Mjaft më me Demat dhe Mbretërit tuaj !

November 10, 2015 10:07

Mjaft më me Demat dhe Mbretërit tuaj !

Kultura e tyre është e ndryshme. Nuk e kërcejnë aspak flamengon. I urrejnë betejat me demat. I quajnë barbare, të pamëshirshme. Edhe me mbretërit nuk i kanë mirë punët. Erenz de Mun, një nga bastionet më të flaktë nacionalistë, aty ku Franko përpiqej t’i ulte kokën rebelëve revolucionarë, duke u mohuar autonominë, gjuhën dhe kulturën, po shikon realizimin e ëndrrës së pavarësisë. Parlamenti i Katalanjës votoi Rezolutën për pavarësi nga Spanja. Çfarë pritet të ndodhë ? Si do të reagojë qeveria konservatore ? Po BE, ç’qëndrim do të mbajë ?

Parlamenti rajonal i Katalanjës votoi dje një Rezolutë, që deklaron fillimin e ndarjes nga Spanja dhe hapjen e një procesi, që duhet të çojë gradualisht deri në vitin 2017, në krijimin e Republikës së pavarur të Katalanjës. Parlamenti rajonal nuk e konsideron më veten “të varur nga vendimet e institucioneve spanjolle” dhe “në veçanti nga ato të Gjykatës Kushtetuese.” Rezoluta parashikon gjithashtu nisjen e punimeve parlamentare për të vënë në jetë një administratë fiskale të pavarur dhe një sistem sigurimesh shoqërore.

Një udhërrëfyes parashtron hapat, që duhen ndjekur: deklarim përpara Parlamentit rajonal të fillimit të procesit drejt pavarësisë; tentim për negocim të ndarjes me qeverinë spanjolle dhe institucionet evropiane; si edhe përgatitja e vënies në jetë të institucioneve të shtetit të ri. E gjithë kjo, përgjatë dy viteve për të shkuar drejt 2017-s, pra drejt shpalljes së pavarësisë, pastaj drejt zgjedhjeve për të caktuar Parlamentin, që duhet të hartojë Kushtetutën e vendit. Një referendum do të zhvillohet për të miratuar Kushtetutën, me synim edhe prononcimin popullor mbi pavarësinë, edhe pse ajo është deklaruar tashmë.

Ngritja e mureve

Votimi i rezolutës u krye në një moment kur Spanja pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme, vetëm disa javë më pas, më 20 dhjetor. Çështja e Katalanjës po dominon fushatën dhe debatet politike. Pozicionimet kanë nuanca të ndryshme, nga refuzimi kategorik i konservatorëve në pushtet të drejtuar nga Marioano Rajoy, që janë kundër çdo tentative për shkëputje, tek një pozicionim më elastik i socialistëve, që ndonëse në parim janë kundër shkëputjes, ofrojnë alternativa federaliste të zhvilluara, duke shkuar drejt qendrës së djathtë, Ciudadanos, që synon një reformë të institucioneve, deri tek lëvizja e majtë radikale Podemos, që shfaqet e hapur për bisedime, apo për organizimin e një referendumi, si e një drejtë e popujve për vetëvendosje, por që gjithsesi e shprehur kundër shkëputjes duke deklaruar, se do të bëjnë fushatë për JO.

Qeveria konservatore ndonëse e pozicionuar kategorikisht kundër idesë për shkëputje, gjendet në një pozicion të dobësuar sipas sondazheve paraprake, duke konkurruar afër me qendrën e djathtë, Ciudadanos. Një arsye e shtuar për kontestim të menjëhershëm dhe pa ekuivok, duke ndërmarrë iniciativa ligjore për kundërshtim jo vetëm të Rezolutës, por edhe të gjithë efekteve të saj, duke përfshirë edhe udhërrëfyesin që çon teknikisht drejt fazave apo rrugës së pavarësisë. Rekursi në urgjencë do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese dhe paralelisht është konfirmuar një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për ditën e mërkurë. 

Por, a mund të sjellë si pasojë ky veprim i njëanshëm i katalanasve, përtej rekursit në urgjencë të qeverisë pranë Gjykatës Kushtetuese, që më shumë gjasa do të bllokojë Rezolutën dhe efektet që lidhen me të, një reagim të ashpër nga pushteti qendror ?

