Mjeshtri i Madh Foto Toti, përmes “Harkut të Kujtimeve”të tij

April 15, 2019 14:32

Mjeshtri i Madh Foto Toti, përmes “Harkut të Kujtimeve”të tij

Nga Sejdo Harka

Bardhyl Xhama

Të shkruash për Prof. Foto Totin, është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Është e lehtë, sepse vlerat dhe veprimtaria e tij janë tepër të gjera dhe shumëplanëshe. Pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia, sepse nga ajo mori veprimtarish dhe vlerash cilësore, që ai mban mbi portretin e tij,është e vështirë të përzgjedhësh ato më të mirat, për t’i renditur brenda dimensioneve të një shkrimi publicistik.Figurën e këtij “Mjeshtri të Madh”, në radhë të parë e karakterizon dashamirësia dhe respekti për njerëzit e shoqërinë. Ulesh me të në tavolinë dhe përmes bisedave të ngrohta, me kulturë, sinqeritet dhe humor, mes avujve të këndshëm të kafes së mëngjesit, të krijohet ndjesia sikur rrethohesh nga një botë pa halle dhe probleme.

Foto Toti u lind në Labovë, më 1937, në një familje me tradita të lashta atdhetare dhe arsimdashëse. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes e më pas në qytetin e Gjirokastrës. Edhe pse në fëmjëri ai kishte shfaqur prirje për letërsinë, i orientuar nga një i afërm i tij, lë në gjumë pasionet e kësaj moshe, për të vazhduar shkollën e mesme në Politeknikumin e Mjekësisë, për ndihmësmjek dentist. Me mbarimin e kësaj shkolle ai emërohet ndihmësmjek dentist në Klinikën Dentare të Durrësit. Pas përfundimit të shkollës së mesme, një ditë, kur ai kishte shkuar në fshatin e lindjes, me kraqafë çantën e ndihmës së shpejtë, që s’e ndante kurrë nga shpina, Foto Toti u bë protagonist për shpëtimin e jetës së bashkëfshatares Urani Llogo, të cilën e kishte goditur rrufeja. Për këtë akt të rrallë, gazeta “Zëri i Rinisë”, së asaj kohe, shkruante me shkronja kapitale: “NËN SHEMBULLIN E MË TË MIRËVE. SHPËTOI JETËN E NJË NJERIU”.

Gjatë kësaj periudhe, ai u emërua përgjegjës i Klinikës Dentare të Kavajës. Aty, tregon F.Toti, gjeta dy mjekë të zotë, të cilët më trajtuan si birin e tyre dhe më mësuan me dashamirësi sekretet e këtij profesioni sa të vështirë, por aq edhe të bukur.

Një vit më pas, Foto Toti, u dërgua për studime në Gjermani. Pas përfundimit të studimeve, u emërua mjek stomatolog në Tropojë, ku ushtroi profesionin për rreth 5 vjet me radhë. Më pas F.Toti u transferua në Klinikën Qendrore Dentare të Tiranës. Ndërkohë, ai filloi të aktivizohej edhe si pedagog i jashtëm i Stomatologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë. Krahas punës së përditshme me auditorin, ai ka bërë një punë të madhe hulumtuese e studimore në fushën e Stomatologjisë. Me idetë dhe punën e tij të palodhur, janë organizuar shumë konsulta, seminare e kongrese shkencore për shkëmbim përvoje dhe zgjidhjen e shumë probemeve të mjekësisë shqiptare të kohës. Në vitin 1975 ai u emërua shef i Katedrës dhe Klinikës së Ortopedisë Stomatologjike.

Foto Toti, për një kohë relativisht të shkurtër, arriti të marrë shumë tituj e grada shkencore si “Kandidat i Shkencave Mjekësore” (1979), “Docent” (1982), “Doktor i Shkencave” (1991). Ndërsa në vitin 1994 ai mori titullin e lartë akademik “Profesor”.

Ai është autor i mbi 20 monografive dhe teksteve mësimore, si dhe i mbi 200 artikujve dhe referateve shkencore, të mbajtura në Konferenca e Kongrese të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës së tij akademike, ai ka udhëhequr shumë tema për gradën “Doktor i Shkencave”.

