Morri, parazit i keq, por dhe frymëzues!

November 5, 2012 10:33

Morri, parazit i keq, por dhe frymëzues!

Kulturë urbane

Në letërsi, në këtë hapësirë magjike botërash e marrëdhëniesh mes tyre, e hasim morrin dhe si frymëzim letrar, duke e breruar jo atë vetë, se sa vetë njeriun që dhe me këtë minikrijesë, yshtet të ketë një raport paqeje

 

Ermir Hoxha

 

Bardha, një edukatore çerdhje e qëmotshme, thotë se këto 20 vite ndryshimet e shumta kanë përfshirë dhe raportin e njeriut me morrat. Kryesisht të fëmijëve, që sipas saj, ishin kategoria më e ndjeshme, për shkak se si në çerdhe, në kopshte e shkollë, i nënshtroheshin një kontrolli të rreptë në kokë, se mos e kishin të populluar më morra. Ndërsa sot, sipas saj, edhe pse kontrollet nuk janë më si dikur, mund të thuhet se solucionet e shumta në trajta shamposh, por dhe rritja në përgjithësi e nivelit të jetesës, ku përfshihet dhe trajtimi higjienik i fizikut të njeriut, e kanë bërë më pak të përhapur fenomenin, që haset në shtresa të caktuara që jetojnë në standarde të ulëta jete e higjene. Atë kohë, siç thotë edukatorja në fjalë, flitej se morrat shkaktoheshin dhe nga vetë sapuni që përdorej në masë nga njerëzit. Ishte një sapun në përbërje të të cilit kishte vajra që ndoshta provokonin pasjen e morrave.

 

Sigurisht, ishte e rëndë për një fëmijë që t`i gjendeshin morra në kokë dhe zakonisht nuk kursehej vajguri si solucion bazë rrethanor për të luftuar flamën me emrin morr, që më shumë se dëm fizik, të dëmtonte emrin, prestigjin e nderin në shoqëri. Mund të të sulmojnë tartabiqët e veç sikletit të kruajtjes pas pickimit, nuk vuan moralisht. Ndërsa me morrat është ndryshe. Dhe kjo mbetet mister, që edhe pse ngjashëm me tartabiqët që gjallojnë duke të pickuar e thithur gjakun, ata të godasin dhe në statusin social, duke ta ulur rëndshëm, deri në të quajturit morracak. Kjo, edhe po nuk qe vërtet bartës morrash. Nëse nisemi nga pështirosja që mund të vijë prej morrit, i tillë fjala vjen është dhe një brejtës si miu, por artistikisht ai ka arritur të konvertohet në një krijesë simpatike si ajo e Xherrit, fjala vjen.

 

Ndërsa fjala morr vijon të mbetet me ngjyrim negativ e pështirosës, si në rastin kur është fjala për një morr konkret e si në rastin e një bartësi metaforik morrash, morracak. Por në letërsi, në këtë hapësirë magjike botërash e marrëdhëniesh mes tyre, e hasim morrin ama dhe si frymëzim letrar, duke e breruar jo atë vetë, se sa vetë njeriun që dhe me këtë minikrijesë, yshtet të ketë një raport paqeje, duke e potencuar në një moment specifik, si pjesë e papërjashtueshme e jetës. Veçanërisht në ushtri, ku në fakt, më shumë se askund tjetër, bën kërdinë.

 

Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë e përcjell një ndër figurat me të njohura të gazetarisë e publicistikës italiane të pas-luftës, i ndjeri Xhani Granxioto, në librin e tij me kujtime “Vjosa ime e dashur”, si ushtar në frontin italo – grek, në afërsi  të Tepelenës. Më pas, është një pasazh i marrë nga “Ushtari i mirë Shvejk”. Por po ashtu, është veçuar dhe një material rrëfimtar, pa nota letrare, ku tregohet përvuajtja e një fëmije nga morrat dhe e gjyshes së saj që lodhet t’i bëjë derman së mbesës. Ky rrëfim është pjesë e një libri memuaristik ku tregohen përipecitë e ekzistencës së një familjeje në komunizëm, ku gjysma e anëtarëve është burgosur e gjysma është internuar.

 

E mbi gjithë hallet, pjesës në internim i shpifen dhe morrat, duke dyshuar se edhe aty partia me “edukatoret” e saj, sajonte situata për t`i goditur armiqtë me morra; duke ua futur ato në kokë pinjojve të tyre të veckël në çerdhe a kopësht ku ndodhesin, duke e trajtuar parazitin në fjalë si aleat në luftën e klasave. Por, për arsye etike, librit në  fjalë nga është marrë pasazhi rrëfimtar, nuk ia publikojmë as emrin e as autorsinë, ndonëse është prej vitesh në qarkullim. E më poshtë janë dhe dy pasazhet e tjera të shkëputura, njëra nga libri memuaristik i Xhani Granxiotos “Vjosa ime e dashur”; dhe tjetra nga kryevepra Hashek-jane “Ushtari i mirë Shvejk”

         

Rrëfimi (në anonimitet autorësie)

Kur Xhija, kujdestarja e çerdhes, më tha “vajzat` asht ny pak”, unë nuk e kuptova. Jo për punë të dialektit, por sepse atë lloj të “nymi”, pra ishte fjala për morrat, thuajse e kisha harruar. Megjithëse u përpoqa ta gjeja shkakun, nuk arrita. Jashtë çerdhes Ana nuk shoqërohej me asnjë fëmijë. As që më shkonte nëpërmend se kjo “nymje” mund të bëhej fare kollaj atje. Duket se vazhdoja t`i idealizoja ato institucione ku prindërit i dërgonin fëmijët nga nevoja. Në çerdhen e vjetër, ku qe drejtoreshë Syri Lohja, ky qe një episod, por kur Ana kaloi në çerdhen e re, të drejtoreshë Drane Martinit, u kthye në një traumë për Anën e na nxiu jetën dhe ne. ndaj dhe po shkruaj për të.

 

Një natë më parë Zana, me porosi të kujdestares, ishte marrë më se një orë me pastrimin e kokës së Anës. Një gjendje tensioni, nervozizmi e pështirosjeje na kishte pushtuar, ndaj dhe iu shkarkuam Gimit që na kërkonte ta shikonte një nga ata parazitët të panjohur për të. Të nesërmen zbrita unë me Anën. Ishte ditë e ftohtë shkurti. Nxitoja se duhej të shkoja në magazinën e Shëngjinit. Në hyrje të çerdhes priste drejtoresha e ngarkuar sa s`vete me autoritet e seriozitet. Shpupuriti flokët e Anës me një tërsëllimë të madh e më tha: “Nuk e pranoj, është e papastërt”. I tregova se si e kisha punën, por me arrogancë m`u përgjigj se asaj nuk i duhej dhe mbylli derën. U nisa drejt stacionit dhe në autobus, duke shtrënguar fortAnën që qante duke përsëritur:“Nuk ka Ana mola”, për herë të parë, mbas gjithë atyre që na kishin ndodhur, lotova. Ajo mungesë ndjeshmërie ndaj Anës më kishte prekur thellë. Si ishte e mundur që njerëz të tillë merreshin me fëmijët dhe i lëndonin në atë mënyrë?        

 

Punëtorëve u tregova ç`më kishte ndodhur. Jupi shpejt ndezi një zjarr pranë të cilit ulëm Anën që vazhdonte të lotonte e t`u thoshte: “Nuk ka Ana mola”. Pastaj Jupi vajti e bleu një çokollatë në qytet. Në orën dymbëdhjetë më thanë: “Ik në shtëpi. Edhe po të vijë Abdullahi, i themi ne”. Po të mos kishte bota njerëz të tillë të mirë, si do t`i vinte halli….   

 

Nga libri me kujtime “Vjosa ime e dashur” e Xhani Granxiotos 

 

Gara e morrave

 

Në luftë, nga sa di unë, nuk u shpëtohet morrave. Vijnë të jetojnë me ty në palat e leshit të ashpër të rrobave ushtarake, në mbathjet e gjata, brezin e barkut, bluzën e trikotuar. Futen në qimet e gjoksit që i preferojnë më shumë se flokët, sepse koka është më e ftohtë, pra, një klimë më pak e butë. Për t`i hequr, ndonjëri ka provuar benzinën, vajgurin, ose thjesht me ujë dhe sapun, ose me ato pluhurat e bardhë që premtojnë zhdukjen e parazitëve. Nuk ke çfarë t`u bësh. Largohen për ndonjë orë, pastaj kthehen si të kishin shkuar të bënin një xhiro për t`u shtriqur pak. I ndjen të shëtisin nëpër trup. E vetmja mënyrë për t`i hequr, është ajo e çmorritjes jashtë: veprim që bëhet në mesditë kur del pak dielli sa për t’i dhënë qoftë edhe pak ngrohtësi pjesëve të zhveshura.

Ka mëngjese kur gjendemi të gjithë të rreshtuar pa xhaketat, këmishët dhe fanellat, me gjoksin zbuluar duke bubërruar në kërkim të morrave për t`i plandosur në dëborë. E dimë se gjuetia e tyre nuk vlen fort, as shfarosja. Do të kthehen. Radhët e tyre janë të panumërta, jeta e tyre e përjetshme. Porse çmorritja është një punë që të dëfren. Bëhet me humor të mirë, duke biseduar e duke bërë shaka. Kush gjen morrat më të mëdhenj, i tregon që të mund të admirohen. Diskutohet për racat, familjet, ngjyrat. Janë morra të hirtë, të kuq, të bardhë, të zinj, si lëkura e tigrit, të kryëzuarit, që janë me një lloj kryqi mbi kurriz. Ka edhe me pikëza apo me rrathë; nuk e di sa lloje zbulohen çdo herë.

Ordinancës tim, Kambiazit, i cili ka gjetur një morr vrapës shumë të shpejtë në rrugën lart e poshtë nga kërthiza në qafë – ajo është zona e kullotjes së tyre- iu mbush mendja ta shfrytëzontë një fat të tillë. Organizoi vrapimet e morrave. Çdo pjesëmarrës bie kampionin e tij, të ruajtur me kujdes në një kuti shkrepëseje. Vrapuesit vendosen mbi një tryezë të madhe magazine, të gjerë e mjaft të gjatë. Me nisje rreshtohen dhe duhet të bëjnë një rrugë të caktuar deri të një vijë e shënuar me shkumës tre ose katër metra më tej. Si bëhet për t`i vënë të vrapojnë? Pronarët e morrave janë pajisuar me një kleçkë të vogël, sipas gjatësisë së paracaktuar, me të cilin nxitin kampionët e tyre që të ecin dhe të ndreqin trajektoren, kur shmangen anash e madje edhe bien poshtë tryezës, gjë që sjell përjashtimin nga vrapimi. Ka një arbitër të garës. Shpeshherë jam ngarkuar ta bëj unë këtë detyrë. Arbitri jep shenjën e nisjes dhe vrapimi fillon. Pronarët e morrave i nxitin, i flasin morrit ashtu si të apasionuarit e qenve u flasin qenve. Nëse morri nuk bindet, i bërtasin, arrijnë deri aty sa e rrahin me kleçkën e vogël. Ndonjë morr, i trembur ose shpërfillës, rrotullohet dhe kthehet prapa. Njeriu i tij gulçon që ta bëjë të ndryshojë drejtimin, e bën të rrotullohet duke e prekur me kleçkën. Ndodh që dhe morri përmbyset e përfundon me këmbë përpjetë. Ndodhin tragjedi.

Për morrat vihen baste. Rreth pjesëmarrësve në garë ka turma spektatorësh që kanë vënë bast për këtë apo atë morr. Arbitri mban llogari për bastet, mbledh të hollat dhe vendos kuotat. Porsa morrat nisen, nuk mund ta ndryshosh më bastin. Kur vrapimi mbaron, arbitri shpall radhën e mbërritjes dhe në bazë të kësaj shpërndahen fitimet. Tashmë jam bërë ekspert. E nëse nuk do të isha arbitër, do vija baste dhe unë. Morrat me kryq, me vijën e zezë që u përshkon kurrizin, janë më të mirët.

 

Nga “Ushtari i mirë Shvejk”

 

Karriera e morrit

 

…tregona diçka për morrat.

 

Ushtari me fshesë në dorë u kollit dhe zuri:

 

Fronti është plot me morra; anembanë

në tërë trupin morrat po na hanë,

Dhe gjenerali ynë i nderuar

çdo natë në krevat

me morrat duke luftuar,

i gjori s`gjen rehat.

Morri n`ushtri s`mërzitet asnjëherë

e po s`e vrave bën dhe karrierë…

Ky morracak

austriak  

dëfrehet

kur ndërzehet

Nga morri i Prusisë

 

 Ushtari-mësues u ul në fron e psherëtiu:

-Ja, kjo është e tëra. Për shkak të kësaj është e katërta herë që jam marrë në pyetje nga zoti hetues.

-Të thuash të vërtetën, s`qenka gjë e madhe, – tha Shvejku si njeri me shkollë.

-E tërë puna është se cilin do ta quajnë morracak të vjetër austriak. E keni bërë mirë që e keni vënë aty atë punën  e ndërzimit. Me atë ju do t`i ngatërroni aq shumë, sa do t`jua bëni mendjen dhallë. Ju mjafton t`ju shpjegoni se morracaku është mashkulli i morrit dhe se morrit femër mund t`i hypi vetëm morracaku mashkull. Ndryshe s`shpëtoni dot nga belaja. Është e qartë se ju këtë s`e keni shkruar për kënaqësinë tuaj vetjake dhe se tamam ashtu siç i thonë mashkullit të maces maçok, mashkullit të morrit gjithmonë i thonë morracak.

November 5, 2012 10:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*