Modeli i zhvillimit ekonomik, Akademia e Shkencave harton “Kartën e Gjelbër”

October 1, 2016 12:14

Modeli i zhvillimit ekonomik, Akademia e Shkencave harton “Kartën e Gjelbër”


Për herë të parë, Shqipëria do të ketë dokumente për politikat e zhvillimit. Tashmë, grupet e punës po merren me përgatitjen e tre dokumenteve për politikat e zhvillimit të vendit tonë të cilat do të integrohen në një të vetme, që do të quhet “Karta e Gjelbër për rimodelimin e zhvillimit”. Në një intervistë për DITA, akademiku Kosta Bajraba sqaron se Karta do të verifikojë nëse modelimi i deritanishëm i zhvillimit ekonomik të vendit është mbështetur në ato që ne i quajmë kontekste lokale dhe do të propozojë zgjidhjet përkatëse për qeverinë. Z. Barjaba thekson se është e nevojshme që të riverifikohet nëse përparësitë tradicionale konkurruese dhe krahasimore të Shqipërisë mbështesin sa duhet përparësitë e sotme të zhvillimit të vendit dhe nëse qeverisjet gjatë tri dekadave të fundit i kanë shumëfishuar apo nënfishuar këto përparësi. Akademiku i njohur thekson se Shqipëria ka investuar në formimin e forcës së punës, në aspektet profesionale dhe të kapaciteteve, por ka anashkaluar trashëgiminë psikologjike dhe antropologjike shoqërore të shqiptarëve.

 

 Z. Barjaba, kohët e fundit, me nismën tuaj, Akademia e Shkencave është përfshirë në një proces shkencor për hartimin e disa dokumenteve politikash për zhvillimin e vendit, me fokus në Shqipëria 2025? Çfarë është kjo “Kartë e Gjelbër”që po përgatit Akademia?

Po, është e vërtetë. Prej muajit korrik, Kryesia e Akademisë ka ngarkuar tre skuadra ekspertësh, nga më të mirët që ka vendi, për përgatitjen e tre dokumenteve për politikat e zhvillimit të Shqipërisë. Këto dokumente do të integrohen në një të vetme, që ne e kemi quajtur “Karta e Gjelbër për rimodelimin e zhvillimit”. Karta do të verifikojë nëse modelimi i deritanishëm i zhvillimit ekonomik të vendit është mbështetur në ato që ne i quajmë kontekste lokale dhe do të propozojë zgjidhjet përkatëse për qeverinë.

Ju flisni për modelim, jo për model ekonomik?

Po. Termi “modelim” që kanë sugjeruar ekspertët me të cilët bashkëpunon Akademia e Shkencave i shkon më shumë për shtat fjalorit ekonomik dhe zhvillimor. Sepse modeli është ai që është, ekonomi tregu. Në kontekstin e këtij modeli, sugjerojnë ekspertët tanë, ne duhet të bëjmë modelime dhe rimodelime, në bazë të konteksteve lokale.

Cilat janë këto kontekste, se e shoh që i përmendni shpesh?

Kontekstet dhe rrethanat lokale janë të shumta, por ne kemi përzgjedhur tre prej tyre: i) burimet natyrore, gjeografia, terreni, demografia dhe trashëgimia ekonomike dhe e zhvillimit; ii) psikologjia dhe antropologjia shoqërore e shqiptarëve; iii) kapitalet e shumëfishta të emigrimit.

Mund të jeni më konkret?

Patjetër. Le të marrim, për shembull, kontekstin e parë. Shqipëria ka burimet e veta natyrore, të cilat ne shpesh na bëjnë të mendojmë se “notojmë” në pasuri. Po a është e vërtetë kjo? A janë këto burime të mjaftueshme dhe furnizuese të ekonomisë së sotme shqiptare, që po integrohet në tregjet globale? Në ç’ masë ne i kemi shkatërruar këto burime gjatë tre dekadave të fundit? Ne duhet të riverifikojmë nëse përparësitë tradicionale  konkurruese dhe krahasimore të Shqipërisë mbështesin sa duhet përparësitë e sotme të zhvillimit të vendit dhe nëse qeverisjet gjatë tri dekadave të fundit i kanë shumëfishuar apo nënfishuar këto përparësi. Ose një aspekt tjetër. Qeveritë kanë investuar në ndërtimin e rrjetit rrugor. Po a kanë qenë akset rrugore në harmoni me akset e produkteve drejt tregjeve? Zhvillimet ekonomike të Shqipërisë mund të kenë eliminuar pa qenë nevoja, mjaft trashëgimi të periudhave parakomuniste, profesione, veprimtari ekonomike  e tregtare, të cilat, në vend që të “shuheshin”, duheshin riaktivizuar.  Gjithashtu, ky ndryshim i madh që ndodhi në modelin ekonomik të Shqipërisë, a është mbështetur apo “sabotuar” nga zhvillimet demografike? Si kanë ndikuar këto zhvillime në krijimin  e një tregu punë dinamik dhe fleksibël? Si ka ndikuar mospërputhja midis zhvillimeve ekonomike e demografike në papunësinë e lartë në Shqipëri?