Prof.Foto Toti është dhe do të mbetet babai i Implatologjisë shqiptare, sepse është i pari në Shqipëri, që aplikoi këtë metodë në Mjekësi. Gjithashtu, ai është i pari nga mjekët shqiptarë, që mundësoi mbi baza shkencore aplikimin e protezave, shinave kirurgjikale dhe të epitezave të fytyrës. Për një kohë të gjatë “Mjeshtri i Madh” F. Toti ka qenë anëtar i Asamblesë Botërore të IOFOS-it, anëtar i  kryesisë së Shoqatës së Stomatologjisë Shqiptare dhe kryeredaktor i Revistës Stomatologjike Shqiptare. Edhe pasi doli në pension, Foto vazhdoi të punojë me pasion si pedagog. Më pas u emërua Dekan i Shkencave Mjekësore të Aplikuara në Universitetin ”Medikadent”, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 2015. Edhe kur u largua prej aty, mendja i mbeti mes studentëve dhe kolegëve që i donte dhe e donin shumë. “E ndiej veten të lumtur – thotë ai -sepse gjithçka që kam bërë për studentët, pacientët dhe shoqërinë, ata ma kanë rikthyer me respektin dhe vlerësimin maksimal”.

Për punë të shquar në Mjekësi, Foto Toti, përveç të tjerave, është  nderuar me 5 Urdhra e Medalje si “Urdhri i Hipokratit”, “Naim Frashëri i Klasit të Parë”, “Medalja e Punës” etj.         Në kuadrin e festës së 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, atij i janë akorduar edhe shumë çertifikata  mirënjohjeje nga institucione e shoqata të ndryshme, si Ministria e Shëndetësisë, Universiteti Medikadent, Shoqata e Stomatologëve “Apolonia”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra “Ivoklar Vivadent” etj. Por, vlerësimin më të lartë Prof. Foto Toti e mori  në vitin  2015, nga Presidenti i Republikës, me motivacionin: ”Për profesionalizëm të lartë, si pionier i Implatologjisë në Stomatologjinë shqiptare, i jep titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.”

Foto Toti është gjithashtu një bashkëshort, prind dhe gjysh i shkëlqyer. Ai ka ditur si t’i respektojë, ndihmojë dhe orientojë drejt fëmijët e tij të mrekullueshëm që siç pohon edhe vetë, jo vetëm ia kanë arritur, por në disa drejtime edhe ia kanë kaluar. Mjafton të përmendim faktin që në familjen e tij prej 4 vetash, 3 prej tyre mbajnë titullin e lartë “Profesor”. Por, lumturia më e madhe për Foton janë mbesa dhe nipërit e tij: Paolo, Kevi, Fjordi, Emi dhe në mënyrë të veçantë, Patriku i vogël, me të cilin kalon pjesën më të madhe të kohës së lirë.

Foto Toti, pavarësisht gjithë arritjeve dhe kontributeve, përsëri e ndien se ende ka diçka për të bërë. Prandaj, edhe sot e kesaj dite, vazhdon të shkruajë kujtimet e tij, si dhuratë për brezat e ardhshëm. Siç duket, në shprtin e tij është rizgjuar përsëri ëndrra e dikurshme për krijimtarinë letrare. Krahas librave me persiate arsistike e kujtime për vendlindjen e tij Labovën, shkollën e mësuesit e këtij fshati arsimdashës dhe për fisin “Toti”, ai kohët e fundit ka nxjerrë në qarkullim librin e tij më të ri, me titullin kuptimplotë “Harku i kujtimeve”.Në promovimin e këtij libri,që u bë këto ditë tek “Hotel Diplomati”, morën pjesë miq,shokë bashkëfshatarë dhe shumë lexues, disa prej  të cilëve ,në diskutimet e tyre,evidentuan vlerat e padiskutueshme të tij.Pastaj,Foto Toti,bashkë me niprit dhe mbesën e tij, u shpërndau si dhuratë simbolike librin e tij të gjithë pjesmarrësve që morën pjesë në këtë koktej të bukur kulturor.Në këtë libër ndërthuren mirë të dy pjesët: “Të tjerët për mua” dhe “Unë për të tjerët”. Ky libër karakterizohet nga naracioni i vrullshëm dhe gjuha e bukur, që të nxit kureshtjen për ta lexuar me një frymë. Protagonisti kryesor  i këtij libri është vetë autori, portreti i të cilit del përmes përshtypjeve dhe kujtimeve të shumë miqve, shokëve, kolegëve dhe të disa figurave të shquara të Mjekësisë,Artit e të Letërsisë shqipe.

Që në faqen e parë të këtij libri Foto thotë: “Unë e shkrova këtë libër, jo me mendimin se do të lexohet nga shumë njerëz, por me bindjen, që ata që do ta lexojnë, nuk do të pendohen kurrë për kohën e humbur.”

-Babai, – tregon ai – para se të largohej nga kjo botë, më la një amanet: ”Bëj diçka edhe për fshatin bir, se aty kemi gjithçka, kemi edhe eshtrat e të parëve tanë.” Foto Toti, i lindur dhe rritur në këto anë , s’mund të harronte dot Kroin e Madh  të Labovës. Kush e provoi një herë ujin e atij kroi dhe nuk u kthye përsëri ta shijojë?! Është kjo arsyeja, që ai shkoi dhe e rindërtoi përsëri nga e para një krua tjetër të fshatit, “Kroin e Kallogresë”. Por, fatkeqësisht, njerëz me shpirt të çoroditur e shkatërruan atë. Prandaj, Foto Toti, shkroi fejtonin sarkastik: ” Po me Kroin ç’patën?!”. Për të zbutur sadopak shprtin e egërsuar të njerëzve të tillë, të cilët kanë bërë që Labova të vazhdojë  të rrudhet e të braktiset, ai u kujton vargjet e bukura të  poetit dhe birit të këtyre anëve, Arben Duka: ”Në ato viset e mia,/Plot me mjalt e ëmbëlsirë,/Në Labovë e në Odrie,/Do të vdisja me dëshirë…”

Objekt i shkrimeve të bukura të F.Totit, që janë bërë pjesë e librit të tij më të ri, janë bërë edhe  bijë të rrallë të Labovës, si  patrioti i madh Vangjel Zhapa, “Nderi i Kombit”, i cili, përveç dimensioneve të gjera kombëtare e ballkanike të  bëmave të tij, është quajtur njeriu “me tre varre”. Duke cituar Skënder Luarasin , i cili dikur me dëshpërim theksonte: ”Ndërsa bota heronjtë i bën prej balte, ne i kemi dhe i baltosim ose i prishim që të harrohen.”, autori na jep mësimin: “Njerëzit e mëdhenj, që kanë kontribuar për vendin dhe botën, duhet t’i zbulojmë, t’i njohim e t’i nderojmë.”

Po ç’tregojnë për vetë  Prof. Foto Totin njerëzit që punuan dhe e njohën  nga afër për një kohë të gjatë?: “Një ditë, – tregonte laboranti i tij Ali Mula –  kur  punonim bashkë në Tropojë, pa në oborrin e spitalit një fëmijë 8-9 vjeçar, të nxirë nga fytyra , që si dukej vuante nga difteria. Kur  Pediatria e spitalit e rekomandoi të shkonte në spitalin e Kukesit, dr. Foto e ktheu në klinikën e tij dhe më porositi  të gjeja urgjent një tub metalik dhe ta përkulja. Pasi ai i bëri një prerje në fyt, ku i vendosi tubin e përthyer, fëmija filloi të merrte frymë lirisht, ndërsa prindërit e fëmijës, të lumturuar së tepërmi, filuan ta përqafonin Foton me përzemërsi dhe mirënjohje, pasi ai sapo u kishte shpëtuar nga vdekja djalin, dritën e vetme të syrit.”.

“Emërimi në Tropojë, – tregon Foto Toti – më befasoi, por nuk më bëri pesimist,falë kjo edhe kurajos që më dha babai.” “Mos u  mërzit bir – më tha ai – Nuk po shkon në kurbet. Sillu dhe puno mirë atje, se ky popull të bëri ty doktor!”

-I vendosur për të bërë diçka për mjekësinë e këtij qyteti të largët-tregon F.Toti-nuk pranova të filloja punën  në atë klinikë, e cila s’plotësonte as kushtet minimale për ushtrimin e profesionit, derisa organet drejtuese të Tropojës i mundësuan ato. Aty Dr. Foto punoi 5 vjet. -Kur erdhi momenti i largimit, –  tregon ai – pyesja veten nëse e kisha kryer mirë detyrën dhe nëse e meritoja plotësisht atë respekt e mirënjohje, që ata tregonin për mua. Ishte një çast shumë emocionues. Njerëzit më përshëndesnin me dorë, më falënderonin dhe më uronin rrugë të mbarë…”

Në faqet e librit “Harku i kujtimeve”, gjejmë edhe shënimet që ka lënë për Foto Totin, Prof. Dr. Hektor Çoçoli, i cili, mes të tjerash, thekson “Ai është një nga stomatologët më të mirë të vendit, klinsit dhe studiues i mirëfilltë, pedagog i talentuar, që zhvillonte një proces pedagogjik të një niveli të lartë me studentët dhe specializantët.” Ndërsa Prof.As.Dr Nazim Koçi, Foto Totin  e quan figurë të shquar të Stomatologjisë shqiptare. –Në  mos më i miri, – thekson ai – Toti, bën  pjesë në plejadën e gjeneralëve të mëdhenj të Mjekësisë. Vlerësime të larta bëjnë për Prof. Foto Totin edhe figura të tjera të larta akademike si:  Prof. Luan Malltezi, Prof. Gafur Shtino dhe Prof. Flamur Tartari, i cili shkruan: “Dy herë “Doktor i Shkencave Mjekësore”, “Urdhri Hipokrati” dhe titulli “Mjeshtër i Madh” e bëjnë profesor Foton të dallueshëm jo vetëm në Stomatologji, por edhe në krejt Mjekësinë shqiptare.” Një meritë të madhe profesor Foto ka edhe në hartimin e fjalorit shumëgjuhësh të Stomatologjisë, që e ka realizuar me profesor Xhevdet Asllanin dhe profesor Samedin Gjinin.”

Figura e “Mjeshtrit të Madh” Foto Toti, ka tërhequr po ashtu edhe vëmendjen e njerëzve të njohur të kulturës dhe letërsisë shqipe si Dritëro Agolli. Në shënimet që ai ka lënë për librin ”Labova, arsimi dhe arsimtarët e saj”, ai shkruan: ”Në këtë libër ka një fakt  befasues: Që nga hapja e shkollës së parë shqipe e këtej, arsimtarët e Labovës bëhen 150. Përqasur me numrin e familjeve të fshatit, i takon më shumë se një mësues për familje. -Në fshat ka një kandil drite të  ndezur -thotë Hygoi. Përfytyroni ç’dritë është bërë në Labovë nga kaq  kandila të ndezur.” Ndërsa  shkrimtari Visar Zhiti, në shënimet e tij për kujtimet e Foto Totit shkruan: ”Sikur të gjithë të bënin, ashtu si të mundnin, atë që bën Foto Toti, të shkruanin për fisin, vendlindjen, fshatin dhe qytetin e tyre, do të kishim enciklopedinë e madhe të kujtesës së kombit. Një poet i madh thotë se,qytet i madh nuk është ai që ka shumë banorë, por edhe një vend  i humbur, që ka një njeri të madh, është qytet i madh”.

Për t’i mbyllur këto shënime, të shkurtra, për një emër të madh si Foto Toti, po citojmë vargjet brilante, me kolorit popullor, të poetit, bashkëfshatarit dhe shokut të ngushtë  të protagonistit të këtij shkrimi, Arben Duka: ”Shpirt nga shpirti ynë,/Labovës i dhamë,/Sot jemi të dy,/Dy burra me fame,/Dhe kur të mos jemi,/Do jemi të gjallë,/O i shtrenjti Foto,/Burrë, o burrë i rrallë!”

April 15, 2019 14:32
Komento

1 Koment

  1. demo April 15, 18:27

    Edhe Krishti ne me thente
    Une jam grek,eni pas meje
    Do t`i themi:-Pa mblidh mendte!,
    se shqiptari s`vjen pas teje!
    Petro Nini Luarasi.
    Fillova ta lexoj me kenaqesi tregimin per kete profesor te mjeksise nga Labova,deri kur permendi Vangjel Zhaben si patriot shqiptar.Deri ketu.
    Per hater te ketij profesori,une do ti Them derrit derr dhe jo daje..Se c`ka qene Vangjel Zhaba,e kane lenee amanet Koto Hoxhi,Thoma Papapano,Ilia Dilo Sheperi,
    Ka qene nje grekoman,nga me te demshmit per popullin shqiptar.Eshte kallauzi i Patrikanes Greke te Stambollit,qe ftoi me dhelperi Naum Veqilharxhin ne Stamboll,e futi ne Seline e Patrikanes greke,nga ku nuk doli me i gjalle.Pse e beri kete krim te poshter Vangjel Zhaba?Sepse Naum Veqilharxhi kerkonte te hapte shkolla shqipe ne Korce dhe Kolonje dhe shpresonte tek nderhyrja e Patrikanes per te siguruar Fermanin nga sulltani,.Vangjel Zhaba financoi me parate e tokave qe i fali mbreti Rumanise,Levisjen Vorio Epirote antishqiptare,,financoi bandat vorioepirote qe masakruan patriotet shqiptare,financoi shkolla dhe kisha greke per assimilimin e banoreve te Lunxherise,Erindit,Dangellise,Vurgut dhe Himares.
    Ne konviktin e Vangjel Zhabes ne Labove kendohej greqisht himni i tij qe fillonte me keto rreshta:
    Ti therim shqiptaret
    Dhe gjakun e tyre ta pijme si vere.
    Po te ishte per te nderuar Vangjel Zhaben e kishin bere akademiket Aleks Buda dhe Dhimiter Shuteriqi,,ja kishin shenuar emrin ne ndonje cep te Historise se Rilindjes Kombetare.Pooor nuk e permendin asgjekundi,sepse e njohen mire.
    Zoterinj grekomane!Do ti lutesha te birit te Skender Luarasit.zotit Petro,te vertetonte ato fjale qe sipas jush i paska thene djali i Petro Nini Luarasit, SKENDER LUARASI,qe nuk besoj te jene te verteta..
    Ate qe Napolon Zerva beri kunder Camerise me arme dhe zjarr,Vangjel Zhaba e beri per greqizimin e Shqiperise me forcen e parase.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin