Moikom Zeqo, kozmogonia e kujtesës

May 1, 2019 14:14

Moikom Zeqo, kozmogonia e kujtesës

ARTUR SPANJOLLI

Ti afrohesh poezisë së Moikomit do të thotë t’i afrohesh një universi kompleks, tepër të ndërlikuar dhe të pasur me tematikat e veta të pafundme.

Një univers, ku si një përqendrim hulumtimi gjen shumë përgjigje të domethenieve dhe  të  pandergjegjes,  të racionales dhe të abstraguarës.

Kjo sintese e eksperiences së jetës, kjo metafore e shpirtit, kjo ndjeshmëria e tij për t’i dhënë formë të paformës, për ti dhënë një identitet masës së shpirtit, që është energji në formë ndergjegje, e pluhurt, e vagullt, e përjetshme, e bën poezinë e tij shumë të veçantë, të thellë dhe plot mendim.

Metaforat e Moikomit janë vetëm të Moikomit.

Kjo tregon për një origjinalitet shumë të spikatur dhe për një mendim, që vetëm eksperienca e jetës mund t’i japi peshë.

Poeti Moikom Zeqo, jo vetëm e ka parë botën nëpërmjet erudicionit të tij të admirueshëm, duke njohur më të mëdhenjt e letrave ndërkombëtare, por këtë njohuri universale në tokë, ai e lidh me reflektimet personale mbi jetën dhe mbi përvojat e tij dhe i hedh në vargje të shkurtëra, por shumë të ngjeshura.

Ngjajne shpesh poezitë e Moikomit si epigrame apo haiku të poezisë japoneze.

Kur lexon Moikomin, sikur dhe Shekspirin, Danten apo të tjerë gjeni, libri rri më shumë mbyllur, duke menduar dhe reflektuar mbi vargun, se sa hapur për të kaluar tek vargu tjetër.

Kjo tregon thellësinë e sintezës së tij dhe forcën e metaforës së tij.

Një metaforë elegante, qytetare, filozofi urbane e bluar thellë në ofiçinën e mendjes së tij, dhe e thënë siç din ta thotë vetëm Moikomi.

Duke përdorur simbole, epitete, krahasime, metafora origjinale, dhe janë tashmë thesar i kulturës ndërkombëtare. Moikomi, nuk është një nga ata poetë, që mbasi e lexon, çdo gjë merr fund aty dhe e len librin në harresë.

Moikomit ke deshirë ti rikthehesh, me kenaqësi estetike, me dëshirë, sepse ai di t’i japë jetë të Padukshmes.

Asaj që ne e ndjejmë por nuk dime ta emërtojmë, asaj që e njohim por nuk dime ti japim nje formë konkrete me fjalën.

Poeti, jo vetëm që di ta thotë bukur të pashprehshmen, të padukshmen, të pakapshmen e poezisë së jetës, por shkon më tutje, na bën dhe ne të reflektojmë mbi nocionet, mbi pyetjet më të thella mbi jetën.

Pyetje që njeriu bën shpesh: Kush jemi?

Ku po shkojmë?

Jemi fryt i rastësisë?

Jemi hyjni?

Jemi të bukur apo të shëmtuar?

Mistika e tij është e mrekullueshme, sepse intrigon dhe mahnit me erudicionin e paparë të poetit.

Në laboratorin e poezisë së tij, në ofiçinën ku ngjizet poezia, si një grua shtatzenë, me dhimbje, del bukur fjala, si një fëmijë i sapolindur.

E kujtoj Moikomin me poezitë e tij para viteve 90.

Por tashmë poezia e tij ka pësuar një revolucion të vërtetë në koncept.

Dimensionet e tematikave të tij janë shtuar tejet mase dhe poeti Moikom Zeqo, shtron pyetje nga më të thëllat njerëzore.

Si çdo poet i thellë, ai do të dijë, do të hulumtojë për të kuptuar, do ti japë formë të padukshmes, të fshehtës muzikore të jetës, asaj melodioze dhe asaj filozofike.

Do të thoja që Moikomi është një metafizik i kapur me kthetrat tek materia, dhe ecja e tij është racionale, pa shkarje të kota, me bindje tek llogjika e vet e shëndosh.

Ai nuk është një Poet, filozof, erudit, që beson pa e shkoqitur mirë dhe thellë një dukuri.

Është një metafizik racional.

Si një illuminist i vërtetë ai do të përdorë arsyen.

Beson tek humanizmi dhe kerkon të depertojë tek mistikja. Metafora e tij është një metaforë qytetare, tepër elegante dhe fisnike. Poeti nuk bie kurrë në mediokritet dhe në volgaritet, por jep esencën e tij me një shqipe shumë të zgjedhur.

Kapaciteti i tij analitik, shtoi dhe erudicionin enciklopedik për t’ia pasur zili, e bën poezinë e tij të përhershme në lëvizje.

Ai është një nga poetët më të mirë shqiptarë të gjallë dhe ai e meriton të ketë një vend në tempullin e poezisë ndërkombëtare.

Si poet intim dhe i sintezës, herë herë abstrakte, poezitë e Moikomit të kujtojnë pak metafizikën e Dalì-se dhe të De Chiriko-s, një metafizikë që të përgjithshmen e ka shumë abstrakte dhe detajin e ka shumë konkret.

Por është një e përgjithshme vetëm në dukje abstrakte, sepse po të mbyllesh librin dhe të meditosh, atëherë kupton dimensionin e tij të thellë dhe e gëlltit sintezën e tij të pjekur.

Tematikat e Moikomit, siç e preka pak më parë, janë nga më të ndryshmet.

Në këtë aglomerat temash të pafunda, që përzihen si nje masë hibride ideshe dhe ndjenjash, si një koncentrat sinteze, krijohet dhe magma e mendimit të tij.

Një mendim që e tejkalon kohën, horizontin, hapësirën, shekujt, epokat njerëzore, dhe kthehet në një sintezë tepër të admirueshme për një intelektual të kalibrit të Moikomit.

Poezia e tij kozmogonike mund të flasë për të gjithë tematikat që prekin interesin njerëzor.

Nga ato më intimet si Memorja, Fëmijëria, Familja, Dashuria, Nostalgjia, deri tek ato me universalet si ndjesia e Kohës, Përjetësia, hapësirat e Kozmosit, Memorja njerëzore e trashëguar nëpër libra, Mitologjitë dhe ndjesia e Historisë.

Moikomi na vjen në poezinë e tij me një metaforë tejet fetare. Mistikja tek Moikomi, është një fakt kulturor, është përgjegjëse e historisë, kuriozitet.

Është ky, pra: kuriozitet i thellë dhe mendësi me veshje kristjane.

Ai shpesh vesh metaforat e veta me kryqe dhe ringjallje, me dishepuj dhe profete, me litanira dhe eukaristira.

Por janë elemente që ai nuk i sheh nga prizmi i besimtarit te mirfillte, por nga kendveshtrimi i intelektualit modern që ka një kapacitet 360 gradësh mbi njohuritë, filozofitë, idetë, dinamikën e historisë botërore dhe memorjen njerëzore.

Ashtu si metaforat kristjane, tek Moikomi gjenden dhe metaforat budiste, te Konfucit, te Zarathustrës, ato hebraike tëTestamentit të Vjetër e tjerë.

Abstraksjonet e poezive te Moikomit me sinteza vargjesh, tepër konkrete, me një peshë të mirfilltë mendimi, janë si margaritarë reflektimesh mbi të qenin intelektual që gjithmonë pyet vetveten, duke medituar.

Poezitë e dedikuara femijërisë, familjes, janë arritje tepër të ndjeshme nostalgjie, për gjurmët e thella, që Memorja e parë e njeriut regjistron në trurin e tij.

Ankthi, mungesat, dashuria, koha, feja, metamorfoza, poetët, mitologjia, mistika, pikëpyetjet e tij mbi misterin e jetës, janë të një bukurie dhe elegance europiane.

Manipulimi, që poeti i bën në ofiçinën e tij, në Laboratorin e tij të Fjalës, duke i dhënë një ngjyrim vetëm MOIKOMIAN, është një manipulim prej nje poeti erudit, intelektuali shumë të matur.

