Moikom Zeqo, poeti Lasgush si testament

August 26, 2018 12:42

Moikom Zeqo, poeti Lasgush si testament

 

Nga Ahmet Selmani*

Sado që deri tani është folur e shkruar shumë për jetën dhe veprën e Lasgush Poradecit, prapëseprapë,mund të themi pa drojë, se kjo asnjëherë nuk ka qenë e mjaftueshme për ta kuptuar në thellësi personalitetin e tij madhor.

 Prandaj, sa më shumë që kalon koha dhe sa më shumë që ndryshojnë rrethanat shoqërore, aq më tepër bindemi se Lasgush Poradeci edhe më tej mbetet i panjohur për lexuesit në përgjithësi.

Dhe natyrisht, duke qenë i tillë ai bëhet aq më intrigues dhe aq më joshës për ta lexuar dhe rilexuar me një vëmendje të veçantë.

Duke u nisur nga një premisë e këtillë themelore, sigurisht edhe Moikom Zeqo i përvishet kësaj aventure vetanake.

Për ta shkoqitur misterin e vazhdueshëm që e mbështjell këtë poet të madh shqiptar.

                           ***

Me anë të librit të vëllimshëm “Lasgushi i panjohur”, autori në fjalë sikur mëton ta riaktualizojë “mitin” e këtij misteri i cili përherë bëhet provokues brenda kohës dhe hapësirës sonë.

Mbase nga ky rrafsh i perceptimit, ai synon të krijojë një marrëdhënie të re me figurën dhe veprën e tij, aq më tepër kur atë e ka njohur personalisht dhe ruan një varg kujtimesh të rralla me të cilat e plotëson mozaikun e zbërthimit të çështjes në fjalë.

 Si rezultat i kësaj për Moikom Zeqon ai do të vazhdojë të mbetet fizikë dhe metafizikë njëkohësisht; i njohur dhe i panjohur, i pranishëm dhe i papranishëm.

Thënë edhe më thjesht, ai është një ambiguitet i pafund që shfaqet para nesh, një palimpsest i gjithëkohshëm.

Aty  mund të mbështeten studiuesit për ta ndërtuar një vizion më të qartë për figurën e tij.

Megjithëse tani janë bërë shumë vjet nga vdekja fizike e Lasgush Poradecit, nga ana tjetër ka mbetur vepra poetikesi trashëgimi e çmuare cila vazhdon të jetojë me intensitet edhe më të fuqishëm në sferën e komunikimit tonë kulturor e letrar.

Prandaj autori bën sublimimin e tyre filozofik brenda një tërësie të ngjeshur letrare, krijon dialektikën e dukshme dhe të padukshme lasgushiane, gjithnjë duke plotësuar universin eseistik për këtë poet par exellente.

Dhe kjo formë kaq heterogjene e trajtimit sa eseistik aq edhe shkencor, është një ambicie ngulmuese për ta paraqitur atë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse; si njeri, poet, përkthyes, letërkëmbyes, piktor, atdhetar etj.

Pikërisht kjo qasje kaq e gjerë e bën veprën “Lasgushi i panjohur” të Moikom, Zeqos që të jetë më konceptuale dhe më thelbësore, me shtrirje të gjerë horizontale, por edhe me depërtim të thellë vertikal.

Ajo nuk është vetëm ndjekje kronologjike, por aq më tepër edhe ndjekje analitike.

Kështu estetikja bashkohet me filozofiken, eseistikja me shkencoren.

Duke krijuar një vepër të veçantë e cila shkon përtej zhanrit të zakonshëm.

                                ***

Në të vërtetë, autori Moikom Zeqo ndjek një vijë përthekuese të jetës dhe të veprës së Lasgush Poradecit, duke filluar në mënyrë kronologjike qënga lindja e tij, jeta, shkollimi, vepra dhe deri te vdekja e tij e mbuluar me shpërfillje zyrtare.

Në këtë kontekst të vrojtimit, më shumëse prania e Lasgushit, jeton mosprania e tij.

Sipas kësaj logjike mungesat që shfaqen janë vetvetiu grishëse, sugjeruese dhe sprovuese.

Teksa e kërkon ecurinë e plotë të tij në këtë aspekt, ai gradualisht shndërrohet në një lloj metafizike.

Ose thënë pak më ndryshe, jeta e tij thuajse vetvetiu bëhetnjë vazhdimësi postume.

Dhe për këtë arsye mund të pohohet se jeta e vërtetë e poetit ka filluar pikërisht pas vdekjes së tij, atëherë kur gjithçka merr semantikën e një testamenti të heshtur poetik e njerëzor i cili duhet të hapet me kujdes e vetëdije të lartë kulturore e shkencore.

Dhe këtë jetë kaq të shumëfishtë përpiqet ta konceptojë edhe Moikom Zeqo duke u identifikuar me përkushtimin, vëmendjen, përvojën dhe vizionin e tij në të gjitha format e mundshme.

Në optikën e gjerë të vështrimit aksiologjik, Moikomi e përshkon me hollësi jetëshkrimin e bujshëm të poetit, periudhën e shkollimit brenda dhe jashtë vendit, botimin e veprave poetike në rrethanat e kohës përkatëse, letërkëmbimin me personalitete të ndryshme krijuese e shkencore, përkthimet e klasikëve të mëdhenj të poezisë botërore, pikturat e tij të veçanta me portrete të vashave e personaliteteve të njohura, përjetimet e ndryshme gjatë jetës së trazuar e paradoksale, vështrimet afirmative e mohuese që janë bërë për veprën e tij, njohjen personale dhe bashkëbisedimet me të etj.

Sipas kësaj del se në radhë të parë këndvështrimi i tij është retrospektiv, për arsye se i qaset jetës së tij fizike dhe formimit të tij, të cilën ai e quan aventurë misterioze të jetës.

 Por krejt këtë e vë në funksion të krijimit të perspektivës, duke e hapur rrugën e rehabilitimit të plotë në kontekstin kohor dhe hapësinor.

Dhe natyrisht nëpërmjet kësaj ecurie epistemiologjike na shpie drejt determinimit thelbësor të poetikës lasgushiane e cila është e veçantë, por edhe e pashtershme në aspektin e interpretimit të saj.

 Prandaj, me gjithë përpjekjet e mëdha për ta zbërthyer sa më hollësisht Lasgush Poradecin, në fund misteri i tij përsëri mbetet i pranishëm, për ta lënë të hapur si një çështje fenomenologjike edhe në të ardhmen për ata që do të merren me studimin e personalitetit të tij krijues.

Kështu ai konstaton se nuk mund të ketë një post scriptum, epilog për Lasgushin e madh, një përmbyllje absolute.

Përkundrazi, mund të ketë vetëm një sprovë për ta vënë në spikamë njërin nga poetët më të mëdhenj shqiptarë që i sfidoi të gjitha kohët, madje edhe ato totalitare e antiestetike.

                                ***

Moikom Zeqo është plotësisht i vetëdijshëm se kundruall Lasgush Poradecit ndodhet në një pakufishmëri të semiotikës letrare.

Vepra e këtij poeti është sa e mbyllur aq edhe e hapur.

 Dhe autori sillet në mes këtyre dy skajeve tërheqëse e nxitëse, duke dëshmuar se është i denjë për të ecur me intuitën dhe forcën e vet krijuese, si një bashkudhëtar i vëmendshëm që di të komunikojë me të edhe në këtë kohë dhe në këto rrethana dinamike kur gjërat perceptohen krejt ndryshe.

Në këtë pikëpamje libri “Lasgushi i panjohur” i Moikom  Zeqos hap një shteg të ri në perceptimin e poetikës së Lasgush Poradecit, krejtësisht të pavarur e estetike.

Duke e risjellë në kontekstin e ri, ai mëton të vendosë një marrëdhënie të shëndoshë me poetin dhe lexuesit, e aq më tepër edhe me qarqet dhe institucionet shkencore e kulturore.

                           ***

Lasgush Poradeci me veprën e tij poetike është Testament më vete që shpaloset përpara secilit lexues.

 Por Moikom Zeqo pikërisht këtë e shndërron në një koncept personal për t’ia dhuruar lexuesit të kohës sonë ,duke e ndriçuar sipas një parimi gnoseologjik dhe shkencor.

 Në të vërtetë, ky është një udhëzim estetik i mirëfilltë, larg çdo ndikimi apo tendence.

Lasgush Poradeci nuk pati fatin të ishte poet i të tashmes, prandaj po bëhet poet i të ardhmes.

 Këtë paralajmërim më së mirë na e jep Moikom Zeqo nëpërmjet këtij libri, i cili shërben si një bazë e fuqishme për ta lexuar e rilexuar veprën poetike të tij, kryekëput, sipas parimeve estetike.

Kështu ai mbetet Poeti Testamental për të gjithë lexuesit shqiptarë.

*Poet, prozator, kritik dhe përkthyes shqiptar, që jeton dhe punon në Shkup, autor i shumë botimeve dhe librave

August 26, 2018 12:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*