Morali në shoqërinë tonë, të huajt që “drejtojnë” dhe kopjimi i të keqes

April 26, 2018 10:49

Morali në shoqërinë tonë, të huajt që “drejtojnë” dhe kopjimi i të keqes

Aleksandër Meksi*

Vijon nga numri i kaluar

  1. Shtet i fortë, individ i fortë

Kemi dëgjuar shpesh të thonë që individë të fortë bëjnë shtetin të fortë, individë të pasur bëjnë shtetin të pasur. Kjo është një gënjeshtër dhe absurditet që përhapet me qëllimin e vetëm – dobësimin e shtetit dhe mosveprimin e ligjit (kujtojmë këtu : Ujku mjegull do), nga të cilat fitojnë vetëm të pandershmit e paskrupull e asocial. Kjo gjë është e padobishme për bashkësinë e sidomos për ata vetë.

Duhet më në fund të bindemi se vetëm në një shtet të fortë ka individë të fortë (e të sigurt), vetëm në një shtet të pasur ka individë të pasur e mirëqenie, ka mbrojtje sociale për më të varfrit e më të dobëtit.

Vetëm një shtet i fortë, një shtet i ligjit mund të na mbajë nga shkatërrimi i njerëzve të pafytyrë dhe të marrë.

  1. Korrupsioni, kryefjala e ditës

Një nga temat më të përfolura në mediat shqiptare dhe fjalimet partiake, në bisedat e kafeneve e tryezat me ushqim të bollshëm (sigurisht dhe me pije), subjekt themeltar i çdo shpifjeje dhe sharje ka qenë korrupsioni. Duhet të pranojmë se shumica dërrmuese e njerëzve nuk janë të interesuar për drejtësi (në gjithë kuptimet e fjalës) në këtë çështje.

Çdo ditë që shkon, shtohen shifrat, shtohen njerëzit që përfliten. Jam i bindur se në fund të shekullit do të rezultojnë të korruptuar jo vetëm tre milionë shqiptarët, por dhe një pjesë e mirë e arbëreshëve dhe arvanitasve.

Kuptohet që për shumicën të korruptuar janë dhe ata që fitojnë nëpërmjet “spekulimit”, që është vetë ekonomia e tregut. Në këtë tymnajë, ata që dëshirojnë apo janë të interesuar, kanë shesh për përshesh. Ata shajnë më shumë se kushdo. Po të mblidhen shumat e vjedhura (?!) nga numri i pafund (!) i pushtetarëve të korruptuar (nga lukuria, siç i quan K.B), i partiakëve etj. etj. rezulton që në Shqipëri të jetë bërë hataja.

Për t’ia u bërë të besueshme atyre që duan dozën e përditshme të luftës (sharjeve) kundër korrupsionit japin dhe ” njoftime ” (asnjëherë të konfirmuara) të FMN (deri dje armik i tyre për vdekje) e ndonjë tjetri nga e majta Evropiane që kërkon të dijë ku humbën paratë e tyre në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar duhet të dijë që ato para paracaktohen, miratohen, administrohen dhe kontrollohen nga vetë donatorët, të cilët dhe kur japin kredi, i caktojnë vetë rrogat e tyre (gjithnjë me 5 shifra).

A ka korrupsion në Shqipëri? Sigurisht që po. A duhet luftuar? Pa dyshim duhet. A luftohet si duhet? Fatkeqësisht jo.

Gjate 5 vjetëve të qeverisjes së PD-së janë hequr pushtetarë të lartë në qendër dhe pushtetin lokal e punonjës të tjerë të shumtë. Kjo tregon se dhe është luftuar. Drejtësia mund të kishte ndihmuar në këtë fushë. Urojmë ta bëjë tashti.

Për të bllokuar dhe parandaluar veprimtaritë korruptive duhen ligje dhe struktura për zbatimin e tyre. Duhet vullneti politik dhe detyrimi ndaj ndjenjës së drejtësisë që të realizohet kjo, veçse duhet dhe gjykimi negativ i publikut ndaj dukurive të tilla.

Për këtë ka përvojë të pasur të vendeve perëndimore dhe gatishmëri bashkëveprimi me to. Për evazionin fiskal dhe kontrabandën ka struktura përkatëse, por ka patur dhe mbrojtje nga ana e organeve të drejtësisë gjë që nuk duhet të ndodhi më. Roli i Prokurorisë, i Policisë Kriminale, i strukturave të Ministrisë së Financave dhe Shërbimit të Kontrollit të Shtetit dhe vetëm i tyre është vendimtar. Shërbimi Informativ Kombëtar për nga ligji ekzistues nuk ka këtë detyrë, veçse kur një veprimtari e tillë synon përmbysjen e rendit kushtetues.

