Mjeshtri i Madh, Todi Bozo, i pari producent profesionist i kinematografisë shqiptare

November 4, 2017 14:51

Mjeshtri i Madh, Todi Bozo, i pari producent profesionist i kinematografisë shqiptare

Kujtim Çashku: “Në bashkëprodhimet me të huajt, pas vitit 1990 ai demonstroi një përgatitje dhe aftësi teorike e praktike bashkëkohore të nivelit europian”.

Nga Dhimitër Shtëmbari

Filiz i një trungu me rrënjë të thella, Todi Bozo do të bënte emër në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX në mbarë Myzeqenë babaj i Todit thirrej Kapedan Llazar Bozo. Sepse ishte ndër atdhetarët më të shquar të kësaj krahine. Në nëntor të vitit 1912 ai ka qënë shoqërues i Ismail Qemalit nga Shkumbini për në Vlorë, duke qënë i pranishëm edhe në çastin e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë.

Më 1914 esadistët i dogjën shtëpinë Llazar Bozos! Ky atdhetar ishte njohur edhe tej Myzeqesë. Atdhetari i shquar Mihal Grameno në librin e tij “Kryengritjet shqiptare”, ndër të tjera shkruan, se “… në një komision paqëtimi isha unë, Cilka Coruni nga Vlora dhe Llazar Bozo nga Kolonja e Myzeqesë”. Në broshurën “Zëri i Shqipërisë”, organ shtypi që drejtohej nga Mihal Grameno, më 29 mars të vitit 1915 teksa shkruhej për disa atdhetarë shqiptarë bëhej fjalë edhe për “… i palodhshmi dhe i famshmi Llazar Bozo…”.

Më 1920 Llazar Bozo së toku me të vëllain, Jakovin, ishin anëtarë të Komisionit Nismëtar për thirrjen dhe përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Llazari e Sheh Karbunara ishin edhe delegatë të Kongresit. Ndërkohë, Llazari ishte edhe kryekomandant i forcave vullnetare që mbronin punimet e Kongresit. Këtyre viteve ka qënë edhe administrator i konviktit të shkollës së hapur pranë Manastirit të Ardenicës, ku mësonin edhe djem të fesë myslimane!

Mbas pushtimit fashist të vendit, me krijimin e çetave të para antifashiste në Myzeqe, edhe pse ishte 62-vjeçarë Llazar Bozo së bashku me pesë djemtë dhe vajzën dolën partizanë, një shembull unik ky në shkallë vendi. Në prill të vitit 1943 fashistët së bashku me mercenarët e kriminelit Isa Toska i dogjën shtëpinë Llazar Bozos në Kolonjë dhe i vranë djalin e madh, Petrin!

Në shtator të vitit 1943, në Konferencën II Kombëtare Antifashiste Nacionalçlirimtare organizuar në Labinot të Elbasanit, Llazar Bozo zgjidhet anëtar i Këshilit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Po kështu zgjidhet edhe në Kongresin e Përmetit, ku ishte i praniishëm si delegat.

Ja, në këtë mjedis atdhetar u rrit dhe u edukua Todi Bozo, kineasti i ardhshëm.

Todi Bozo, Mjeshtër i Madh

Fëmijërinë e kaloi në vendlindje. Gjatë LANÇ, së bashku me të ëmën dhe motrën e vogël iu desh të endej strehëve të varfëra fshatrave të Lushnjës. Çlirimi i Atdheut e gjeti në Tiranë.

Shkollën shtatëvjeçare Todi Bozo e pat mbaruar në Lushnje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Kinematografisë “VGIK” të Moskës. Këtu diplomën e mbrojti shkëlqyeshëm si producent filmi. Kështu, ky u bë kuadri i parë me arsim të lartë në fushën e produksionit të filmit.

***

Më 1958 Todi Bozo filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik. Tani do të ishte drejtor në filmat “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra (1969).

Ndërkaq, vazhdoi studimet pasuniversitare dhe diplomohet për regjisor. I kësaj kohe është filmi “Lugina e pushkatarëve” (1970).

Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 vjetve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.

Mbas largimit nga detyra si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kinostudios, kjo për arsye shëndetësore, Todi Bozo vazhdoi të punojë për prodhimin e filmave dokumentarë. Ka qënë skenarist dhe regjisorë i shumë filmave të tillë, mes të cilëve “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Pejsazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegtimi”, “Moj e bukura Arbëri!”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist” etj. etj.

***

 

Edhe mbas daljes në pension Todi Bozo nuk e ndërpreu veprimtarinë e vetë prodhuese e pedagogjike. Vazhdoi të jepte leksione në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Paralelisht me këtë, vazhdoi punën edhe si kineast. Kështu, deri në vitin 2008 punoi si producent ekzekutiv në filmat “Kolonel Bunker’ dhe “Syri magjik” me regjisor Kujtim Çashkun, në filmin “Kronikë provinciale” me regjisor Artan Minarollin dhe në filmin “Koha e Kometës” me regjisor Flamur Koçin. Të gjithë këta filma janë realizuar në bashkëprodhim me partnerë perëndimorë.

Kineasti Todi Bozo është marrë edhe me botime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim librin “Produksioni i filmit”, një libër profesional e shkencor, që bën fjalë për organizimin dhe teknologjinë e prodhimit të filmit. Në vitin 2014 botoi librin “Copëza kujtimesh, të ëmbla e të hidhura”, në përmbajtjen e të cilit përfshihen edhe episode të ndryshme nga puna në Kinostudion “Shqipëria e re”.

***

Vlerësimet për kineastin Todi Bozo janë të shumta. Regjisori i shquar Kujtim Çashku (Artist i merituar), ndër të tjera është shprehur: “… Todi Bozo, me punën e njohuritë e tij arriti që në të gjithë fushën e prodhimit kinematografik të ndërtonte një infrastrukturë të atillë, që mundi ta gjallonte kinematografinë shqiptare… Në bashkëprodhimet me të huajt, pas vitit 1990, ai demonstroi një përgatitje e aftësi teorike e praktike bashkëkohore të nivelit europian”.

Kineasti i mirënjohur Petrit Beci ka shkruar, se ‘… duke vënë në përdorim eksperiencën e tij shumëvjeçare, Todi Bozo hodhi bazat teorike e praktike për zhvillimin e teknologjisë së produksionit të filmit në mënyrë shkencore dhe duke iu përshtatur kërkesave artistike të periudhës në të cilën punoi… Brezi i ri ka përfituar një praktikë pune dhe një eksperiencë të jashtëzakonshme nga profesor Bozo. Dhe për këtë i jemi mirënjohës përherë”.

Për rol të shquar dhe kontribut të çmuar në fushën e kinematografisë, kineastit të mirënjohur Todi Bozo i është akorduar Urdhëri i lartë “Mjeshtër i madh” prej Presidentit të Republikës.

Rrugën e bukur të krijuesit tashmë e vazhdon djali i Todit, Petri Bozo, një regjisor i talentuar i Televizionit Publik Shqiptar.

 

November 4, 2017 14:51
Komento

1 Koment

  1. XXXL November 4, 15:36

    Mos e kene gje fjalen per ate Bozen qe zhvat dhe merret medemek me Miss kurva te Globit.
    E paska zene fatkeqesia ne djalin te shkretin Todi, se vajza e divorcuar njihet, ka heret pi vetem droge e ngre ato shalet e shkurtra si lilipute.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*