Mos i konsideroni këshilltarët si vrima e fundit e kavallit

Nga Petrit Zili August 9, 2013 19:00

Mos i konsideroni këshilltarët si vrima e fundit e kavallit

E nderuar Dita! Unë shkruesi i këtyre radhëve jam zgjedhur në pesë mandate anëtar i këshillit bashkiak Peshkopi , ku jam dhe aktualisht , pretendoj se e njoh mjaft mirë funksionimin e organeve të qeverisjes vendore falë dhe disa detyrave të tjera që kam kryer e që kanë qenë të lidhura pazgjidhmërisht me këto njësi.

Dua të them pak fjalë për trajtimin e këshillatrëve në bashki e komuna që shpesh konsiderohen si shtojcë bajate e administratës. Qeveria ka shtrënguar rripin aq shumë sa po i kërcasin kockat e legenit. Kjo ndodh pasi gjatë tetë vjetëve i mbajti “ pantollonat” lisho e fare pa ushkur , ndërsa tani i duhet të shpojë  vrima të reja në rripin rreckë. Një nga format është dhe mosdhënia për muaj të tërë  e shpërblimeve të këshilltarëve , atyre qindarkave që i ngjajnë një lëmoshe e që nuk mund të krahasohen me shpërblimet e cilitdo bord , qoftë dhe atij më mjeranit.

Në radhën e të anashkaluarve në pagesa pas invalidëve e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike në shkelje flagrante ligji duke bërë disa pagesa bashkë pasi janë lënë disa muaj pa paguar , futen dhe këshilltarët në disa një vendore.

 

“ Argumentet” që sillen për vonesat deri në dy – tre muaj të dhënies së shpërblimit për këshilltarët , kur shpërblimi është mujor, janë më se bajate. Kur administratat e bashkisë apo komunës paguhen normalisht në datën e caktuar , për këshilltarët kjo nuk ndodh sepse :” ka dhënë urdhër ministri që shpërblimet të mos jepen në një datë me pagat e administratës  ” ,             “ listpagesat  e shpërblimeve nuk i pranon thesari në 10 ditëshin e parë të muajit” , “ i kemi dërguar listpagesat , por i vonon Ministria” e të tjera të këtij kallëpi. Të flasësh më gjatë për faktin që “ duan të nxjerrin dhjamë nga pleshti” duke bllokuar e përdorur qindarkat e shpërblimeve nuk ia vlen , por gjesti ama është shumë i rëndë . Nëpërkëmbja  dhe nënvlerësimi i këshilltarëve në radhë të parë ka të bëjë me nivelin mediokër të administratës që nuk arrin të kuptojë që secili këshilltar është zgjedhur me vota e nuk është emëruar me “ laps plumbi” si administratorët, ndërsa nga ana tjetër tregon papjekurinë e drejtuesve të njësive vendore , veçanërisht atje ku ai është i së njëjtës ngjyrë me shumicën e këshilltarëve dhe e konsideron këshillin si “ aneks” të administratës , si vrima e fundit e kavallit.

 

Këshillat e bashkive dhe komunave tashmë kanë filluar të konsolidohen dhe janë  struktura të rëndësishme për qeverisjen vendore. Si organe vendimmarrëse , me të drejtë mund të quhen dhe parlamente të vogla. Ndonëse në hapësirën shqiptare ekzistojnë dhe institucione si këshilli i qarkut dhe institucioni i prefektit , të cilat në opininonin tim dublojnë njëri – tjetrin dhe shpenzojnë një sasi të konsiderueshme të buxhetit të shtetit , këshillat e njësive vendore , ose siç quhen “ këshilla të nivelit të parë të qeverisjes” janë të domosdoshëm dhe të pazëndësueshëm pasi marrin vendime të detyrueshme për administratat përkatëse.

 

Në shkallë kombëtare në këshillat vendore janë më shumë se 6000 të zgjedhur të cilët që me marrjen e mandatit bëjnë betimin se do të zbatojnë ligjet e kushtetutën dhe do të punojnë për interesat e komunitetit. Roli i këshilltarëve është i një rëndësie të veçantë dhe nuk mund të thjeshtohet vetëm me mbledhjet mujore. Detyrë e secilit këshilltar është që gjatë gjithë kohës të mbledhë shqetësimet e banorëve në njësinë  e tij dhe të ngrejë zërin për zgjidhjen e tyre.

 

Ndër detyrat e përcaktuara në ligjin 8652 , datë 31.07.2000 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore” është dhe miratimi i buxhetit , strukturës , nivelit të pagave për administratën e bashkisë / komunës dhe institucioneve në vartësi të saj , nivelit të taksave vendore , miratimi i prioriteteve për investime, dhënia e titujve të nderit  etj.

 

Ligji e kërkon që këshilltari të jetë në çdo moment në shërbim të komunitetit , ndaj për punën që bën ka caktuar që të shpërblehet me 10% të pagës së kryetarit në njësinë përkatëse. Këtu nis problemi.

 

Nga 491 këshilltarë  të zgjedhur më 18 shkurt 2007  në komuna e bashkitë e qarkut Dibër  189 ishin të punësuar në shtet , 155 në bujqësi , 67 merreshin  me biznes , 64 ishin të papunë dhe 16 pensionistë.

 

Në vitin 2011 nga 487 këshilltarë 155 janë të punësuar në shtet , 187 quhen si të vetëpunësuar në bujqësi pavarësisht se mund të ketë nën 500 metra katrorë tokë (natyrisht të shënuarit si të punësuar në bujqësi vetëm emrin kanë të tillë),  100 merren  me biznes , 07 punojnë në ndërtim, 14 të papunë  dhe 24  janë pensionistë.

 

Po t’u shtosh të raportuarve si të papunë edhe “ të vetëpunësuarit” në bujqësi , rezulton se gati gjysma e këshilltarëve janë realisht të papunë . Sikur të mos mjaftonte kjo sipas Ministrit të linjës dhe ligjit në fuqi  familjet e këshilltarëve  nuk duhet të trajtohen me ndihmë ekonomike.

 

Argumenti është se ata janë këshilltarë ( apo kryetarë fshati) , si  të tillë marrin një shpërblim dhe automatikisht nuk u takon të marrin ndihmë ekonomike . Edhe Kryeministri  në disa dalje publike i ka mëshuar kësaj teze, natyrisht pa e kuptuar se çfarë thotë e për çfarë po flet.

 

Në një tjetër shkrim për pyetjen  : a duhet të marrin ndihmë ekonomike këshilltarët që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër përveç shpërblimit si këshilltar, jam përgjigjur me “ po” pa ekuivoke duke sjellë argumentat përkatës.

 

Në ligjin nr. 8652 , datë 31.07.2000 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, neni  29 , pika 2 , saktësohet se “ Këshilltari shpërblehet për punën që kryen. Masa e shpërblimit vendoset nga këshilli përkatës mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”.

 

Dhe ky legjislacion lejon  shpërblim mujor  për këshilltarin deri në 10 përqind të pagës së kryetarit  të njësisë vendore pa vënë asnjë kusht, së cilës i hiqet më pas dhe 10% tatim.

 

Taksa e sheshtë  për shpërblimin –  një marrëzi

 

Shpërblimi i këshilltarit  në komuna shkon   rreth 4000 – 5000 lekë në muaj në varësi të pagës së kryetarit, ndërsa në bashki diçka më shumë .  Dhe këtij shpërblimi i mbahet ajo “ taksa e sheshtë”.

 

Të punësuarit, që janë njëkohësisht anëtarë këshilli në komunë e bashki, tatimin e paguajnë të paga në vendin e punës dhe tatimi i shpërblimit si këshilltar është “ një gjobë e dytë”. Pensionistët e biznesmenët po ashtu, paguajnë te pensioni apo te tatimet sipas ligjeve në fuqi.  Ka këshilltarë që janë zgjedhur njëkohësisht dhe në këshillin e komunës apo bashkisë dhe në këshillin e qarkut dhe në mënyrë të ligjshme marrin dy shpërblimet si anëtarë të këshillit të komunës ose bashkisë dhe si anëtarë  të këshillit të qarkut. Këta këshilltarë paguajnë dy herë tatim dhe po qe se janë në punë edhhe tatimin tjetër mbi pagën.

 

Këshilltarët e papunë , familjet e të cilëve  ligji nuk i lejon të marrin as ndihmë ekonomike , pasi marrin shpërblimin e këshilltarit, tatohen edhe për atë pak shpërblim që marrin që është disa herë më pak se një pagë minimale. Këshilltari tatohet 10% për atë shpërblim që i takon nga llogarirtja e 10% të pagës së kryetarit të njësisë vendore. Nëse një kryetar komune paguhet me pesëdhjetë mijë lekë , shpërblimi i këshilltarit është 5000 lekë dhe këtij 5000 lekëshi i hiqet tatimi 10% i barabartë me 500  lekë. Për këshilltarin mbeten 4500 lekë , ose 9% e pagës së kryetarit.

Ndërsa të punësuarit e kryesisht titullarët marrin qindra mijëra lekë dieta e nuk tatohen , këshilltari tatohet për një shpërblim sa një torbë miell. Në këto kushte këshilltarët kanë të drejtë të bëjnë sikur punojnë , kur shteti bën sikur i paguan.

 

Nga Petrit Zili August 9, 2013 19:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*