Nëse përfton të dhëna të dobishme për luftën kundër krimit në ekonomi, duhet t’ia kalojë këto strukturave përkatëse. Nëse duhen struktura të tjera për luftën kundër krimit të organizuar apo koordinimin e kësaj lufte, ato le të ngrihen sipas përvojës perëndimore dhe nevoja për të le të gjykohet sipas problemeve dhe rezultatit që do japin (po përmend këtu nevojën për një strukturë sado të vogël pranë Këshillit të Ministrive – si organ ekzekutiv – në formën e një Inspektimi Shteti).

Përgjithësisht kontrolli kundër fshehjes së fitimit, fshehjes së pasurisë, pastrimit të parasë etj. bëhet dhe nëpërmjet legjislacionit të hartuar për këtë qëllim. Ky kuadër ligjor duhet të plotësohet sa më parë. Mjaft akte edhe janë përgatitur me përvojë e ekspertë të huaj.

Përsa i përket pushtetarëve, problem që do të jetë gjithnjë i pranishëm në mediat dhe tryezat (jo politike), zgjidhja ligjore ekziston dhe thuajse e plotë, e cila, në gjykohet e arsyeshme, dhe mund të përmirësohet. Ligji për deklarimin e pasurisë së nëpunësve që mund të korruptohen, për mendimin tonë është i mjaftueshëm dhe po të vihet realisht në jetë është mjaft efikas. Ai mund të vihet në veprim duke ngritur dhe struktura më të plota e vetëm për këtë qëllim.

Nga përvoja besoj se duhet sa më parë dhe ligji për tatimin mbi trashëgiminë dhe dhuratat. Mendoj se të ardhurat e pronat që vijnë me këtë rrugë nga persona pa lidhje të afërt farefisnie, për nëpunësit nën kontroll, të jetë jo 40% sa e ka shumica e vendeve, por 70%.

Jam i mendimit se për t’u mbyllur ose reduktuar në përmasat minimale ky kapitull i përfoljes masive, këto veprime duhen bërë sa më parë.

Kjo çështje ka dhe një aspekt moral. Edhe kohë më parë, por sidomos sot me ndryshimet e bëra, akuzohet një klasë e tërë politikanësh, ndërkohë që nuk jepen emra të veçantë e as bëhen akuza konkrete. Këtij avazi po i përmbahen dhe artikullshkruesit e deridjeshëm të emëruar politikanë me grykën e kallashit.

Ky qëndrim rrezikon të kthehet në modë (nuk ka hajdutë, por vetëm politikanë që vjedhin) apo gjykime apriori dhe kundër tyre sot dhe nesër. Shqiptarët duhet ta kenë të qartë që ashtu siç nuk janë të gjithë bashkëkombësit hajdutë, ashtu nuk janë të tillë apo të korruptuar të gjithë politikanët. Pikërisht për këtë arsye, vetëdeklarimi dhe verifikimi i pasurive të tyre paraqet interes për përcaktimin e mëkatarëve dhe seleksionimin e tyre.

  1. Krimi i organizuar infekton shtetin

Qëndrimi ndaj krimit të organizuar që përflitet e lakohet në “shifra” e  “fenomene”, është një tregues tjetër i ndershmërisë së shoqërisë shqiptare. Rrallëherë dëgjojmë gjykime realisht kritike dhe qëndrime e veprime zyrtare ndaj dukurive negative, si kontrabanda, trafiku i drogës, i klandestinëve, i prostitucionit, bandat e rrugëve, gjobëvënësit apo mashtruesit financierë. Të gjithë përflasin emrat e tyre, por ata rrallë përmenden në gazeta, madje dhe kur ndalohen, nuk jepen emrat e tyre. Kështu nuk luftohet krimi i organizuar. Qytetarët kanë të drejtë t’i dinë, t’i njohin, t’iu shmangen. Ata duhet t’i jepen drejtësisë, të mos lejohen në punë shteti apo kontakte me të, në të kundërt ata do të infektojnë shtetin. Ata s’kanë të drejtë të kenë (dhe tërthorazi) mbrojtjen e shtetit. Kështu bëhet në gjithë botën, kështu qytetarët kontrollojnë shtetin nga infiltrimi i krimit të organizuar.

