Moikomi për Lasgushin e (pa)njohur

January 7, 2018 10:57

Moikomi për Lasgushin e (pa)njohur

 

Nga Vangjush Ziko

Kohët e fundit u botua libri i Moikom Zeqos “Lasgushi i Panjohur” (Shtëpia botuese ERIK, 2017).

Kjo vepër, kushtuar 30 vjetorit te vdekjes se Lasgushit, dëshmon për një angazhim dhe guxim të madh për të shkruar dhe medituar mbi një nga figurat madhore të letërsisë sonë, një nga talentet më madhore të poezisë, një personalitet i rrallë i kulturës sonë kombëtare.

Të gjithëve na duket sikur e njohim Lasgush Poradecin, e vlerësojmë dhe e çmojmë pa mëdyshjen më të vogël.

Emri dhe poezia e tij është e njohur nga dy-tre breza shqiptarësh, që kanë lexuar qoftë një poezi të tij.

Kjo ndodh në letërsinë botërore me të tilla figura që janë bërë emblema simbolike në një fushë të caktuar dhe kanë hyrë në fondin e gojëdhënave.

Përmendim emrin e Lasgushit dhe na lind sinonimi i dyfishtë Poeti dhe Poezia.

Mendja na shkon te Pogradeci dhe liqeni i tij, para sysh na del silueta e poetit me republikën dhe kostumin e zi ,që vazhdon të ecë buzë liqenit, duke biseduar me valët dhe Cucin e tij besnik, na fanitet fytyra e tij nevrike me sytë zhbirues që të peshojnë mendimet dhe ndjenjat pa biseduar me ty; por sa e njohim jetën e tij, botën e tij shpirtërore, mendimet dhe shijet e tij për jetën, miqësinë dhe artin.

 

***

Moikom Zeqo vendosi ta plotësojë maksimalisht “pazllin” e jetës, karakterit, talentit, filozofisë krijuese dhe raporteve të tija kulturore dhe miqësore me kolegët bashkëkohës me letërsinë kombëtare dhe atë europiane, veçanërisht.

Poeti, para se të bjerë në pushtetin e magjisë krijuese, është një qenie njerëzore me karakterin, personalitetin, me hobet dhe pasionet e veta, të cilat e veçojnë nga të tjerët dhe, në të njëjtën kohë, e dallojnë dhe e ngrenë mbi të zakonshmit.

Me të drejtë Moikomi nënvizon atë paradoks të pranuar botërisht se karakteri njerëzor i krijuesit nuk përputhet , ose nuk shkon paralel me “karakterin” e krijimtarisë së tij, nuk përputhen huqet , apo veset njerëzore me natyrën dhe divinitetin e krijimtarisë.

Më kujtohet një deklaratë e një mbese të Picassos kur e pyesnin se pse po e shiste një pikturë të trashëguar prej tij.

E çuditshme ishte përgjigja e saj:” nuk e duroj dot, se ka qenë i tmerrshëm me sjelljen e tij me të afërmit.”

Dihet dhe përcaktimi që i kanë bërë frymëzimit krijues filosofët e kohëve të ndryshme me epitetet “hyjnor” dhe “sëmundje shpirtërore”.

Është ky haraçi që paguajnë gjenitë, “kurbani” që i bëjnë krijimtarisë së tyre në shërbim të ushqimit shpirtëror të njerëzve.

Moikomi na sjell kujtimin e dhimbshëm të të bijave të Lasgushit nga ai çasti tronditës kur Poeti i gjunjëzuar i puthte ballin e akulluar nga vdekja gruas së tij të dashur duke i kërkuar ta falte për shqetësimet e padëshiruara që i pati sjellë në jetë.

Autori nuk harron pa na zbuluar dhe marrëdhëniet e Lasgushit me dy “vëllezërit dioskurë” të tij: Eqrem Çabejin dhe Mitrush Kutelin.

Shembullore është, veçanërisht, miqësia e ngushtë, e sinqertë, njerëzore dhe mjeshtërore midis Lasgushit dhe Çabejit, e dy figurave nga më të shquara, mjeshtrit të poezisë dhe atij të albanologjisë,

Siç na pohon dhe dëshmon Moikom Zeqo, ekziston një epistolar i pasur i tyre që përfshin një periudhë 25-vjeçare në të cilin gjejnë pasqyrim preokupimi reciprok mbi probleme të jetës, të shëndetit personal, përditshmëria e secilit, vizionet e tyre kulturore, intimitetet shoqërore, pra, një komunikim shpirtëror dhe kulturor reciprok.

Miqësia e tyre pohon të vërtetën e madhe, aq të munguar në ditët tona, kur dy talente mbështetin dhe mëkojnë krijimtarinë e njëri-tjetrit me një gjenerozitet të rrallë.

 

***

Megjithëse historia e artit është historia e njohur se si brezi i ri e zbret nga anija brezin më të vjetër.

Megjithatë, letërsia botërore nuk është gjë tjetër veç se një libër i shkruar dhe i rishkruar brez pas brezi, i pasuruar me shtesa dhe shartime të reja, me ngjyra dhe nuanca të çdo epoke dhe të çdo brezi krijuesish, është, siç thotë Borgesi, një intertekst.

 

 

***

 

Moikomi me njohuritë, përgatitjen universale teorike dhe erudicionin e tij na parashtron në këtë libër në mënyrë krahasuese dhe analitike ndikimet apo mosndikimet e mundshme në krijimtarinë e poetit të poezisë evropiane dhe asaj botërore si dhe të poezisë sonë kombëtare.

Moikomi arrin në përfundimin se Lasgushi është një talent i madh sui generis dhe i papërsëritshëm në llojin e poezisë lirike, se prurja e Poetit në letërsinë shqipe “ishte një mbrujtje e hatashme me elemente ekzotike të një panteizmi mistik”.

Eqrem Çabej e quan Lasgushin “modern dhe kulm të letrave të Arbërisë”.

Robert Elsie vlerëson se krijimtaria e Lasgushit është “një revolucion në poezinë shqiptare”. Kurse Mitrush Kuteli e cilëson: “i vetmi poet shqiptar që mendon dhe shkruan shqip”.

Kritiku Rexhep Qosja ka thënë se ai e ndjen Lasgushin ”si romantik, mendon si klasicist, asht i vetmuem dhe i hermetizuem si simbolist dhe i kujdesshëm si fanatik ndaj formës së vargut si parnasist. Asht eklektik dhe origjinal në çdo pikëpamje”.

 

***

Lasgushi është një nga rastet e rralla, jo aq të lehta për t’u përcaktuar vetëm me një atribut krijues.

Siç konstaton edhe poeti dhe eruditi Moikom Zeqo, ai ishte një njohës i mirë i letërsisë kombëtare, i letërsisë klasike dhe asaj moderne evropiane. Sidomos asaj gjermane, franceze dhe rumune.

Ai e kishte lexuar dhe njohur mirë poezinë e poetëve bashkëkohës gjermanë Rilke, Pol Celan, George Trakl, apo francezin Bodler, dhe veçanërisht poetin rumun Emineskun, me krijimtarinë e të cilit mbrojti dhe doktoraturën dhe i cili ishte më i afërti për të.

Poeti ynë diti ta lexojë, ta përzgjedhë dhe të mbështetet e ta çojë më tej, t’i japë vulën e vet, traditës e poezisë sonë kombëtare dhe asaj evropiane, siç është rasti me Naimin dhe me Emineskun, të krijojë stilin e tij të papërsëritshëm.

Lasgushi, në mënyrë të veçantë, përthithi nektarin e poezisë popullore dhe elokuencën e gjuhës shqipe, figurshmërinë dhe muzikalitetin e saj.

Lasgushi, siç shkruan Mitrushi, “hapi Tempullin e gjuhës sonë…dhe kindat e palosura të fjalëve”.

Te Naimi ai shikon “simbolin e lindjes dhe rilindjes kombëtare…mistikën e udhëheqësit të madh, zemrën e profetit, pa të cilën s’është e mundur ndjekja e asnjë ideali”.

Lasgushi gjeti dhe pëlqeu te poeti i madh rumun Eminesku pika kontakti, të cilat u bënë edhe frymëzim për të.

Lasgushi, sipas Moikom Zeqos, “ashtu si Eminesku beson në atë që quhet figura sintezë e dy antonimive… lind duke “vdekur” ose vdes duke “rilindur” si një Poet i Madh i Shqipërisë”.

 

***

Vizioni i Lasgushit është një ëndërr vërtet avanguardiste për kohën dhe aq më tepër për nivelin në të cilin ndodhej poezia jonë kur ai filloi të botojë veprat e veta.

