Moikom Zeqo në laboratorin e ëndrrës

November 14, 2018 13:29

Moikom Zeqo në laboratorin e ëndrrës

 

(Interviste e Moikom Zeqos dhene gazetares  Anila Dedaj)

Në vitin 1970 kur Shqipëria ishte në kthetrat e diktaturës  dhe arti synonte të përhapte doktrinën e detyruar të të ashtuquajturin  Socrealizem, një djalosh 20 vjeçar i ardhur nga një familje e thjeshtë durrsake ,  guxonte të ëndërronte me muzikën e Eric Burdon të grupit The Animals – (këngën “Housse of  the Rising sun”,)- pikturat e Botticellit, të piktorëve kinësë të lashtësisë,-surrealizmin e Dalisë “sëçmendur” apo Pikason poliedrik.

Për atë që ende nuk e ka njohur shkrimtarin, arkeologun dhe mendimtarin Moikom Zeqo do ta kishte të vështirë të besonte se në një kohë kur letërsia shqipe e viteve 60 dhe 70 ndikohej  aq shume nga poezitë e Eseninit mbi fshatin dhe peizazhin, djaloshi , i rritur pranë kalasë bizantine të Durrësit përkthente poezitë futuriste të Majakovskit ,apo të francezit Pierre Reverdy,lexonte Pol Eluarin, Federiko Garcia Lorkan, Salvatore Kuazimondon, Tomas Eliotin etj

“Laborator i ëndrrës”, ku përmblidhen dorëshkrimet e tij të shkruara gati gjysmë shekulli më parë, nuk vijnë vetëm si dëshmi e gjithë këtij rrëfimi kaq të pazakontë ,- por mbi të gjitha si njëudhërrëfyes që tregon se si mund të formohet një talent në moshë të re, duke “peshuar të Tashmen në kandarin e së Ardhmes”…

Njeriu me libër hap “Laboratorin e Ëndrrës”

“Laboratori i ëndrrës” për shkrimtarin, nuk është një përmbledhje e thjeshtë dorëshkrimesh, pasi siç ai vetë rrëfen ky libër është vetë ai, gjysmë 20 vjeç dhe gjysmë 21 vjeç.

“Ky libër i patjetërsueshëm shpjegon Moikomin e të gjitha moshave”.

Ç’mund ta çelte tjetër këtë“laborator tëçuditshëm” përpos një njeriu që përpara vetes ka një libër.

Bëhet fjalë për një pikturë të hershme të tij, tepër të stilizuar që i afron më tepër grafikës me ngjyrë duke rrëfyer vëmendjen që ai i kushton esencës dhe estetikës, sepse siç shkruan në këtë ditar të tij : “Të ecin këpucët pa këmbët, kostumi, pa njeriun që e vesh, ja ç’është të shkëputësh formën nga përmbajtja”.

Pse u botua ky libër?

Për të zbardhur këto dorëshkrime të vitit ’70 Moikom Zeqo rrëfen se ka përdorur lupën zmadhuese që e ndihmoitë lexojë kaligrafinë, gati në miniaturë të dorëshkrimeve.

Bëhet fjalë për Ditarë dhe Fjalorë Figurash, për “Laboratorëëndrrash”.

Shkrimtari do të vazhdonte të mbante ditar po në vitet në vijim, edhe pse jo në mënyrë të rregullt.

“Më tej, pas vitit 1979 nuk e kam vazhduar këtë traditë. Kam mbajtur më së shumti shënime, që lidhen me studimet e mia shkencore më tepër, kryesisht mbi arkeologjinë edhe historinë e artit”.

Libri “Laboratori i ëndrrës”  më herët ka qenë një Ditar i lidhur në dy blloqe të mëdha, ku ka elemente të pazakonta të formimit të tij, mendime të shkruara, si dhe ide të nxjerra nga librat e lexuara.  E veçanta dhe risia që konsiderohet edhe nga vetë autori si një fenomen içuditshëm vjen me “Fjalorin e Figurave”  ku Zeqo mbante kryesisht metaforat për t’i përdorur më tej për poemat dhe poezitë. “Prandaj edhe titulli ‘Laborator iëndrrës’ është më afër sekretit të laboratorit që ka krijuesi.

Çdo krijues ka një mënyrë të tijën si shkruan dhe çfarë shkruan. Thuhet që laboratori i krijuesit është gjithmonë enigmatik, shumë studiues të letërsisë janë marrë me laboratorin artistik të poetëve kryesisht, por ka qenë shumë e vështirë për t’i zbërthyer”.

Ndoshta qe kjo arsyeja që e shtyu Moikomin, që gjysmë shekulli më pas të rishikonte dhe të restauronte kujtesat e humbura, naivitetin, shqetësimet,por mbi të gjitha etjen e papërmbajtshme për të ditur dhe mësuar gjithçka.

Gjatë këtij rrëfimi për “Shekullin” shkrimtari tregon shembujt kur studiuesit nuk ja kanë dalë të kuptojnë edhe pasqyrojnë laboratorin e krijuesve të mëdhenj.

“Do të jap dy shembuj që janë shumë të rëndësishëm, rasti i parëështëai i poetit  Mallarme. Një poet i madh tepër sqimatar, tepër kërkues dhe figurativ.

Mbante edhe ai një ditar të jetës me shënime tëçuditshme se çfarë mendonte ai për letërsinë edhe figurat letrare.

Kaq i çuditshëm është dorëshkrimi i Mallarmesë, saqë ai e lidh ushtrimin e metaforave me ushtrimet algjebrike dhe shpesh në shënimet që ka duhet një mendje shumë e fuqishme për të zbërthyer se çfarë ka dashur të thotë dhe si ka mundësi që një metaforë të lidhet edhe me numra, algoritme, ekuacione algjebrike, ose shënime që e lidhin poezinë me formulat e alkimisë.

Ai mendonte të bënte atë që quhet Libri Total, pra libri i të gjithë librave dhe synonte që poezia të ishte një simbol ndërlidhës me të gjithë elementët, por në mënyrë të veçantë me elementët kozmikë”.

Zeqo rrëfen se dorëshkrimet e Mallarmes, që vet shkrimtari nuk arriti dot t’i zbardhte, edhe sot janë gati të pamundura të botohen edhe lexohen, kështu që vetëm studiuesit që lexojnë në arkiv dorëshkrimin e tij mund të kenë një ide se çfarë ka dashur të thotë.

“Rasti i dytë ështëi poetit të madh portugalez Fernando Pessoa. Ai la një valixhe të madhe kur vdiq që kishte dorëshkrime të ndryshme të pabotuara.

Nga ato dorëshkrime u mor vesh që poeti kishte botuar libra me pseudonime të ndryshme. Pessoa ka përdorur deri në 80 pseudonime. Studiuesit arritën të kuptojnëse librat që u atribuoheshin të tjerëve ishin librat etij, por më e rëndësishmjaështë fakti se shënimet që kishte lënë ai ishin shumë të vështira për t’u botuar.

Me një punë këmbëngulëse një grup studiuesish arritën të nxjerrin vetëm fragmente dhe botuan një ditar që u quajt ‘Libri i Shqetësimit’.

Po janë të fragmentuara dhe është shumë e vështirë që të mund të thuhet se ky grup që punoi me dorëshkrimin pas vdekjes së Pessoasmundi  të bënte atë punë ekselente, ose më të plotësuar dhe më të konceptalizuar se ç’mund ta bënte vetë Fernando Pessoa”.

Duke qenë në dijeni të këtyre dy shembujve, Zeqo tregon se “ i shkrepi” ideja që t’i zbardhte dhe botonte vetë shënimet e tij, ku “Laborator i ëndrrës” është vetëm një pjesë e ditarit të vitit 1970.

Ai shprehet se në këtë ditar shënimet kryesore janë ato që kanë të bëjnë me interesat e tij mendore, që u përkasin fushave të larmishme tematike.

Esperantoja tingëllore dhe miqësia me Çesk Zadenë

“Muzika – arkitetura e tingujve si dhe poezi e tingujve, nocionet e Hapësirës dhe të Kohës i ka ndryshe, si dhe estetikën, realitetin dhe metaforat”. Të shumta janë shënimet e shkrimtarit për muzikën. Ajo që ndoshta shumë pak e dinë për tëështë se ai e ka studiuar këtë zhanër gjithë jetën, veçanërisht vitet e fundit, edhe pse siç rrëfen nuk ka reflektuar talent për të krijuar pjesë muzikore.

“Këto shënime lidheshin me miqësinë që kam pasur që student  unë me muzikantin më të madh shqiptar që ishte Çesk Zadeja.

Sidomos më pas, kur punoja në gazetën ‘Drita’ si redaktor kam pasur një lidhje të fortë dhe unë lexoja leksionet që ai shkruante”.

Shumica e shënimeve të tij lidhen me një sistem të veçantë muzike. “Bëhet fjalë për muzikën dedakafonike, 12 tonëshe, ose atonale, jo melodike dhe kjo lidhet me kompozitorin Alfred Shënberg”.

Ndërsa më vonë do të ndiqte pasuesit e Shënbergut, Alban Bergun ,Anton Vebernin dhe njëkohësisht do t’i dedikonte vëmendje të veçantë muzikës mesjetare. “Studioja muzikën e Palestrina-s, kompozitorit italian të Rilindjes Evropiane, pa lënë mënjanë muzikën e e Jan Kukuzelit të Durrësit në shekullin e XII, Monteverdin, Vivaldin, po edhe  muzikën e stilit barok e deri tek muzika moderne e ditëve të sotme E Shnitkes, Scriabinit, George Ligettit, si dhe muzikën sufiste të Lindjes”.

Pavarësisht se merrej me muzikën klasike, ai rrëfen se njohja me Zadenë, ndoshta edhe pak rastësia e nxiste edhe drejt muzikës bashkëkohore.

Në vitet ’70, kur pothuajse e gjithë rinia e asaj kohe diskutonte dhe fliste për Bitëllsat, Moikom Zeqo preferonte këngët e një muzikanti që vazhdon t’i dëgjojë edhe sot. “Muzika e Eric Burton mua më pëlqente aq shumë saqë e pajisa me vargje në shqip, bëra një tekst poetik për muzikën e tij “Housse of the Rising sun “ dhe e këndoja me shokët e mi”.

“Puntori i ëndrrave” dhe ndikimet në pikturën e tij

Sikur ditari sekret i “puntorit tëëndrrave” Moikom Zeqos të binte në duar të gabuara me siguri që ainuk do t’u kishte shpëtuar zinxhirëve fizikë të diktaturës. Mirëpo askush nuk e dinte se në vitet ’70 ai i dedikonte poezi Pikasos, madje ishte aq i tërhequr nga bota e tij saqë edhe dukuri të natyrës i krahasonte me punët e piktorit.  “Vizatimet e rrufeve si vizatimet e Pikasos”, shkruan ai nënjë nga faqet e ditarit të tij.

Shënime në “Laboratorin e Ëndrrës” ka jo pak edhe për Sandro Botiçellin, të cilin siç shprehet në ditar nuk mund ta përfytyronte pa Pranverën, pa dashurinë e femrës, lulet. Mirëpo më shumë hapësirë ai i ka dedikuar surrealistit “e çmendur” Salvador Dalisë.

Shkrimtari rrëfen se ai madje ndiqte edhe deklaratat e artistit shumëdimensional. “Salvador Dali duke qenë një artist që e ndryshoi pikturën ndoshta ka ndikuar edhe tek metaforat e miame surrealizmin e tij.

Surrealizmi presupozon ndërtime figurash që ndonjëherë janë edhe të pakuptueshme.

Unë e kam një dallim,- se pavarësisht elementëve fantastikë që ka figura,përsëri unë synoja që të ishin të kuptueshme.

Nuk e pranoja dot pakuptimshmërinë, pranoja ekstravagancën ndoshta të metaforës, por në funksion të asaj ideje që doja unë të jetë e kuptueshme”.

Dhuntinë e vizatimit ai e ka shfaqur që në moshën 13-vjeçare.

Mësuesi i tij i vizatimit ka qenë piktori nga Durrësi Zef Ujkaj.

Leksionet e pikturës do t’i vazhdonte mandej më një tjetër piktor po nga qyteti i tij, i cili u nda nga jeta në moshë shumë të re. “Spiro Golgota qe një nga piktorët më të talentuar që kam njohur dhe ai vdiq 36 vjeç nga turbekulozi, dhe unë kam shkruar disa studime për pikturat e tij”.

Ndryshe nga muzika, piktura ishte për të një pasion më rezultativ.

Zeqo i ka dedikuar mjaft kohë vizatimit veçanërisht kur punonte si arkeolog, madje prej vizatimeve të objekteve i bënte vetë.

Mandej ka botuar një album me 400 grafika si dhe ka hapur 5 ekspozita pikture.

Letërsia ndryshe e Moikom Zeqos

“Pse kam shkruar, ndryshe, konceptualisht dhe estetikisht poezinë dhe prozën, serinë e librave të mi, me stilin e pakonkurrueshëm dhe të pangjashëm, që i shqetëson dhe i grish imituesit, epigonët, që s’mund t’i ndalosh dot, sepse dashurinë e kanë edhe urrejtje?

Por në fund të fundit ky stil i ka “kolonizuar” qetësisht, paqësisht, përfundimisht”…

Më të rëndësishmen nga fushat që ka lëvruar, Moikom Zeqo konsideron letërsinë, madje e shikon atë si një urë lidhëse që e ka shpënë drejt muzikës dhe pikturës.

Ai rrëfen se formimi i tij ka qenë i ndryshëm nga i shkrimtarëve të asaj kohe.

“Në vitet ’70 ishte krijuar një poezi e madhe nga poetë të shquar siç është Ismail Kadareja, Fatos Arapi dhe Dritëro Agolli. Përgjithësisht kishte dalë edhe një grup poetëshreferues  edhe një nga poetët që pëlqehej mëshumë ato vite ishte Esenini.

Ai kishte një dalldisje poetike me figurat e tij dhe mund të them se u imitua nga të gjithë poetët.

Ndikim nga Esenini ka edhe tek Kadareja, edhe tek Agolli edhe tek poetët e tjerë, ndoshta edhe për arsyen që Esenini ishte një poet fshatar që i këndonte peizazhit, kishte një imazhinizëm të ndritur”.

Mirëpo Zeqo i lindur në një qytet bregdetar, me shtëpinë pranë kalasë bizantine të Durrësit, vetëm 30 hapa larg nga shtëpia shtëpia muze “Aleksander Moisiu”, e po aq pranë detit,  nuk u ndikua nga poezia e Eseninit.

“Ndoshta ndjesia e detit nuk më lidhte dot më. Po të kisha lindur edhe unë në fshat ndoshta do të isha ndikuar edhe unë prej tij. Ai është një poet interesant edhe mjafti mirë, por mua nuk më ngjiti”.

Ndryshe nga bashkëkohësit e tij shkrimtari “kundër rrymës” do të ndikohej nga një tjetër poet.

Në ato vite ai do të përkthente poezitë futuriste të poetit rus, Majakovskit.

Një vëmendje të veçantë do t’u kushtonte edhe gjuhëve të huaja pasi përveç rusishtes mësonte edhe anglisht e frëngjisht.

“Në mënyrë të veçantë frëngjishtja për mua ishte një gjuhë që mësolli një motiv që ende nuk mundta shpjegoj siç duhet sot”. Bëhet fjalë për poetin Pierre Reverdy, një libër i të cilit i kishte rënë rastësisht në dorë.

“Ky libër qe shumë i vështirë për tu përkthyer. Pierre Reverdy është një poet shumëi madh i cili ka jetuar në kohën e surrealistëve francezë, por nuk është surrealist. Është një poet ‘sui generis’ shumë i veçantë,ka një dhimbje universale dhe është shumë intim në rrëfimet e tij ose më saktë në parabolat poetike që përdor. Edhe unë i përktheva poezitë e tij”.

Mandej ai do të mund të siguronte edhe botime të Lorkës, një libër të të cilit e ka përkthyer. Po ashtu do të ndikohej nga shkrimtarë të tjerë si francezi Paul Eluard, Ëalt Ëhitman etj.

15 vite pa botuar asnjë libër

Poezitë që Moikom Zeqo do të botonte në gazetën “Zëri i rinisë” dhe “Nëntori”, do të shënonin një kthesë në jetën e tij.

Pleniumi i 4-t do ti konsideronte si poezi hermetike, dhe nga redaktor të gazetës “Drita” do ta dërgonin mësues në Rrogozhinë për disa vjet.

Kjo ka qenë një periudhë e dyfishtë për mua. Natyrisht pata një zhgënjim edhe për shumë kohë, nuk shkrova më poezi. Libri im i tretë poetikështëbotuar në vitin 1985, pas 15 vitesh.- Shiko sa gjatë!”. Mirëpo mësimdhënien nëRrogozhinë shkrimtari e konsideron si diçka pozitive.

Ai ende sot kujton me nostalgji njohjen me nxënësit dhe përvojën si mësues.

Edhe pse e gjitha kjo nuk mundi ta shmangte zhgënjimin që pësoi nga poezia, ndaj gjatë kësaj periudhe i’u dedikua arkeologjisë.

“Unëjam me  parimin se  një e keqe ka gjithmonë edhe një të mirë-“ftohja “ me poezinë  bëri që  historia dhe arkeologjia të bëhej “një strehë transcedentale për mua “ blindazh kulturorogjik “

Tani jam 69 vjeç edhe po i  them këto fjalë.

Mund të mos kishte ndodhur një histori e tillë, por do të ishte mëkat sepse nuk do të ishte marrë me arkeologjinë…”.

Arkeologjia dhe rëndësia e profilit kulturor për një shkrimtar

Arkelologjia do ta çonte Moikom Zeqon në një tjetër sferë njohurish duke e njohur me elementë shkencorë nga prehistoria, antikiteti, e veçanërisht mesjeta që për Shqipërinë siç ai rrëfen ështënjë periudhë mjaft interesante.

“Kjo më bëri mua të lexoj autorë të tjerë që ishin përtej letërsisë, më bëri që të jem ai që jam sot”.

Zeqo shprehet se për një shkrimtar është tepër e rëndësishme që parasëgjithash të ketë një profil kulturor.

“Kritikët amerikanë, kur bëjnë studime për shkrimtarë të shquar ose shkrimtarë shumë të mëdhenj gjithmonë nuk e harrojnë që tëpërcaktojnë profilin kulturor të shkrimtarit, sepse është e pamundur që kjo të mos reflektohet në krijimtari”.

Profili kulturor i Moikom Zeqps është kështu” monada dhe matrikulli shpirtëror” i librave dhe krijimtarisë.

Libri “ Laborator i Ëndërrës “ përfundon në 31  dhjetor  1970-ditë e ejte,- dhe Moikom Zeqo shkruan një Poemë Futuristike për një të Ardhme, 30 vjet  më pas, kur 20 vjecari do të  duhej të ishte  kështu 50 vjec, si një Centaur midis shekullit XX  dhe fillimit të shekullit XXI- një poetikë që ndoshta nuk e ka shkruar askush.

November 14, 2018 13:29
Komento

1 Koment

  1. Loni November 14, 21:22

    Lexoje Z. Thana (Aleksander) po pate durim!!!
    Loni

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*