Mjekët, stomatologët dhe farmacistët që testohen në datat 3-7 tetor

September 19, 2016 09:30

Mjekët, stomatologët dhe farmacistët që testohen në datat 3-7 tetor

Pranvera Kola

Rrezikojnë vendet e punës nëse nuk marrin rezultate kaluese në provimin e certifikimit që do zhvillohet  në javën e parë të muajit tetor. Konkretisht, bëhet fjalë për mijëra mjekë, farmacistë dhe stomatologë, të strukturave publike dhe private shëndetësore, të cilët refuzuan mbledhjen e krediteve të përcaktuara për fazën e parë të programit të certifikimit që u zhvillua përgjatë viteve 2010-2015. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), ka shpallur datat e provimeve për të gjithë punonjësit që rezultojnë me mungesë kreditesh. Provimet do të zhvillohen sipas specialiteteve duke nisur nga data 3 tetor, për të përfunduar në 7 tetor me provimin e mjekëve stomatologë.

Datat e testimeve sipas specialiteteve  

Provimet për mjekët do të zhvillohen në ambientet e Universitetit të Mjekësisë, në departamentet përkatëse të secilit fakultetet sipas datave të përcaktuara. Të parët që do të testohen në mëngjesin e datës 3 tetor janë profesionistët e specialiteteve, mjek familjeje, endokrinologji, mikrobiologji, shëndet publik dhe mjekësi ligjore. Më pas në datën 4 tetor, do të zhvillohen provimet për specialitetet kirurgji, radiologji, neurologji, kardiologji dhe biokimi. Në datën 5 tetor, do të zhvillohet provimi për specialitetet anestezi-reanimacion, hematologji, onkologji, psikiatri, si dhe reumatologji. Ndërsa në 6 tetor do kalojnë në testim mjekët e specialiteteve pediatri, obstetrikë-gjinekologji, urgjenca mjekësore, si dhe ata të specialitetit të ortopedisë. Po në datën 6 tetor do i nënshtrohen provimit kualifikues edhe të gjithë specialistet e profilit të farmacisë. Stomatologët do të jenë të fundit që do të përmbyllin testimet e fazës së parë me datën 7 tetor. Sipas rregullores, ditën e testimit çdo pjesëmarrës duhet të jetë i pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti, ose pasaportë), me një fotokopje të saj, të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit, si dhe të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të orarit zyrtar të testimit (ora 09:00). Tarifa që duhet të shlyejnë të gjithë këta specialistë që do të hyjnë në provimin e certifikimit për herë të parë do jetë 10,000 lekë, e cila duhet faktuar me mandatin përkatës. Sipas kushteve të përcaktuara, testimi është i detyrueshëm jo vetëm për të punësuarit në publik, por edhe për ata në privat, të cilët përgjatë viteve të shkuara kanë qëndruar në vend, duke mos ndjekur asnjë aktivitet të zhvillimit të edukimit në vazhdim. Numri i kandidatëve të çdo specialiteti do të përcaktojë edhe formatin e dhënies së provimit nëse do jetë me shkrim, apo në mënyrë të informatizuar. Sipas ekspertëve të QKEV-së, provimi kryhet për të vlerësuar nivelin e njohurive dhe të kompetencave për të gjithë punonjësit që nuk janë angazhuar plotësisht në edukimin e tyre në vazhdim, sipas programit të përcaktuar. Përmbajtja e provimit hartohet nga Komisioni i Provimit të Certifikimit në përputhje me veprimtarinë profesionale të profilit të punonjësit dhe zhvillimeve të reja shkencore të ndodhura në këtë fushë. Pas kalimit me sukses të provimit, çdo pjesëmarrës merr dëshminë përkatëse nga Bordi i Edukimit në Vazhdim, e nëpërmjet dorëzimit të saj në organet e urdhrave profesionalë konfirmohet edhe vlefshmëria e kontratës së punës.

Rregullorja mbi testimin

Në rregulloren e provimeve të aprovuar në muajin shkurt nga dikasteri i shëndetësisë përcaktohet se, në rastet kur numri i pjesëmarrësve me mungesë kreditosh për një specialitet të caktuar është më i vogël se 50 kandidatë, atëherë provimi do të zhvillohet me shkrim pranë Komisionit të Provimit të Certifikimit. Pyetjet hartohen po nga ekspertët e këtij komisioni, testimi në këtë rast do të jetë me zhvillim. Sa i takon testimit me shkrim, komisioni duhet të ketë përgatitur jo më pak se 7 teza për çdo specialitet. Çdo tezë do të ketë në përmbajtje nga tre pyetje me zhvillim. Në çdo rast përmbajtja e këtyre pyetjeve duhet të jetë brenda programit orientues të specialitetit përkatës dhe në përputhje me zhvillimet e reja shkencore në këtë fushë. Teza vlerësohet në total me 100 pikë. Ndërsa në rastet kur numri i kandidatëve që do testohen është më i lartë se 50 , atëherë provimi do të zhvillohet pranë AKP-së dhe do jetë me fond të hapur pyetjesh. Hartimi i fondit të pyetjeve bëhet nga Komisioni i  Provimit të Certifikimit, duke ndërtuar çdo pyetje me katër alternativa, nga ku kandidati duhet të përzgjedhë të saktën. Dy janë kriteret e hartimit të pyetjeve të testit, së pari duke i grupuar sipas moduleve dhe klasifikimeve kryesore të fushave të specialitetit. Ndërkohë që kriteri i dytë është sipas nivelit të vështirësisë, duke filluar nga i lehtë, që vlerësohet me 1 pikë, niveli mesatar që vlerësohet me 2 pikë, si dhe pyetjet e nivelit të tretë më të vështirë, të cilat vlerësohen me tre pikë. Ndërsa teza e provimit të informatizuar do të ketë në përmbajtje 50 pyetje me alternativa. Për secilën fushë specialiteti, Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar ngritjen e një komisioni provimi, në përbërje të cilit janë: “Në përfaqësues i ministrisë, një nga urdhri profesional i shëndetit, si dhe tre përfaqësues të përzgjedhur nga personeli akademik i institucionit të arsimit të lartë, por që janë me titullin “profesor”. Për të hyrë në këtë provim çdo punonjës i listës dorëzon në kërkesën me shkrim, së bashku me listën e dokumenteve të kërkuara ku duhet të përfshihen: “Fotokopje e kartës së identitetit, fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit, fatura e pagesës për provimin e certifikimit”.

 Nuk do të hyjnë në provim:

Sipas rregullores së provimit të miratuar në muajin korrik, tre janë kategoritë e personelit mjekësor që shpëtojnë nga detyrimi i dhënies së testimit të certifikimit në funksion të mbrojtjes së vendit të punës. Në këtë rast bëhet fjalë për punonjësit e punësuar në strukturat publike të shëndetit, të cilët për dy vite, ose më pak, arrijnë moshën e daljes në pension. Jashtë provimit mbeten edhe punonjësit që kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë, 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të certifikimit. Në testim nuk do hyjnë as punonjësit që kanë mbushur moshën 75 vjeç, deri në datën e përfundimit të ciklit të certifikimit. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), do jetë autoriteti i vetëm që do të bëjë të mundur regjistrimin e profesionistëve dhe krediteve të tyre në “Regjistrin Kombëtar të Certifikimit”, teksa do të marrë përsipër edhe administrimin e provimit me shkrim dhe atij të informatizuar. Kjo qendër ka hartuar tashmë edhe listën e kandidatëve që nuk kanë kreditet e duhura, të cilët duhet të testohen për të mos humbur vendet e punës që kanë në institucionet publike, apo dhe private të shëndetit.

Kreditet që kërkohen për fazën e dytë (2015-2018)

Faza e dytë e programit të certifikimit ka filluar nga janari i vitit të shkuar dhe pritet të përfundojë në dhjetor të 2018-ës. Pjesë e programit të fazës së dytë krahash mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve, do të jenë edhe personeli infermieror. Sipas rregullores, faza e dytë e programit të certifikimit për profesionistët e shëndetësisë do zgjasë 4 vite (1 janar 2015- 31 dhjetor 2018), brenda të cilave mjekët duhet të mbledhin 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët, farmacistët dhe  ndihmës-farmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve për mjekët është 10 kredite në vit; për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite në vit. Në fund të ciklit 4-vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi, që kryhet on-line dhe lidhet me specialitetin e profesionistit. Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve. Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në distancë nuk duhet të kalojnë 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve. Kreditet e përfituara nga aktivitete të vetëraportuara nuk duhet të kalojnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve. Ndërsa për herë të parë pjesë e këtij programi janë edhe infermierët. Programi i certifikimit për infermierët dhe mamitë ka nisur nga data 1 janar të vitit 2016 dhe përfundon në 31 dhjetor të 2019-ës.

September 19, 2016 09:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*