Mjekët e poliklinikave po i kthejnë pacientët në klientë të rregullt të disa farmacive

July 24, 2014 10:15

Mjekët e poliklinikave po i kthejnë pacientët në klientë të rregullt të disa farmacive

Mjekët e poliklinikave janë vënë nën shënjestrën e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Çdo recetë e barnave më rimbursim që do të lëshohet prej tyre, do të monitorohet nga ekspertët e këtij institucioni duke përfshirë këtu edhe farmacinë se ku do të blihen barnat. Kontrollet e kryera gjatë dy muajve të fundit në disa prej poliklinikave të kryeqytetit kanë faktuar një sërë shkeljesh dhe abuzimesh të bëra në kurriz të pacientit. Nga kontrollet e kryera rezulton që në pjesën dërrmuese të rasteve mjekët përshkruajnë në receta barnat e panevojshme, duke i orientuar pacientët që të paguajnë nga xhepi i tyre për të marrë barnat më të shtrenjta të listës së rimbursimit. Por sipas gjetjeve të kontrolleve thuhet se mjekët në recetë lëshojnë doza më të larta ilaçesh se sa ato për të cilat pacienti ka nevojë, të cilat më pas shoqërohen me një pagesë më të lartë duke përfshirë këtu edhe orientimin drejt farmacisë ku duhet që të shkojnë e të blejnë këto ilaçe. Praktikë kjo që flet për lidhjen abuzive që ekziston ndërmjet mjekut dhe farmacistit. Duke detajuar të dhënat e mbledhura gjatë analizës së skemës së rimbursimit për muajt prill-qershor rezulton se shumë nga farmacitë i janë shmangur çmimeve të përcaktuara për barnat, duke i shitur ato edhe më shtrenjtë. Në pjesën dërrmuese të farmacive vërehet një tjetër fenomen problematik, ku sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për të njëjtin medikament farmacitë ofrojnë çmime të ndryshme. “Kemi konstatuar shmangie të çmimit nga farmacitë. Për të njëjtin ilaç farmacitë zbatojnë çmime të ndryshme”, theksoi Beqaj para mjekëve të poliklinikave. Por, me kontrollet që janë shtrirë tashmë në të gjitha rrethet e vendit, si dhe pas akuzave të ashpra të lëshuara dy ditë më parë edhe nga kreu i qeverisë, autoritetet shëndetësore thonë se do të ndëshkohet çdo mjek që përshkruan receta klienteliste dhe me adresa të përcaktuara të farmacive ku pacienti duhet të blejë barnat. Rastet e konfirmuara tregojnë se si mjeku ka lëshuar mbi gjysmën e recetave me ilaçin e rimbursueshem, për të cilin pacienti bashkëpaguan më shumë se për katër alternativat e tjera që janë në treg.

Abuzimet e zbuluara në recetat e mjekut

Ministri Ilir Beqaj ka ngritur akuzat konkrete ndaj disa mjekëve në qendrën shëndetësore numër 4, dhe një tjetër poliklinikë në Shkozë, të cilët jo vetëm që kanë lëshuar barnat më të shtrenjta të rimbursimit që ndodhen në listë, duke e detyruar pacientin që të paguajë për to. Ky problem merr të tjera përmasa shqetësuese pasi në më shumë se 80 për qind të recetave të lëshuara mjekët i kanë orientuar pacientët se në cilën prej farmacive duhet të shkojnë që të blejnë barnat e rekomanduara, edhe pse në pse në zonën pranë poliklinikës ekzistojnë edhe shumë farmaci të tjera.

“Kemi një mjek me inicialet E. N. që punon te Qendra Shëndetësore numër 4 në kryeqytet, që në 55 për qind të recetave të plotësuara prej tij ka lëshuar vetëm alternativën më të shtrenjtë për sëmundjen e pacientit. Më tej kontrolli ka treguar se sasia e të gjitha recetave që lëshon ky mjek, në 94 për qind të rasteve përfundojnë duke u blerë vetëm në farmacinë “Nek” që ndodhet në këtë zonë. Gjithashtu edhe mjeku me inicialet B.T në Shkozë, gjithë recetat e tij të lëshuara përfundojnë te farmacia “Geni & Lori” (80 për qind e recetave). Kjo ndonëse Shkoza ka rreth 10 farmaci të tjera që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Fillimisht po ju tregojmë që duhet të filloni ju vetë të vetëpastroheni dhe të vetërregulloheni. Informacioni është aty, nuk mund t’i shmanget më askush”, ka deklaruar ministri rreth shkeljeve të të gjetura nga kontrolli i këtyre recetave dhe farmacive ku janë ekzekutuar. Gjatë këtij takimi nuk janë lënë pa përmendur edhe rastet abuzive ku barnat e përshkruara nga mjeku ndërrohen nga vetë farmacisti, i cili duke ndryshuar barkodet, detyron pacientin të blejë një bar më të shtrenjtë për të zëvendësuar atë që i ka përshkruar mjeku i tyre. Për të frenuar këtë fenomen abuziv që shpesh herë rëndon edhe mbi shëndetin e pacientit, ministri Beqaj ka pohuar se krahas kontrollit të vazhdueshëm të recetave do të ndërmerren edhe një sërë ndëshkimesh për mjekët dhe farmacistët që do të shkelin rregullat e kontratës së lidhur me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Kallzimet e bëra në Prokurori

Kreu i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Astrit Beci, bëri me dije kallëzimet penale për 6 raste, ku pjesë e abuzimit në një rast është bërë dhe vetë pacienti. “Dy mjekë, njëri i Bathores dhe tjetri i Paskuqanit, në bashkëpunim me dy pacientët e tyre, janë dërguar në Prokurori me kallëzimin për falsifikim dhe shpërdorim, dy të parët, ndërsa pacientët vetëm për falsifikim. Mjekët dhe pacientët, në mënyrë abuzive, merrnin dy preparate të shtrenjta, të regjistruara në dy zona apo fshatra të Tiranës, duke ndarë lekët njëri me tjetrin, dhe duke i hequr të drejtën e trajtimit një pacienti tjetër. Te kallëzimi në Prokurori për shpërdorim detyre të një drejtori në ISKSH, të një drejtori spitali, të një depoje farmaceutike dhe të një mjeku nga Ballshi. Këto janë 6 rastet që nga Fondi janë kallëzuar në Prokurori dhe ndaj të cilëve verdikti do të jepet nga Prokuroria”, deklaroi Astrit Beci. Kontrollet do të shtrihen në të gjitha poliklinikat dhe farmacitë e vendit. Sipas tij, të gjitha rastet e konstatuara me shkelje te ligjit do të çohen në Prokurori, qofshin këta mjekë apo farmacistë, por edhe pacientë të cilët në disa raste kanë rezultuar se janë bërë pale më bluzat e bardha. “Ne kemi vendosur një herë e që t’i themi stop këtyre fenomeneve dhe të vëmë para penaliteteve të nevojshme, mjekët, farmacistët, grosistët, kudo që këto fenomene janë” ka theksuar Beci. Më tej ai ka shtuar se vetëm në këtë periudhë 2-mujore janë penalizuar më shumë se 300 mjekë, vetëm në Tiranë për shkelje dhe mos respektim të procedurave dhe rregullave që ato i mësojnë që në bankat e shkollës.

July 24, 2014 10:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*