Monitorimi: Liderët politikë, shkelës të Kodit të Sjelljes

February 11, 2019 11:22

Monitorimi: Liderët politikë, shkelës të Kodit të Sjelljes

Stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP) vijon të ndjekë me shqetësim shkeljet flagrante që politikanë të lartë, përfshirë kryeministrin dhe drejtues të partive parlamentare, i bëjnë Kodit të Sjelljes të miratuar nga Kuvendi në prill 2018.

Në Kodin e Sjelljes, neni 6, theksohet se “deputetit i ndalohet të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër”, si dhe i ndalohet “të shfaqë forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politike, në veprimtari parlamentare ose jashtëparlamentare ku merr pjesë”. Kodi parashikon se në rast shkeljeje aplikohen masa disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

Seancat e të enjtes në parlament, por edhe disa prej debateve në komisionet parlamentare, vijojnë të jenë shembuj flagrantë të shkeljes së etikës, të komunikimit denigrues dhe diskriminues, të ligjërimit diferencues dhe etiketues, të fyerjes dhe shpesh edhe të shantazhit personal e familjar. Ato janë dëshmi e paaftësisë së elitës politike për të prodhuar politikë, e nivelit të lartë korruptiv dhe e kulturës së denigrimit që vjen ndesh me kulturën e shtetit, të alternativës dhe të konkurrencës demokratike. Fatkeqësisht, deri më tani Kuvendi dhe as grupet parlamentare nuk kanë mbajtur qëndrime kritike dhe nuk kanë ndërmarrë akte institucione distancuese dhe disiplinore ndaj individëve që promovojnë praktika të tilla negative dhe në shkelje të ligjit. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se bartësit kryesorë të ligjërimit denigrues janë vetë drejtuesit kryesorë të partive politike, pra individët që duhet të ishin edhe garantues të zbatimit integral të Kodit të Sjelljes.

ISP shpreh shqetësimin se praktikat diskriminuese, ligjërimi fyes e denigrues është kthyer tashmë jo vetëm normë në komunikimin parlamentar të së enjtes, por edhe normë në komunikimin e institucioneve në raport me publikun. Disa deklarata të zyrtarëve të lartë të pushtetit ekzekutiv vijojnë të shfaqin publikisht gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kritikëve politike dhe qytetarëve që mendojnë ndryshe. Shembull tipik është rasti i kryeministrit Rama, i cili ashtu si edhe sot (11.02.2019) edhe në shumë raste të tjera vijon të përdorë shprehjen “qentë le të lehin” apo “sa më shumë të lehin qentë” – shprehje që ai ia adreson qytetarëve kritikë, medies kritike apo politikanëve kritikë, në tërësi rreth gjysmës së shoqërisë shqiptare. Përdorimi i epiteteve të tilla fyese kolektive ndaj atyre që kanë mendim ndryshe dhe në komunikim institucional midis kryeministrit e qytetarëve të vendit të tij është sa tregues i nivelit të lartë të diskriminimit dhe shkeljes së ligjit nga ana e titullarëve të lartë, aq edhe tregues i mentaliteteve dhe praktikave vendimmarrëse që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.

Për një vend që aspiron hyrjen në BE etiketime të tilla janë investim i kundërt, një praktikë që nuk mund të gjendet në asnjë vend evropian dhe që nuk mund të pranohet nga asnjë shoqëri e civilizuar.

ISP apelon Kuvendin e Shqipërisë, por edhe autoritetet e tjera, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të ndërmarrin hapat ligjorë të parashikuar në Rregulloret dhe legjislacionin përkatës, për të ndikuar në dhënien fund të retorikës fyese dhe diskriminuese, dhe për respektimin e parimeve të Kodit të Sjelljes në parlament, në institucione dhe në aktivitetin politik apo administrativ jashtë tyre.

l.h/ dita

February 11, 2019 11:22
Komento

2 Komente

  1. lora February 11, 12:13

    shume drejt .
    kritika per Ramen qendron sepse pervec qenve (shpellari,floriri,cizmja,turufyli,..) duhet folur edhe per klyshe, kamaleone, etj etj
    po kush eshte kjo ISP? ndonje emer..

    Reply to this comment
  2. Vasili February 11, 13:39

    Kam pasur dikur respekt per Krasniqin,si njeri i paaneshem:
    Por kam ndjere prej kohesh,se vet ai dhe ´´instituti´´i tij,jane futur ne orbiten e kulles,nga ka zbritur dhe vet krasniqi.
    Duket qe nuk ka patur kulturen dhe edukaten e duhur ti rezistonte kushtrimit te kulles.
    Keshtu ky ´´institut´´ eshte ne te kundert me ate qe pret qytetari nga ai,ku ai se pari nuk ben dallimin elementar midis shkaktarit dhe pasojes:
    Nuk kam asnje deboles per ps,por e verteteta eshte ajo,qe ne dallim diametral,me ate kur banda e Saliut kishte sundimin,ps-ja u ka lene kundershtareve,kohe te flasin(te lehin)ne parlament mbi ate te lejueshmen,kur sozia e dikureshme e sales,topalli,jo vetem e privonte opoziten nga norma e te folurit dhe interpelancave,por i fyente dhe i kercenonte ndyre.
    Per me tej,mazhoranca tregoi nje tolerance tejet demokratike duke ja lene vendin e kryetarit ne komisione parlamentare,opozites.
    Dhe ne vazhdim,gjuha e sharje-shpifjes dhe dhuna ordinere ne kuvend,gjenerohet se pari,nga bandat e kulles dhe e natyreshme eshte qe pergjigje duhet te vije ne kete zhargon,qe kjo lloj specie mund ta kuptoj sado pak.
    A valle nuk i di Krasniqi dhe ´´instituti´´ i tij,te gjiha keto,qe i sheh dhe i perjeton gjithe mileti shqiptar,qe nuk don te bej dallimin midis shkaktareve dhe pasojes,qe jo vetem kaq,por ne te kundert i kundervihet kryeministrit,me nje tendence teper te denueshme dhe shpifese,kur thote qe kryeministri fyen gjysmen e shqiptareve.
    Qe kur per ´´institutin e studimeve´´,banda e kulles dhe disa kocke lepires andej kendej perfaqesojne gjysmen e shqiptareve.
    Fjalet e ´´opozites´´,qe permbajne brenda shpifje dhe sharje kercenime rrugacesh ordinere, bemat e verbra kundershtuese dhe sabotuese te puneve te qeverise,qytetari me se paku mund ti quaj si lehje qensh.ne te vertete ato jane lehje-kafshime qensh te terbuar dhe rama vazhdon ti kete nje borxh te madh zgjedhesve,qe nuk i perplas ne koke shkopin e ligjit,ato ligje qe jane ne kompetencat e tij si shtet.
    Pra e verteta e thjeshte Krasniqi eshte qe ti je ne te kundert me funksionin e atij institutit,ose me fjale te tjera,je rreshtuar me ushtaret e tjere te krahinarit,sali,jari,meta,llalla,ajazi.
    Prandaj ndonje qe ka mbetur nga ju jo duhet hequr,por duhet qeruar,me ato qe beni,duke ja ngulur thiken para dhe mbas shpine ketij populli dhe ketij vendi.
    Dhe me e ndyra eshte se vazhdoni te shperbleheni per kete.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*