Atij nuk i mjafton ta thotë të tijën, por lodhet ta thotë atë me një elegance të paparë prej esteti shumë të rafinuar.

 

Nuk njoh ndonjë poet tjetër për aq sa kam lexuar, të ketë hedhur në letër një koncentrat sinteze kaq komplekse dhe kaq të plota sa poezia e Moikomit.

Aty gjendet çdo gjë.

Ashtu si nje zot i vogël në universin e tij jetësor, duke vëzhguar me kujdes, hulumtuar, duke reflektuar mbi mendimet që të tjerë njerëz të mëdhenj kanë thënë, duke medituar mbi sensin e kohës, të historisë, të shoqerisë, të fesë dhe të mitologjisë, Moikomi ka thënë të tijen me një dinjitet profesional unikal, me një forcë ekspresive të mahnitshme.

Eshtë një poet simbas meje që duhet studiuar dhe shkoqitur mirë.

Moikomi na vjen dhe si filozof.

Filozofia e tij i përngjet shumë idesë së humanizmit.

Moikomi beson tek vlerat e vërteta të njeriut.

Ato vyrtyte që e lartesojnë njeriun.

Ato vyrtyte të ekzaltuara nga Sokrati dhe nxënësit e tij Aristoteli dhe Platoni, ato vyrtyte që ngre lartë Kant dhe Dekarti.

Dhe sipas mendimit tim modest, humanizmi i poezisë së Moikomit, besimi që ai ka tek lartësimi moral i njeriut, tek ekzaltimi i vyrtytit, është një besim tek humanizmi i tipit Tomas More; një humanizëm që nuk niset nga principet fetare, por nga principet humane, edhe pse sensi fetare, jo si veshje konkrete, por si ndjesi përjetësie dhe drite, është shumë e pranishme në ndërgjegjen e poetit durrsak.

Filozofia e tij sipas meje është shumë epikuriane.

Një filozofi hulumtimi dhe besimi tek njeriu, tek miqësia, tek materia që trasformohet dhe nuk zhduket.

Jo pa qëllim ai e sheh ringjalljen e Krishtit tek lulet e pranverës. Ai, duke pasur fatin të jetojë në dy epoka për të mos thënë tre epoka, po ti bashkangjisim atë osmano shqiptare të shekujve, dhe duke hulumtuar epokat e tjera nëpërmjet librave historik, poeti ka ecur drejtë filozofisë së humanizmit, të së vërtetës, te besimit tek evolucioni dhe progresi human.

Por konstatimi i veseve njerëzore, i hipokrizisë dhe i injorancës, i varferisë shpirterore dhe i besimit matuf, pa logjikë në dukuritë e jetës, disi e trishton atë, sepse është pjesë e dinjitetit njerëzor, një qenie e ndërgjegjshme, të kuptojë pra, të hulumtojë dhe të nxjerrë konkluzione të pjekura.

Një filozof materialist, do të thoja, që mbështetet fort tek vlerat e vërteta jo vetëm epikure si familja, miqësia, liria, bukuria, vyrtyti, dashuria, kënaqësitë sensuale, etj.

 

Poezia e tij emancipon, mrekullon, ndërgjegjëson, bën të reflektosh.

Erudicioni i tij bën të respektosh intelektualin.

Ai është një njeri i mendimit të nivelit evropian.

Koncentrati kozmologjik i metaforës së tij është i admirueshëm. Nuk është i njohur në botë, – edhe pse i përkthyer në shumë vende,- aq sa duhej ta meritonte poezia e tij.

Por kjo nuk varet nga poeti.

Shumë poete, shkrimtarë, kanë ikur nga kjo botë pothuajse të panjohur.

Por unë jam i bindur që koha, do ti japë vendin që meriton këtij poeti origjinal shqiptar.

Koha pra që me acidin e saj djeg cdo gjë të pameritë dhe lartëson meritën.

 

Metafora e Moikomit vjen nga shumë larg.

