Moikom Zeqo, saga e palimpsesteve

August 6, 2018 11:10

Moikom Zeqo, saga e palimpsesteve

Fatmir Minguli

“Anima Mundi”

Ç’do të thotë “Anima Mundi”,  si nëntitull i librit  SAGE E PALIMPSESTEVE,  (Shtëpia botuese ZENIT , 2018, nën siglen e  AKADEMISË SHQIPTARE TË SHKENCAVE DHE ARTEVE,  me redaktor  Pëllumb Xhufin )? Në shqip përkthehet “Shpirti i Botës”. Ky është edhe kuptimi i thjeshtë i një libri të ri të Moikom Zeqos.  Kështu, që me anë të këtyre emërtimeve ne orientohemi për atë që do të lexojmë. Edhe shpirtin e botës, dhe një histori, Sagë, Palimpsestesh.Leximi i plotë i këtij libri tërheqës të bën të kuptosh se në koleksionimin e librave të Moikom Zeqos mungonte deri tani një libër i këtij lloji. Ky libër e dekoron autorin me një “stemë heraldike”. Kjo është stema më dalluese për të sepse është përsëri një “sui generis” në krijimtarinë kaq pjellore të Moikomit. Është një libër i librave të tij, d.m.th. është libër i krijuesit për krijimet e veta, prandaj është krejt i veçantë, e krejt ndryshe. Gjithçka që është përdorur në shkrimin e këtij libri është krejtësisht e re, jo vetëm metoda, forma, stilet, por dhe gjithçka tjetër që përbën strukturën e një makine autoktone të të shkruarit.Potencialisht aty derdhet dhe hapet në çdo faqe libri autobiografia mendore duke e kthyer vetë librin si një shtrat, ku ai hedh referencat e krijimeve të tjera. Kjo autobiografi kronologjike dhe njëkohësisht e pakohshme kërkon të thotë të vërtetat e tij ndaj botës së madhe. Prandaj, nëse në shumë vepra të Moikom Zeqos, por edhe të autorëve të tjerë nuk gjejmë “Anima Mundin”, kjo ndodh sepse në këtë libër nuk gjejmë fakte aktuale jetësore të tij, veçse emrit të Arnisës dhe të Makabe Zaharisë, të vetmit realë aktualë në autobiografinë e tij. Midis këtyre dy personazheve çdo gjë tjetër në librin e ri, duket ajrore, dhe i jep shpirtëzim meditacionit universal që e shqetëson shkrimtarin.E për të treguar pikërisht këto forma shprehëse, ai përdor palimpsestin. Ka bërë një libër për shpirtin e botës duke treguar palimpseste e duke i sjellë këto si koncepte, të cilat formojnë boshtin e madh të librit. Ai e ka përdorur dhe më parë palimpsestin, në libra të mëparshëm të tij, por gjithnjë pjesërisht. Ndërsa në librin “Sage palimpsestesh” ai mund të merrte si substancë strukturimi p.sh. bashkësi njerëzish, ashtu si veprohet nga shumë shkrimtarë botërorë. Por, nuk e bën! Pse? Nuk e bën as për trill, as për dukje ndaj sfidave të kohës, as për të treguar erudicionin e tij.

Moikom Zeqo e përdor substancën e mjeshtërisë së palimpsestit duke u nisur nga rregulli i pafundësisë, që na ofron palimpsesti. Dhe kështu autori gjen hullinë e shpirtit të botës, hulli që e ka çuar drejt kuptimit të gjërave të botës, e cila vetë është e pafund. Dhe autori e di fare mirë se me 400 faqet e këtij libri, kompozimi i substancave jetësore nuk kapet dot, sepse i rrëshqet si llavë vullkani që shpërthen papritur. Shpirti i botës është ashtu si e komenton, zbërthen, sqaron, dyshon vetë Moikom Zeqo, është i papritur dhe i pafund. Shpirtin e botës nuk e fut dot në matrica apo në elementet fiks të një formule shkencore. Prandaj, në këtë hyrje paraqitëse, u përqendrova pikërisht në punën e madhe që ka kryer Moikom Zeqo për të shpjeguar problemet madhore të jetës që nga Shqipëria e vogël e deri drejt pafundësisë…

* * *

Vetë autori në librin e tij shkruan për palimpsestin: “Të shkruash palimpseste, është një realitet, psikologji, dinakëri diturake, këndellje e fshehtë, një heliogram shqisor”.Duke qenë në dilemat dhe idetë e shprehjes së mendimit ai ndërton dy kolona të krijimit artistik botëror, atë me anë të fjalës dhe atë të shkrimit. Me anë të fjalës janë muzika, kënga, përralla, legjenda, miti e me anë të shkrimit është libri, piktura dhe arkitektura.Moikom Zeqo këmbëngultas zgjedh librin dhe pikturën. Me ato operon duke i dhënë përparësi librit. Kjo zgjedhje e fut në një kontradiktë vetë autorin. Ai i do të dyja edhe fjalën edhe shkrimin dhe e kupton shumë mirë dyzimin e tyre. Por, ai mendon: “Nëse një shkrimtar e dikton veprën e tij, po një piktor si do të veprojë?” Prandaj, ai bën përpjekje të gjejë shpirtin ekzistencial të botës, çka nënkupton njeriun dhe gjithçka rreth tij, pikërisht mes për mes këtij dyzimi.Moikomi, në librin “Anima Mundi”, për herë të parë bie në antagonizëm vetjak, jo e jo për faj të tij, por sepse akoma nuk është përcaktuar raporti midis veprës, librit dhe autorit, krijuesit të tij. Prandaj për Moikomin shkrimi brenda petkut të palimpsestit gjendet bota me gjithë amebizmin si lëvizje në kohë dhe hapësirë.Kemi të bëjmë me një konceptualitet të kapur mirë çka e shpjegon bukur në këtë frazë: “Sepse çdo lexim është proces eukaristik, ritrupëzues, pre shumëfishimi, protoplazëm, ku çdo krijim është përherë rikrijim”.

Moikom Zeqo në vitin 2007 botoi librin “Grishja e Florimontit” me të cilin i dha letërsisë shqiptare librin që unë e kam quajtur “formë kolazh”. Ky libër  është si një paralibër për “Anima Mundin”. Antagonizmi që e mundon Moikom Zeqon në këtë libër të fundit shfaqet lehtas te personazhi i Florimontit. Por, pikërisht Florimonti është dëshmi e gjallë e fjalës së shkruar. Po të mos bënte romanin “Aimon de Varannes” në pergamenat e shekullit XII, a do të njihej Florimonti?Pikërisht, formën kolazh, Moikomi e ka transformuar duke kompozuar simfoni parabolash shumëkuptimëshe, duke tejkaluar udhëkryqe të magjisë krijuese, e duke nderuar autorë të mëdhenj të letërsisë botërore. Ky transformim e çoi atë në librin e madh të palimpseseve që e ka emrin “Anima Mundi”.Duke honorifikuar pafundësisht kolumbianin Gabriel Garsia Markez, ai i detyrohet atij: “Subjektet e mësipërme, Markezi nuk i ka shkruar kurrë, ato janë librat e tij të padukshëm, siç është vetë shkrimtari i gjallë ende palimpsest i shkrimtarit të vdekur më pas.”Nëse në këtë shkrim po trajtoj antagonizmin vetjak të Moikom Zeqos në laboratorin e tij krijues, patjetër që duhet përmendur fenomeni i kujtesës që për këtë autor është “çelës suksesi” në ndërtimin e një letërsie të re. Libri “Anima Mundi” mund të quhet edhe Anima Mnemozina (Shpirti i Kujtesës).Kritiku i madh botëror, amerikani bashkëkohës Harold Bloom në një intervistë me gazetarin italian Paolo Mastrolilli thotë: “Nuk ka mundësi të mendosh në mënyrë korrekte pa i besuar kujtesës. E në qoftë se në kujtesë nuk kemi kujtimet e faqeve më të mrekullueshme që ka shkruar njerëzimi, mendimet tona do të bjerrin në mënyrë të pashmangshme”. Kujtesa e shkrimtarit është si korale plot ngjyra e forma, shtresëzime të pambarimta të elementeve nëndetëse. Është kujtesa e Moikom Zeqos një shtresëzim ngjarjesh, autorësh, librash, ëndrrash, fantazish, edhe ashtu ngadalë, ngadalë kthehet në palimpsest.Për Volterin kanë shkruar: “një shkrimtar e krahasonte veten e tij me pikën e ujit që ankohej se nuk e njihte njeri midis Oqeanit. Një xhindi i erdhi keq për të, e mori dhe ia dha ta gëlltiste një midhje, dhe kështu ajo u bë inxhia më e bukur në botë. Por, ata që janë vetëm hartues, komentues, gëzues frazash, kritikues, vargëzues, përçmues, ata, për të cilët s’i ka ardhur keq ndonjë xhindi, do të mbeten përjetësisht një pikë uji në Oqean.”Është inxhia, perla, një palimpsest i mendjes së shkrimtarit? Palimpsesti është frymor, ai lëviz, duket dhe zhduket, afrohet dhe largohet, por është përherë i kthjellët, turbullira nuk është veti e tij.Në librin e Moikom Zeqos ka Sagë Palimpsestesh e që kanë secili karakterin e vet, njëlloj si te njeriu. Njëri është palimpsest i Arnisës dhe tjetri i Makabe Zaharisë. Një palimpsest është i natyrës, e tjetri, i artit. Njëri është palimpsest i zanafillës dhe tjetri i mistikës. Por, ka dhe palimpseste të padukshmërisë, por dhe palimpsest pa emër. E kështu me  radhë, ato gjallojnë, lëvizin dhe i kthejnë faqet e librit në virtualitet, ku çdo gjë pothuaj të kujton herë “Lizën në botën e çudirave” të Levis Kerroll-it apo Xhonatan Suiftin me “Udhëtimet e Guliverit”. A harrohen këta dy libra? Ata janë si palimpsest jo vetëm në faqet e mrekullueshme që i kushton Moikom Zeqo këtyre dy librave, por dhe në mendjen e lexuesit. Palimpsestet që përbëjnë librin “Anima Mundi” nderojnë letërsinë e sotme shqiptare dhe e ndiejnë atë në nivele shumë të larta, duke e bërë të lakmueshëm dhe në ato shtete ku letërsia sot ka hapa të reja.Në informacionet e hedhura në internet gjen dhe fakte të paimagjinueshme mbi palimpsestin në arkitekturë. Sipas këtij informacioni njihet aktiviteti palimpsestik që kategorizohet si “deshifrim në arkitekturë – Decipherment in architecture. Arkitektët nënkuptojnë me palimpsest fantazmën, një mirazh të asaj që ka qenë më parë. Dhe aty ku sipërfaqet apo muret rindërtohen apo rimobilohen, hijet mbesin”.Pikërisht me këtë shembull teknik që po jap, Moikom Zeqo kompozon shumë të tilla me “ato që s’është”, por akoma më me guxim dhe “me atë që do të vijë”.Në kapitullin “Portat e fjalës dhe të ligjit” që i takon pjesës së dytë të librit, Moikom Zeqo parashtron këto akrobaci të qenies, gjithmonë të komanduara nga truri i shkrimtarit. Në këtë kapitull Franc Kafka është poet i negatives, i absurdit, hiçit, i gjithçkaje që i bëhet njeriut barrierë penguese në ecje dhe zhgënjen shpresën duke mundur arsyen.Kthimi i njeriut në kalë, nga Kafka është një lloj mbingjeshje palimpsestike në mendjen e lexuesve. E kështu me radhë Moikomi ngjizet me shumë autorë, ku në vend të posaçëm vendos Robert Musilin, shkrimtarin austriak të fillim shekullit XX, autori i romanit “Njeriu pa cilësi”, ku tregohet jeta private e një të riu Ulrih dhe për kuaj VIP-a. Edhe këtu Moikom Zeqo bën një paralelizëm me Shqipërinë e sotme. Ja si shprehet autori: “Thundrat e kuajve VIP-a janë në parlamentin shqiptar, kuajt VIP-a janë ata që udhëheqin partitë, kuajt VIP-a, janë protagonistët e debateve, apo të tjerrjes së fjalëve në kotësi. Populli nuk ekziston, e pra duhet populli, kur janë VIP-at”.E pastaj hidhet te Xhorxh Oruelli, autori i librit “Ferma e kafshëve” dhe “Viti 1984”. Ky i fundit hodhi themelet e spektaklit mediatik Big Brother, Vëllai i Madh. Çdo gjë që do të bëjnë njerëzit do të kontrollohet nga syri i madh i Vëllait të Madh Në vazhdën e autorëve që kanë realizuar subjekte totalitare, si “Inkuizitori i madh” i Dostojevskit, Moikomi e trajton veçanërisht këtë shkrimtar të madh që parashikon dhe pret frikën, frikësimin. Po kështu edhe me autorin tjetër rus Eugeni Zamiatin (1884-1937) i cili e fut groteskun në shkrime për estetikën e tmerrit. E kështu me radhë. Ndërsa, për t’i dhënë akoma më kuptim palimpsestit si formë e të shkruarit pa kufi, ai përmend autorin Harry Mulischt, që ka për protagonist Viktor Verkerin. Kryqëzimet me subjektet e Kabalës së hebrenjve japin idenë e parabolës tragjike të njeriut artificial.Pastaj, Moikom Zeqo, si për ta qetësuar lexuesin e relakson me një udhëtim origjinal të tijin në Angli, në grupin arkitektonik të godinave të Oksfordit. Këtu në tokën angleze na shpalos sqarimet e mundimshme të komplikimit të gjërave jetësore apo jo.Kështu që vepra  e Moikomit është një libër që flet për të tjerët dhe këta të fundit flasin për të tjerë. Autori nxjerr nga vetja gjithçka dhe ia drejton lexuesit të sotëm, por dhe atij të nesërm.Autori vetëm jep, e nuk merr. Kjo mënyrë organizative e librit bën që vetë lexuesi të konstruktojë në mendjen e tij imazhe kontradiktore për autorin.Të vërtetat që lidhen në libër janë të shumëfishta, ndërsa ai, autori është një. Por mund të mendojmë e të themi se duhet të ketë ndarje me thikë, ndarje fatale ose të lumtur, nuk ka rëndësi. Por është lexuesi ai që pret me thikë duke lidhur virtualisht krijimet, veprën me autorin.A nuk ndodh kështu në veprat e Shekspirit? P.sh. te “Hamleti” duke iu rikthyer kujtesës si palimpsest, gjë që Moikomi e zotëron si mjeshtëri krijuese në këtë libër, mund ta krahasojmë fare bukur komentin e studiuesit italian Paolo Polizzi, i cili shkruan: “Kështu Hamleti, p.sh., kur Marcello, Orazio dhe Bernardi e informuan se kanë parë fantazmën e të atit, ai nuk u habit me veten e tij duke menduar se sa i aftë do të ishte që ta përballonte fantazmën e të atit. Në realitet, nga një pikëpamje e vizionit ndaj jetës së Hamletit, fantazma është një rrjedhim logjikisht i domosdoshëm që bie drejt e në brendësi të universit folës të autorit të tij”.Kjo ndodh pothuaj në gjithë kryeveprat e letërsisë botërore ku bota e gjallë përballet seriozisht me të kaluarën, gjithmonë përballet nga kujtesa e atij që ka bërë veprën. Kështu ndodh dhe me palimpsestet në librin “Anima Mundi” çka e vërteton Moikom Zeqo kur shkruan: “Ankthi i palimpsesteve pamore është më i pakët, më i përbuzshëm, më i pabujtshëm se sa ankthi i palimpsesteve shpirtërore, dukshmëria nuk na mahnit, padukshmëria ne na magjeps, na trand, na shastis”.Si i ndodh Hamletit me fantazmën e të atit, ashtu ndodh kur lexon palimpsestet për shqiptarët e shekujve më parë si Gjon Muzaka, që përsërit pareshtur “Nil Sub Solenovum”, “Asgjë e re nën Diell”, Florimontin durrsak të shek. II p.e.r., apo Pashko Gjecin, përkthyesin e Dantes, Gjon Buzukun e Faik Konicën e paimagjinueshëm. Të gjitha këto figura vijnë shpirtërore, tronditëse dhe tërheqëse, por tashmë nëpërmjet shtresëzimeve kohore e duke ngjeshur ngjarjet e pasvdekjes së tyre si në palimpsest.

Moikom Zeqo nuk mbështetet vetëm në autorët e ikur shqiptarë. Ai mbështetet këmbëngulsisht me figura të ndritura që kanë bërë epokë duke i kanalizuar në hullitë e metodave të tij të reja krijuese. E kam përsëritur që në fillim se libri “Anima Mundi” është kompozuar ndryshe nga librat e njohur të autorëve modernë dhe klasikë. Mund të bëhet një përqasje me veprën e Kazanzaqisit mistik “Letër El Grekos”, por jo më shumë. Esetë virtuale që mbushin librin palimpsest të Moikomit janë shkruar për Danten, Borgesin, Tomas Pinçon, Milorad Paviçin, Tomas Transtremerin, Riçard Roversin, Xhorxh Ourellin, Franc Kafkën, Georg Traklin, Robert Musilin, Karl Krausin, Amosin, Ozin, Saramagon dhe sidomos për David Uoster Uollasin. Autorët s’kanë fund, jo se është harruar Markezi apo Gijom Apollineri. Aspak.Në secilën nga esetë për këta tronditës të botës shpirtërore, Moikom Zeqo ndërthur me një novacion të habitshëm, shndërrimin e esesë në subjekt letrar dhe derisa arrin në tharmin e librit, te dialogu i A-së me B-në, ku tejkalohen ekstremet e një dialogu dhe ku eseja, palimpsesti dhe kapërcimet fluide të tekstit janë një rrjedhë katarakti me zhurmë harmonioze, por që i dëgjohet vetëm përplasja në fund.

* * *

Duke kompozuar krejt ndryshe këtë libër, autori është i vetëdijshëm për vështirësitë e së resë që ai aplikon, për aq më tepër, që vështirësitë janë të pangjashme me njëra-tjetrën dhe gati të papërballueshme dhe shqetësimi është i bazuar, sepse ekziston ankthi i përfundimit të pritur, por që në fakt del ndryshe nga sa pritet, kjo është dhe karakteristikë e librit.Me fjalë të tjera autori në fakt i njeh mjaft mirë mënyrat e kompozimit të një libri dhe libri e ka një fillim dhe mbarim, por në kuptimin e konvencionit. Duke e hapur dhe mbyllur librin me dy letra virtuale, njëra Arnisës, së bijës dhe tjetra Makabesë Zaharisë, çifutit të rreptë, Moikom Zeqo brenda këtyre dy letrave shpalos vështirësisht kompozimin e “paplanifikuar”. Gjatë këtij kompozimi atij i dalin, me siguri, pyetje deri diku kërcënuese si: “A do të ketë metodologji të shkruari?” Ose: “A ndjek një traditë për të ndërmarrë një aksion të tillë letrar?”Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjen shpesh vetë brenda tekstit të librit. Aty kupton se si autori i vetëdijshëm për mospërballimin, o stepet o dyzohet por që, çuditërisht shkon përpara dhe krijon përshtypjen se dikush ja pastron rrugën e dyshimit.Pikërisht këtu fillon aventura moikomiane e të të shkruarit ndryshe, produkt i inteligjencës për të përballuar të pamundurën për të “ndërtuar” një libër që sidoqoftë konvencional, quhet libër i vetëm, tipografisht është një mall si gjithë librat e tjerë. Por, potencialisht është ndryshe, është bashkësi librash ku gravitacioni i tyre detyrimisht shkon drejt problemeve të universit të pambarim.

Unë që e kam ndjekur për 20 vjet krijimtarinë e Moikom Zeqos e ndiej se çdo shkrimtar që nga ai i patalentuari e ka momentin e shterimit, ose të përsëritjes, çka e çon drejt monotonisë.Kjo kapërcehet te Moikomi sepse ai në njëfarë mënyre e ka frikë librin e tij të ardhshëm. Kjo të jep idenë se frika për të është një përgatitje arsenali për të luftuar Moikomin tjetër, atë që nuk duhet të dalë monoton, i zbehtë, i lodhshëm, i turbullt etj.Ai ka një laborator përgatitor të fuqishëm, armë efikase jo vetëm konvencionale, të njohura, të cilat kanë emrin e tyre në letërsi. Ato janë stilet. Jo vetëm një!Xhakomo Leopardi ka shkruar për stilin duke e quajtur atë një lloj mënyre, ose forcë që quhet origjinalitet. Ndërsa Byfon thotë se “stili është vetë njeriu”.A do të më mjaftonin këto dy thënie brilante për të komentuar apo analizuar stilet e Moikom Zeqos? Si fillim po. Më tej duhet që ato, stilet, të shihen me qetësi, sepse vetëm kështu kuptohet dhe maja dhe fundi i ajsbergut.Duke u nisur nga perifrazimi i fundit, shkrimtari dhe studiuesi Sulejman Mato ka shkruar: “Nga kjo pikëpamje, stilin nuk mund ta përcaktojmë si formë, por duke ndikuar gjer në tematikat e preferuara të një autori.”

  1. 1. Stili epistolar. Është përdorur me sukses nga Euzebio Jeronimi, një dijetar i madh si dhe nga dukuritë e mëdha epistolare në kohën e Rilindjes Evropiane. Vitet 1700-1800 ishin më prodhimtaret me romane epistolare, që nga Samuel Richardson e deri te Braun Stoker me romanin “Dracula”. Shembujt janë të pafund. Por në gjithë këto vepra flitet për ngjarje e njerëz konkretë, ndërsa që në letrën dërguar Arnisës, Moikom Zeqo përmend Nënë Dodën, episodin e pabesueshëm të luleve, ose komentet e Lizës në botën e pasqyrave e shumë subjekte të tjera. Kur shkruan për teorinë e numrave, vështirë është të thuhet se kjo teori ka qenë objekt diskutimi për vetë Arnisën. E njëjta gjë ndodh dhe në analizimin që bën autori për fjalitë polidrome. Dhe kur në fund të librit i shkruan Makabe Zaharisë, ky stil vjen e kthehet në virtualitet. Te bisedat midis A-së dhe B-së, në pjesën e dytë të “Anima Mundi” B-ja i thotë apo i “shkruan” A-së:“Sekretet e të shkruarit nuk kanë fund. Është një fushë ripërtëritjesh, ku shkaku dhe pasoja janë të ndërsjella. Fantazia vetëm ndjell pa kufi. Fantazia është domen, rikrijim botësh të reja”. Dhe stili i të shkruarit epistolar ka vetitë e tij, ka huqet dhe zakonet, ndryshe nga stilet e tjerë. Në librin e Ugo Foskalos: “Letrat e fundit të Jakob Ortis” kritiku Ëalter Binni shkruan: “Ai që ndalet së përdoruri fjalë të vjetra apo fjalë librash ose ekzagjeron me fjalë empatike dhe të përlotura, nuk ka kuptuar bazamentin e ndjeshëm dhe jetësor të librit, ngarkesën e tij shpërthyese dhe qendrore, që zhytet në lëvizjen e një personaliteti krijues të rritjes, në kërkim të një shprehjeje ndryshe, të zhdërvjelltë, por kurrë të zbehtë, përkundrazi të shtytur nga një pasion i brendshëm eksternal”.A nuk ndodh kjo në librin e tij? Ndodh plotësisht. Moikom Zeqo në bisedën e A-së me B-në ngre një seri problemesh të mëdha për botën e të shkruarit ndryshe. Ai e sjell çdo gjë “të vjetër” nga koha e kaluar dhe e shpërthen “si produkt i një halucinacioni të ftohtë”, duke vendosur para lexuesit shkrimet dhe idetë e autorëve më të mëdhenj që ka njohur njerëzimi. Kështu që duke përdorur stilin epistolar, i cili duket e zhduket nëpër libër, Moikom Zeqo e di shumë mirë se ky lloj stili për hir të natyrës së tij është brenda dhe jashtë realitetit historik. Ai përdor thyerje të pakohta, lidh dhe zgjidh koordinatat midis ngjarjeve dhe mënyrave, por duke mos harruar shpirtërimin, ndërgjegjen individuale të cilën ai e seleksionon, e komenton dhe e organizon për nga brenda, ashtu me dinamizmin që e karakterizon këtë autor.Pikërisht këtu mbështetet teorikisht Moikomi kur trajton “dyert e perceptimit” si një çelës të të kuptuarit të gjërave frymore dhe jo frymore sipas “epistolae forma”.
  2. 2. Stili i palimpsestit. Futja e këtij stili në librin “Anima Mundi” nuk është bërë për hobi, por me qëllim të paracaktuar mirë nga autori. Ideja e futjes së këtij stili bazohet në ndryshimin e konceptualitetit të palimpsestit, duke na dhënë të kundërtën e palimpsestit konvencional. Për të forcuar këtë ide, mënyra e të shkruarit, rryma e fjalëve të hedhura në letër nuk ngjan aspak me përroin e Xhojsit. Është një shpikje e re e autorit, gjurmët fillestare të së cilës u stampuan në librin “Kështu foli Mona Liza”.Ashtu si palimpsesti pergamenë gjendet pas disa shekujsh në manastire, kështjella apo vende të tjera, ashtu dhe Moikomi gjen te palimpsesti modern metoda të reja të shkruari, duke u bërë zëdhënës i një stili të ri. Ky lloj stili është tepër i ngjeshur, domethënës dhe shpërthyes, sepse nuk ka kufij, ekstremet fluturojnë dhe e reja zbulohet bindshëm midis fjalëve të shkruara. Palimpsesti sot, në botën moderne, ka një përhapje të gjithanshme, jo vetëm në arkitekturë, por dhe në skenarët e filmave horror, në pikturë e skulpturë dhe në shumë forma të tjera.

Në “Palimpsesti i padukshmërisë” Moikomi arrin një nivel të lartë artistik duke e bërë lexuesin tepër fluid, duke e futur e nxjerrë njëkohësisht në botë  të ndryshme, në kohë e në hapësirë. “Fluturimet mbi botën e ndritur të artit” do ta quaja unë këtë palimpsest. Mona Liza, kjo femër që ka tronditur e po trondit botën e artit është për Moikomin burim i të shkruarit me shtresa. Nuk është vetëm ideja se “mashkulli i padukshëm është brenda femrës”, por është stili që shpërthen duke kërkuar të padukshmen te e dukshmja. Aludimet janë dhe mjeshtëria e kapjes së problemit për të hyrë në një letërsi të re. Pak a shumë është ashtu siç e shpjegon vetë Moikomi në këtë palimpsest të mrekullueshëm. “Ka një teori shterpë të mbiquajtur “Teoria e progresit në art”. Me pak fjalë, një artist i një shekulli më pas është më i aftë dhe më i përhapur se çdo artist i mëparshëm. Në vend të artit kemi kështu fatalitet vetëm kronologjinë. Arti egjiptian nuk është më i prapambetur se arti grek…”.Komenti i këtyre studimeve që bën Moikom Zeqo të çon në shumë drejtime të karakterit mbi të gjitha intelektual. Moikomi e përdor palimpsestin dhe stilin palimpsestik për arsye shumë të rafinuara, gati ajrore, për të treguar realitetin e sotëm, jo vetëm shqiptar por edhe mbarëbotëror. Teoria e gabuar e “Progresit në art” është përdorur nga partitë e ndryshme, që e quajnë veten që të gjithë demokratikë, duke abuzuar me shkencën, artin e të menduarit dhe mbi të gjitha mbi sakrificat e shkencëtarëve të ideologjisë, artit apo aplikimeve teknike dhe shkencore.

Libri “Saga e Palimpsesteve” është një thirrje në kozmosin e kësaj bote, përfshirë dhe Shqipërinë e brishtë, ku thyerja e saj mund të lakmohet nga çdokush, por që ajo thyerje nuk ndodh sepse ka ngjizjen e emrave të shqiptarëve të mëdhenj që Moikomi u ngre ditirambe në librin e tij. Stili palimpsestit është tepër i zhdërvjellët, ai infekton, turbullon, krijon probleme, thjesht është tepër aktiv.Ditët e fundit, rastësisht lexova një shkrim tjetër nervoz, të akademikut kosovar, Rexhep Qosja, të titulluar “Situatës i bëjnë dëm intelektualët servilë”. Rexhep Qosja, ky njeri punëtor i intelektualitetit shqiptar, sikur i ka lexuar palimpsestet e Moikom Zeqos e në këtë artikull shkruan plot mllef intelektual e puritan: “E kuptueshme: sasia e sotme e servilizmit ka sjellë cilësinë e sotme të servilizmit, që aq mjeshtërisht, aq artistikisht, puthadorshëm e tregoi intelektuali ynë, profesori ynë, shkencëtari ynë, që shikove e dëgjove në televizion sot, e që aq shumë i do e aq shpesh i lexon vetëm Konicën dhe Fishtën. As Naimin, as Nolin, as Lasgushin, as Migjenin, por vetëm Konicën e Fishtën. Medet për ne! Medet për mua! Pesëdhjetë vjet bëj punë Sizifi: të gjitha betejat e servilizmit i kam humbur! Shkolla jonë e servilizmit po tregohet shumë ndikuese dhe shumë më e çmuar se vepra ime!…”.E ç’mund të them më tepër o vëllezër shqiptarë, ashtu siç shkruante dëshpërimisht Çajupi i madh!

Moikomi thotë se “e vërteta e artit është vetë esenca e artit” dhe brenda kësaj esence nuk mund të ndash si me thikë vlerat e gjenive të Shqipërisë apo të botës mbarë. Por, unë vërej përkimin e ideve midis mjeshtërve të mëdhenj, ato të Moikomit me ato të Rexhep Qoses. Ja përse stili palimpsestik i “Anima Mundi” prek shpirtrat e njerëzve të vërtetë dhe jo të kameleonëve stinorë!!!Nuk rri dot pa përmendur kritikun modest amerikan Dana Gioja, i cili i mërzitur nga eksperienca e vjetruar në artin amerikan të kohës shkruan:“Le të ngremë një turrë drush për të bërë një funeral me stivën e praktikave të thara që na rrethojnë dhe të vështrojmë se si ngrihet nga hiri feniksi i lashtë e i padukshëm me flatra të hapura”.“Anima Mundi” i ka hapur flatrat e palimpsestit dhe po fluturon!

  1. 3. Stili shkencor. Është një tjetër stil operativ në librin “Anima Mundi”. Mënyra se si lëviz bisturia në duart e autorit Moikom Zeqo, është e habitshme. Duke nënkuptuar me stil shkencor, stilin jo vetëm që prek shkencat ekzakte si matematikën dhe fizikën, arkeologjinë, por dhe ato jo ekzakte siç është historia. Në libër gjenden hipoteza dhe përsiatje mbi teorinë e numrave, mbi problemet e energjisë, entropinë e përgjithshme që e fut dhe në mendjen e njeriut. Gjenden gjithashtu teori të shumta ku arkeologjia paraqitet si një shkencë parësore për Moikom Zeqon. Ndoshta sepse ekziston një lidhje magjike midis mistereve që toka i ka mbuluar dhe hipotezave të historisë. Pikërisht në shkencën e historisë, Moikom Zeqo është shumë avanguardist, me guxim kalon nga e shkuara drejt së ardhmes, duke e trajtuar problemin si zgjidhje dinamike dhe jo vetëm konstatuese siç ndodh rëndom në kësi rastesh jo vetëm në Shqipëri. Edhe në përdorimin e stilit shkencor, në veçanti atij historik, autori mbështetet fuqishëm dhe nga autorë të famshëm evropianë, siç është Jack Le Goff, i cili shkruan: “paradigma e “historisë së re” shënon fundin e “historisë-tregim” dhe lindjen e “historisë-problem”, që do të thotë se është një histori që procedon jo me të dhëna apo data, por për problema dhe hipoteza për zgjidhje.Në “Anima Mundi” çdo problem shkencor lakohet e përpunohet artistikisht duke komentuar mbi nivelet e konkretes, problemet e gjenetikës, nocionit kohë-hapësirë, të matematikës, fizikës etj. Në mënyrë të veçantë bien në sy kulturat e sotme digjitale, ku habitshëm kjo kulturë vjen e familjarizohet me lexuesin.Në “palimpsestin digjital” Moikomi shkruan: “Kështu, në bllokun tonë të shënimeve me “letër digjitale”, mund të na vijnë letra dashurie, komunikim rreth punës, por dhe numrat e shtypit të përditshëm, tamam si një faqe interneti, por me ndryshimin se kjo është e ngjashme me një letër që mund të paloset dhe të vendoset në xhep. Vetëm atëherë hendeku mes letrës së thjeshtë dhe botës digjitale do të mbyllet përgjithmonë”.

Duke përdorur një stil që bazohet me të dhënat e shkencës e bën autorin që të jetë i veçantë në llojin e vet. Kështu që ai lëviz me akrobaci midis gjërave të bëra, ekzistente dhe gjërave të thëna, jo ekzistente. Kjo është mjeshtëri, është një stil për të ndërlidhur në mënyrë të besueshme atë që është bërë me atë që thuhet. Moikomi di ta realizojë fare mirë këtë gjë. Iluzionet e autorit nuk janë të pabazuara, përkundrazi ato mbështeten në fakte shkencore të së kaluarës dhe veçanërisht të shkencës së sotme, që ecën me hapa galopantë, por që letërsia e përbotshme nuk e arrin ashtu siç ndodhi në fillimet e shekullit XX. Mbase është një përputhje e stilit shkencor të Moikom Zeqos kjo gjë shkruhet më poshtë nga studiuesi italian Paolo Polizzi: “… Orakulli, shpërbetarja, formulat magjike janë ato mënyra që nga ana tjetër janë imediatisht të vlerësuara, pikërisht për atë, se nëpërmjet kapjes së fjalës, kapin njëherazi dhe esencën e realitetit, e kështu arrijnë të vendosin rregull aty ku rregulli as që mund të mendohej të ishte”.

  1. Stili eseistik. Ky stil është një analizë në vetvete i autorëve të mëdhenj shqiptarë dhe të huaj. Është komentuar në mënyrë krejt origjinale parë në një okelio tepër të tejdukshme rruga e artit që nga dadaizmi, surealizmi e futurizmi. Vetë Moikomi thotë në mënyrë krejt koncize: “Që prej Rembo dhe Malarme, që prej çlirimit të vargjeve, forma dhe natyra e poezisë janë në “krizë”.”Brenda këtyre fjalëve në këtë fjali brenda saj ka një eksploziv të rrezikshëm që shpërthen për atë që e kupton. Nuk i shpëtojnë analizës korrekte edhe autorët e mëdhenj Markez, Borges, Saramago e Umberto Eko, të cilët tronditën botën me veprat e tyre unikale.Ajo që e ngre lart stilin eseistik të Moikomit në këtë libër është metoda e analizës së marrëdhënieve letrare midis Faik Konicës dhe Gijon Apolinerit. Ndoshta faqet e shumta që ndodhen në kapitullin “Profeci” të pjesës së tretë të librit, lidhur me këto dy persona të çuditshëm, njëri shqiptar dhe tjetri francez, mund të përbëjnë një tekst krejt të ri për problemet e eseistikës si stil, metodë e të studiuarit të zhdërvjellët, larg skemave të njohura në literaturën e specializuar.
  2. 5. Stili “fiction” përdoret dendur nga Moikomi midis faqeve të librit në formën e tregimeve të shkurtra, brenda një kapitulli studimor. Tipike nga këto shkrime janë tregimet “Guida e Lutenblagut”, ose “Guidë për shtetin Kolvani” apo tregimi për gazetaren e re Laureta Lilaj, e cila bën një shkrim bombastik lidhur me jetën e Gabriel Garsia Markesit. Prandaj, çuditërisht ai stilin “fiction” e ngërthen me stilet e tjera që ai përdor. Çdo stil i Moikom Zeqos në këtë libër i hap rrugë disa stileve të tjera. Po të studiosh me kujdes këtë libër do të gjesh me siguri atë që autori e ka quajtur me emrin absolut: Palimpsest.

 

 

 

August 6, 2018 11:10
Komento

1 Koment

  1. demo August 6, 21:10

    E di cfare eshte Palimpsesti?Palimpsesti eshte sherbet pekmezi,qe perdoret per te terhequr mizat.Miza e pare,qe ngeci ne sherbet ishte ai katundari Gjekmarkaj,idyti je ti o Fatmir.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*