Moikom Zeqo, sekretet e mëdha të fjalës

July 16, 2017 11:49

Moikom Zeqo, sekretet e mëdha të fjalës

  

Intervistë e shkrimtarit Moikom Zeqo dhënë kritikut Fatmir Minguli)

 -Ajo,qe ka të bëjë me laboratorin vetjak të shkrimtarit, i cili përveç aspektit racional, synon të artikulojë diçka nga iracionalja, apo të sulmojë absoluten, apo të shkelë disa zona të intelektit ku shumë njerëz të ditur dhe me përvojë të jashtëzakonshme jetësore nuk arrijnë dot të futen, ose nuk synojnë dot të hyjnë.

 Dalim kështu te një çështje substanciale, krijimet e mëdha përcaktohen nga konceptualiteti, shumë më tepër sesa nga përvojat.

 Shkrimtarët mesatarë, që mund t’i quajmë të mirë, i përmbahen rregullit mekanik të pasurimit të përvojave, janë ata që kanë krijuar tregun e stërmadh letrar, kudo në botë, por konceptualisht arti i tyre nuk ka karakter ndryshues dhe stacionar.(Percaktime  te Moikom Zeqos!)

-Si mendon Moikom Zeqo, cili është raporti mes përvojës jetësore të një krijuesi dhe veprës letrare?

 -Është një raport i ndërlikuar, nuk është aq shkakësor. Nëse në rrafshe të tjera të veprimtarisë njerëzore përvoja është më e rëndësishmja, në rrafshin e letërsisë përvoja është një koncept shumëdimensional, sepse nuk mund të quhet thjesht përvojë jetësore, ose thjesht përvojë letrare. Procesi i krijimit është më misterioz, sesa duket në vështrim të parë.

 Shpesh shkrimtarë që janë stacionarë, në historinë e letërsisë mund të mos kenë pasur përvoja shumë të pasura në aspektin historik.

 Fjala vjen Artur Rembo në Francë, ose Migjeni në Shqipëri.

Por vepra e tyre është shumë herë më e plotfuqishme dhe me një pllenim ndryshues për artin, sesa veprat e shkrimtarëve gjithashtu të njohur, por që kanë përvoja të mëdha jetësore ose dhe letrare.

 E them këtë dallim se është shumë i rëndësishëm për të kuptuar specifikën.

 Kjo ka të bëjë me laboratorin vetjak të shkrimtarit, i cili përveç aspektit racional, synon të artikulojë diçka nga iracionalja, apo të sulmojë absoluten, apo të shkelë disa zona të intelektit ku shumë njerëz të ditur dhe me përvoja të jashtëzakonshme jetësore nuk arrijnë dot të futen, ose nuk synojnë dot të hyjnë.

Dalim kështu te një çështje substanciale, krijimet e mëdha përcaktohen nga konceptualiteti, shumë më tepër sesa nga përvoja.

-Pra mund të kemi një vepër të mirë edhe kur mungon përvoja?

 -Varet çfarë kuptojmë me nocionin vepër e mirë. Përgjithësisht, letërsitë e vendeve të ndryshme zotërohen si rregull nga letërsitë e mira mesatare, kurse shkrimtarët që sjellin ndryshime si Xhejms Xhojsi, Kafka, Tralki dhe Borgesi janë shkrimtarë të jashtëzakonshëm, të cilët i thyejnë përvojat nganjëherë shekullore.

 Ata krijojnë përvoja të reja, janë ikonoplastë të përvojave të mëparshme dhe fuqia e konceptualitetit të tyre nuk varet shumë nga jeta vetjake.

 Fjala vjen, jeta vetjake e Kafkës është tmerrësisht e varfër, për të mos thënë mediokre, koncepti i veprës së tij është tejet tronditës.

Jeta vetjake e Borgesit është ajo e një bibliotekari gati rutinor, por askush si Borgesi nuk e ka ndryshuar konceptin e letërsisë moderne të shekullit XX.

 Ka njerëz të zakonshëm që kanë përvoja të jashtëzakonshme jetësore, por ata nuk u bënë dhe nuk qenë kurrë shkrimtarë.

Georg Trakli ka qenë një ndihmës farmacist, gati gjithë jetën i droguar dhe deri diku pervers, por arti i tij është mahnitës dhe me të drejtë filozofi Hajdeger, në një libër që ka shkruar për Traklin, e quan gjermanishten e këtij poeti më superiore se gjermanishten e Gëtes. Shkrimtarët mesatarë, që mund t’i quajmë të mirë, i përmbahen rregullit mekanik të pasurimit të përvojave, janë ata që kanë krijuar tregun e stërmadh letrar kudo në botë, por konceptualisht arti i tyre nuk ka karakter ndryshues dhe stacionar.

-Mund ta shpjegojmë se çfarë faktorësh ndikojnë për një kryevepër letrare?

 -Ah, kryeveprat! Ato janë shumë të pakta në botë.

 Unë i takoj atyre njerëzve, që nuk besoj shumë te gjenitë. Krijimi i kryeveprave është një proces unikal, shumë më tepër sesa autori i ka bërë.

Fjala vjen, Servantesi. Deri në pleqëri talenti i tij nuk shquhej shumë, derisa shkruajti “Don Kishotin”.

 Në të vërtetë, substanca e jashtëzakonshme e Don Kishotit ishte e shpërndarë kudo te njerëzit e shekullit të Servantesit si problematikë jetike e kapërcimit të epokave, pra kishte një imazh kolektiv, por artikulimi i kësaj mundësie revolucionarizuese u bë pikërisht nga Servantesi dhe ai u bë autor i “Don Kishotit”.

 I njëjti konceptim mund të vlejë dhe për Danten e Shekspirin.

 Problemi qëndron jo thjesht te stili. Mund të shkruash me një stil të epokës viktoriane si Shekspiri dhe të kapërcesh të tërë shkrimtarët e epokës viktoriane, madje dhe ata të të gjitha kohërave.

Mund të shkruash me një stil “të bardhë”, siç shkruan Kafka, gati me stilin e një kronike. Por ai bëri ndryshime aq të mëdha në strukturën fabulore të letërsisë, sa që stilistët barokë ose ciceronianë do të zilepseshin e do të pikëlloheshin, sepse përveç lustrës së jshtme të stilit krejt të pafuqishëm, kurrë nuk do ta arrinin Franc Kafkën.

 Por sidomos kjo mund të thuhet për Borgesin, i cili ka ndryshuar konceptin e letërsisë deri në atë masë, sa me të drejtë Danillo Kish ka thënë: “Letërsia botërore mund të ndahet në atë para Borgesit dhe atë pas Borgesit.” Vështirësia e shpjegimit të kësaj dukurie është e madhe, por rezultatet e këtij realiteti kanë një konkretësi të parrëzueshme.

-Sot flitet për letërsinë postmoderniste, madje dhe për vdekjen e letërsisë, duke pasur parasysh edhe një zvjerdhje të leximit. Cili është këndvështrimi juaj për këtë aspekt?

 -Termat moderne e posmoderne për letërsinë kanë karakter konvencional.

Letërsia nuk i nënshtrohet kronologjisë historike.

 Fjala vjen, Xhonatan Suifti duket sikur është bashkëkohës i Franc Kafkës, ndonëse kanë jetuar në shekuj të ndryshëm. Herakliti i Hefesit dhe Niçe ngjan sikur janë bashkëkohës në disa kuptime, por midis tyre ka afro 24 shekuj distancë.

 Mund të shkruash në shekullin XXI dhe mund të mos jesh në bazë të parimit kronologjik më i rëndësishëm sesa Pol Valeria apo Lukiani i Lashtësisë.

Kritiku i madh amerikan, ndoshta më i madhi i ditëve tona në botë, Harold Blum, e ka sqaruar përfundimisht ligjësinë e veçantë të letërsisë botërore jo aq me parametra kronologjikë, sesa me parametra konceptualë.

 Shkenca, fjala vjen, e njeh parimin kronologjik, kurse arti nuk e njeh këtë parim, madje ky shfrytëzon disa nocione si pakohësia, ose dimensione të pafundme të hapësirës, sepse në esencë lidhet me shpirtin njerëzor. Kohërat, kostumet, teknologjitë bëhen më të komplikuara, më të sofistikuara, epoka kibernetike, ajo e Mikrosoftit dhe internetit, kanë sjellë përparime të habitshme, por jo domosdo edhe letërsi të madhe.

 Sot shumë estetë flasin për vdekjen e letërsisë. Është fakt që leximi ka rënë.

Përveç arsyeve të ndryshme teknologjike leximi në internet e jo në fletë letre), mendoj se kemi të bëjmë me një problem të madh të rinovimit të letërsisë.

Imazhi hollivudian, si një art sinkretik i madh, i ka marrë shumë atribute letërsisë.

 Atë që në letërsi mund të thuash me dhjetra faqe, në film mund ta arrish me një sekuencë.

Del problemi i gjetjes së mjeteve të reja shprehëse, jo për ta rrëzuar statusin e letërsisë, por për ta rikonceptuar letërsinë.

 Fjala vjen, rrëfimtaria klasike lineare nuk është aq shumë e përshtatshme për kushtet e sotme të qytetërimit.

 Por që të bësh rinovimin e letërsisë duhet të kesh një mendje gjeniale si Borgesi, ose duhet që të shfrytëzosh të gjitha mundësitë e makinës së ndërlikuar të intelektit njerëzor, që nuk shterrojnë kurrë.

Në letërsi ndodh siç thuhet në troparin e lashtë biblik: “Të grishur janë shumë, por të ftuar janë pak.”

-Ndërsa folëm për lidhjen me përvojën, ç’mund të themi për raportet letërsi-moral?

 -Letërsia dhe moralistika janë dy rrafshe të ndryshme, por koncepti moral nuk mund të shkëputet nga letërsia në mënyrë absolute.

Vetë morali njerëzor është një kategori dinamike, që ka ndryshuar në mijëvjeçarë.

Zhvillimi moral i njeriut reflektohet në letërsi jo në mënyrë pedante a moralistike.

 Por letërsia deri diku është një utopi e madhe, e cila synon një përsosje të njeriut, ndoshta pa e arritur kurrë. Letërsia ka lindur në një epokë, kur e Keqja qe zotëruese, ashtu siç kanë lindur dhe fetë, por revolucionet fetare që kanë gjithmonë karakter moral nuk janë më të plotfuqishme se letërsitë.

 Koncepti i “katarsit Aristotelian” ka qenë gjithmonë një bazë e estetikës së letërsisë.

Megjithatë, letërsitë moralistike përgjithësisht kanë qenë e janë dogmatike e të mërzitshme.

 Përgjithësihsht letërsia ka diçka heretike të përjetshme.

 Çdo kanonizim është vdekje e letërsisë.

-Po me filozofinë, si qëndrojnë raportet e letërsisë?

 -Aristoteli njeh një afërsi më të madhe të filozofisë me poezinë.

 Por unë kam bindjen e plotë se filozofia e letërsia janë dy rrafshe të ndryshme.

 As nuk mund ta zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk mund ta mohojnë, ngase burimi është i njëjtë.

Mendimi njerëzor që lind, ushqen edhe filozofinë, edhe letërsinë.

 Letërsia e sotme, sidomos me Umberto Ekon, i është rikthyer erudicionit të madh kulturologjik por dhe filozofik.

 Kjo është një tendencë e dukshme në Perëndim, ndoshta një rigjetje dhe rifreskim i disa atributeve të mëparshme të harruara.

 Volteri e shfrytëzon filozofinë, por pa humbur asnjëherë sensin dominues të letërsisë.

 Ky raport delikat dhe i vështirë, jo tjetërsues e këlthitës, përbën një nga sekretet më të mëdha të shkrimarit të vërtetë.

 Shekpsiri nuk bën në veprat e veta filozofinë e Bekonit, me të cilin është bashkëkohës.

 Bekoni ka mbetur në historinë e filozofisë dhe sot mund të mos e lexojë askush, ndërsa literariteti i Shekspirit është magjik dhe i jashtëzakonshëm jo vetëm sot, por edhe në kohërat që do të vijnë.

Sistemet filozofike nuk janë të përjetshme, letërsia e madhe është e përjetshme.

-Së fundi, a mund dhe a duhet që një shkrimtar ta thotë krejt të vërtetën në vperën e tij autobiografike?

 -E keni fjalën për memuarët.

 Janë një gjini interesante letrare e rrëfimit ose e vetërrëfimit, por nuk e kanë statusin e dokumentit historik, siç e kanë dokumentet apo ditarët e shkruar në një kohë të dokumentuar qartë.

Memuarët nuk konsiderohen substancë për shkencën e historisë. E vërteta që thuhet në to mund të jetë rezultat i kohës kur shkruhet libri i kujtimeve dhe mund të ketë shumë alibi për të kaluarën.

 Pra, besueshmëria e këtyre lloj kujtimeve vihet përherë në dyshim racional.

A duhet thënë e vërteta ?

 Ka mënyra të ndryshme për ta thënë të vërtetën. Funksioni i shkrimtarit është të thotë të vërtetën në veprën e tij letrare shumë më tepër dhe me shumë më përgjegjësi sesa në artikujt, intervistat, apo në të ashtuquajturat kujtime, që mund të shkruajë ose që do të shkruajë.

 Nuk besoj se, po të kishte shkruar një libër me kujtime Migjeni, do të kishte thënë gjoja një të vërtetë më të madhe se ato që shkroi me artin e tij.

 Është një mrekulli që Shekspiri nuk ka shkruar kujtime.

 E pse do të duheshin, vallë ?

 Ka shkrimtarë që shkruajnë kujtime, por nëqoftëse ata nuk kanë libra të vërtetë dhe të pavdekshëm, atëherë kujt i hyjnë në punë kujtimet e një jete fizike krejt të vdekshme ?!

July 16, 2017 11:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*