Moikom Zeqo, parabolat e ankthit

July 19, 2018 16:24

Moikom Zeqo, parabolat e ankthit

 (Bisedë e Moikom Zeqos me Fatmir Mingulin)

Pyetje: – Ju shkruani, i nderuar Moikom, se “subjektet janë midis absurdit dhe të rëndomtës.

Por edhe çdo filozofi e jodomethënies (non-signification) fillon si një kontradiktë nga fakti se ajo shprehet.

 Të jetosh do të thotë të gjykosh.

 Shkrimtarët janë shpesh aventurierët e mëdhenj të absurdit.

 Këtu synon kompozimi mozaikor : librit tim ».

Është fjala për librin « Vetullat Hyjnore » (Bota Shqiptare).

Ju e quani këtë libër të ri si bleun e dytë të « Refuzimit të shkrimit » (Dituria, 2011).

Kërkoni  vijimin  dhe mbushjen e një kolane të veçantë.

Kam shkruar për « Refuzimin e Shkrimit » dhe e kam çmuar karakterin lëvizës, dinamik, hulumtues dhe sintetik të prozave tuaja të shkurta, shpesh të çuditshme dhe si të papërfunduara.

Tani kam në duar si të thuash vijimin, aktin e dytë të tyre.

I kam parë me vëmendje, por edhe me një ndjesi skeptike, pra për një kriticizëm në përgjithësi, për të gjykuar ndryshimet, por ndoshta edhe përsëritjet, të ngjashmet, që nganjëherë janë të pashmangshme.

Përshtypja e parë është se « Vetullat Hyjnore » është një libër i ndryshëm dhe vijimësia e stilit nuk është ajo e subjekteve. Kjo është tashmë një kërkesë e përhershme e trillit tuaj krijues ?

Përgjigje : – S’di të them diçka me saktësi përfundimtare. Në art të paramenduarit (eksegjezat) janë më tepër intuitive. Ideja bergsoniane e intuitës në art është parësore dhe e ftillueshme pambarimisht.

Kur e mbaroj një libër (cilindo libër) e konsideroj si substancë që ende nuk është libri.

Mbarimi shkrimor i librit është çasti i kompozimit të vetë librit.

Pra e riorganizoj, caktoj rendin e lëvizjes, dhe fiksimit të teksteve, heq, shtoj, ndjek ritmin (kontrapunktin) e cikleve, harmonizoj, zhvendos, përziej në mënyrë që tekstet e ndryshme të bëjnë një tekst të vetëm, që simbolet të paraqesin një simbolikë rendore.

Për mua ky është kompozimi, ose libri.

Tekstet e veçantë janë mundësi, por nuk janë libri.

Të montosh elementet është të veprosh si mjeshtri që ndërton një anije.

Veç e veç elementet nuk janë anija.

Libri është kështu e pashkruara që konvencionalizon të shkruarën.

Kjo është fuqia e përfytyrimit bashkëpërfshirës, modelimi tërësor i profilit.

Libri përfundohet ashtu si anija që është gati për lundrim.

Lundrimi i librit është leximi i tij në kohë dhe në hapësirë, një lundrim edhe kur autori nuk është më.

Pyetje: – Interesante kjo përqasje e lundrimit me leximin.

Përgjigje: – Një metaforë.

Pyetje: – Po jo e thjeshtë.

E të mendosh se ekuipazhi përbëhet nga lexuesit.

Nga lexues të ndryshëm, nganjëherë pa asnjë lidhje, apo njohje me njëri-tjetrin.

Apo nuk është kështu?

Përgjigje: Po. Latinët e kishin një shprehje proverbiale: “Habent sua fata libelli” – (“Librat e kanë fatin e vet”).

Nuk është autori që i përfaqëson librat, janë librat që e përfaqësojnë autorin.

Librat e vdekshëm nuk e pavdekësojnë autorin. Autori është i vdekshëm.