 

Që nga epoka moniste, kur ishte 21 vjeç dhe si redaktor i gazetës Drita, poet i talentuar, kur të gjithë të tjerët shkruanin për partinë dhe fitoret e socializmit, Moikomi që lexonte në origjinal Paul Eluard e Apollinaire, mundohej dhe e dërgonte metaforën e tij, larg në shekuj, deri tek “Qyteti Feniks” botuar në janar 1970- me poezi të viteve  1968 dhe 1969.

Dhe metafora e tij e re, elegante, e pasur, që mbahej në konsiderate dhe nga  i madhi i letrave shqiptare Kadare, nuk vonoi shumë dhe ra prehë, u godit ashpër nga vigjelentët e Partisë.

Në pleniumin e IV të vitit 1973, Moikomi u akuzua  për hermetizëm të rrezikshëm dhe u dërgua si mësues i thjeshtë në Rrogozhinë.

Për 15 vjet Moikomi do të rrinte larg poezisë, i debuar nga të helmatisurit e socializmit, që e shihnin poezinë e Moikomit, si me gabime ideologjike, e errët dhe hermetike.

Moikomi do të kishte një “rihabilitim të ngadaltë” dhe rifillon të shkruaj vite më vonë.

Ndërkohë ka patur kohë të thellojë vizionin e tij mbi botën, mbi historinë, mbi arkeologjinë, mbi literaturën, mbi filozofinë dhe më vonë, pas ndërrimit të sistemit, krijon një vizion të ri mbi universin njerëzor.

Njohës i shumë gjuhëve europiane ai i lexonte veprat e autorëve të tjerë në origjinal.

Duke qenë një Durrsak, patjetër që metafora e tij nuk mund të ishte veçse ajo e detit.

 

“Ai” shkruan Faslli Haliti duke iu drejtuar poetit, “ka mbetur si një trazim që kërkon të qetësojë, por jo të qetësohet!”

Në shumë poezi metafora e detit, nostalgjia, pasioni, dashuria me të cilën ai e përshkruan atë, është e adhurueshme, duke e bërë atë një metafore përjetësie.

Dallga, pra e Moikomit, trazon, është e pashmangshme, krijohet nga Asgjëja dhe shkon drejt Gjithçkaje.

Në vargjet si:

 

 “Unë jam si një plazh i madh, që pret të ulet një derizhabel;

 o të jesh një kalë, që ka trup detin,

 o baticë shpirtërash,

anarki, pa brigje; moshat e mia rrokullisen,

si fosile deti në thellësi;

 ky fener detar në terr

 është si goja prej flake e një orakulli hiperboreal; etj,

 

           janë një shprehje të tejlogjikshme të metaforave të tij.

Për poetin Moikom Zeqo, deti ishte brenda ndërgjegjes së tij që përpara së të lindte vetë poeti.

Ishte në formë mendësie tek gjyshërit e tij libohovit, tek brezat që e njohën dhe e dashuruan, më pas erdhi tek ai.

Por përpara se ai ta njihte muzikën e fshehtë të ujit, kripën e kujtesës, krifën e bardhë abstrakte të shkumës, melodine antike të aromës së detit, ai e kishte brenda tij në formë memoriale familjare.

Të shprehej me metaforat e detit, ishte, është e natyrshme për poetin. Ashtu siç është e natyrshme të shkrijë, bashkangjisë poezive të tij dhe mitet, biblat, historinë, antikitetin grek, etj.

Metafora e detit nuk është vetëm një pelerinë e kaltër dhe elegante, por si esteti më i madh i gjallë shqiptarë, siç pohon me të drejtë Rexhep Qosja, Moikomi përdor metaforat e detit si sintezë filozofike, si konstatim o si reflektim të thellë.

Por mbi të gjitha, metafora e detit, për poetin është dashuri dhe nostalgji për femijërinë e tij në Durrës, me Currilat apo me shkëmbin e Kavajës:

 “Kujtoj

moshatarët enderrbjerrës

dhe në bregun e Currilave

ndjej trishtimin përvëlues;

Ky shkëmb në Currila hedh drejt horizontit të dallgëve projektimet e tij psikike

anije ëndërre me vela vezulluese

ja varka e vjetër- e nxjerrë në breg të Currilave!

me të mund të lundroj mes dallgëve prej resh të shkumëzuara….

shtëpia ime e lindjës në Durrës – s’do të jetë spirance e imagjinatës,-

për çdo rikthim,

por direku i velave- përherë të hapura-prej erërave!;

Nuk i përkas askujt/veç femijërisë time.

Aty janë gaforret, që i ushqej me mishin e trupit!

Nuk i përkas askujt,

veç përrallës së Currilave.!”

Këtu del e tërë thellësia, brëndësia e metaforës së Moikomit.

Për të deti është pjesë e rëndësishme e qenies së tij.

Deti dhe fëmijëria.

Natyrisht, Moikomi mbetet durrësak.

Kudo nga ka shkuar ai nepër botë si Kavafisi Diellin, dhe Moikomi, Durrësin e ka marrë me vete.

Detin e Durrësit e ka marrë më vete.

Si një dashuri e dlirë, si një muzikë e brendshme, në formë kujtese, në formë adhurimi për femijërinë në plan të parë.

Nëse është e vërtetë që 7 vitet e para të jetës determinojne tërë ndërgjegjen e njeriut dhe bëjnë të ardhmen e njeriut vetë, atëherë nuk kishte kurrësesi që Moikom Zeqo ta harronte poezinë e ujit, të Durresit, të Currilave.       Përkundrazi, me kalimin e viteve, njeriu fshin nga kujtesa, rimuove, evenimentet e këqija, negative, të shëmtuara të jetës, dhe idealizon, ndrit, lartëson, sublimon kujtimet e bukura.

Dhe duket qartë që Moikomi, e ka sublimuar qytetin e tij të lindjes.

Moikomi është një zë i thellë, një intelektual i shpirtit, një këngetar delikat me një mendje të madhe.

Një mendje që është shndërruar në një memorje të gjallë, erudite, përpunuese, si një laborator shqisash në evulucion. Aty gjenden eposet, mitet greke dhe romake,  asiriane,  sanskritiste, baladat shqiptare, kujtesa ilire, perandoritë orjentale, deri dhe mendësite më të vona të përkthyera në fjalë nga shkrimtaret e epokave.

T’i afrohemi pra gjithnjë e më shumë metaforës së thellë dhe brilante të Moikom Zeqos.

Ku ndjehet etja për jetë dhe dituri, kureshtja e pafunde, analiza e dukurive të jetës, e këtij misteri të thellë ku njeriu ka fatin, ka privilegjin të meditoje i habitur, kureshtar, duke mos kuptuar ndoshta asgjë deri në fund.

Por është kjo vello misteri, është ky okultim i madh që e bën dhe jetën vetë më interesante dhe intrigante, ku poeti Moikom Zeqo gjendet herë si fëmijë i habitur, herë si plak i mençur, herë si nxenes i paditur dhe ndoshta si Sokrati plak mendon: E vetmja gjë që di, është që nuk di asgje!”

May 1, 2019 14:14
Komento

5 Komente

  1. albi May 1, 15:22

    E cna beni ju si te paditur keto jane shprehje halucinante .vargje te tilla mund te kete dhe te tjere qe shkruajne.Poet i madh.Krahasojeni pak .Si shkruan Lasgushi.Ai eshte poet.

    Reply to this comment
    • Da Vinci , dija e verteta, kalon gjithmon nepermjet Zemres May 1, 19:32

      albi,

      Gabon ne ate qe shpreh per Moikomin .
      (nuk jane halicunatione ,i nderuar )

      Ktu nuk kemi perse te bejme krahasime .
      Nqs njeh ne ate masse Poezine ,(e cila eshte nji Planet qe jo te gjithe kan shkelur )

      nuk do beje nji koment te tille .
      Moikomi eshte i vecant ne stilin e tij
      dhe i pakrahasushem me asnji poet shqiptare tjeter .
      I pakrahasushem ne menyren si ai kompozon poezine ,
      edhe pse shprehjet e tij flururojne ne lartesi te medha
      mbi re ,
      dhe bejne te veshtrire te kuptohen mir nga lexuesi i thjeshte .
      Duhet te kesh shikimin shume te forte ,te dallosh
      poezine e tij ,qe i ngjan mozaikeve te epokave te ndryshme . Metafora e tij eshte shumengjyreshe misterioze ,
      qe kush nuk e njeh metaforen ,humb ne labirinthin
      e poeszise Moikomjane.

      Arti i te shkruajturit eshte nji Filozofi me vehte ,
      qe mjerishte nuk deshirfrohet nga te gjithe ata qe e lexojne .
      Kush hyn ne ate Planet Metaforash ku shetit Moikomi kupton se arti i fjales ,eshte be vetvehte nji mister i pafund .

      (gjithcka e panjohur eshte e pakuptushme ,per shume nga ne ,por kjo s’na jep te drejten neve ,askujt te japi
      gjykime ,pa patur njohurite e duhura mbi ate gje )

      Dhe e fundit ,
      dhe kte e kam per te gjithe ,ktu ,
      -drejtohuni pak me rrespekt Moikomit ne komentet tuaja
      sepse nderoni edhe vehten tuaj .aq sa mundeni natyrishte ,per aq kohe
      sa Moikomi me shkrimet e tij ktu ,nuk ofeendon asnji .

      Reply to this comment
  2. h May 1, 15:47

    Sa per filozofinë ,ke shumë paqartesi.
    Të kalosh nga Sokrati apo Platoni tek Kanti për ta quajtur Epikurian
    echte njëlloj sikur të nisesh për sarandë nga tirana ,dhe të kalosh kufirin tek
    Hani i hotit.
    Vetem fotoja eshte e goditur.
    Dy intelektuale në bibloteke alla shqiptare.

    Reply to this comment
  3. Da Vinci , dija e verteta, kalon gjithmon nepermjet Zemres May 1, 19:33

    albi,

    Gabon ne ate qe shpreh per Moikomin .
    (nuk jane halicunatione ,i nderuar )

    Ktu nuk kemi perse te bejme krahasime .
    Nqs njeh ne ate masse Poezine ,(e cila eshte nji Planet qe jo te gjithe kan shkelur )

    nuk do beje nji koment te tille .
    Moikomi eshte i vecant ne stilin e tij
    dhe i pakrahasushem me asnji poet shqiptare tjeter .
    I pakrahasushem ne menyren si ai kompozon poezine ,
    edhe pse shprehjet e tij flururojne ne lartesi te medha
    mbi re ,
    dhe bejne te veshtrire te kuptohen mir nga lexuesi i thjeshte .
    Duhet te kesh shikimin shume te forte ,te dallosh
    poezine e tij ,qe i ngjan mozaikeve te fshehur epokave te ndryshme . Metafora e tij eshte shumengjyreshe misterioze ,
    qe kush nuk e njeh metaforen ,humb ne labirinthin
    e poeszise Moikomjane.

    Arti i te shkruajturit eshte nji Filozofi me vehte ,
    qe mjerishte nuk deshirfrohet nga te gjithe ata qe e lexojne .
    Kush hyn ne ate Planet Metaforash ku shetit Moikomi kupton se arti i fjales ,eshte be vetvehte nji mister i pafund .

    (gjithcka e panjohur eshte e pakuptushme ,per shume nga ne ,por kjo s’na jep te drejten neve ,askujt te japi
    gjykime ,pa patur njohurite e duhura mbi ate gje )

    Dhe e fundit ,
    dhe kte e kam per te gjithe ,ktu ,
    -drejtohuni pak me rrespekt Moikomit ne komentet tuaja
    sepse nderoni edhe vehten tuaj .aq sa mundeni natyrishte ,per aq kohe
    sa Moikomi me shkrimet e tij ktu ,nuk ofeendon asnji .

    Reply to this comment
  4. demo May 2, 04:12

    E vetmja merite e Rrumpalles Demokrature eshte zhdukja e Monopolit te shtypit letrar nga uzurpimi Zeqos.
    Metafo0rat e Zeqos jane Semundje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin