikom Zeqo

Mitizuesit e globalizmit janë shpesh teorikë, nuk ka fillim të globalizmit, ka një ripërtëritje ciklike, sepse globalizmi ka qenë gjithmonë. Matrica e globalizmit është karakteri antropologjik i jetës. Karakteri antropologjik buron nga të gjitha qytetërimet, popujt dhe gjuhët. Teoritë e racave këtu bien dhe humbasin.

Ndërlidhjet midis racave duket sikur krijojnë mutacione të reja. Kemi pamjen e rremë të një unifikimi të shtrëngueshëm, disi të vullnetshëm si në një projekt të Platonit. Por kontradiktat janë aty, më tepër nën sipërfaqe.

Edhe atëherë kur duket se forma është gjithçka rebelohet përmbajtja. Fryma dhe lënda nuk janë veç e veç si ato sferat e sistemit të Ptolemeut, që rrotullohen secila për hesap të vet. Progresi teknologjik i Amerikës është një fytyrë e kulturës e shëmbëlltyrës, që paraprin, që u tregon të gjithëve një të ardhme. Epoka e kompjuterizimit dhe internetit na lidh tani jo vetëm me shekullin XXI, por dhe me shekullin XXXI.

Por a ka vallë një fatalitet mondializmi? Ku është pragu kritik i kalimit drejt universales, pastaj drejt botërores? Cila është ajo marramendje, që e shtyn botën deri tek abstraksioni i idesë dhe cila është ajo marramendje tjetër, që çon deri tek realizimi i pakushtëzuar i idesë?

Këto pyetje të mëdha dhe tmerruese i ka formuluar filozofi Jean Baudrillard. Ai që s’di të mendojë le t’i anashkalojë këto pyetje. Ideja e universales nuk është shpikur tani. Njerëzorja është shndërruar në të vetmen instancë reference dhe meqenëse njerëzimi imanent në vetvete ka zënë vendin e lënë bosh nga Zoti i vdekur, njerëzorja mbretëron qysh atëherë e vetme, por nuk ka arsye përfundimtare.

Duke mos patur më armik, ajo e pjell atë nga brenda dhe fsheh gjithfarëlloj metastazash jo njerëzore. Lëvizjet kundër mondializmit kanë për objektiv frenimin e çrregullimit. Kjo është një peripeci e brendshme dhe tragjike e lojës së sistemit planetar. Bashkësia botërore bëhet kështu një problematikë me pyetje dhe përgjigje që lidhin njëra-tjetrën pambarimisht, por nuk bëhet fjalë për një tronditje, apo shok qytetërimesh, por nënkuptohet një përballim, që është antropologjik ku forcat integriste nuk mund t’i mohojnë dot të veçantat, qoftë edhe si herezi të pakëndshme dhe bezdisëse.

Globalizmi mbështetet te arritjet e modernitetit, por dhe te një strukturë e re mendore e ekuivalencës së gjithë kulturave. Kjo mund të jetë një rilindje, ose një pasiguri. Gjithçka që krijon ngjarje e sfidon universalitetin abstrakt, por nuk mund të zgjidhë përfundimisht sekretet dhe alternativat e historisë, qoftë si koncept singular, qoftë si koncept plural.

Në këtë rrafsh duhet parë dualizmi zarathustrian i së Mirës dhe i së Keqes. Ky është një reaksion dhe proces zinxhir, i pandalshëm, kur mendimi kërkon një iluminim të formave kolektive etnike dhe religjioze, gjuhësore, por dhe të formave individuale të karakterit dhe atyre neurotike.

Duket sikur sot gjendemi në kushtet e mungesës së një realiteti siç ai konsiderohej deri në shekullin XIX, në vend të tij kemi një rrjet informativ dhe virtual, që tashmë operon jashtë mundësive dhe kapaciteteve njerëzore për ta parandaluar, apo për ta kontrolluar. Ky është një lloj kriticizmi dekartian. Ti kërkon të verifikosh, sepse je i pasigurt. Gjërat kanë ndryshuar shumë në këtë fillim të shekullit XXI. Gjërat nuk mund të jenë kurrë ashtu siç kanë qenë dikur, ka përsëritje, por jo tautologji.

Shkencat pozitiviste janë në një krizë, duket se filozofia ka vdekur, asnjë nga shkollat filozofike të së kaluarës nuk janë të afta të konstruktojnë mbushamendjen e të gjithëve dhe të secilit

 

May 11, 2018 09:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*