Ndonëse Gjykata Kushtetuese, është pozicionuar vazhdimisht në favor të idesë për bashkim apo më saktë kundër çdo tentative për shkëputje (pa harruar edhe heqjen e disa kompetencave rajonale, duke i reduktuar ato në tërësi) edhe në këtë rast pritet që rezultati të jetë i njëjtë. Situata komplikohet vetëm nga fakti se, tashmë me shpalljen e Rezolutës për pavarësi, parlamenti rajonal është pozicionuar në një akt mos bindës, duke mos e konsideruar veten “të varur nga vendimet e institucioneve spanjolle” dhe “në veçanti nga ato të Gjykatës Kushtetuese”. Çka shfaqet si paralajmëruese, për mos respektim të vendimit, që mund të vijë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë skenar mund të flitet paraprakisht, për ekzistencën e mundësisë së një reagimi të ashpër nga ana qeveritare, apo nga pushteti qendror, drejt atij rajonal, nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm ligjorë, për të penguar mosbindjen e institucioneve rajonale dhe për të parandaluar veshjen e këtyre institucioneve me kompetencat e qeverisë qendrore.

Por, një nga pikat e udhërrëfyesit, përmend edhe tentativat për negocim me qeverinë qendrore. Negocim që mund të bëjë të mundur, nisjen e bisedimeve për të gjetur gjuhën e përbashkët, që mund të lejojë një shkëputje me konsensus. Por, qeveria konservatore që prej ardhjes në pushtet ka treguar një hermetizëm ndaj trajtimit të kësaj çështje, çka e bën thuajse të pamundur dëshirën për negocime apo dakordësime.

Pyetja që shtrohet është: ç’problem shfaq mungesa e konsensusit me qeverinë qendrore dhe sa ndikon ajo, në rast të një shkëputje të mundshme, për njohje ndërkombëtare të vendit, duke përfshirë edhe vetë Bashkimin Evropian ?

Në fakt, nëse i referohemi situatave relativisht të vonshme të shpalljes së pavarësisë dhe procesit zinxhir të njohjes ndërkombëtare, vërehet konfirmimi i një kornizë imponuese, që duhet të kanalizojë këtë proces mes dy kushteve: konsensus me qeverinë apo njësinë qendrore, çka thuajse përjashton shpalljen e njëanshme të pavarësisë, si dhe organizimin e një referendumi popullor. Kjo kornizë imponuese, vjen si logjikë e pranimit apo njohjes ndërkombëtare të këtyre shteteve, dhe nga ana tjetër, shtetet që për rrethana të caktuara gjenden të detyruara për shpallje të njëanshme të pavarësisë (rasti i Kosovës) kalojnë në një proces të vështirë dhe të gjatë njohje. Por, shembujt që ofrohen në këtë kuadër, të shteteve, që janë shkëputur vetëm pas konsensusit me qeverinë apo njësinë qendrore, janë të suksesshme. Rasti i Malit të Zi që mori dakordësinë e Serbisë për shkëputje, apo raste të tjerë si Timori i Lindjes (1999) apo Eritrea (1993), apo edhe Çekosllovakia (1993).

Fakti që Kosova nuk njihet nga 5 vende të Bashkimit Evropian, në thelb, refuzimi lidhet pikërisht me këtë pikë, mos gjetjen e konsensusit me qeverinë qendrore, çka përkthehet si rrezikshmëri në krijimin e një precedenti, dhe në hapjen e problemeve të brendshme kombëtare për disa vende. 

Roli i BE-së

Po si është pozicionuar Unioni ndaj tentativave të vazhdueshme që vijnë nga rajoni i Katalanjës për pavarësi ? Në një reagim të djeshëm, përgjatë konferencës së përditshme të mesditës, krye/zëdhënësi i Komisionit Evropian i pyetur në lidhje me këtë pikë u shpreh se “ nuk komentojmë në lidhje me çështjet e brendshme konstitucionale të çdo vendi anëtar, që prej kohës së Prodit”. Në fakt, ndonëse nuk ka pasur komentime, Katalanjës i është bërë e qartë nëpërmjet shpjegimeve, që lidhen me anëtarësimin apo qëndrim e saj në BE se, në rast të një shkëputje, ajo duhet të aplikojë sërish për t’u bërë vend anëtar i BE-së dhe se, do të trajtohet si vendet e tjera të botës së tretë, në marrëdhënie me Unionin, në këtë proces.

Spanja është vend anëtar i BE-së, dhe shkëputja e një njësie territoriale, apo pavarësia e saj, ka një konotacion shumë të fortë për Unionin. Nuk duhet harruar se, vende me peshë në Union, kanë probleme rajonale me njësi të tyre territoriale, që kërkojnë si autonomi, por edhe pavarësi. Britania e Madhe ka presionin e Skocisë, Franca të Korsikës, Italia të Padanias, Portugalia të Madeiras, Belgjika të Flandrës, pa nënvlerësuar edhe Skanian e Suedisë. Nga ky proces apo efekt domino, që mund të krijohet nuk kanë imunitet as vetë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat mund të shikohen si frymëzim për kërkesa të reja nga shumëllojshmëria etnike që gjendet në territoret e tyre.

Gjithsesi, duhet marrë parasysh se Unioni ka pasur një rol aktiv në mbështetje të idesë për gjetjen e një konsensusi me qeverinë qendrore. Shembulli i BE-së, në Ballkan me Unionin e Serbisë dhe Malit të Zi, shfaq dukshëm preferencat për dakordësi mes palëve, si kusht për njohjen e vendit të ri. Në lëvizjet e BE-së ndaj Malit të Zi, konstatohen dy elementë të rëndësishëm: nga njëra anë kemi insistimin e vazhdueshëm për qëndrim të përbashkët të Malit të Zi me Serbinë, si edhe inkurajimin në forma të ndryshme; dhe nga ana tjetër edhe kur ky proces u bë thuajse i pashmangshëm, duke shkuar drejt formimit të një Konfederate që brenda tre vitesh, mund të lejonte Malin e Zi të shkonte drejt pavarësisë, kushtet pësuan “transformim”. Ose më saktë, BE u pozicionua kundër pavarësisë së Malit të Zi, duke ngritur përqindjen e mbështetjes popullore në 55%, ndërkohë që norma e zakonshme për raste të tilla është 50% plus një votë. Sigurisht, që kjo mund të konceptohet edhe si dëshirë e BE-së për pasjen e një miratimi të lartë popullor, por që gjithsesi përjashtohet si mundësi, pasi bie ndesh me logjikën imponuese për bashkëjetese, përgjatë bisedimeve. Kjo dëshirë e Unionit për aplikimin e këtij kriteri është konstatuar edhe në Kosovë përgjatë ndërmjetësive, por që nuk mundi të realizohej.

Por, Spanja nuk është Ballkani Perëndimor dhe rëndësia e saj në Union ka vlera të tjera duke marrë gjithashtu edhe përmasa më të rëndësishme. Shkëputja e Katalanjës mund të shërbejë si proces frymëzues edhe për rajone të tjera, që aspiratat nacionaliste i kanë shumë të larta, si Korsika, Padania, apo Skocia.

Gjithsesi, pavarësisht efektit që ajo mund të shkaktojë duke krijuar precedentë të padëshiruar, procesi në rast se, ka vullnet për bisedime me qeverinë qendrore, nuk mund të pengohet. Shanset me qeverinë e konservatorëve në pushtet janë të pakta. Situata mund të jetë më shpresëdhënëse, në rast se zgjedhjet e përgjithshme, që do të zhvillohen së shpejti në dhjetor, nuk konfirmojnë sërish konservatorët në pushtet. Socialistët, por edhe radikalët e Podemos, ndonëse janë kundër në parim, ngelen më të hapur duke u shfaqur më elastik ndaj kërkesave politike dhe popullore, që vijnë nga Katalanja. Bisedimet shfaqen si e vetmja mundësi, për arritjen e objektivit për shkëputje apo pavarësi, por edhe për hapjen e mundësisë për përmirësimin e statusit aktual, për të shkuar drejt nivelit të baskëve, ose për të rikonceptuar elementë të ndryshëm me përqasje federale apo konfederale, që gjithsesi mund të evitojnë një shkëputje tërësore, por që edhe mund të kënaqin përkohësisht ambiciet e katalanasve./im.ta/

November 10, 2015 10:07