Mogherini: Ballkani forcon BE-në

May 11, 2017 20:12

Mogherini: Ballkani forcon BE-në

Bashkimi Europian jo vetëm nuk do të zmbrapset, por përkundrazi do të marrë hov të ri, duke e hedhur vështrimin në mënyrë të veçantë tek aderimi i vendeve ballkanike.

Deklarata e fortë e Federica Mogherinit erdhi pas ndërhyrjes së saj të martën në OKB. Shefja e diplomacisë europiane tha për “La Stampa” se, pas referendumit mbi shkëputjen e Britanisë nga blloku europian, shumë kishin parashikuar që ajo votë do të shënonte fillimin e fundit.

Por të gjitha zgjedhjet e fundit, jo vetëm ato të Francës, – theksoi Mogherini, – kanë demonstruar të kundërtën.

“Sigurisht që ka probleme, me të cilat duhet të përballemi, sepse shqetësimi i qytetarëve është real. Por europianët kanë nisur të kuptojnë se çfarë është realisht në lojë dhe francezët e thanë fort dhe qartë se mbështesin projektin europian, se duan ta rilançojnë, sepse e konsiderojnë pjesë të zgjidhjes”.

Por “Brexit”, a nuk e dobëson BE-në?

Përgjigjja e kryediplomates europiane tregon hapur se cili është tashmë fokusi i ri i unionit.

“Unë jam e sigurtë se e ardhmja e bllokut nuk do të jetë 27-a, sepse do të kemi vende të reja anëtare. Mendoj për shtetet e Ballkanit, me të cilat jemi duke negociuar hyrjen në Bashkimin Europian. Shumë i referohen këtij procesi si ‘zgjerim’. Unë vet preferoj të flas për ribashkim të Europës”, tha Mogherini.

Pyetja e radhës iu referohet vendeve të rajonit, të cilat shfaqen më problematike për nga situata e raporteve mes tyre apo stabilitetit. Anëtarësimi i Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës mund t’i ndihmonte të kapërcenin problemet e fqinjësisë.

Mogherini sqaron se, është edhe falë raportit të BE-së me secilin prej këtyre shteteve, që është arritur në masë të madhe të kurohen plagët e luftrave të përpara dy dekadave.

“Rruga është ende e gjatë, e lodhshme dhe jo gjithmonë e sheshtë, – thotë ajo. – Por jam e bindur se do të vazhdojë edhe falë faktit, që secili prej tyre ka një perspektive të përbashkët në bllokun europian”.

May 11, 2017 20:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*