Është e rëndësishme dhe imperative që shteti, për të ruajtur veten dhe shtetasit, të mos jetë tolerant ndaj krimit të organizuar dhe atij financiar. Për këtë, mbi bazën e përvojës së huaj, duhet të plotësohen ligjet ekzistuese dhe sipas nevojës të hartohen të reja, ndër të tjera për t’i paraprirë rritjes së krimit. Çdo lëshim sot, kur krimi është në hapat e para, do të jetë me pasoja nesër. Duhet gjithashtu të rritet forca parandaluese e policisë, ashtu dhe forca goditëse nëpërmjet pajisjes më të mirë, kualifikimit dhe krijimit të strukturave të profilizuara. Pra, të gjitha këto do të jenë pa vlerë, po qe se nuk do të ngarkohet në të njëjtën masë dhe drejtësia.

  1. Shtypi, urgjent ribërja e ligjit

Një botë e re, një shoqëri e hapur për të gjithë, me shanse dhe të drejta të njëjta për këdo, kërkon transparencë në gjithçka. Për të arritur këtë, një rol vendimtar luajnë mjetet e informacionit. Pa media të lira e pa konkurrencë ndërmjet tyre, kjo gjë nuk mund të sigurohet. Dezinformimi apo larja e trurit me propagandë boshe e të rreme, që nuk ka asgjë të përbashkët, sjell me kohë reagime të papëlqyeshme. Vetëkuptohet që një informim real kërkon punë të kualifikuar, gjë që nuk e shohim sot ku informacioni i tipit bolshevik dhe dezinformimi i vazhdueshëm pa fakte apo argumente, pa shifra e të dhëna të kontrolluara, bombardon lexuesin duke krijuar vetëm imazhe të rreme (por të kërkuara) për ngjarjet dhe për njerëzit. Do të ishte çudi nëse veprime të tilla nuk do të arrinin të luanin rol negativ në ecurinë e jetës ekonomiko-shoqërore të vendit (zor të mos e kemi pësuar një gjë të tillë në këto vitet e fundit). Duhet sa më parë të ribëhet ligji i shtypit (të tillë kanë gjithë vendet demokratike) për të siguruar lirinë dhe përgjegjësinë e informacionit. Duhet të përmirësohet ligji për mediat televizive dhe radiofonike duke e bërë më liberal për t’i hapur rrugë iniciativës dhe krijimit të lirë, informimit të papenguar dhe konkurrencës normale.

Përsa i përket vërejtjes që dëgjojmë shpesh për mungesën e vërtetësisë dhe seriozitetit në dhënien e lajmeve, unë mendoj se kjo duhet të preokupojë më shumë pronarët dhe punonjësit e gazetave për pasojën e mosshitjes së gazetave në një të ardhme të afërt, kur publiku të fillojë të mos i besojë dhe për pasojë nuk do t’i lexojë.

  1. Të huajt “drejtojnë” Shqipërinë

Së fundi, të huajt që seleksionojnë, këshillojnë, mësojnë apo udhëzojnë partitë politike, politikanët dhe politikat shqiptare, nuk bëjnë gjë tjetër veçse marrin mbi vete “drejtimin” e Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjë jo dhe aq e lehtë për një perëndimor të përkohshëm e kalimtar në këtë dhe që, veç të tjerave, nuk i njeh dhe kupton shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Në këtë rast, kur lufton, përpiqesh e merr mbi vete të “drejtosh” shqiptarët, më e pakta duhet t’u plotësosh mundësitë dhe kërkesat ekonomike, gjë që deri më tani nuk po e bëjnë (kujtojmë këtu : i ngopuri nuk mund të kuptojë të uriturin). Sidoqoftë, u takon atyre të vendosin formën e ndihmës dhe praninë (apo ndërhyrjen) e tyre përderisa këmbëngulin të “drejtojnë” ata e të vlerësojnë drejtimin e shqiptarëve e vetëm ata, sepse me sa duket kanë arritur në përfundimin se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë këtë apo nuk duam.

  1. Spastrimet në administratë, ose viti zero

Spastrimet e fundit në administratën qendrore, aspak në përputhje me praktikat demokratike e në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, hapin spiralen e përsëritjes së pafund të këtyre sa herë që do ndërrohen partitë apo njerëzit në pushtet. Ky është dëmi më i madh që i bëhet Shqipërisë, fillimi çdo herë nga e para (apo viti “0” sipas modelit musolinian, që proklamojnë sot disa nga drejtuesit e shtetit ).

Nuk ka fatkeqësi më të madhe se krijimi i një administrate provizore, me njerëz të emëruar “formalisht” me kritere partiake (qoftë dhe pazar brenda koalicionit), në fakt sipas kritereve të interesave krahinore e krahinalizmit. Në këtë rast dhe pushteti do jetë kalimtar. Më keq akoma kur kjo merr trajtat në administratën qendrore  (dhe në çifliqet e komiteteve) të spastrimeve sipas “biografisë” apo luftës së klasave, rezultatet e së cilës janë të njohura mirë për shqiptarët.

Nga kjo gjë duhet hequr dorë sa nuk është akoma vonë, duke zbatuar ligjin dhe praktikat perëndimore. Dhe kur flasim për ligjet, desha t’ u kujtoj qeveritarëve të sotëm që të mos gënjejnë shqiptarët se çdo gjë që bëjnë ata, bëhet për herë të parë.

  1. Kopjimi i të keqes

Po dëgjojmë shpesh, kur bëhet një e keqe që kështu e bëtë dhe ju

(PD-ja) përpara nesh. Nuk ka turp më të madh për një qeveritar të vetëquajtur demokrat. Të përligjësh të keqen “se kështu kanë bërë dhe të tjerët” është fatkeqësi; ajo nuk u duhet lejuar as fëmijëve.

  1. Në Europë, po ndryshuam

Dhe së fundi, kthehemi te titulli dhe nëntitulli i këtij shkrimi. Ne duhet të ndryshojmë, ndryshe jemi të humbur. Reforma ekonomike, ekonomia e tregut të lirë ka faturë dhe treguesa të perceptueshëm nga cilindo, nga çdo familje shqiptare. Ajo rrit ose ul mirëqenien ekonomike të secilit prej shqiptarëve. Gjendja e shokut të këtij viti dhe pritshmërisë që pason, nuk mund të vazhdojë më. Rimëkëmbja e opozitës gjithashtu do t’iu hapi sytë njerëzve në drejtim të vlerësimit real të “kolapsit të deridjeshëm të ekonomisë shqiptare”, “gjithçka që po bëjmë nuk dihej dje”, “vendosjes së rendit”, “mënjanimit të korrupsionit e kontrabandës”, “fillimit të punës”,  “shtimit të ndihmave të huaja “, “mbështetjes totale për demokracinë e re ” të shoqëruara këto me buzëqeshje të palëve në TV, etj, etj. Të gjitha këto, realiteti dhe gjykimi real për gjendjen në vend, mund të krijojnë rreziqe e mundësi për një tragjedi të re (e dyta gjithnjë më e tmerrshme). Detyra e forcave politike dhe njerëzve me mend është të shmangin e të parandalojnë këtë. Për këtë arsye duhet një moral i ri politik. Çdo vazhdim i praktikave të vjetra e me njerëz të tyre do të sjellë dështim. Ne shqiptarët jemi racë e fortë, dimë të ngrihemi përherë në këmbë (ani se rrëzohemi prapë dhe më keq), por me sa duket dimë shumë mirë që “për inat të sime reje, shtifsha tim bir në dhe“. Unë jam i bindur se po ndryshuam, do të jemi shumë shpejt realisht europianë; po këmbëngulëm në të vjetrën, do zhdukemi.

*Botuar në gazetën “Koha Jonë” më 7 Dhjetor 1997

 

April 26, 2018 10:49
Komento

5 Komente

  1. Doni apo nuke doni ju o mije kenetash,DREJTESIA do te BEHET. April 26, 12:12

    Na tregon rrugen Aleksandri,ne nje kohe qe harron te kerkoje falje per piramidat finaciare,pra firmat rentjere qe lulzuan gjate sundimit Berisha e qeverisjes “indiferente’servilje te peshtire Meksi qe la pas mijra vitima te tjera e mijra te pastre dhe nje Tirane te kthyer ne shurrtore,kjo nje padije?Jo, por nje vazhdim i se keqes per te bere te ndershmin kure vete ishte dhe mbetet bashkefajtore.Tashme per keta tipa mizakali dje dhe sot mije kenetash i mbetet Vettingut te thote fjalen e tije.Kurse sa per friken qe kane akoma nga ballisto-zogistet,sozi te tyre,ai me sozi gabuan,se ballisto-zogistet e kishin pushtetin,por kurre nuke internuan familje,e persekutuan fise,aqe sa kryen si vellezerit e tyre dikatura komuniste qe ne nisjen e saje.Gaboheni,krimet ballisto-zogiste mbeten ne minorance ,kundrejt cmedurise komuniste per nga viktimat qe barazohet me bishen nazifashiste qe i shkatuan popujve dhjetra miljona viktima e qytetet te djegura,apo te tjetersuar deri ne humbjen e indentitetit,aqe sa ne disa vende nuke e bene as pushtuesit shekullore turqit osamane.Pa harruar se Tirana eshte i vetmi qytet ne Europe qe nuke ka nje indentitet,apo stacion treni, apo metroje ne qendren e saje,ku dhe ai stacion qe ishte futuroje ne Kashare,dhe kjo per nga pangopesia per leke te piset e pushtet brenda ligesise.Se fundi duke mos harruar nje tender qe eshte hapur per ndertimin e rruges hekurudhore ne drejtim te aeroportit te Rinasit,Nene Tereza,dhe aty stacioni nuke parashikohet te ndaloje prane saje por disa minuta larg.Kjo nje cudi?Perseri jo,Por si gjithmone prish e nderto,grabit e mashtro sa ke pushtetet.Por gabojne tashme po vjen dita qe te paguajne cfare kane grabitur nga fuqia e pushteteve,si dje dhe sot.Askush nuke do te jete me mbi Drejtesine.O te pabreke qe ju la dita dhe miljonere ju ngrysi nata,kure e djeshmja dhe e sotmja do t’ju mbetet nje enderr,dhe e nesermja nga sueprluksi me fuqine e pushteteve,ne bangen e akuzes dhe burgun e Recit ne nje fund te turpshem dhe pa kthim.Jane mijra nena,e gra te veshura me te zeza,dhe mijra femije te mbetur jetime,si dhe nje pasuri kombetare e private e grabitur dhe e tjetersuar nga politikat tuj bastarde ne Tiranen zyrtare ne dite e vite,qe kerkon Drejtesi dhe jo lojra fjalesh e lloqe beratsish;thote populli.Besoni,binduni dhe rrefehuni,qe SOVRANI,SHBA,BE e Ligji dhe ZOTI t’ju meshirojne.

    Reply to this comment
  2. Gezimi April 26, 12:46

    …te huajt qe “drejtojne”….Por pse ne thonjza? Apo nga qe i paguajme per te na drejtuar ose “drejtuar” pak rendesi ka. E rendesishme eshte se ky drejtim apo “drejtim” nga ata eshte arsyeja kryesore e situates tashme ekonomike, ligjore, korruptive e degjenerative qe gezojme sot!

    Reply to this comment
  3. Musai April 28, 20:46

    Meksi te deklaroje burimin e pasurive qe pas kaq vitesh i ka futur ne pune nepermjet te birit. Ke patur dore te rende edhe ti Aleksander dhe shpresoj qe nje dite te te verifikohen edhe ty si gjithe ketyre ish pasardhesve te tu. Bashke me ate vellain tende kanakar Agron Musarajn ish ministrin e brendshem me te korrutpuar qe ka nxjerre shqiperia dhe qe ja sillnin me helikokter dhrahmite. Ai dhe qeveria jote jane kultvuesit e pare te droges ne shqiperi. Musaraj eshte i fiksuar edhe ne raportet e departamentit amerikan te state.Besoj qe do dalin nje dite..

    Reply to this comment
  4. Agron April 30, 13:24

    Sa pallate ka bere Meksi duke qene vete nen hije ? Sa sheshe ndermjet pallateve egzistuese jane dhene me firmen e tij apo te njerezve te PD per ndertime pallatesh skifoze ? Si u prish dhe u shkaterrua e gjithe ajo pasuri shteterore ? Meksi jep mend dhe moral pasi ja doli te behet milioner ne euro pa i hyre gjemb ne kembe! Vettingu duhet te perfshije edhe kete lloj skote te qelbur + prokurore , gjygjtare, notere , Genc Ruulera , Salira etj qe nuk kane asnje lloj shpjegimi per pasurine qe ju ka rene ne koke ! Tung

    Reply to this comment
  5. Defja April 30, 19:16

    Meksi me mire te mos shkruaje. Nuk ke goje ti besh moral Shqiptareve. Ti ke pjesen tende ne shkaterrimin e shtetit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim