Mjaft më o burrë!

Entela Resuli October 10, 2013 10:28

Mjaft më o burrë!

Nga burgu: të hënën, të mërkurën dhe të premten… 

Mesazhe nga burgu i grave. Histori të rralla në vizatime të femrave që vuajnë dënimin pas hekurave të 325-së. Një rrëfim i artistes Anila Rubiku, çfarë ka parë dhe çfarë do të bëjë ajo me punët e të dënuarave .

Tri herë në javë ajo futet në burg.  Jo për të shlyer gabimet e saj, por për një projekt që ka ndërmarrë në institucionin e vuajtjes së dënimit. Në bashkëpunim më gratë e burgosura, Anila Rubiku, do të realizoi një ekspozitë. Artistja e artit pamor,  e ardhur nga Milano enkas për këtë nismë të saj, na rrëfen ditët në burg së bashku me ato që vuajnë dënimin dhe kalojnë kohën pas hekurave. Ekziston një komunikim mes tyre, jo me fjalë, por me anë të vizatimit.  Rubiku ulet dhe kupton shumë prej atyre grave që drama më e madhe u ka ndodhur në familje. Shumica kanë kryer vrasje dhe ai që kanë ekzekutuar ka qenë bashkëshorti i tyre. Këtë imazh ato e vizatojnë shpesh, sa herë që u kërkohet. Ne kemi siguruar edhe vizatime të tyre ku u lexohet bota shpirtërore. Rubiku na ka treguar më shumë për këtë marrëdhënie që ka ndërtuar me gratë e burgut, por edhe për mesazhin që do të përcjellë në fund të gjithë kësaj…

Për Anilën, jeta është shumë e gjatë për gjëra të këqija dhe shumë shkurtër për gjera të mira. Në këtë intervistë për “Ditën”,  ajo rrëfen edhe se çfarë mund të bëhet për ta jetuar më mirë.

Zonja Anila, ktheheni në Shqipëri me një ekspozitë që do të dal nga një burg, na flisni pak më shumë?
Unë kthehem në Shqipëri pas pjesëmarrjes së fundit që bëra tek “Tirana Biennale” në 2009. Jam ftuar nga TICA si një nga artist në rezidencë për të bërë një projekt të ri “Albania Women and Justice” të cilin po e zhvilloj në burgun 325, që është një nga burgjet e grave që ndodhet në Tiranë.

Pse keni zgjedhur burgun e grave?
Ky projekt “Albania Woman and Justice” zgjat dy muaj, Shtator dhe Tetor 2013. Në këtë projekt arti, unë jam e shoqëruar edhe e mbështetur nga psikologu Londinez Dr. Jeffrey Adams. Arti e psikologjia në këtë nismë lidhen bashkë e bashkëpunojnë si një mjet i vetëm. Isha edhe jam shumë e interesuar për të bërë këtë projekt sepse më interesojnë gratë edhe fëmijët. Kjo akoma më tepër duke qenë se edhe unë jam artiste shqiptare, si edhe femër. Dhuna në Shqipëri ndaj grave edhe fëmijëve është shtuar në mënyrë shumë të madhe në këto 20 vitet e fundit, e po kështu edhe dhuna në familje. Unë shkoj 3 herë në javë në burg edhe punoj bashkë me gratë e burgosura. Akoma nuk mund të them shumë detaje se në çfarë formë ky projekt do të ekspozohet.

Cili është mesazhi që doni të përcillni në këtë ekspozitë dhe a njihni ju terrenin e burgut, e keni vizituar më parë atë?
Unë nuk kam qenë asnjëherë në asnjë burg, kjo është hera e parë që e vizitoj këtë institucion si edhe burgjet shqiptare. Nëpërmjet këtij projekti tani po i shikoj e po kontaktoj këta persona për herë të parë. Mesazhi që kam dëshirë të përcjell është që dhunës në familjet shqiptarë pak nga pak t’i jepet fund, që gruaja si qenie njerëzore të këtë të drejta e veta si një person shumë i rëndësishëm në familje. Që fëmijët të cilët sot ngelen pa prindërit e tyre sepse njëri është vrarë e tjetri është në burg, të mos ngelen rrugëve, por shteti të interesohet. Që gratë kur ankohen në polici pasi nuk arrijnë më ta durojnë dhunën, shteti të marri masat që në fillim e të mos përfundojnë deri tek vrasja e shkatërrimi edhe i fëmijëve brezit e fëmijë të rinj.

