Mogherini: Rusia të mos përfshijë Ballkanin në konflikt

December 5, 2014 13:58

Mogherini: Rusia të mos përfshijë Ballkanin në konflikt

Gjatë vizitës së saj të parë në Bosnjë-Hercegovinë, në funksionin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, theksoi rëndësinë që ka mospërfshirja e Ballkanit Perëndimor nga ana e Rusisë në dinamikat e konfliktit.

“Natyrisht, për momentin, ndërmjet Bashkimit Europian dhe Federatës Ruse ka disa tensione. Por, unë mendoj, se është në interes të dy palëve, Bashkimit Europian dhe Federatës Ruse të gjejnë dhe të zhvillojnë mënyra bashkëpunimi dhe jo konfrontimi. Kjo është në interes të  gjithë evropianëve dhe mendoj edhe për të gjithë rusët, dhe sigurisht do të ishte një ide shumë e mirë që Ballkani Perëndimor të mbahet larg kësaj dinamike, apo të menduari. Dhe unë do të pres këdo nga udhëheqësit rusë ta konsiderojnë këtë, nën të njëjtën këndvështrim”- deklaroi Mogherini.

Influenca ruse në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka pësuar rritje që prej fillimit të konfliktit Rusi-Ukrainë. Serbia do të deklaronte mos mbështetjen e sanksioneve që BE vendosi kundër Rusisë, nën argumentimin e lidhjeve të saj tradicionale, historike të veçanta me Rusinë. Shqetësimi i BE-së, është reflektuar vazhdimisht ne thirrjet e saj ndaj Serbisë për pozicionim të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së, një detyrim i cili rrjedh edha nga aspirimi i saj për t’u bërë një ditë vend anëtar me të drejta të plota. Por, përtej Serbisë, influenca ruse duket se ka shtrirjen e saj, si në segmente të ndryshëm të jetës ekonomike-politike të Malit të Zi, por edhe në republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo rritje e influencës rusë në Ballkanin Perëndimor, një zonë që konsiderohet ende e brishtë dhe problematike, është ekspozuar gjithashtu edhe nga diplomacia e Berlinit.

Ndërsa Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar në rrugën e tyre drejt BE-së me hapjen e negociatave, pas tyre renditet Shqipëria e cila pret hapjen e tyre, ndonëse jo në një të ardhme të afërt. Maqedonia dhe Bosnja kanë ngecur në procesin e tyre, e para për shkak të problematikave në kuadrin e fqinjësisë dhe imponimit për zgjidhjen e problematikës së emrit me Greqinë, ndërsa Bosnja e bllokuar gjithashtu prej disa vitesh, sa për arsye politike të brendshme, po ashtu dhe nga faktorë që imponohen nga kuadri i integrimit, siç është dhe një prej elementëve të rëndësishëm, implementimi i vendimit të GJEDNJ mbi çështjen Sejdic-Finci./it/

 

December 5, 2014 13:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*