Mogherini pro zgjerimit, Shqipëria shembull për progres në reforma

September 3, 2014 10:48

Mogherini pro zgjerimit, Shqipëria shembull për progres në reforma

Shefja e re e diplomacisë së BE-së, është shprehur dje gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës italiane në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, edhe mbi politikat e zgjerimit. Ndër sfidat kryesore, Mogherini do të përmendte mbështetjen ndaj zgjerimit, si ndaj vendeve që synohet një marrëdhënie partneriteti (Moldavi, Ukrainë, Gjeorgji), por edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në lidhje me Shqipërinë, Mogherini do të vlerësonte se vendi në muajt e fundit ka performuar në mënyrë të pabesueshme dhe se vullneti për kryerjen e reformave po vazhdon.

Ndonëse në kontradiktë të hapur me vizonin politik të kreut të Komisionit Europian, Junker, i cili është deklaruar kundër politikave të zgjerimit dhe se, për 5 vitet në vijim, BE nuk do të ketë zgjerim, Mogherini nuk është stepur aspak, në shfaqjen e hapur të mbështetjes së saj ndaj politikave të zgjerimit. Ajo konfirmoi edhe njëherë, se do të shkohet drejt progresit në axhendën e zgjerimit, por duke specifikuar gjithashtu se, është kundër një përparimi artificial, duke nënkuptuar se reformat dhe vullneti për të reformuar, duhet të jetë real dhe jo thjesht formal.

Mogherini veçoi Shqipërinë si vendi, që muajt e fundit ka ecur në mënyrë të pabesueshme dhe se vendi po përparon me të njëjtin vullnet:

“Ne besojmë se Shqipëria në muajt e fundit ka ecur në mënyrë të pabesueshme për sa i përket reformave apo vullnetit për të reformuar dhe se, vendimi i Këshillit në qershor ka dhënë ndoshta shtysën e duhur për të vazhduar në rrugën e reformimit.”

Duke argumentuar mbi mbështetjen, që duhet të jepet mbi procesin e zgjerimit, Mogherini, do të përmendte interesin reciprok që ekziston mbi stabilitetin, sigurinë por edhe prosperitetin ekonomik.

Në lidhje me Bosnjën dhe bllokimin e saj prej disa vitesh, Mogherini vlerësoi se vendi ka nevojë për reforma të thella, dhe se një përshpejtim artificial është i pavend. Por, gjithsesi pavarësisht reformave, që realisht Bosnja duhet të kryejë, bllokimi i saj prej shumë vitesh konsiston në një element, që nuk prek realisht plotësimin e kritereve për anëtarësim. Bosnja duhet të adoptojë në legjislacionin kombëtar vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut në lidhje me vendimin “Sejdic-Finci”. Një kriter që BE e kërkon, ndërkohë që vetë vendet e saj anëtare, një shumicë prej tyre kanë probleme reale me aplikimet e vendimeve të GJEDNJ, çka është konsideruar edhe si aplikim i standardeve të dyfishta përballë vendeve në zgjerim.

Për sa i përket bllokimit, që Greqia i ka bërë Maqedonisë mbi çështjen e emrit, Mogherini deklaroi, se nuk kishte një përgjigje mbi këtë pikë dhe nëse do ta kishte atë, ndoshta mund të fitonte çmimin Nobel. Edhe në lidhje me këtë pikë, Mogherini u tregua e kujdesshme për të mos u pozicionuar mbi vullnetin e BE-së, për të përdorur fuqinë diplomatike evropiane,  në një bindje të mundshme të politikës greke, e cila gjykohet se nuk mund të bllokojë pambarimisht zgjerimin e BE-së, sidomos në kushtet në të cilat ajo ndodhet aktualisht.

Mbi zgjerimin drejt Turqisë, Mogherini ndërsa iu shmang pyetjes në lidhje me përkeqësimin e lirive civile, deklaroi thjesht, se bisedimet mbi aderimin mund të ndihmojnë përforcimin e reformave turke.

Një tjetër element, që nuk mund të kalonte pa u vënë re, ishte edhe pozicionimi në deklaratat e Mogherinit, kundër politikës së Moskës zyrtare. Një qëndrim i qartë, i prerë dhe i padiskutueshëm, çka vinte si pasojë e vendosjes nën sulme dhe gjykime të vazhdueshme nga shtypi evropian dhe nga disa vende anëtare, mbi tendencat e saj pro-ruse. Kjo u konfirmua edhe nga vetë Mogherini, e cila specifikoi se reagimet e saj, i përgjigjen edhe pyetjes, nëse ishte pro apo kundër Rusisë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, e cila pritet të marrë funksionin në muajin nëntor, ndryshe nga paraardhësja e saj Ashton, u vlerësua në prezantimin e saj nga eurodeputetë, për mos hezitim ndaj shprehjes së pikëpamjeve të qarta, të prera dhe autoritare, ndaj një sërë çështjes, përfshi edhe ato më të mprehta. Tejet pozitive është vlerësimi dhe gjykimi i saj mbi avancimin e Shqipërisë dhe reformave të saj në muajt e fundit të qeverisjes, duke konfirmuar se ky vullnet vazhdon. Një element, që është shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, në rolin e tij si koordinator në gjetjen e një kohezioni në lidhje me politikat e jashtme të BE-së, duke përfshirë edhe zgjerimin. Nëse debati, mbi zhvendosjen e zyrës së zgjerimit, do të bëjë që kjo zyrë të kalojë nën Shërbimin e Jashtëm Europian, drejtimi i së cilës do të jetë nga Mogherini, ky është një tjetër element pozitiv, që mbase i shoqëruar me mos humbjen e vullnetit për reforma nga qeveria shqiptare, do të japë një impuls të ri, për avancim të mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së./im.ta/

 

 

September 3, 2014 10:48