Kohë më parë ju jeni prezantuar më një projekt instilacion ku kishit në qendër bunkerët. Çfarë janë për ju bunkerët?
Po, është e vërtetë. Ka qenë “Bunker Mentality. Landscape legacy” është një projekt e një instalacion shumë i madh që unë prezantova për herë të parë në Bienalen e Kievit, të organizuar e kuruar nga David Elliott në Ukrainë, mbi bunkerët shqiptar. Është një vepër arti që flet mbi problematikën e bunkerëve shqiptarë si një pasuri arkitekture lufte e diktaturës së atyre viteve. Ky bunkerizim flet gjithashtu mbi shkatërrimin e mjediseve shqiptare me beton që ndodhi në 45 vitet e diktaturës e vazhdon akoma edhe sot në një formë tjetër betonizimi, por jo më në forma bunkerësh të rrumbullakëta, por në forma kullash e pallatesh prej 15-katesh. Bëhet fjalë për betonizimin e të gjithë bregdetit Adriatik, prishjen e rrafshimit të pishave në zonën e Durrësit e në çdo vend tjetër në Shqipëri pa asnjë lloj estetike, ligji ndaj tërmetit apo edhe hapësire nga njëri objekt tek tjetri. Ky lloj forme bunkerizimi shfaqet edhe sot në politikën shqiptarë të përditshme.

Ju vetë u kujtojnë gjë?
Shqipëria është një vend bregdetar i nxehtë, e nëse këto bunkerë do të ishin ndërtuar në dyllë gri, do të ishin shkrire të gjithë e nuk do të kishim më këtë lloj betonizimi.  Ideja e këtyre bunkerëve ishte të frikësonin shtetasit Shqiptar e jo për të bërë luftë. Po të ishin bërë në dyllë do të kishin arritur qëllimin e frikës e nga dielli gjatë kohës do te ishin shkrirë,  plus një gjë e rëndësishme tjetër është se nuk do të kishin pasur një kosto ndërtimi kaq të shtrenjtë.

Ju si e mbani mend Shqipërinë e para viteve ’90 ?
Jam e kënaqur që vitet e rrëmujës së viteve ‘90 kanë mbaruar, që Shqipëria po ndryshon çdo ditë e më tepër,  por uroj drejt një rruge të mirë e të punës e jo të korrupsionit. T’i jepet vlerë njeriut të mirë e të drejtë e drejtësisë e jo bakshishit. Që femrat shqiptare që lodhen ka shumë, në familje të kenë vendin që i takon në shoqërinë shqiptare sepse me të vërtetë e meritojnë.

Nëpërmjet punëve tuaja ju udhëtoni nëpër botë me artin pamor në të cilën shfaqni gjendjen e gruas. Si është kjo gjendje sipas jush?
Prezantimi e gruas në artin pamor sot nëpër botë është shumë ndryshe e kjo në bazë të kulturës, pozicionit gjeografik e nivelit kulturor të kombeve të ndryshme. Por problemet shoqërore janë shpeshherë të njëjta në të gjitha kombet. Mënyra e interpretimit ndryshon. Emrat e artisteve femra sot janë në të gjitha koleksionet e muzeve më të rëndësishme, në ekspozitat më të rëndësishme. Nuk flitet më për gjini, por për cilësi punësh arti pa dallim gjinie.

Cilat janë materialet që përdorni kryesisht kur punoni dhe sa kohë ju ha kjo punë?
Kam bërë projekte e vepra të ndryshme arti duke i përdorur të gjitha materialet, kjo në dobi e në bazë të idesë që i përshtatet punës për atë projekt të veçantë.  Mjeti është i rëndësishem, por në shërbim të idesë.

Kapelet kanë qenë po ashtu pjesë e punës tuaj. Cila është lidhja që keni me to?
Kam bërë një instilacione në  Biennale-n e 54-të të Venecia-s që si bazë të madhe kishte “Hats protect ideas”. Në këtë vepër kapelet humbin përdorimin e përditshëm si aksesor veshje e kthehen në objekt arti e interpretim idesh. Siç i kam dhënë edhe titullin veprës “Kapelet mbrojnë idetë” kjo është për mua kapelia sot.  Në biennalen e Venecia-s kam marrë pjesë 3 herë . Dy herë në atë të artit bashkëkohor e një herë në atë të Arkitekturës.

Instilacioni më interesant që keni realizuar?
Instilacionin më interesant nuk e kam realizuar akoma shpresoj që ai që po bëj tani e që do të ekspozohet në fund të Tetorit do të jetë ai më interesanti. Unë them gjithmonë në çdo aspekt “…the best has yet to come

Stilistja shqiptare e Borsalinos

Pjesëmarrja në Bienalen e Venecias një vit më parë, qëlloi me fat për artisten shqiptare, Anila Rubiku, diplomuar në Akademinë e Brerës.

Ajo krijoi koleksionin e kapelave për firmën italiane të modës, Borsalino, për sezonin vjeshtë-dimër 2012-2013.  Çfarë kanë të përbashkët bunkerët me kapelat? Veç formës, i bashkon emri i Anila Rubikut, artistes shqiptare që dy vite më parë dy vite më parë i çoi në Venecia, ndërsa këtë vitin e kaluar krijoi një koleksion të kapelave për firmën italiane të modës, Borsalino, për vjeshtën e dimrin 2012-2013. Anila ka lindur në Durrës e prej viteve ’90 jeton në Milano, ku erdhi për studime. Ajo tregon se edhe si studente nuk e kishte të lehtë t’i shpëtonte opinionit të krijuar nga mediat mbi shqiptarin, dhe se vuajti sa çdo bashkatdhetar i saj paragjykimet e racizmin: “Sapo ndizje televizorin, dëgjoje vetëm lajme mbi shqiptarët: prostitucion, drogë, emigrantë. Kur më pyesnin se nga vija e kur tregoja kombësinë time, isha e lidhur menjëherë me këtë imazh…”, tregon ajo sot. Studimet e para i ka bërë në Durrës, ndërsa në Milano ka ndjekur Akademinë e Brerës. Sot është artiste e afirmuar që ekspozon në të katër anët e botës: Angli, ShBA, Izrael, Zvicër, Ukrainë. Kur e pyet se si ndihet sot, të thotë natyrshëm se nuk i pëlqejnë kufizimet gjeografike, ndaj edhe projekti që paraqiti në Venecia kishte për titull “Është më mirë të jesh qytetar i botës, sesa vetëm i një kombi”. Por megjithatë mbetet shumë e lidhur me Shqipërinë e veçanërisht me gjuhën shqipe: në një nga instalacionet e saj shkruan “Personi që mohon gjuhën e tij për të adoptuar një tjetër, ndërron identitet e pëson zhgënjime”.

 

 

 

 

 

 

E lindur në Durrës, në vitin 1970, Rubiku bën një jetë artistike mes Milanos dhe Tiranës. Në fakt, aktiviteti i saj artistik është zhvilluar në arenën ndërkombëtare. Pas diplomimit në Akademinë e Arteve në Tiranë, Anila shkon në Itali për të studiuar në Akademinë e Brerës, në Milano, ku u diplomua në vitin 2000. Kurset e specializimit e kanë çuar edhe në qytete të tjera, ndërsa me punën e saj është e pranishme në aktivitetet për artin bashkëkohor.  Pranon se Shqipëria mbetet frymëzim për punët e saj..

Entela Resuli October 10, 2013 10:28
Komento

1 Koment

  1. arbenduka October 11, 17:54

    te nderoni kete figure te kombit shqiptar qe eshte nje pasaporte per vleresimin tone ne bote.
    Njeri i thjeshte pa mbeshtetje politike, atdhetare: pra Artiste..Nderime per ju.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*