Mos e nisni martesën duke gënjyer (+16)

August 8, 2019 03:32

Mos e nisni martesën duke gënjyer (+16)

PYETJE:

Doktor, Doja të dija në se ka ndonjë mënyrë që të zëvendësohet himeni me anë të operacionit?

Unë nuk jam e virgjër, por do të martohem me një djalë që pret të jem e virgjër natën e parë të martesës. E kuptoj që mund të habiteni nga pyetja ime, por vërtetë kërkoj ndihmën tuaj.

Faleminderit.

 

PËRGJIGJE:

Shqetësimi yt nuk është as i çuditshëm e as i pazakontë. Shumë vajza kërkojnë të dinë  lidhur me eksperiencat e tyre seksuale. Ato duan të dinë si të sillen me partnerët ose  bashkëshortët e ardhëm, kur kanë humbur virgjërinë dhe nuk duan ta humbasin të gjithë marrëdhënien. Ato mendojnë të kryejnë operacione, që duken drastike dhe me rreziqe,  për ta rikrijuar  himenin. Edhe pse jo pa risk , ato vendosin ta kryejnë këtë operacionin, sepse u duket opsioni më i përshtatshëm në rrethanat e krijuara.

Edhe pse në dukje duket i kapërcyer nocioni i virgjërisë midis të rejave, besomëni, ka akoma shumë vajza të cilat e kanë humbur virgjërinë dhe që kërkojnë ta rikthejnë atë. Një pjesë e këtyre vajzave janë viktima të përdhunimit. Të tjera ndjejnë se kanë qenë të përfshira në marrëdhënie seksuale të papërshtatshme. Shumica, për arsye se djemtë me të cilët do të martohen, e kanë kusht që gruaja e tyre të jetë e virgjër. Një nga këto je edhe ti. Nga letrat e shpesh që marr lidhur me këtë subjekt, lehtësisht kuptohet, se shumica e djemve të sotëm, akoma, dëshirojnë të martohen me virgjëresha, ndërkohë, që shokët e tyre le të martohen me vajzat, me të cilat ata kanë lozur më parë.

Së pari, ju duhet të dini se “verifikimi” i virgjërisë nga ana e djalit, është jo aq i thjeshtë dhe shumica e djemve nuk arrijnë të kuptojnë nëse vajza është apo jo e virgjër. Është kjo arsyeja që shumë prej tyre tregohen mosbesues dhe të pakujdesshëm pas aktit të parë seksual me një vajzë të re. Janë të shumtë djemtë që pyesin: a ishte e virgjër vajza që nuk u gjakos e nuk pati dhimbje?. Është me shumë rëndësi të dini, se kur himeni  mungon tek një vajzë, kjo jo domosdoshmërisht tregon se  vajza ka kryer marrëdhënie seksuale penetrante. Himeni mund të shqyhet ose zgjerohet nga ecja mbi kalë, nga ushtrimet e baletit, nga ngjitja në një pemë, nga vendosja e tamponit dhe nga një ekzaminim gjinekologjik, madje, disa vajza lindin fare pa himen. Gjaku në çarçafët e natës së parë, që kërkohet si domosdoshmëri në disa kultura dhe shoqëri, siç është dhe e jona, nuk është tregues për kryerjen e aktit të parë seksual.

Ndryshe nga ajo që besojnë shumica e njerëzve, jo të gjitha vajzat gjakosen në penetrimin e parë vaginal. Një doktoreshë gjinekologe në Angli, kreu këtë studim të vogël e interesant disa vite më parë. Ajo intervistoi 41 doktoresha në një spital të Londrës dhe i pyeti lidhur me gjakderdhjen në aktin e parë seksual. Njëzetë e gjashtë nga këto doktoresha u përgjegjën se nuk kishin pasur gjakosje në eksperiencën e tyre të parë seksuale, ndërsa 14 ishin gjakosur. Një tjetër nuk e mbante fare mend se çfarë kishte ndodhur.  Mungesa e gjakosjes, në interkursën e parë vaginale tek shumica e këtyre grave doktoresha, u shpjegua me zgjerimet dhe shkatërrimet e mëparshme  të himenit për arsyet që përshkruam më sipër, ose sepse disa nga këto gra e kishin himenin, natyralisht, shumë elastik, ose kishin lindur pa himen. E solla këtë studim, për të treguar se kjo çështje është e ngatërruar edhe për vetë gratë doktoresha

Të provosh je ose nuk je e virgjër, ndonjëherë, është çështje shumë e ngatërruar dhe një shqetësim i madh për shumë njerëz. Kjo është kështu për mjekët, për familjet që dëshirojnë të rruajnë traditat e tyre kulturore, për burrat dhe për shoqëritë që besojnë tek virgjëria dhe pastërtia femërore, si dhe për vetë gratë.  Gratë, në shoqërinë tonë dhe në shumë shoqëri të tjera tradicionale, ndjehen akoma nën presion dhe  zbatojnë nocionin tradicional të dlirësisë. Ato ndjejnë frikën se turpërohen, poshtërohen, torturohen, abuzohen, madje deri edhe vriten, për humbjen e virgjërisë.

Një vajzë që mendon të kryejë një operacion për zëvendësimin e himenit, provon shumë emocione kontradiktore. Nuk ka dyshim se të tilla provon edhe ty, përderisa vendose të pyesësh. Është e kuptueshme që kërkimi i një “vërtetimi” fizik për virgjërinë, është moment shqetësues për ty dhe shoqet e tua. Ky është “vërtetim” për ndershmërinë, besnikërinë dhe për respektin reciprok ndaj bashkëshortit, cilësi që janë guri i qoshes për një marrëdhënie të shëndetshme. Gjithë këtyre faktorëve duhet t’u shtojmë edhe stresin që provon vajza, ndërkohë, që është në mëdyshjen e marrjes së këtij vendimi. Vajza është e shqetësuar, sepse kërkon të ruajë veten dhe dyshon për rezultatin.

Tani të vijmë tek ajo që ti të intereson më shumë, tek operacioni.

Procedura quhet hymenorraphy. Doktori rikrijon himenin duke qepur së bashku pjesët e mbetura nga himeni i shkatërruar. Operacioni mund të përfundojë me vendosjen e një kapsule xhelatinoze të mbushur me një lëng që ngjan si gjak. Kjo kapsulë do të çahet gjatë interkursës për të simuluar gjakderdhjen. Kur nuk ka mbeturina himeni të mjaftueshme, ose në rastet kur gruaja ka lindur pa himen, një pjesë nga mukoza e murit të vaginës përdoret për të krijuar këtë ind që mungon.

Procedura është relativisht e thjeshtë dhe kryhet ambulatorisht. Gruaja është mirë të shkojë për t’u rivizituar tek mjeku disa javë pas operacionit,  për të kontrolluar rezultatin e operacionit dhe për t’u çliruar nga problemet emocionale.

Në vendet e zhvilluara mendimet e mjekëve lidhur me operacionin janë të ndryshme. Në këto vende punët nuk janë si tek ne, ku doktorët e bëjnë pa hezitim operacionin. Disa kirurgë e konsiderojnë procedurën një formë të kirurgjisë plastike dhe kundërshtojnë ta bëjnë. Të tjerë mendojnë se operacioni përkrah pabarazinë gjinore, ndaj janë kundër kryerjes së operacionit. Të tjerë e konsiderojnë si jo etike kryerjen e operacioneve vetëm për shqetësime kulturore ose sociale.

Në vendet ku traditat kulturore i japin shumë rëndësi virgjërisë së nuses para martesës, operacioni i riparimit të himenit, përgjithësisht, është një procedurë e ndaluar me ligj. Ajo kryhet në mënyrë ilegale dhe me çmim të lartë. Çdo procedurë kirurgjikale e kryer ilegalisht, siç është edhe kryerja e abortit, i shqetëson mjekët sepse mungojnë standardet e asepsisë dhe antisepsisë, vështirësohet mënyra e trajtimit mjekësor të pacientes dhe rrezikohet reputacioni i mjekut. Disa vajza, për këto operacione ilegale paguajnë deri në 2000 dollarë, kur kosto reale është 100 dollarë në vendet ku procedura është legale. Unë nuk e di në se procedura është e ligjshme ose jo në Shqipëri!.

Mirë është ti bësh vetes këto pyetje dhe mundohu t’u japësh atyre përgjigje:

  • Sa e sigurtë je ti se burri i ardhshëm pret që ty të jesh virgjër?
  • A të ka thënë ai me gojën e tij se e do gruan të jetë virgjër?
  • Vërtet je e vendosur ta kryesh operacionin, kur e di se ai e do gruan të virgjër? Çfarë rëndësie ka virgjëria fizike, kur ti ke humbur virgjërinë etike dhe morale?
  • A e di ai se ka shumë gra që nuk gjakosen dhe nuk kanë dhimbje gjatë interkursës së parë seksuale.

Në qoftë se ti e di me siguri që ai pret që ti të jesh e virgjër, ti ke tre opsione:

a- Të vendosësh të kryesh operacionin. Ta gënjesh atë, të heqësh zemërimin e tij e të familjes dhe të ruash martesën e veten tënde.

b-Të rishikosh martesën me këtë burrë, që pret i bindur të martohet me një vajzë të virgjër.

c-T’i thuash atij të vërtetën dhe të presësh çfarë do të ndodhë.

Ti duhet të kesh për veten tënde përgjigje të qarta për këto pyetje:

a-A është i virgjër djali që do të jetë burri yt?.

b-A kërkon ti që ai të jetë i virgjër?.

c-Në qoftë se ai nuk është i virgjër dhe ti nuk e kërkon këtë, si ndjehesh kur ai kërkon që ti të jesh e virgjër?

Në qoftë se e ke të qartë se duhet të jesh patjetër e virgjër, pa pyetur për të kaluarën e të fejuarit tënd, atëherë, të jesh e sigurtë se do ta gjesh veten të përfshirë në një marrëdhënie jo të shëndoshë, me dikë që nuk respekton barazinë burrë-grua në martesë.

Në qoftë se ju të dy keni bërë një marrëveshje që të jeni të dy të virgjër në martesë, ti nuk je e ndershme me djalin dhe përpiqe ta gënjesh me një operacion që do ta bësh fshehtazi. Kur dy të rinj kanë gjetur forca ta diskutojnë çështjen e virgjërisë në të kaluarën, ata duhet të jenë të ndershëm me njëri-tjetrin edhe tani që do të martohen. Ta fillosh martesën duke gënjyer, është sikur ta ndërtosh atë mbi themele që lëkunden.

Këto çështje janë të komplikuara dhe marrja e vendimeve lidhur me to shkakton ankth. Çdo njeri, duhet ta  gjejë vetë atë që i duhet. Por deri sa operacioni për të rikthyer virgjërinë është tabu dhe ai kryhet në sekret, padyshim, që kryerja e këtij operacioni ka probleme.

Të uroj fat dhe jetë të lumtur martesore.

Doktor Adem Harxhi

Për Dita nga New York

 

 

August 8, 2019 03:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin