Monarkia në botë, një anomali në modernitet

July 25, 2013 12:40

Monarkia në botë, një anomali në modernitet

Me revolucionin francez nisi era moderne, por sot mbijetojnë akoma sistemet e pushtetit absolut dhe vende në të cilat Mesjeta është ende pjesë e lajmeve

Me ekzekutimin e Luigjit XVI dhe revolucionin francez filloi era moderne, jashtëzakonisht e kundërt me një institucion mijëravjeçar si monarkia. Që nga ajo kohë vetëm disa prej tyre kanë mbijetuar.

Kërcënimi republikan

Shpërthimi i revolucionit francez “i futi ethet” sovranëve europianë, që proklamatës së republikës iu përgjigjën duke ua deleguar pushtetin parlamenteve, por megjithatë duke pretenduar të ishin sovranë absolutë që e udhëhiqnin popullin drejt modernitetit. Ndërkohë fisnikëria filloi të perëndonte, për t’u zhdukur plotësisht me zhvillimin e luftës industriale dhe triumfin e ideve të së drejtës universale dhe demokracisë.

Revolucioni rus dhe më pas Lufta II Botërore e kufizuan edhe më tej hapësirën monarkiste. Një numër i madh mbretërish u zhdukën me ndarjen e botës në dy blloqe. Në të parin fati i monarkëve ishte ai i “riedukimit” ose i internimit, ndërsa në bllokun perëndimor vetëm ata që u treguan të shpejtë dhe u mënjanuan, u lejuan të ruanin fronin, por jo pushtetin. U zhdukën thuajse të gjitha monarkitë që dominonin atë pjesë që shtrihet nga Europa Lindore deri në skajet e Lindjes, të cilat kishin arritur të rezistonin deri në shekullin XX.

Midis 26 familjeve mbretërore të mbijetuara sot, ka diferenca të dukshme: rasti britanik përfaqëson sot një anomali tejet të pazakontë, sepse sovrania e Londrës është njëkohësisht kre shteti i16 vendeve të pavarura (veç Mbretërisë së Bashkuar), të cilat përfshihen në “Mbretërinë e Komonuelthit” (edhe pse përkufizimi i mbretërisë në to nuk është zyrtar). Kështu vende si Kanadaja apo Australia janë monarki kushtetuese edhe pse nuk ndajnë të njëjtën kushtetutë me Britaninë e Madhe, sidoqoftë kanë si kryetare shteti sovranen britanike dhe prandaj nuk konsiderohen republika.

Jigme-Khesar-Namgyel-Wangchuck, mbret i Bhutanit dhe mbretëresha         1

                     Jigme Khesar Namgyel Wangchuck, mbret i Bhutanit dhe bashkëshortja

Monarkët e përfaqësimit

Midis monarkive thjesht “dekoruese” është pjesa më e madhe e atyre që ekzistojnë sot. Më antikja është ajo japoneze, me dinastinë që ulet në fron që nga viti 660, por që nga 1945-a iu desh të zhvishej njësoj si të tjerat nga atributet hyjnore, për t’u kthyer vetëm në një simbol të unitetit kombëtar. Në Azi monarki përfaqësuese janë edhe Kamboxhia e Malajzia, pastaj në Afrikë është ajo e mbretit Letsie III të shtetit jugor Lesoto. Pjesa tjetër ndodhet në Europë, ku monarki të ngjashme ka në Spanjë, Suedi, Norvegji, Holandë, Luksemburg, Belgjikë dhe Danimarkë. Sovrani i kësaj të fundit mbretëron edhe në Groenlandë, e cila që nga viti 1979 vetëqeveriset nga parlamenti i saj. Një raport i ngjashëm është ajo midis vendeve të Komonulethit me monarkinë britanike.

Ato me më shumë pushtet

Por ka edhe një sërë mbretërish ku sovranët kanë ende një pjesë të pushtetit, p.sh. të drejtën e vetos mbi disa ligje, apo role të vërteta aktive si ajo e mbretit të Lihtenshtajnit (një shtet i vogël midis Zvicrës dhe Austrisë) që votoi për t’i dhënë më shumë pushtet fronit. Me influencë të madhe është edhe mbreti i Monakos, një “principatë” e destinuar të zhdukej e të rimerrej nën kontrollin e Francës nëse Grimaldët do të mbeteshin pa trashëgimtar. Vetëm në vitin 2002 një modifikim kushtetues e zgjeroi platenë e kandidatëve duke zhbërë rrezikun e mungesës së pasardhësve të drejtpërdrejtë nga princi Albert. Në mungesë të tyre trashëgimia kalon në favor të vëllezërve dhe motrave të princit mbretëror dhe të pasardhësve të tyre legjitimë. Të favorizuarit janë të parëlindurit meshkuj.

Në këtë kategori, hyjnë edhe Tailanda, Bhutani dhe ishujt Tonga. Por nëse në Bhutan, mbreti është i angazhuar në promovimin e demokracisë, në Tonga, Xhorxh Tupou V me mënyrat e tij autoritare ka shkaktuar revolta dhe i ka dhënë jetë një lëvizjeje pro-demokracisë, e nisur që nga kurorëzimi i tij. I ndryshëm është rasti mbretit Bhumibol Adulyadej në Tailandë, që me 67 vitet e tij mbi fron ia kalon edhe mbretëreshës Elisabeta II. Një sovran që gjatë viteve të fundit ka ushtruar fuqitë që i janë njohur në përpjekje për të mbajtur bashkë vendin e lodhur nga konfliktet e ashpra politike.

Letsie-III

                                              Letsie III, mbret i Lesotos

Mbetjet e Mesjetës

Listës së monarkive të sotme mbeten për t’iu shtuar ato absolute e që janë të përqendruara kryesisht në vendet e Gjirit. Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Omani, Kuvajti dhe Bahreini janë të gjitha vende në të cilat sovrani mishëron pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe juridik. Monarki feudale në të cilat fjala e mbretit është ligj dhe për këdo që provon ta kundërshtojë, ndëshkimet janë të njëjta me ato të kohës së Mesjetës. Tentativat e disa prej monarkëve për të krijuar paraqitje të padobishme të parlamentarizmit konfirmojnë bindjen se familjet mbretërore mund të privohen nga pushteti vetëm me forcë. Paradoksi i ekzistencës së tyre është se demokracitë perëndimore i kanë lejuar të qëndrojnë në pushtet, për të pasur garancinë e aksesit në burimet e pafundme energjitike të ruajtura në nëntokën e tyre.

Sovranët e tjerë absolutë

Zvaziland, mbretëri në Afrikën Jugore, ku Msvati III gëzon pushtet absolut dhe “bonusin” për të zgjedhur virgjëresha për haremin e tij; si dhe Jordania e Maroku, dy monarki në krizë që po rezistojnë me “thonj e me dhëmbë” por mbi të gjitha me represion dhe armë ndaj kërkesave të popujve për demokratizimin e shteteve të tyre.

Monarkia e fundit në listë dhe më origjinalja është ajo e Vatikanit që ndryshe nga të tjerat është zgjedhëse dhe jo dinastike. Sovrani është Papa dhe në teori është i veshur me pushtet absolut e me kompetenca gjysmë hyjnore në rolin e lajmëtarit të Zotit në tokë, një rol që në pjesën tjetër të botës e ushtrojnë sovranët sauditë. Këta, prej disa vitesh janë “fryrë” edhe me tituj të mbrojtësve të vendeve të shenjta, duke përzier të shenjtën me profanen dhe duke e transfomuar pelegrinazhin në Mekë në një biznes që ka pak (ose aspak) lidhje me të shenjtën./ D.Gjuzi

July 25, 2013 12:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*