Nëse librat janë të vdekshëm, ahere nuk mbetet asgjë. Harresa është e pandalshme dot.

Në këtë kuptim janë lexuesit e shekujve që vendosin fatin e librave.

S’ka alternativë tjetër.

Roland Barthes-i flet për vdekjen e autorit, dmth leximi i librit është pavarësisht faktin biografik.

James Joyce-i thotë se libri mbijeton kur nuk është gjallë më autori, në raport me libra të tjerë të mëdhenj të autorëve që kanë vdekur gjithashtu.

Ka autorë të famshëm sa janë gjallë, kanë lidhje të forta me mediat, me politikën, pushtetin, kanë para për të paguar kritikët klientelistë, marrin çmime, tituj të bujshëm akademikë. Kur vdesin s’i kanë më këto atribute, ahere fillon procesi i klasifikimit të vërtetë të autorëve dhe librave të tyre, rrënimi, ose lartësimi, harresa ose lavdia.

Kësaj s’i shmanget askush.

Për fat të mirë.

Apo për fat të keq.

Optika e dialektikës që s’ndal.

Librat që i rezistojnë kohës dhe që bëhen vetë substanca kohore.

Shëmbëlltyra e Migjenit.

Migjeni sa ishte gjallë pa vetëm bocat e librit të tij.

Censura e ndaloi botimin e këtij libri.

Migjeni vdiq 27 vjeç (ndonëse na duket sikur mosha e tij kishte koncentruar tërë shekujt e Shqipërisë).

Sot kryevepra migjeniane, më modernia dhe më konceptualja e letrave shqipe përjeton një shkëlqim të paparë. Migjeni i pati të gjitha rrethanat kundër tij, por jo të ardhmen.

E ardhmja është modus vivendi: i artit për të mos qenë një modus moriendi.

Pyetje: – Tregimi kryesor “Vetullat Hyjnore” është një parabolë.

Një njeri krejtësisht i parëndësishëm, personazhi MXC, i harruar nga të gjithë dhe nga gjithçka befas ndjen se vetullat e tij shndërrohen në brirthe prej ari.

Një kirurg i famshëm i kryeqytetit e bën operacion, por lemeriset nga ky rast që e quan “mutacion enigmatik biologjik.”. Personazhi MXC nuk përmendet nga narkoza e operacionit dhe vdes ndërkohë që brirthet rriten e i mbulojnë si një maskë ari mikenase tërë fytyrën.

Mjeku përpiqet të hulumtojë, kërkon një shpjegim për këtë dukuri të pazakontë.

I referohet Biblës, Librit të Danielit, që flet për brirët që “kishin edhe sy dhe gojë për të folur”.

Dilema është torturuese.

Më në fund kupton se ky njeri i parëndësishëm si miliarda njerëz të varfër e të parëndësishëm të planetit me simbolin e brirthëve prej ari dha një kumt universal.

Ai ishte ndoshta vetë Jezu Krishti që e provoi injorimin, përbuzjen dhe kryqëzimin ekzistencial.

A nuk ka ky tregim diçka kafkiane?

Përgjigje: – Pse kafkiane?

Personazhi Grigor Z. tek “Metamorfoza” në një kandër, a zvarranik.

Humb formën antropomorfe.

Kjo është vërtet fabuleske.

Zvetënimi i qenies njerëzore.

Tjetërsimi zoomorfik dhe psikik.

Rezignata totale.

Personazhi im me vetullat me brirthe ari shfaq një rebelizëm ndaj anonimatit të vetvetes.

Fabula e tij është sfiduese.

Njerëzit e vetëquajtur si të rëndësishëm tmerrohen prej tij. Kuptojnë kotësinë dhe efemirizmin e famës së kotë.

Janë dy pikëshikime të ndryshme.

Kodi artistik është ankthi dhe kuptimshmëria ekzistenciale por jo me mungesë të pakapërcyeshme.

Fundi i tregimit e ravizon, e skicon një përgjigje, apo perspektivë humane, përtej edhe vetë simboleve artistike.

Pyetje: – Të njëjtin konceptim ka edhe tregimi “Sileni i Kurjanit”?

Përgjigje: – Në këtë rast subjekti s’është fabulesk, as mitik. Po konceptimi është i përafërt.

Ftillëzohet një zbulim arkeologjik: një skulpturë antike prej druri e një Sileni.

Shëmbëlltyra e Silenit jepet si e shëmtuar, por të lashtët besonin se Sileni zotëronte diturinë.

Prandaj dhe filozofin Sokrat e kanë krahasuar me Silenin. Besohej se po të çaheshin skulpturat e Silenit brenda tij shfaqeshin pamje të mahnitshme, një pambarimësi bukurish të panjohura dhe të mëdha.

Pyetje: – Dhe ju e përfundoni tregimin duke arsyetuar për të mjeruarit e botës me fjalët: “s’duhet harruar se brenda trupave të sfilitur të këtyre të mjeruarve janë pamjet e ëndërruara të së ardhmes”.

Ju besoni se filozofia e humanizmit nuk vdes?

Përgjigje: – Po ju si besoni?

Pyetje : – Pyetjen jua bëra unë.

Përgjigje : – Pyetja dhe përgjigjja u takojnë të gjithëve papërjashtim.

Mund të koleksionosh tërë doktrinat filozofike dhe politike, por të gjitha kanë të vërtetë fragmentare si dhe shumë mashtrim, që shpesh quhet qasje ose perceptim ideologjik. Humanizmi sipas parimit « unë jam njeri dhe nuk kam asgjë kundër njeriut » është filozofia e pavdekshme.

Përjashtohet Aushvici dhe bomba atomike, Gulagu, inxhinieria makabre e krimeve dhe dehumanizimi nga kulti i pashpirt i Mamonit, i parasë, që rrënon vlerat morale, familjen, ndjesitë, artin.

Kjo është dekadenca.

Dehumanizimi është dekadencë.

Duhet thënë qartë.

Letërsia dhe arti janë forma dhe stimulime të pafundme të humanizmit që s’vdes.

Fuqia krijuese e fjalës ka « guaskat e mendimit », siç i quan Remy De Gourmont-i, mendimet, që janë shprehur më parë, por që janë « perlat e shpirtit njerëzor » edhe për atë që vijnë më pas.

Faik Konica mbante përherë në bibliotekën e tij portretin e Remy De Gourmont-it.

Jam habitur kur kam lexuar se edhe Jorge Luis Borgesi e mbante portretin e Remy De Gourmont-it, që e kanë mbiquajtur edhe si « Papën e simbolistëve »

Pikërisht ky Remy De Gourmont ka shkruar esenë më të shkëlqyer mbi Faik Konicën dhe librin konician « Esse mbi gjuhët natyrore dhe artificiale », që e botoi frëngjisht në 1902. Humanizmi nuk ka nevojë të ideologjizohet.

Edhe letërsia kur ideologjizohet kthehet në katastrofë. Realizmi socialist qe një ideologjizim grotesk doktrinar që e dëmtoi mjerueshëm letërsinë shqipe në shekullin XX.

Letërsia e vërtetë nuk është asnjëherë klienteliste.

Ajo s’ka lidhje as me klientelizmin komunist, as me klientelizmin antikomunist.

Ta kthesh mbrapsht një dogmë është si dorashkën në emër të një dogme tjetër do të thotë të bësh tautologjinë e së njëjtës dorashkë.

Pyetje : – Duke lexuar këto ditë një libër të Ezra Pound-it ndesha edhe këtë frazë : « poeti vrapon i çmendur në një pyll për dashurinë e pashtershme dhe zgjedh një pemë si nusen e tij ». Duke parë tregimin, ose rrëfimin tënd « Pëllumbi mistik », ku ti duke cituar në latinisht Bibla Sacrom, « Vulgata-n » e Euseb Hierominit – flet për tre pëllumbat që lëshoi Noe nga anija e tij me një përsiatje poetike të tillë si fraza e çuditshme e Pound-it.

A mendon se metoda poetike i përshtatet suksesshëm edhe prozës ?

Përgjigje: – Strukturalisti semiotik Roland Borthes-i thotë se dallimi grafik midis poezisë dhe prozës është formal.

Pra ka një konceptualitet të stilit.

T’i përkushtohesh një personazhi do të thotë të ndërtosh simbolin e tij, pra të zgjedhësh atë me atë dashuri si “pemën për nuse”.

Është e njëjta gjë.

Më vjen mirë që e citove Ezra Pound-in.

Lewis Carrol-i në kryeveprën “Liza në Botën e Çudirave” përshkruan një personazh të pazakontë: Macen Qeshire, qeshja e të cilës mbetej edhe kur i zhdukej trupi.

Kjo është magjia e artit.

Edhe personazhi im me brirthët e artë të vetullave vdes dhe zhduket, por brirthët e artë mbeten.

Shkrimtari e njeh këtë mjeshtëri, që ngjan me sekretet e një prestixhatori në skenë.

Skena e shkrimtarit është kujtesa, jo e atij vetë, por e të tjerëve.

Një kujtesë mbi kujtesën e zakonshme dhe rutinore.

Një kujtesë më e epërme dhe sublime.

Sekreti grish edhe kur të huton, ose edhe të frikëson në shikim të parë.

Letërsia operon me sekrete, ndryshe lexuesi s’do të kishte më asnjë interes jetik dhe intelektual ndaj saj.

Pyetje: – Por duhet të jetë e kuptueshme?

Përgjigje: – E kuptueshme seriozisht.

Letërsia krijon kuptimshmërinë e saj, që është një stad i lartë mendor.

Letërsia nuk ka të bëjë aspak me “keqlexime në letra pokeri” (shprehja është e Kenner-it).

Pyetje: – Kam vënë re, i nderuar Moikom, se në librat e tij të fundit shkruan me fjali dhe fraza të shkurta.

Tek libri juaj “Grishja e Florimontit” i para 8 viteve fjalitë dhe frazat vijnë njëra pas tjetrës si në një vorbull, sipas një ligjërimi ciklik të pandërprerë.

Një stil më i harlisur e deridiku më abstrakt.

Tani ke “ndryshuar”, duket sikur nuk ke më “durim”, sikur “nxiton” të shkruash shkurt, sa më shkurt. I shmang mbiemrat, ndajfoljet, kundrinat.

Të vetmjaftojnë kryefjala dhe kallëzuesi, emri dhe folja. Je bërë më lakonik.

Pse ka ndodhur një gjë e tillë?

Është e qëllimshme?

Shenjë e pjekurisë?

Përgjigje: – E thjeshta është e madhërishme.

Jo e thjeshtëzuara.

Ja çfarë shkruan Borgesi në fund të jetës: “kuptova akoma më qartë se të shkruash me një retorikë dhe me një fjalor të fryrë jo vetëm është një gabim, por, mbi të gjitha është një gabim që lind nga kotësia.

Tashmë jam plotësisht i bindur se për të shkruar mirë, lipset të jesh i drejtpërdrejtë.

 Në librin “El hacedor” (“Bërësi”) tregova historinë e një njeriu që i vuri vetes si detyrë të përvijonte botën.

 Mbas disa vitesh, e kishte mbushur faqen e murit me imazhe anijesh, kullash, kuajsh, ushtrish dhe njerëzish.

Porse, pak përpara se të ndërronte jetë, zbuloi se kishte bërë imazhin e fytyrës së vet

 Kushedi, ky mund të jetë rasti i çdo libri.”

Pyetje: – Të mos i largohemi thelbit të bisedës.

Libri “Vetullat Hyjnore” ngjan me një afresk ku kryqëzohen disa kompozime të ndryshme, më shumë asimetrike, por që mëtojnë një harmoni dhe një simetri.

Kohërat dhe subjektet përplasen dhe alternohen.

Do të veçoja së pari ciklin e tregimeve të mirëfillta si “Perpetuum mobile”, “Busti”, “Pulëbardha”, “Gjumi në rërën e Currilave”, “Takim me Melina Mërkurin”, “Vathi prej sermi”, “Pusi i lashtë”, “Pemët e poetit”, “Kokëpreri Tomas Mori”, “Ishulli i zogjve”, “Koka e balsamosur në Orosh”, “Fëmija i pavdekshëm”, “Syri i thellësirave”, së dyti esetë rrëfimore, të subjektuara si “Transi i shenjtë”, “Martesa mistike”, “Voe Soli”, “Përbindësha e internetit”, “Kuptimshmëria e vdekjes”, “Khozarët”, “Poetikja si revolucion”, së treti subjektet me didozë të imagjinuar me James Joyce-in, Ezra Pound-in, Eduard Sapir-in, së katërti prozat portrete si “Fëmijët e egër të Whitmanit”, “Vrasja e Tomsonit”, “Onufri dhe Mikelanxholo”, “Pol Elyari për Shqipërinë”, “Rikthimi i Hamletit”, “Durrësi i Shekspirit”, “Puzanova, Hirushja e Onufrit”, “Religjioni i vetësakrificës”, “Dantja dhe Luigj Gurakuqi”, “Vrasja e Tomsonit”, “Ditët e fundit të Migjenit” dhe së pesti prozën e gjatë epistolare “Letërkëmbimi me Makabe Zaharinë”.

Një klasifikim virtual ciklik megjithatë.

Gjithmonë e parapëlqeni formën mozaikore?

Përgjigje: – Mozaikore,ose kalodeiskopike, që mbase janë e njëjta gjë.

Pyetje: – Po përmend një mendim të T.S.Eliotit “është shumë e vështirë të lexosh bashkëkohësit”.

Besoj se të përshtatet kjo gjë.

Edhe ti Moikom nuk je i lehtë për t’u lexuar.

Për të mbyllur dua t’ju pyes se me çfarë po merreni tani?

Ç’keni në duar ?

Përgjigje : – Po lexoj një libër të mrekullueshëm në anglisht të Bruno Schulz-it « The street of Crocodiles », që ma solli djali im Epidamni nga Londra.

Shkrimtar i jashtëzakonshëm.

I vizionit kafkian, por edhe migjenian. I vrarë si izraelit nga Gestapo në 1942. 50 vjeç.

Bruno Schulz-i është edhe piktor i shquar.

Dy proza të tij “Sanatoriumi nën shenjën e klepsidrës” dhe “Republika e Ëndrrave” janë kryevepra botërore.

Asgjë s’është botuar në shqip nga Bruno Schulz-i.

Për fat shumë të keq.

Më ka tronditur ky shkrimtar.

Ndërkohë po shkruaj një esse të gjata dhe të lirë për Paul Valery-në.

Në 20-29 korrik 2012  mora pjesë në Festivalin poetik mesdhetar në qytetin Sete, në Francë.

Në Sete ka lindur Valery.

Aty është edhe monumenti mbivarror i tij në “Cimitaire Marine”.

Ndonëse nuk e adhuroj si poet Valery-në, këtë dishepull malermenian, si mendimtar më ka tërhequr për skepticizmin e tij të mprehtë dhe iluminues.

Pres të dalin nga shtypi dy libra me prozë të shkurtër: “Libri i Sinopseve” nga Shtëpia Botuese EUGEN dhe “Papagajtë e Nembrotit” nga Shtëpia Botuese ERIK.

S’kam ç’të them më tjetër.

– Faleminderit!

 

*Fatmir Minguli, autor i disa librave me kritikë letrare dhe esse.

July 19, 2018 16:24
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*