Moikom Zeqo, Lirizmi tokësor i Beduinit Kozmik

September 19, 2018 12:45

Moikom Zeqo, Lirizmi tokësor i Beduinit Kozmik

 

( Per librin poetik I PADUKSHMI-POEZI -2009 te MOIKOM ZEQOS )

Vangjush Ziko

Kam shkruar disa shkrime për poezinë e çuditshme, të jashtëzakonshme, për fluturimet  Moikomiane Pindarike dhe metaforat fantastike.

Po shkruaj dy fjalë për një diçka jo të zakonshme, për simbiozën e së Madhërishmes me më të Zakonshmen, simbiozën e Abstragimeve Filosofike me Logjikën e thjeshtë Jetësore, gërshetimin e “supermetaforave kozmike” me “minimetaforat tokësore”.

Shkak për këtë u bë leximi i vëllimit më të fundit “I Padukshmi” i Moikom Zeqos,Poezi viti 2009,( botim i APERKEAS-ABRAXAS,2018.) Të paktën, unë, mbase me vonesë e zbulova këtë të vërtetë!

Ka edhe Kolombë të vonuar si emigrantët, që po i zbulojnë sot kontinentet botës, siç e zbulova unë në këtë moshë kontinentin amerikan!

Çdo zbulim të ngazëllen, qoftë edhe i vonuar.

Duke lexuar këto poezi, m’u duk sikur, krahas një festimi madhështor në rrugët e qyetit nën tingujt e një Simfonie Bethoveniane, dëgjova nga dritaret e shtëpive edhe tingujt baritorë të klarinetës së Laver Bariut.

Dhe ishte e çuditshme se si shkriheshin në një miksim të padëgjuar Hyjnorja e Kozmikja me të Përditshmen dhe Tokësoren!

Krahas Fjalorit Kozmik, lexova Fjalorin Tokësor.

Krahas emrave të planetëve, të heronjve mitologjikë, të stihive të natyrës,.Krahas makrotoponimeve të Kozmosit lexova mikrotoponimet shtëpiake të mjedisit familjar:

“oborri”, “mëllaga”, “rrënjët e kopshtit”,”ashensori”, “frigoriferi”, “rubineti i kuzhinës”, apo paisjet dhe takëmet e zakonshme shtëpiake: “abazhuri si vreshtë”, “ekrani i Tv”, “kremastari”. “rrobat e vjetra”, “syzet optike” , “tavlla me hi e cigares”, “gota e çajit”, “kruajtsja e dhëmbëve”, “galloshet”, lexova librin e shtëpisë: “gjyshja, “nëna”, “babai”, “gruaja”, bile… edhe një “prift”, në vend të Prometeut apo të Krishtit!

M’u duk se Universi u ul, zbriti mbi Tokë.

Si e nxuri Dheu Kozmosin në gjirin e vet aq të brishtë!

Si mundi Moikomi, ky “Beduin Kozmik” (siç e quan veten në një poezi të këtij vëllimi) t’i përqasë fluturimet pindarike me hapin e gamiles në dunat e saharës jetësore!

Ja që ndodhka edhe kjo me Moikomin!

Në Parathënien e këtij libri ai e quan poezinë “Apoteozë Zhgënjyese” dhe Poetin “Mashtrues të Përjetshëm”, një “Homo Absconditus” (Person që i fshihet mëkatit).

Poezia e Moikomit, nga njëra anë harliset si “Fantazmagori e të Paaritshmes” dhe një çast ajo zbret në tokë.

A nuk ulet kështu edhe anija kozmike bashkë me kozmonautin, pas fluturimit!

Dhe qenka një shtëpi e motshme, që “bie erë naftalinë” në Jug ku ulen perënditë dhe “hyjneshat” e artit!

Gjyshja Faika “tund kanatën, e hapur, të dritares, si marinari flamurin e sinjaleve, mbi anije, për të komunikuar me gjithçka, në det, në qiell dhe në tokë!”

Në atë shtëpi në Libohovë, në kopshtin e saj qenkan “rrënjët”, “prangat sakrale nën dhé”.

Prangat e kujtimeve.

“Tek këmbët e tua, – nënë, – ka rënë, – vetë Mona Liza, – në

gjunjë – dhe lutet – plot adhurim!

Dhe Shën Maria, – të vetmen, – që ti e besoje, – kalon shpesh,

– tek ty, – vjen të të takojë, –

pini – kafen e zezë, – me aromë

rozmarine, –

Shën Maria flet, – kurse ti hesht, – e mallëngjyer, – më

në fund, – ajo të sheh me buzëqeshje – filxhanin, –

por në Amëshim,

-s’ke më asnjë nevojë,-për të mësuar,-të Ardhmen!”

Edhe shpirtrat e të dashurve tanë nuk e harrojnë merakun për bijtë dhe zbresin në formë hijesh t’i bëjnë Roje Gjumit tonë të Shqetësuar.

“…Ndërsa unë fle, i sfilitur, hija e babait,

rri tek karrigia ime,

studio,

pi duhan dhe kur bjen telefoni,

e ngre receptorin, dëgjon

me vëmendje dhe thotë, si me psherëtimë:

„Më falni, i keni rënë

gabim numrit!“

Jo vetëm hyjneshat dhe Mona Lizat u bëjnë shoqëri nënave të mënçura!

Edhe kolegët e mëdhenj nuk i ze gjumi.

Duan të dinë a po vazhdojnë të marrin forma të reja nismat e tyre të guximshme në penën e pasardhësve të rinj!

Borgesi i verbër mban në dorë librin tim të porsabotuar!

Në Poezinë Avanguardiste të Moikom Zeqos “E Paarritëshmja bëhet e Afërt dhe Intime!”

Këto ndodhin në poezitë – strofa , poemat, dramat e thella shpirtërore si në “Telefonata e gabuar”.

Dhe jo vetëm këto!

“Te vrimat e kopsave të xhaketës, më hyjnë dhe më dalin detet

dhe planetët, e fantazmagorisë së gjithëpushtetshme, të metaforave!”

Po. Metaforat e “Beduinit Kozmik” Moikom Zeqo krijojnë vetëm çudira fantazmagorike!

 

September 19, 2018 12:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*