Në një letër drejtuar Eqrem Çabejt ai i shkruan se është “kundër frymës lokale me kufire të ngushta epike” dhe se për poezinë duhen hapur “horizonte të paanshme”; bën fjalë për “shkëndija kozmogonike” dhe për lartësimin e “makrokozmosit” kombëtar.

Ëndrra madhore e Lasgushit ishte që të krijonte “një stil të ri, i cili të përmbante epikë dhe stil dramatik”.

Ai ishte i bindur se ky stil nuk gjendet i gatshëm, ai “vetëm zbulohet”.

Dhe këtë stil Poeti ynë novator e krijoi duke e ngritur në një piedestal të lartë jo vetëm poezinë e tij, por edhe vetë poezinë tonë kombëtare e rreshtoi përkrah poezisë evropiane.

Dhe ja çfarë thotë Moikomi si një sintezë dhe ligjërim lakonik: ”Lasgush Poradeci është dhe mbetet një nga lirikët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave.

Ai është Poet i lartësive he thellësirave të Atdheut të tij poetik, që nuk është gjë tjetër veçse sublimimi i Atdheut të tij gjeografik,historik, që është Shqipëria.

Poetika Lasgushiane përbëhet nga Letër –kredencialet e kombit të tij.

Të gjitha përsiatjet tona, as nuk e ndricojnë më tepër, as nuk e errësojnë tershëm e Poetit.

Lasgushi metaforikisht është i Plagosuri i Madh nga Dashuria”.

Shumë probleme dhe mendime të zgjon ky libër kryesor i Moikom Zeqos, me një tematikë universalisht , kaq të pasur.

Autori Moikom Zeqo ka renditur mjeshtërisht,por shpesh edhe i kursyer, në këtë botim fakte dhe dokumente të ndryshme, ditarin dhe epistolarin e Poetit, ç’kanë shkruar të tjerët për të dhe ç’ka shkruar ai për poetët shqiptarë, mbi enigmat e laboratorit krijues të Lasgushit, mbi hobin dhe mendimet e tij për pikturën, përkthimet e tij nga poezia botërore, kujtime për poetin e plot të tjera.

Unë do vlerësoja, gjithashtu, mësimet që nxjerrim dhe problemet paralele që shtron ky botim gati gjithëpërfshires, lidhur me personalitetin krijues, probleme aktuale të reformimit të vërtetë artistik dhe estetik të krijimtarisë letrare kombëtare për të arritur nivelet e lakmueshme të artit të vërtetë, nën shembullin e përvojës së çmuar të këtij artisti vizionar, të mençur dhe erudit.

Shembulli i Lasgushit na jep, në këtë drejtim, një përvojë të mençur, aq të çmuar për krijimtarinë krijues në këtë periudhë të hapjes dhe të komunikimit intensiv me poezinë botërore, me konceptualitetin modern të artit poetik për të përfituar secili sipas kërkesave dhe synimeve të veta krijuese, pa u bërë epigon apo plagjiator.

Shembulli i personalitetit krijues të Lasgushit na dëshmon se geni i tij guxoi dhe çau një rrugë të re, pa marrë para sysh nivelin e shijes së lexuesit të kohës së vet që, siç shkruan Çabej, kishte shije të cekta dhe “nuk mund ta shijonin thellësinë moderne të tij”.

Lasgushi i ndërgjegjshëm për talentin e vet të jashtëzakonshëm, për gjenialitetin e vet, i bindur dhe i qartë në synimet krijuese, nuk i uli kërkesat e veta artistike.

Por i parapriu lexuesit duke ecur me besim, këmbëngulje dhe përkushtim drejt artit të madh e të pavdekshëm.

***

 

 

Është një fat i madh që Moikomi e ka njohur kaq nga afër Poetin, që e ka lexuar dhe studjuar krijimtarinë e tij me përkushtim.

Moikom Zeqo me horizontin e madh te tij kulturor dhe shijet e veta artistike dhe estetike të rralla, me përvojën e vet krijuese avanguardiste dhe te pakrahesueshme , me stilin e tij të zhdërvjellët dhe pasionant ka shkruar një vepër të denjë, e cila na e paraqit dhe na e ndriçon nga të gjitha anët e mundshme, e analizon dhe e komenton me dinjitet Lasgushin njeri dhe poet, mendimtar dhe artist.

Moikomi ka shkruar me suksesin e domethenies sipërore një vepër shumëdimensionale, vepër analize dhe sinteze, e cila i kishte munguar lexuesit dhe historiografisë sonë letrare, në përgjithësi dhe asaj të Lasgushit, në veçanti.

 

***

Dhe ja çfarë thotë Moikomi si një sintezë dhe ligjërim lakonik:

”Lasgush Poradeci është dhe mbetet një nga lirikët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave.

Ai është Poet i lartësive dhe thellësirave të Atdheut të tij poetik, që nuk është gjë tjetër veçse sublimimi i Atdheut të tij gjeografik, historik, që është Shqipëria.

Poetika Lasgushiane përbëhet nga Letër –kredencialet e kombit të tij.

Të gjitha përsiatjet tona, as nuk e ndriçojnë më tepër, as nuk e errësojnë terrshëm Poetin.

Lasgushi metaforikisht është i Plagosuri i Madh nga Dashuria”.

 

January 7, 2018 10:57
Komento

2 Komente

  1. halleluja... January 7, 12:12

    Rrespekt kritikut te Letersise z.Vangjush .Ziko ,
    ne kte analize qe i ben vepres se Moikom-it e nepermjet tij nji nder Figuarave me stigmatike te Poezise Shqiptare ,
    te madhit Lasgush .
    Nji angazhim i tille i ktyre personaliteteve te shquara te Literatures Shqipatare ,duket sikur po na e sjellin Lasgushin perseri te gjalle ,nepermjet ktyre studimeve e vleresimeve te Poetit Atdhetare ,duke i sherbyer keshtu edhe zgjimit te Poezise Shqiptare ke rinia ,duke i treguar asaj se kjo toke ka nxjer ne cdo epoke te Historise njerez te Medhenj edhe patriote . Bravo ju qofte gjithe atyre ,qe aktivizohen ala sot ,te ndricojne Vlerat e Kombit te tyre .Rrespekt e perulje ne kte zgjim te shpirtit te shqiptarit ,qe aplikohet nepermjet shkrimeve te tilla ,e pikerishte sot ,kur ajo bote shqiptare e ka aq te nevojeshme . Rrespekt zoterinj Moikom Zeqo ,Vangjush Ziko, dhe te mirenjohurit Prof.Shkrimtarit Nasho Jorgaqi…

    Reply to this comment
  2. "BOHOTINA" January 11, 19:03

    Te takova me se fundi o VANGJUSH ZIKO. Me ka marre malli shume per ty. Te rrime si ahere ne ate kursin 2 mujor ushtarak qe bene nje grup arsimtaresh ne Korçe. Une i druajtur para madheshtise tende te jepja mesim per shkak te punes qe beja. Ti aso here pate bere dhe nje reportazh ne shtyp per mua si gjasme ushtarak i talentuar. Une skuqesha para madheshtise tende.
    Te pyes i mrekullueshmi Vangjush. Po veten tende a e njeh? Mbase gjeja me e veshtire per nje njeri eshte njohja e vetvetes. E po mire. Ty nuk te le modestia te thuash. Po ta them une. A e di se ju hyni e jeni ne brezin e arte te lirikeve tane te mrkullueshem, mbase nje Lasgush i vogel, por i cmuar. Ju kini perkthyer te madhin Esenin. Ju kini shkruar lirika te paperseritshme. Libri jot lirik “Takim me malet” e verteton kete.
    Me dhemb zemra kur kijtoj ty, ate njeri brilany, te yhelle ne mendime, te qete ne gjykime, te paster, te sinqerte, te thjeshte deri ne madheshti, i shoqerise se mire, i dashur, i respektuar, i drejte, largpames si cdo poet lirik.
    Nuk po flase per Moikomin mbarekombetar, euriditin tone te gjalle, ai dihet kush esht, ndricimet qe ka sjelle me mendjen e tij prodhimtare. Mrekullira te tjera presim prej tij.
    Po sot nuk ngopem te flase per ty, per njeriun e ditur dhe te mire Vangjush Ziko. Sa deshire kam te te takoj. Te qanim hallet e hallemadhes Shqiperi. Jam Rezo Çulli qe jemi takuar e qendruar bashke ne vitin e larget 1971. Ti ke qene shtyse e mesues per mua. Cel. 0684029103. Perqafime. Jam shume i lumtur kete pasdite qe u “takuam” se toku. Jete te gjate i respektuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*