Po psikologjia dhe antropologjia shoqërore ç’lidhje kanë me zhvillimin ekonomik?

Kanë lidhje sinergjike të shumëfishta. Një nga defektet tona ka qenë që ne jemi investuar për të ndërtuar modele, programuar zhvillime, ndërtuar matrica e strategji zhvillimi, duke harruar një faktor të rëndësishëm: kapitalin njerëzor. Natyrisht, Shqipëria ka investuar në formimin e forcës së punës, në aspektet profesionale dhe të kapaciteteve. Por kemi anashkaluar trashëgiminë psikologjike dhe antropologjike shoqërore të shqiptarëve. Ndër faktorët e prodhimit, puna, toka, kapitali dhe sipërmarrja, ne kemi nënvlerësuar të parën dhe të fundit.  Për sipërmarrjen ka një vëmendje më të madhe vitet e fundit. Sektori privat po konsiderohet si motori i zhvillimit, jo vetëm me retorika, por edhe me mbështetje politike, ligjore e financiare. Ndërsa faktori njerëzor po konsiderohet më pak. Edhe pse për këtë ka një rritje të investimit, kjo po ndodh e kufizuar vetëm në formimin profesional. Por jetësimi i modelit ekonomik nuk varet vetëm nga aftësitë profesionale, por edhe nga sjellja e njerëzve si operatorë tregu. Ne nuk e dimë sesi dhe sesa antropologjia shoqërore e shqiptarëve mbështeste (dhe mbështet ende) sjelljen e tyre në treg. Për shembull, sa kjo sjellje mbështetet nga trashëgimia jonë në organizimin zakonor, politik dhe ekonomik, modelet e konsumit, praktikat e shkëmbimit, rolin e marrëdhënieve familjare e fisnore në marrëdhëniet ekonomike dhe në tregje, procesin e shoqërizimit, ndikimin në treg të pikëpamjeve dhe sjelljeve fetare? A ka elemente të zhvillimit ekonomik që kanë hyrë në konflikt me antropologjinë kulturore e shoqërore të shqiptarëve dhe si do të zgjidhen këto konflikte? Për shembull, qeveritë marrin borxhe dhe kanë filozofitë e tyre të ndryshme ose edhe të kundërta për borxhmarrjen. Po shqiptarët çfarë qasjeje kanë në sjelljen e tyre ekonomike për borxhin? Qeveritë shqiptare kanë politikat e tyre për raportin midis konsumit, kursimit dhe investimeve? Po  vetë shqiptarët çfarë qasjeje dhe sjellje kanë për to? Sa është në sinkron ajo që ndodh në politikat e zhvillimit me mentalitetin popullor për zhvillimin? Sa është makroekonomia në sinkron me mikroekonominë dhe ekonomitë familjare? E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lidhjen midis modelit ekonomik dhe psikologjisë shoqërore. Konstatohet se ka mospërputhje  midis sjelljes që kërkon tregu dhe pikëpamjeve, ndjenjave e sjelljeve individuale e komunitare të shqiptarëve. Modeli ekonomik nuk është produkt vetëm i filozofive të zhvillimit, por edhe i ndërveprimit shoqëror.  Pjesë e këtij ndërveprimi është edhe ai midis qytetarëve dhe institucioneve e politikave të zhvillimit.

 

Ju përmendet termat “kapitalet e shumëfishta të emigrimit”. Çfarë kini parasysh me këtë?

Shqipëria ka qene dhe do të mbetet edhe për disa dekada një vend tipik dërgues emigrantësh. Por paralel me këtë, vendi ka filluar të përjetojë edhe dukurinë e kthimit të emigrantëve. Këtu bien në sy dy veçori. Së pari, shenjat e para të kthimit të emigrantëve u shfaqën disi më vonë, krahasuar me përvojat migratore të popujve të tjerë, madje edhe të popujve fqinjë.  Kjo ndodhi sepse emigrimi i shqiptarëve nisi si emigrim kryesisht ilegal dhe i stigmatizuar dhe, për pasojë, iu desh më shumë kohë për t’u maturuar dhe përgatitur kthimin e emigrantëve. Veçoria e dytë lidhet me faktin se kthimi i emigrantëve është karakterizuar më shumë nga ideologjia e dështimit sesa ajo e suksesit.

Kur flas për kapitalet e shumëfishta, kam parasysh si kapitalin financiar, ashtu edhe atë njerëzor dhe social. Ne jemi fokusuar më shumë në kapitalet financiare dhe kemi nënvlerësuar ato humane e sociale. Gjithashtu, kthimin e kemi perceptuar si kthim fizik, por ai mund të jetë edhe virtual. Pra, emigrantët mund të kthehen fizikisht, por ata mund të kthehen edhe virtualisht, në formën e investimit të kapitaleve të tyre në ekonominë shqiptare ose në sipërmarrje lokale e transnacionale.  Gjithashtu, emigrantët dhe përgjithësisht diaspora shqiptare duhet të konsiderohen sa një faktor politik e njerëzor, aq edhe një burim ekonomik për zhvillimin e vendit.

Përse “Shqipëria 2025”?

Për arsyen e thjeshtë se shumica e matricave europiane të zhvillimit po hartohen duke vendosur objektiva kombëtare dhe të Europës së vitit 2025. Edhe ne menduam t’i bashkohemi këtij vizioni.

 

Bisedoi Erion Habilaj – DITA

 

October 1, 2016 12:14
Komento

3 Komente

  1. Prion October 2, 13:54

    Sic duket ka humbur ne internet komenti im. Po e ripostoj te pandryshuar:
    Autori ka nje konfuzion konceptesh qe nuk eshte ne gjendje as vete t’i lidhe me njeri tjetrin (imagjino pastaj lexuesin kur autori nuk di c’thote).
    Ai nuk ka idene e as ka prekur problemet e medha qe ka ekonomia shqiptare dhe mendon qe tua hedhe politkaneve me ca neologjizma qe i ka keqkuptuar tw tilla si “mentaliteti popullor per zhvillimin”,”antropologjia shoqwrore”, “trashegimi psikologjike”, “kapitale humane”, “kontekste lokale”,
    Se sa i pakualifikuar eshte ky perfaqesuas i akademise per te diskutuar keto probleme shiheni qe ne fjalorin e tij. Ai flet, nder te tjera, per pasurite natyrore ne te cilat notojme, duke treguar qarte se nuk ka idene e ndryshimit midis pasurise dhe burimeve. Se ne natyre ka vetem burime, te cilat kthehen ne pasuri vetem kur njeriu investon pune, teknologji dhe kapital.
    Megjithate eshte ne stilin e kesaj akademije burokratike te beje “Karta me ngjyra” per te ngaterruar klasen politike dhe per te shtyre disa vjet ne te patrazuar ne qoshen e tyre te pellumbave akademike.

    Reply to this comment
  2. Antifashisti October 3, 09:34

    1) Dikur e kam patur mik zotni Kosta Bajraben, por sot vetemse e njoh.
    2) Ne ndihme te mirekuptimit te shkrimit dhe komenteve, mendoj se akademiku ka gabuar ne perkthimin terminologjik duke perdorur “Karta e gjelber” ne vend te “Green Paper”

    DITA, kam shprese se komenti im do te kaloje. Respekte!

    Reply to this comment
  3. Antifashisti October 3, 22:36

    Akademiku Kosta Bajraba ka perkthyer gabim nga anglishtja termin “Green Paper”me “Karta e Gjelber”. Jane gjera krejtesisht te ndryshme, qe e turperojne nje dijetar.

    DITA, kam shprese se do ta paraqisni komentin tim qe mund te jete me vlere per te kuptuar intervisten dhe komentet.

    Reply to this comment
  4. hazis November 11, 19:02

    Ju pergzoj per inisiativen konkrete qe p.o. ndermerni,pak vone por me mire vone se sa hiq. Ma do mendja se jo vetem akademiket,Dr.Pr.lnxhinjeret.Dc. lntelektualet etj…….deri tek qytetari I thjesht ,e Kane te drejten qe sipas kapacitetet te tyre,te shprehin mendimet e tyre per alternativa zhvellimore te vendit.Por mendoj qe esht kapecitet dhe risi e nji kombi qe te ngrej ne lartesine e duhur strukturat manarxhuse ,qofshin keto akademike,institucionale;per ti studjuar keto te dhena ,per ti perpunuar dhe per ti be re deri adhe programe te partive politike ne shqiperi.
    Jam plotesisht dakort me sugjerimet tuaja pa i hequr asnji presje,por nese me lejoni dua te bej nji sugjerim tevogel:1jam me “zemer ne dore”se si jan te ndertuara keta grupe?
    2 a e Kane kapacitetet e duhura (te kompletuara ne fusha te #)si psh. ek.tekn.etj.etj…..por edhe te bej lidhjen harmonike te vecorive dhe interesave locale,rajonale dhe atyre kombetare.
    3-A i kane disa pika orjentuse,ku mund te mbeshteten se:kur nisesh nji rruge duhet me dit me pare se per ku me nis
    4-Jan tani disa reforma te Cekurane 25 vite. Lind pytja:A do jene subjekt studimi ndonji nga keto?psh:Ado kete lidhje studimi me hecet, lidhjen mereformen ne bujqesi n.q.se.do rekomandoni reforme te tille?
    5-çfar do ekomandonit ju per refomen ne bujqesi?-A do te is hit per nji reforme me te thelle ne bujqesi,psh.me idete e ekspertit ne kete fushe F.Islami.?
    Ne pamundesi me ju be re pytja te tjera,ju uroj suksese ne punen tuaj akademike.Me respekte Hazis Kovaci.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim