4 proza të panjohura të Frederik Rreshpjes

February 18, 2018 11:01

4 proza të panjohura të Frederik Rreshpjes

Nga Moikom Zeqo

Të shkruash për të tjerët, madje për ata që kanë vdekur dhe nuk mund të flasin, ose të rrëfehen, është emocion i shumëfishtë, i koncentruar.

Këto ditë duke parë në Arkivin tim (kuptohet të rrëmujshëm dhe të pasistemuar), pashë një numër të madh fotografish me Frederik Rreshpen, shumë letra të tij, me shkrim dore, që m’i kishte dërguar gjatë jetës, (për fat të keq letrat e mia që i kam dërguar Frederik Rreshpes, për arsye se nuk kam ruajtur kopje, mendoj se do kenë humbur, siç kanë humbur shumë gjëra, apo dorëshkrime të Frederikut), si dhe disa fletë të daktilografuara, të zverdhura nga koha.

Në këto fletë befas gjeta (apo rigjeta) 4 skica, apo proza të shkurtra të tij, që me siguri i ka përgatitur për t’i botuar diku. Këto shkrime duhet t’i takojnë fundit të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Rreshpja ka punuar për shumë vjet si korrespondent i lirë i disa gazetave të mëdha të kohës. Publicistika për të qe një pasion i thekshëm dhe kryesor. Ai ka lëvizur nëpër Shqipëri, por kryesisht “mbretëria e tij krijuese” ka qenë Veriu i Shqipërisë.

Mendoj se këto 4 proza, krejtësisht të harruara, por ka gjasa që dhe vetë autori të mos i ketë botuar kurrë, do të jenë një befasi për lexuesin. Te skica e parë ndihet tradita e një komunikimi me një “leksik” tingujsh të daulles së malësorëve veriorë, tek skica e fundit ndihet motivi i skicës gjeniale të Migjenit, “Të korrurat”.

Stili në prozë i Rreshpes ka tërhequr vëmendjen e specialistëve të kritikës. Ai ka botuar dy libra me përralla dhe tregime për fëmijë, që ka qenë gati një çudi për ato vite. Ka botuar dhe romanin “Zëri i largët i kasolles”, roman që mund të ribotohet fare mirë, sepse ka vlera që rezistojnë lehtësisht. Ndërkohë ai ka patur pasion për të shkruar dhe drama të shkurtra. Ndonjëra dhe është vënë në skenë.

Duke parë fotografitë që i kam bërë në vitet e fundit të jetës, mund të vësh re një Facies Hippocratica (Fytyrë Hipokratike”, term mjekësor për pamjen e njeriut që po vdes. Gjithsesi ai qe një poet lirik i mrekullueshëm.

Për atë mund të përdoret thënia e famshme e Sallustit: Faber est quisque suae fortunae (Secili është farkëtar i fatit të së ardhmes së vetë). Në këtë kuptim të universalizuar Rreshpja pati fajin e tij të veçantë në poezi, që s’mund ta ketë çdokush.

Duke menduar për këtë ide, ndjej një rrënqethje lemmeritëse për të ashtuquajturat teori apo doktrina për Piarin, pra për një tërësi ndikimesh dhe aftësish vetiake në publik, për një sukses virtual në politikë, në shoqëri apo në spektakël. Flitet shumë për Piarin, por përgjithësisht për njerëz mediokër të politikës, që bëhen njerëz publikë nga virtualiteti i mediave, por që s’janë në substancë asnjëherë personalitete të vërtetë. E pra, Frederik Rreshpja qe një personalitet i vërtetë. Ai dhe në të gjallë (në jetën e tij gati të tmerrshme) edhe në vdekje nuk ka nevojë për asnjë Piar fantazmagorik. Ai është mjeshtër i plotfuqishëm i fjalës.

Më poshtë po jap për lexuesit 4 skicat e Frederikut:

1-STANI I MARVATËS

Dikush i bie daulles atje poshtë në luginë: dum-dum-dum… zëri i saj triumfues hap udhë në muzg dhe Marvata mban vesh. Sytë i ka gjysëm të mbyllur, sikur po ëndërron. Sipër kokës ka hedhur pa kujdes një shall të bardhë. Ç’gjë mund t’i shkonte më shumë këtij sfondi se sa skulptura e tij?

Mua më duket sikur ai po dëgjon jehonën që i bën zemra e vet daulles.

Ne kemi qëndruar në një shkëmb të lartë. Poshtë është lugina dhe daullja.

Kështu qe, kur e vranë, thotë befas ai.

– Kush e vrau? – pyes unë.

– E marr me mend që bariu plak do të më tregojë për ndonjë vrasje që unë nuk e di. Zëri i tij është plot nuanca të çuditshme. Duket si ushtima e largët e drurëve pleq kur fryn era.

Poshtë mbi kodra po zbret dielli.

– Gjermanët zunë lart në mal një partizan të plagosur dhe e sollën në fshatin tonë, – tregon ai. – Donin ta pushkatonin te kisha, por, pasi morën vesh se partizani qe nga fshati fqinj dhe në gjak me Nikajt, ndrruan mendje. Nikajt qenë fisi më i fortë dhe më i varfër, po qenë njerëz të thjeshtë dhe të mirë. Gjermanët e çuan partizanin e plagosur në oborrin e Nikajve dhe mblodhën gjithë fshatin aty. Plaku i Nikajve kundërshtoi „Përse? – pyeti oficeri gjerman, – ai e ka ndjekur gjithë jetën këtë djalë; tani ç‘ka?“. Por plaku nuk pranonte. Oficeri u zverdh dhe klithi. Ai urdhëroi djemtë që t’u binin daulleve. Po askush nuk u ra daulleve. Djemtë heshtnin. Atëherë oficeri gjerman zbriti nga kali me kobure në dorë…

Befas, plaku i Nikajve mori shkopinjtë dhe buzëqeshi. Fshatarët pëshpëritën. Plaku vajti tek daullja dhe i ra. I binte me forcë, sa i tundeshin flokët e bardha. Partizani rrinte, si dhe më parë, symbyllur dhe pa ndjenja. Daullja pushoi dhe plaku i Nikajve fshiu djersët. Vetëm atëherë ne pamë se te këmbët e tij kishte rënë përmbys oficeri gjerman i larë në gjak. Dikush e kishte goditur në ballë, nën zhurmat e daulles. Po kush? Asnjëherë nuk u muar vesh se kush e vrau atë.

Tutje dielli rrokulliset mbi pjerrësinë e kodrave. Hënë nuk do të kishte sonte.

– Po partizani? – e pyes unë Marvatën.

– Ai ishte i vdekur, po ne nuk e dinim këtë. Gjermanët e sollën të vdekur që nga fusha e betejës, për ta rivrarë në oborrin e Nikajve, në oborrin e hasmit. Në këtë mënyrë donin të fitonin simpatinë e malësorëve. Vetëm plaku i Nikajve e kishte kuptuar këtë. Më vonë, sigurisht, edhe atë e vranë gjermanët.

… Dum-dum-dum… s’pushon daullja. Plaku ul kokën dhe mban vesh. Prapa supeve i blegërijnë dhëntë.

2-THJESHTËSI

Ky hidrocentral është i njohuri im i vjetër. Kam jetuar shumë kohë këtu, që nga fillimi i punimeve. Vija ditën ose natën, në çdo kohë, pasi po shkruaja një roman. Romanin e mbarova, e daktilografova dhe e nisa për botim. Tani në hidrocentral vij më rrallë. Bile, më kaluan disa muaj pa ardhur fare.

Ato ditë më duhej të shkruaja një reportazh për shoferët; kështuqë u nisa edhe një herë. Duhej të shkruaja kryesisht për Sami Prezën. Ju nuk e njihni Samiun; askush nuk ka shkruar për të. Edhe unë kur desha të shkruaj diçka për të dështova. Është e çuditëshme që të dështojë njeriu në një reportazh.

Ishte shumë herët dhe urban nuk kishte. Hipa në një kamion. Makina qe bosh, prandaj troshitej shumë. Shoferi i binte shpesh borisë; mbase ky ishte një zakon i tij. Qe një burrë i heshtur, afër 40 vjeç, me supe të gjëra dhe me një shikim gati fëminor, që nuk i shkonte fare, ashtu siç nuk mund t’i shkojnë dritat e trëndafilta një prozhektori të madh.

– Në hidrocentral vete? – më pyeti ai.

– Po – i thashë.

– Tani vijnë shumë njerëz në hidrocentral, – tha. – Këto ditë erdhën ca fëmijë. I mbarta unë. Makinën e ngisja ngadalë, se ti e kupton, nuk kisha mbartur kurrë një peshë të tillë të gëzuar dhe cicëronjëse.

Fliste bukur.

– E njeh Sami Prezën, ti? – i thashë.

Ai qeshi dhe shikimi i tij dukej megjithmend i trëndafiltë.

– Thonë se bëri një heroizëm: shpëtoi një shok të tij megjithë udhëtarë. Thonë se këputi dy gishta.

– Po, – tha ai. – Sidoqoftë nuk bëri ndonjë heroizëm të madh. Punë e madhe! Këtë e bën kushdo.

– Mos fol kështu! – i thashë.

Ai qeshi përsëri dhe mua ky shoferi filloi të mos më pëlqejë.

– Ti shave Samiun – dhe nuk bëre mirë, – fola unë pas pak.

– Nuk e shava, – tha, – po nuk bëri kushedi se çfarë. Një ditë më pyeti për të një shok nga radioja lokale dhe nuk e di përse.

– Si s’e din? – i thashë, – Duhej ta dije…

Kishin arritur në gjysëm të udhës. Frynte një erë e lehtë. Që nga fusha vinin zërat e kooperativistëve dhe blegërimat e para. Shoferi dukej i hedhur dhe nevrik.

– Ndaloje makinën, dua të zbres! Ai më shikoi:

– Ti do të vije në hidrocentral?!

– Sidoqoftë, ndale!

– U zemërove, – tha ai. – Po makinën nuk e ndal dhe ty do të të shpie në hidrocentral pa tjetër. Si mund të të lë këtu? Tani, hajde më jep një cigare dhe mos u bëj i marrë, mos i dashur. Përse u zëmrove?

Nuk fola. U përqëndrova në studimin e peizazheve që lëkundeshin në xhamin e makinës. Më dukej sikur isha në një galeri ku një erë e pakuptueshme tundëte tabllotë.

Arritëm në hidrocentral.

– Prit! – tha ai, – të kalojnë këto lumverdhat. Pa më thuaj, do të të shpie gjëkundi? Jo? Epo lamtumirë! Unë tani do të nisem drejt e në portin e Durrësit.

Ai shkeli marshin dhe i ra borisë më kot. Me dorën tjetër afroi derën që lashë unë hapur. Befas u shtrëmbërua në fytyrë nga një dhëmbje e pakuptueshme. Atëherë e vura re: këtë dorë që ai e mbante gjithnjë në xhep e kishte të lidhur. Dhe i mungonin dy gishta… Kjo ngjau shumë shpejt. Mes nesh tani kishte një hapësirë të madhe dhe makina largohej gjithnjë.

– Mirupafshim, Sami Preza! – përshëndeta unë.

Por ai ishte shumë larg. Dhe gjithnjë i binte borisë. Kështuqë reportazhin nuk e shkrova dot. Më mbetën vetëm këto shënime që nuk i sistemova kurrë, sepse sa herë e kujtoj Sami Prezën, ndjehem i hutuar.

 

3- DRAGONJTË

Gjëja e parë që të bie në sy këtu është kjo: në këtë ndërmarrje të madhe kolektivi përbëhet pothuajse i gjithi prej vajzave. Ato rrinë të përkulura mbi tryezat e tyre të punës, nëpër repartet e filigranit, kashtës, allçisë, etj. Vajza të reja dhe të bukura. Si të gjitha vajzat. Objektet që prodhon ndërmarrja artistike kërkohen shumë brenda dhe jashtë vendit.

Ato rrinë me orë të tëra mbi ornamentet e ndërlikuara, me një durim të çuditshëm. Kështu rrinin dikur gjyshet e tyre dhe numëronin fijet e tërtilit. Jo, jo tamam kështu! Gjyshet rrinin në ca poza të ndrojtura, plot frikë, duke mbajtur vesh zërat e trimave matanë avllive. Asokohe gjyshet qenë çupa të reja dhe të bukura, po me një hije të verdhë. Sepse në botën e vogël ku sillej jeta e tyre, në botën e ngushtë, rrethuar me hekurat e dritareve dhe muret e larta, kishte shumë pak diell.

Edhe tani nuk mund të thuash se asnjërën nga këto vajza punëtore nuk i ka prekur, të paktën kalimthi, krahu i ftohtë i asaj bote të vdekur.

Sallë e gjërë plot dritë.

Ajo është në rreshtin e dytë nga e djathta. Po retukon. Në tryezën e saj ka mjaft objekte: një bari i vockël që i bije fyellit, një nuse zadrimore, ca dhën dhe një shqiponjë. Dhëntë dhe shqiponja janë të bardha. Shqiponja është plot lëvizje, piktorja do ta mveshë me ngjyra.

Ajo ka qenë e fejuar. Bile, së shpejti do të martohej. I fejuari ishte 13 vjet më i madh se ajo, po kishte diplomë dhe vishej shumë mirë. Pra, duhej të qe njeri me kulturë. Të gjitha qenë bërë gati. Mbaruan edhe telashet nëpër rrobaqepësitë. Po, ja, që kishte mbetur pa u blerë tablloja dhe qëndizmat nuk ishin punuar ende. Mes qëndizmave, kryesorja ishte ajo me dragonj: një varkë, ca lule pa kuptim, fjalët “mirë se erdhët” (!) dhe dy dragonj me krahë të shëmtuar dhe të qëndisur me fije mëndafshi. Kurse tablloja dihet: një hënë romantike, një çift i dëshpëruar, rrethuar nga ajri ngjyrë okër. Ornamente të një bote të vjetër, të përçudnuar nga rishtamposja.

Megjithatë, ai, i diplomuari, njeriu me gusto, dukej i dëshpëruar.

– Këto duhen, – tha ai. – Kur do t’i qëndisësh?

– Nuk do t’i qëndis kurrë, – tha ajo. – Do të ble ca sinuare dhe do të shikosh që do të jetë bukur, i dashur.

– Ç’sinuare? Ato janë gjëra simbolike, kupton?

– Pikërisht simbolike. Simbole të një bote të vjetër. Po ti mos u zemëro.

Po ai, njeriu i diplomuar, u zemërua dhe e shtyu martesën edhe një muaj: kaq ishte afati i domosdoshëm për dy dragonj. Ajo nuk u ul të qëndiste, megjithëse në shtëpi u alarmuan: dragonjtë duheshin urgjent. Kështuqë dasma u shty përsëri. Se ai dinte shumë gjëra nga Aristoteli, shkruante artikuj dhe bile mësonte frëngjisht, po nuk mund të hiqte dorë nga dragonjtë. Nuk mund të hiqte dorë nga këto gjëra qesharake me krahë të shëmtuar që na vinë herëpashere nga botrat e largëta, të deformuar nga rishtamposjet dhe kohrat.

Dhe u ndanë.

Jo, këto nuk janë gjëra të vockla! Ajo mësoi të sajojë figura aksionistesh, mësoi të bëjë barinj, dhën, fluturimet shqiponjash, një botë të tërë plot gaz dhe lëvizje, po nuk mund të bënte dot dragonj. Si të gjitha vajzat, ajo nuk i donte dhe nuk i kuptonte dragonjtë.

Salla është e bukur dhe moderne. Radioja jep këngë nga festivali i fundit. Vajzat punojnë. Lëvizjet e tyre janë të shpejta, të sigurta dhe të shkathta. Ato janë të reja dhe nuk e dinë se si përkuleshin gjyshet e tyre mbi gjergjefët. Po nuk mund të thuash se asnjerën nga ato nuk i ka prekur, të paktën kalimthi, krahu i ftohtë i dragonjve.

 

4-ËNDRRA E GRURIT

Ai është agronom në fermë. E thërrasin Adi. Ky është emri i tij i fëminisë.

Adi ikën që në mëngjes drejt arave me grurë, nëpër blloqet e hardhive dhe mollëve. Vetëm në mbrëmje kthehet nga kjo botë e gjelbër, pranverore.

Mua më duket që më shumë ai do grurin.

– Po, – thotë ai. – Bile, shpesh herë shoh grurë në ëndërr. Edhe babai shihte dikur grurë në ëndërr. Një grurë të madh, të çuditshëm. Ai kalonte mes arës, i qeshur. Pastaj shihte në ëndërr sikur dikush ia shkelte grurin e tij. Kjo e mundonte shumë. Të gjitha këto kanë ngjarë para shumë vjetësh, kur më në fund me shumë mundime ne blemë një copë tokë. Një copë tokë të vogël, sigurisht.

Një ditë babai zuri derën dhe tha:

– Ju nuk do të dilni askund. Nesër do të mbjellim tokën.

Vëllai i madh u zverdh.

– Lermë, baba! – foli ai. – Do të më pushojë patroni nga puna.

– Punë e madhe, – tha babai. – Ne tani nuk kemi nevojë për ata. Më në fund kemi tokën tonë. Dhe që nesër ne do të jemi krenarë dhe të pamposhtur si fisi ynë malësor. Ja ku e kam tapinë e tokës.

Sapo e mbollëm tokën, vëllai i madh doli në mal dhe babai tha:

– Mirë, ne do ta korrim vetë grurin tonë. Oh, më në fund, edhe unë do të korr grurin tim!

Një ditë vëllai tjetër nuk erdhi në shtëpi. Erdhi pas tri ditësh.

– Ku ishe? – e pyeti babai.

– Në burg, – u përgjegj ai. – Më zunë duke ndarë trakte…

– Po kush do ta korrë grurin tonë? – pyeti babai.

– Nuk e di; sidoqoftë unë po shkoj.

Ai iku në mal. Mbetëm vetëm unë dhe babai. Asokohe unë isha vetëm katër vjeç.

– Adi! – më tha babai, – nesër do ta korrim grurin.

– Po, – i thashë unë.

Ai mprehu drapërin dhe ra të flinte. Me siguri në ëndërr shihte grurë. Në mëngjes u ngritëm herët. Babai qeshi dhe luajti me mua. Pastaj hapi portën dhe befas u zverdh dhe u trondit sikur ta kishte goditur njeri në kokë.

– Ç’ke baba? – i thashë.

Prapa shpinës së tij shihja tokën.

Babai bëri dy hapa përpara, fërkoi sytë, diçka tha dhe doli në oborr, por dikush i thirri: alt!

Babai u kthye.

– Ç’është kështu, baba?

Ai ishte i mvrejtur.

– Gjermanët kanë punuar gjithë natën dhe kanë ngritur një bunker të madh mu në mes të arës sonë. Po si e ngritën kaq shpejt?… Si e ngritën kështu?…

Kallinjtë e bukur dhe të pjekur shtriheshin pa jetë.

Babai kishte vite që e shihte këtë grurë të shkelur në ëndërr, derisa bleu atë copë tokë.

Prandaj unë e dua grurin kaq shumë.

***

Njohja ime me Frederik Rreshpen është e hershme, në fakt që nga viti 1968. Isha student, kisha botuar libra dhe botoja shpesh poezi në gazetat letrare të kohës dhe një ditë u njoha me Frederikun, kur ai kishte ardhur në Tiranë.

Menjëherë u bëmë miq të ngushtë. Kemi komunikuar shumë shpesh me njeri-tjetrin. Ai ka ardhur, ka ndenjur dhe ka fjetur në shtëpinë time në Durrës. Të njëjtën gjë kam bërë dhe unë duke shkuar në shtëpinë e tij në Shkodër. Disa herë kemi qenë bashkë për reportazhe, kryesisht në rrugët e Veriut. Frederiku ishte shëndetlig dhe shpesh shtrohej nëpër spitale, në Shkodër dhe në Tiranë. Në ditarët e mi kam përshkrime të sakta të vizitave, të bisedave dhe të dialogëve. Madje në blloqe ruaj dhe disa vizatime. Frederiku qe dhe piktor, ai ka realizuar disa herë disa portrete të miat, me laps dhe stilograf. Bisedonim përherë të etur për poezinë.

Poeti më i madh shqiptar sipas tij qe De Rada. E dinte përmendësh De Radën. Por adhuronte sidomos Migjenin.

Në një poezi, dorëshkrimin e së cilës e ruaj unë, ai e quan metaforikisht Migjenin si një avion modern që çan qiejt, ndërsa poetët e kohës së Migjenit i krahason me zogj që cicërijnë nëpër degët e pemëve, duke parë çudinë e qiejve, domethënë Migjenin.

Kujtesa e Frederikut qe fenomenale. Më kujtohet se si një ditë ai më përmendi gati 60 personazhe nga romani “Saga e Forsajtëve” të Gollsuorthit. Kemi diskutuar shumë për “Lëkurën e Shangrenit” të Balzakut. Rreshpja adhuronte tregime melankolike dhe tepër njerëzore të Çehovit. Shija artistike e Rreshpes qe përcaktuar nga leximet e tij të shumta. Këto lexime e bënë atë njeri të kulturuar.

Falë kujtesës së mahnitshme siç e përmenda më sipër, Frederik Rreshpja arrinte të rikonceptualizonte rendin estetik të fjalëve, për të shtjelluar ndjeshmërinë e hollë dhe të pazakontë me metaforat e papritura dhe inteligjente. Kjo dukuri vetiake e tij, që ka të bëjë me perceptimin, e bëri Frederik Rreshpen që të futet në lirikën shqiptare me origjinalitetin e tij të papërsëritshëm.

Jeta e tij e trazuar, persekutimi, madje dhe burgjet që bëri në diktaturë, duket sikur ishin një jetë e dytë gati, alternative, sepse në të vërtetë ai reflekton jetën delikate, të ndritshme edhe në pikëllim, të poezisë së vetë.

Me këtë kuptim ky njeri qe një nga njerëzit më interesantë krijues të shekullit XX. Duket sikur i kishte kundër të gjitha rrethanat. Duket sikur të tëra rastësitë qenë fatale për të. Duket sikur ai nuk mund të arrinte asgjë në këtë botë kontradiktore dhe të komplikuar. Me të vërtetë ai arriti atë që shumë njerëz të stimuluar nga koha, por edhe nga klientelizmi politik, nga konformizmi i stërgjatur në kohëra bizantino-shqiptar, nuk mundën të arrinin kurrë.

Shumë veta kanë shkruar libra. Por nuk arrijnë dot të bëjnë Art. Frederik Rreshpja i takon më shumë artit sesa kronologjisë së tij të ngrysët dhe shpesh të pështirë të jetës.

Do të doja të botoja  përmbledhje të zgjedhura të poezisë dhe të prozës së Frederik Rreshpes për ta bërë të njohur, për ta nxjerrë në dritë, larg çdo terri dhe muzgëtimi figurën e këtij poeti të papërsëritshëm. Amen!

Botuar në DITA

 

February 18, 2018 11:01
Komento

4 Komente

  1. Mehmet Metaj July 26, 20:27

    Urime i madhi Moikom per keto rreshta per te ndjerin Frederik Rreshpja, qe vertet te rrenqeth kur e shikon ma ate si nje Facies Hippocratica (Fytyrë Hipokratike”,dhe kjo mbas kalvarit te gjate te denjigrimit diktatorial, kur kemi parasysh nje djale i ri abo burre malesie ishte mjaft i hijshem dhe mendjemprehte si ai..Nderimdhe respekt per te qe ja coi jeten dem komunizmi…!!!

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D. July 27, 16:33

    Faleminderit i nderuari Mojkom Zeqo per horizontin qe na hapi,per ate figure te rralle me penen e tij :Frederik Repshia.
    Shendet Juve mbi te gjitha.
    Na kenaqni me ato bisedat e rralla mes meqshe e shokeshte vertete aty tek “Kafe-Librari Agolli”.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  3. Guri Naimit D. July 27, 16:35

    Faleminderit i nderuari Mojkom Zeqo per horizontin qe na hapi,per ate figure te rralle me penen e tij :Frederik Rrepshja ndiese paste..
    Shendet Juve mbi te gjitha.
    Na kenaqni me ato bisedat e rralla mes miqsh e shokesh te vertete, aty tek “Kafe-Librari Agolli”.
    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  4. Guri Naimit D. July 27, 17:18

    Dhimbjen me ju e perjetojme,sa “melem”na dergoni i nderuari Akademik Mojom Zeqo,sa na shkruani per te paharruarin, koelgun tuaj te vecante, Frederik Rrepshja.
    E lexova me impenjim te plote duke jetuar me Ju dhe ate, nje jete si bashkemoshatare,fatkeqesisht, Ai ndare para kohe nga jeta. Natyra ben te sajne.
    I perjetshem qofte kujtimi i tij.
    Me falni po dua te sjell nje mbrese lamtumire, dhe te nje mikut dhe shokut tone,ndare nga jeta,qe pikerisht sot e kujtojme, ne te “Dyzetat e ndaries,te te pa haruarit tone Ali Luli.
    Plot 40 dite me pare i dhane lamtumiren e fundit te mirit Ali : Familia, femijet e tij me nipa e mbesa,sa shoke e dashamires.
    Dhimbie ndjere te gjithe pjesmarresit,dhene lamtumiren e fundit, njeriut te dashur te tyre me konsiderata per te nje jete,ku shkelqeu me veprimtarine e tij,sa ne familie dhe ne shoqeri..
    Po kush ishte Ali Luli?!
    Nje basjkeqytetar Tirane, lindur me 8 Dhjetor 1940,ne nje familie atdhetare, jetuar mes 7 vellezerve e motrave te nderuara,sa me bashkeshorten e tij Bali,te dy,nje jeta rritur ata djem engjej, sot prinder te shkelqyer, me te cilet, Aliu krenohej,per arrtiet e tyre.
    Aliu, nje jete bere mjeshter i profesionit te pompistit ne NSHRAK.nisur buzequmesht e, mese 40 vjet pune,rrespektuar E nderuar. Ati dhene titullin e larte “MJESHTER ne Profesion’shkalle Republike .
    Me punen e tij te ndereshme krah ate bashkeshorte Elbasanase,rriti dy djem:Ardianin dhe Bernardin, so gezojne mes femijeve te tyre engjej qe Ali me ta nuk e ndiente dhimbiet. Mbeti nje veprimtar shoqeror model.
    Nja jete ne Lagjen e vendlindies “Hoxha Tasim” sa ne rrugen “Kotaq Cipo”te lagjes “Ali Demi, i nderuar e respektuar nje jete,si NJERI se pari,lene mbresa te pa shlyera.
    Me kujimin e tij familia sa shoqeria, do te jetojne.
    I perjetshem qofte kujtimi i tij.
    Te goditura ishin fjalet e fundit te pershendeties:
    “Ti linde me furtunes,
    Fitimtar mes saj dale/
    Trashegimi virtuale lene/
    I perjetshem kujtimi Yt
    Ali Lulia-Bir i Tiranes sone!
    Lexoi per Komunitetin e Lagjes sa pjesmarresit, me familen e Tij, Pasuesi veteran,81 vjecari, Dhimiter Xhoga.

    Ndiese dhe rrespekt,per Ata,qe si kemi midis nesh.
    Guri Naimit D.
    . ..
    ;

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*