Mjekët shqiptarë që na shëruan nga jashtë

May 22, 2020 11:24

Mjekët shqiptarë që na shëruan nga jashtë

Entela Resuli

Ditë pas ditë shtohen masat lehtësuese për sa i përket Covid -19. Ditën e djeshme, në foltoren e Kuvendit, kryeministri pohoi se deri në fund të majit vendi do të jetë tërësisht i hapur duke futur këtu edhe kufijtë me vendet e tjera.

Në fillim të marsit kishim një tjetër ide se çfarë do të ndodhte pas këtij virusi. Ankthi që na pushtoi na bëri të mendojmë se jeta jonë nuk do të ishte më e njëjta. Por ajo që po vërejmë këto ditë është krejtësisht e kundërta. Duket se asgjë  nuk ka ndryshuar. Kafenetë janë plot. Tregjet gjithashtu, madje këto ditë ka patur edhe protesta ku nuk bëhet fjalë për respektim të distancave fizike.

Kaluam dy muaj e gjysmë bosh dhe tani e kemi nisur atje ku e lamë. Madje janë të shumtë ata që kanë harruar ankthin e përjetuar në ato ditë, dhe janë bërë mosbesues ndaj këtij virusi, i cili sipas mjekëve është ende prezent mes nesh, duke na ftuar të jemi vigjilent dhe të kujdesshëm.

Gjatë ditëve kur virusi paralizoi botën duke e mbyllur secilin vend në territorin e vetë, në Dita kemi mundur të sjellim disa intervista me mjekë shqiptar të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Kemi folur me djem dhe vajza të cilët punonin në repartet e dedikuara ku kuroheshin të prekurit me Covid-19.

Puna me orë të gjata në vendet ku jetojnë dhe punojnë nuk i kishte bërë aspak indiferent për ndjekur nga afër situatën edhe në Shqipëri, në vendin ku kishin një pjesë të familjes.

Secili prej tyre, me një cv të pasur dhe me shumë tituj mbi supe u treguan të gatshëm të na rrefenin se çfarë dinin për këtë virus dhe se si mund të ruheshim ndaj tij.

Laidon Shapo, Londër

Gjatë këtyre ditëve u njohëm me një nga epidemiologët më të mirë shqiptarë që jeton dhe punon në Londër.  Laidon Shapo mjek dhe specialist i shëndetit publik.  Ai ka shkuar në Londër me një master në shëndet publik (1998-99) dhe ka afro 22 vjet që punon në sektorë të ndryshëm në shëndetësi (NHS, kërkime shkencore, këshilltar për problemet shëndetësore).

Tre vitet e fundit drejton programin e integrimit të shëndetit dhe çështjet sociale pranë Bashkisë se Southëark në Londër. Përpara se të vendosej në këtë vend ka punuar në Shqipëri në vitet 1993-‘94 pranë Ministrisë  së Shëndetësisë me një projekt të PNUD-it, dhe më pas në Institutin e Shëndetit Publik (1994-1998).

Nga Londra, ndaluam në Milano me disa intervista, pas ky qytet i Italisë u kthye një ndër më të prekurit në botë, ku edhe numri i jetëve të humbura ishte i lartë.

 

 

Elson Gjoni, Milano

Në Dita sollëm një nga mjekët më të talentuar shqiptar, që punon si kirurg në spitalin e Busto Arsizio, Milano. Elson Gjoni, kirurg i përgjithshëm i specializuar në kirurgjinë e tumoreve. Ka lindur në Sarandë dhe është larguar në Itali në moshën 18-vjeçare për të vazhduar studimet universitare për mjekësi në Milano, ku dhe aktualisht jeton e punon.

Doktor Gjoni, për të zgjeruar njohuritë e tij është specializuar në disa nga spitalet më të mira europiane dhe amerikane. Në Heidelberg, Gjermani ka kryer master për kirurgjinë e pankreasit, një nga qendrat kryesore në botë për këtë organ; Në Paris, Francë për kirurgjinë laparoskopike, në Institutin e tumoreve në Boston, Amerikë për kirurgjinë laparoskopike të tumoreve të zorrës së trashë dhe stomakut, në Erlangen, Gjermani për trajtimin radikal të tumorit të zorrës së trashë.

Sot punon si kirurg në spitalin e Busto Arsizio (30 km nga Milano) që nga viti 2011.

Aktiviteti i tij fokusohet në tumoret abdominal (pankreas, stomak, zorra e holle dhe e trashe) dhe kirurgjia e tiroides.

“Këto vite pune për mua kanë qenë shumë të ngarkuara dhe me shumë sakrifica, por kënaqësia që të jep kirurgjia në kurimin e shumë sëmundjeve besoj që është unike dhe shpërblimi i çdo sakrifice. Është kjo kënaqësi që më shtyn për një axhornim të vazhdueshëm të profesionit tim”- shprehet Gjoni për Dita.

Altin Stafa, Treviso

Njohëm aq shumë shqiptar të talentuar gjatë kësaj periudhë e cila përpos të tjerave na bëri të kuptojmë se sa shumë jemi dhe se sa kemi humbur gjatë këtyre viteve…

Doktor Altin Stafa ishte me ne gjithashtu gjatë ditëve të virusit.  Mësuam se ai është diplomuar për Mjekësi në Universitetin e Bolonjës në vitin 2003 dhe është specializuar në Neuroradiologji Diagnostikuese dhe Terapeutike në të njëjtin Universitet në vitin 2007. Etapat pas-universitare kanë vazhduar me një master në Menaxhim të Shërbimeve Shëndetësore (Universiteti i Bolonjës) dhe një Master në Neuroradiologji endovaskulare ndërhyrëse (Universiteti San Raffaele Milano).

Ka nisur aktivitetin profesional si mjek neuroradiolog në Bolonja (Spitalet Bellaria dhe Maggiore) në vitin 2008 e deri në vitin 2014, për te vazhduar me pas në Spitalin “Ca’ Foncello” në Treviso ku edhe punon aktualisht.

Stafa, në spitalin ku punon  ishte në vijën të përballjes, së bashku me kolegët e tij,  ku çdo ditë më qindra të sëmurë që presinin shërim.

“Çdo ditë e kaluar në spital në këtë periudhë është ditë me një tension psikologjik të paprovuar më parë. Edhe sepse tensioni vazhdon edhe kur kthehesh në shtëpi, me mendimin që po sjell virusin në familje. Shpresojmë të përfundojë së më shpejt..”- shprehet doktor Altini për “Dita” nga spitali Ca’ Foncello” në Treviso, Itali.

Adelona Salaj

Një vajzë vlonjatë ishte gjithashtu një nga mjeket tona e cila e përjetoi shumë këtë periudhë.

Doktoreshë Adelona Salaj, ka përfunduar studimet e larta për mjekësi në universitetin “La Sapienza” të Romës. Ka kryer specializim në kirurgji të përgjithshme, gjithnjë në “La Sapienza”. Që në dy vitet e fundit të specializimit dhe më deri sot jeton dhe punon në Grosseto, Toskana.

Ka zgjedhur pikërisht këtë qytet pasi këtu që në fillim është zhvilluar kirurgjia robotike invazive.

Sot punon në repartin e kirurgjisë robotike onkologjike dhe të urgjencës duke qenë pikë referimi për gjithë qendrat robotike nëpër botë.

Reparti ku punon është pikë referimi jo vetëm për qendrën e Toskanës, por dhe për gjithë Italinë.

Doktoresha e cila ka lindur në Vlorë dhe ka jetuar aty deri në përfundim të shkollës së mesme, pak përpara se të bënim këtë bisedë është përzgjedhur, nga 7200 kërkesa, si një nga 300 mjekët që do të shkojnë të shërbejnë në vijën e parë me pacientët të cilët janë të prekur me CoVid-19 në një nga spitalet e Lombardisë.

Ajo është shumë e lumtur për këtë fakt dhe e konsideron si një nga shërbimet më të vyera që mund të bëj në jetë. “Ishte një kërkesë e imja që mezi po e prisja”- shprehet Salaj.

Altin Palloshi, Milano

Altin Palloshi është mjek kardiolog hemodinamist, më konkretisht merret me operacionet miniinvazive të sistemit kardiovaskular (operacione në arteriet dhe strukturat e zemrës si dhe të arterieve periferike si karotide, këmbëve, aorte etj). Aktualisht jeton dhe punon në Milano. Si shumë kolegë ai u përball me orë të gjata pune për shkak se spitali ku ai punon u vendos i gjithë në shërbim të pacientëve të cilët u prekën  nga Covid-19.

Por kjo nuk e pengoi atë t’i  vij në ndihmë edhe shqiptarëve.

Sëbashku me profesionist ë të tjerë, mjekë, hapi një spital virtual i cili synon të jetë një mbështetje shtesë për popullatën në këto momente të vështira e të jetë një ndihmë për punën e palodhur të kolegëve në Shqipëri duke ofruar asistencën dhe përvojën e vazhdueshme milaneze.

Gjergji Dyrmishi, Bavari

Në këtë udhëtim me mjek specialist, ndaluam edhe në Gjermani, pasi edhe atje kemi shumë mjekë dhe infermier shqiptar të cilët kanë shkuar vitet e fundit për të punuar.

U njohëm me Doktor Gjergji Dyrmishi i cili ka studiuar Mjekësi të Përgjithshme në Tiranë dhe prej 5 vitesh punon në Gjermani si mjek në repartin e Mjekësisë Interne.

Aktualisht punon në një qytet që quhet Kulmbach në Landin e Bavarisë.

Si shumë specialist të tjerë ai është larguar drejt Gjermanisë së bashku me bashkëshorten e tij e cila gjithashtu është mjeke.

Gjatë kësaj periudhë edhe ai u përball me të sëmurët të cilët infektohen nga CoVid-19. Gjermania ishte një nga vendet që e mori me qetësi përballjen me këtë sëmundje.

Për të kuptuar se çfarë ndodh brenda spitaleve gjermane, ne e ftuam Dr. Gjergjin për të na treguar se si ishte situata në vendin ku ai punon dhe se si po përballeshin me këtë pandemi.

Lista e  shqiptuarve të cilët shërbejnë me bluzë të bardhë jashtë vendit është edhe më e gjatë. Mesa duket atje kanë gjetur qetësinë dhe trajtimin që u ka munguar në vendin tonë. Ashtu siç edhe një pjesë e mirë e tyre kishin studiuar dhe për pasoj kthimin në Shqipëri nuk e kishin patur ndonjëherë në plan.  Këtë herë, në këtë situatë të vështirë, ata nuk hezituan të japin ndihmën e tyre për Shqipërinë. Pa arrogancë dhe më shumë mirësjellje, ata, në një farë mënyrë na qëndruan të gjithëve pranë.

 

 

 

 

 

 

May 22, 2020 11:24
Komento

1 Koment

  1. Dr lili May 22, 14:21

    Hi hi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim