Mjeshtra që vizatojnë mure

 Gjergji Nika August 1, 2014 10:20

Mjeshtra që vizatojnë mure

Ashtu si rrugët e Berlinit, Nju Jorkut, Milanos, Londrës apo Amsterdamit, edhe rrugët tona kanë filluar të vishen me ngjyrat vendimtare të grafitit, një art i ri, që në botë u shfaq aty nga fundi i viteve ‘60 dhe që prej asaj kohe nuk ka reshtur dhe vetëm ka vazhduar të përhapet dhe të tërheqë vëmendje. Ka shumë njerëz që këtë art e konsiderojnë si vandalizëm, por nuk janë pak ata që e përkrahin dhe e vlerësojnë. Grafiti modern u shfaq nëpër rrugët e Nju Jorkut dhe mendohet se një djalosh greko-amerikan nuk la cep të qytetit dhe tren pa bojatisur. Dhe ja ku jemi në realitetin tonë shqiptar, ku rrugët kanë filluar të pikturohen e njerëzit ta kuptojnë grafitin si art e jo si zhgarravinë muresh. Erxhano Rexhepi dhe Geraldo Çela, dy 23-vjeçarë durrsakë, vijnë nga përvoja të ndryshme artistike dhe sot do përpiqen të na “edukojnë” për sa i përket këtij arti.

 

Graffiti si nevojë shprehjeje

Erxhano ose shkurt Xhani, dhe miku i tij Geraldo, kanë filluar të pikturojnë dhe të skicojnë nëpër letra që fëmijë. Xhani na tregon për përballjen e tij të parë me një mur për t’u bojatisur. “Grafitin tim të parë e realizova 16 vjeç, ishte një punë me 50 metra gjatësi dhe 5 metra lartësi. Bënte pjesë në një faqe muri të një shkolle, e cila u tregonte nxënësve rrugëtimin që do ndërmerrnin”. Pas atij punimi që akoma dhe sot ndodhet në murin e shkollës, Xhani fillon dhe eksploron veten e tij në fusha të ndryshme artistike. Ai nuk është vetëm një artist grafitesh por një artist kompleks, siç na tregon dhe ai vetë. “E nisa me artin e tatuazhit dhe grafiti erdhi më vonë, kryesisht si nevojë për t’u shprehur në muret e qytetit dhe për t’u dhënë atyre kuptim. Gjithashtu, merrem me “airbrush”. Vizatoj makina apo motorrë në bazë të preferencave që kanë klientët dhe arrij t’i realizoj mirë dëshirat e tyre”. Geraldo, ose siç ka pseudonimin Jerry, i ka fillesat e ngjashme me kolegun e tij. Ai tregon se muri i parë që ka bojatisur ka qenë në një dhomë shtëpie, një dhomë vajze, e cila kërkonte një portret te ai muri bosh. Jerry ka pak kohë në Shqipëri dhe po përpiqet të përshtatet me kulturën shqiptare. Teksa e shohim të qetë me një kapele të kthyer mbrapsht në kokë, ai shpreh filozofinë e tij: “Nëpërmjet fjalëve nuk arrij të shprehem plotësisht, grafiti më vjen në ndihmë jo vetëm për t’u shprehur, përmes tij arrij t’i jap mesazhin marrësit në kanale të ndryshme komunikimi, si verbal dhe jo verbal, është një mënyrë shprehuri më e bukur dhe më interesante”. Të dy djemtë kanë burime të ndryshme inspirimi, Xhani na tregon se nuk ka një pikë frymëzimi ekzakte, as ndonjë person që merr për shembull; “më lind nevoja për të thënë diçka dhe atë e pasqyroj në grafit”. Ndërsa Jerry është në “gjueti” të frymëzimit. “Gjatë ditës kap momentin e duhur që fantazia ime është në eksplorim të lirë, gjithsesi për shkak edhe të përvojës sime me bashkëpunime të ndryshme, kam arritur të krijoj stilin tim dhe ta prezantoj atë më së miri”. Për sa i përket nivelit që përshkruan Shqipërinë në këtë “street art”, miqtë tanë bien dakord dhe të dy pothuajse me një gojë thonë se “Shqipëria ndodhet në qasjet e para, njerëzit ende nuk e njohin si art dhe e quajnë thjesht një bojatisje në mur. Nuk u lenë vend artistëve për t’u shprehur dhe nuk ia vlerësojnë punën. Aksesi në mjetet bazë është i vështirë dhe kultura në vendin tonë, sa i përket grafiteve është pothuajse minimale, gjithsesi shpresoj se ky art do te zhvillohet dhe njerëzit do të kuptojnë se çfarë lloj mesazhin duam të përcjellim”, shprehet Jerry.

 

Picasso me sprajt në dorë

Së pari lë të supozojmë se Picasso është akoma midis nesh, së dyti le të mendojmë se teksa ai po ecën nëpër rrugët e Tiranës, vendos të hedh kryeveprën e tij të radhës te muri i oborrit tonë, ose në një cep të lagjes ku jetojmë: Cili do të ishte qëndrimi ynë, se ai po kryen art, apo thjesht po hedh bojë mbi një mur dhe po vandalizon vendin?! Edhe pse Shqipëria mbase akoma nuk është përshtatur me ritmet e këtij arti të ri, të rinjtë kanë gjetur mënyrën për t’u shprehur, siç kanë bërë dhe miqtë tanë. Kur i drejtojmë pyetjen dhe i themi se cili është ai shtet që e ka zhvilluar këtë art më së tepërmi, Xhani Rexhepi thotë se është një art në zhvillim e sipër dhe shumë shtete kanë filluar ta vejnë në përdorim. Ndërkohë që Jerry tregon se sipas tij “pika kryesore e grafiteve është Berlini. Aty mendoj se grafiti është zhvilluar me hapa gjigandë dhe ngado që kthen kokën sheh mure duke përcjellë mesazhe. Edhe pse si art ka filluar në vende të tjera, Berlini e ka përshtatur dhe e ka zhvilluar këtë “street art” duke e çuar plotësisht në një nivel tjetër”. Edhe artistët më të mëdhenj jo vetëm ato të pikturës por të kujtdo skene, e gjejnë të vështirë për të ndërtuar mesazhin që duan të përcjellin, sfida më e madhe për ato është depërtimi që kanë të marrësit e mesazheve dhe interpretimi i tyre në tërësi. Sfida që ka me veten Xhani, ndryshon nga ajo e shokut të tij “Arti asnjëherë nuk ka fund, nuk do resht se ekploruari veten time dhe botën e jashtme, jam i hapur në mendime dhe stile të reja”. Jerry është një konkurrent i vetes, na tregon se sfida e tij kryesore është “të kënaq veten me punën që bëj. Është shumë e vështirë që një artist të arrijë t’i pëlqejë vetja. Arritja ime më e madhe do jetë në rast se njerëzit arrijnë të kuptojnë artin që unë zhvilloj, edukimi i tyre dhe vlerësimet për punën që realizoj për mua do të ishte një kënaqësi shumë e madhe”. Edhe pse bashkëmoshatarë, stilet e të veshurit apo të shprehjes se tyre artistike ndryshojnë. Jerry thotë se i pëlqen t’i përziejë stilet e ndryshme, se i zgjedh me kujdes dhe përpiqet që të ketë një shumëllojshmëri mesazhesh. “Të mos harrojmë se varet edhe nga puna që më kërkohet të bëj”. Ndërsa Xhani ka stilin e tij që e përshkruan si “stil real, të natyrshëm”, ai mendon se detajet bëjnë ndryshimin dhe prandaj fokusohet shumë aty duke lënë nga pas një pamje mbresëlënëse dhe kuptimplotë”.

 

Jo mureve pa kuptim

Të dy artistët tanë e fillojnë ditën së bashku. Fillojnë duke hapur studion e tyre dhe menjëherë merren me takimet që kanë në axhendë. Koha e tyre e lirë përsëri i gjen në studio, duke skicuar modele të reja, pa lënë hapësirë për të humbur frymëzimin. Bashkëpunimi i tyre rrjedh gjatës ditës dhe harmonia prezantohet në veprat që realizojnë. Ata tregojnë se dyqani i tyre i vogël është gjithmonë i hapur për klientët dhe madje mirëpresin njerëz të zakonshëm të cilët duan të marrin dhe të japin diçka nga vetja, aty mund të mësojnë çdo gjë përreth grafiteve, apo skicimeve të ndryshme. Xhani dhe Jerry shpresojnë se shumë shpejt do vijë dita e cila do i lejojë ato dhe shumë artistë të tjerë të “zbukurojnë” qytetin me nuancat e tyre artistike. Thonë se problem numër një i shoqërisë është se njerëzit nuk kanë një frymë bashkëpunimi. Nëpërmjet grafiteve dhe me mesazhet që ato mbartin, njerëzit do arrijnë të kuptojnë “hallet” e njërit-tjetrit dhe mbase fillon një qasje solidariteti. Arti është njëlloj i bukur edhe jashtë mureve të galerive. Çdokush nga ne ka të drejtë për ta shijuar në një mënyrë ose tjetër. Xhani dhe Jerry rrëfejnë se “Grafitin e kemi zgjedhur për t’i dhënë një kuptim të ri artit në Shqipëri dhe ta bëjmë të arritshëm për çdokënd”.

 

erxhanoErxhano Rexhepi (Xhani) ka kryer studimet në Universitetin e Arteve. Hapi studion e tij në Durrës në një kohë kur moshatarët e tij nuk dinin se çfarë ishte përgjegjësia. Stili i tij i artit është realist me një përkujdesje të veçantë ndaj detajeve. Një artist i formuar nga shumëllojshmëri artesh të tjera të cilat ai i zotëron dhe i vë në përdorim. Tip eksplorues dhe kërkon sa më shumë nga vetja.
geraldoGeraldo Çela (Jerry) person i cili ka punuar shumë për t’u formuar si artist është rritur në shtetin fqinj Greqi, aty ku ka marr kulturën e grafiteve. Jerry beson se çdokush ka një talent, pavarësisht sa e kuptojnë dhe e ushqejnë atë. Geraldo gjithashtu bënte pjesë me një bandë muzikore, por jo si këngëtar, pasi ai skicon lart në pistë vargjet e këngëve të bandës muzikore dhe pas koncertit njerëzit mund të marrin mesazhin nga një kanal tjetër komunikimi.

 

 Gjergji Nika August 1, 2014 10:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*