A ka “mbidozë” në seks?

Dr. Adem Harxhi November 8, 2017 18:10

A ka “mbidozë” në seks?

A ka mbidozë me seks? Këtë pyetje ma kanë bërë shumë lexues të rubrikës time në DITA. Burra edhe gra. Të gjithë me një lloj shqetësimi brenda vetes.

Më të shqetësuar janë burrat. Ata mendojnë se, po të bëjnë seks shumë shpesh, jeta e tyre seksuale do të jetë e shkurtër. Shumica e tyre mendojnë se sperma ka lidhje me palcën e kurrizit dhe seksi i tepërt dëmton palcën. Unë u jam përgjigjur atyre që m’i kanë bërë këto pyetje, por, meqë shqetësimi është i shumë njerëzve, po përpiqem ta analizoj më gjerësisht në këtë shkrim.

Përgjigjen për këtë pyetje “a ka mbidozim me seks?”, në kuptimin fiziologjik do ta formuloj kështu:

– Për gratë, JO. Ato, kurrsesi, nuk kanë mbidozim me seks.

– Për burrat, Mundet. Ata mund të kenë mbidozim me seks.

Le ta arsyetoj përgjigjen që sapo dhashë fillimisht për gratë.

Për një grua që nuk ka arritur në menopauzë dhe që është krejtësisht e shëndoshë, nuk ka, kurrë, mbidozim me seks. Ajo, vetëm, duhet të ruhet nga sëmundjet që transmetohen seksualisht dhe nga një shtatzëni e padëshiruar.

Gratë që heqin dorë shpejt nga seksi, pavarësisht arsyeve për këtë: sepse nuk dëshirojnë (për arsye të ndryshme, të veja, të divorcuara, të pamartuara, etj), ose sepse kanë kryer operacione që pengojnë marrëdhënien, patjetër do të përballen me disa rreziqe.

Dihet, që tek gratë pas menopauzës, mungon hormoni seksual femëror. Kjo bën që mukoza vaginale të atrofizohet. Në këto raste, marrëdhënia seksuale do të jetë me dhimbje dhe kjo e detyron shumicën e këtyre grave të heqin dorë nga marrëdhënia. Kjo çon në dispareunia, ose dhembje gjatë interkursës.

Për të gjitha këto arsye që parashtrova, si dhe për shumë arsye të tjera, unë u përgjigja që në fillim të këtij shkrimi, se për gratë nuk ka asnjë rrezik nga mbingarkimi me seks. Ato rrezikohen kur nuk bëjnë seks.

Si qëndron puna me burrat?

Ata shqetësohen për palcën e tyre. Ata mendojnë se me mbarimin e palcës do të mbarojë edhe jeta e tyre seksuale. Ky lloj shqetësimi, të cilin e përkrahin edhe disa mjekë të painformuar dhe e gjen të shkruar edhe në literaturën artistike, është i kotë dhe pa bazë shkencore.

Burrat duhet të kujdesen jo për palcën, por për penisin e tyre. Edhe ky organ shumë i rëndësishëm, ashtu si të gjitha organet e tjera, zhvillohet nga funksionimi.  Ju duhet të dini parimin e biologjisë revolucionare që “funksioni bën organin”. Provoni të mos e lëvizni njërin krah (ta vini në allçi), pas disa kohësh ai do të thahet.

Por, përtej këtyre, burrat dhe djemtë, duhet të dinë se, edhe ky organ i trupit, si të tjerët, gjatë punës ka nevojë që të pushojë. Po ta themi më thjesht, ka nevojë të marrë frymë.

Çdo burrë (edhe grua) e di, se normalisht, pas çdo ereksioni kalon në një periudhë zbutjeje. Pse ndodh kjo? Kjo është periudha kur ky organ merr frymë. Ai në këtë periudhë mbushet plot me gjak të oksigjenuar, por për të absorbuar oksigjenin, indi duhet të jetë i relaksuar. Po qe se ju nuk i jepni kohë të relaksohet, të pushojë, “të marrë frymë”, atëherë indet e tij nuk do të marrin oksigjenin që u duhet.

Burri që ka ereksione të zgjatura, do të ketë më pak oksigjen në indet e penisit të tij dhe do të vuajë priapizmin. Indet enjten dhe bëhen të dhimbshme. Presioni nga brenda fillon të rritet. Qelizat fillojnë të vdesin. Më shumë presion, më pak fluks gjaku. Eventualisht indet vdesin. Më vonë fillon cikatrizimi. Ja pse priapizmi, ose ereksioni me dhimbje, që zgjat mbi katër orë pa eksitim seksual, duhet të konsiderohet si një urgjencë mjekësore me shumë rëndësi.

Mbasi keni arritur një orgasmë, edhe pse ju dhe partnerja juaj dëshironi shumë që të arrini dhe një të dytë, çdo përpjekje që bëni është e kotë. Penisi juaj nuk ju dëgjon. Kjo është periudha që quhet refraktare, kur ky organ nuk i përgjigjet asnjë ngacmimi seksual. Kjo është periudha që ai kujdeset për veten e tij, është koha kur ai merr frymë. Pra, edhe pa kujdesin tuaj, “Nënë Natyra” i ka rregulluar punët e saj për bukuri.

Sot, që barna të tilla si Viagra, Cialis dhe Levitra, gjenden lirisht nëpër farmacitë, ato i përdorin edhe burra të rinj që nuk kanë nevojë për to. Ata i përdorin ato, vetëm për të shtuar forcën seksuale dhe për të arritur shumë nga gjërat e mira. Ata, në këtë mënyrë, vërtet, bëjnë më shumë aktivitet seksual, por nuk i lënë kohë të mjaftueshme këtij organi të rëndësishëm të trupit “të marrë frymë.”

Viagra dhe barnat e tjera si ajo, e rritin akoma më shumë rigiditetin e indeve të penisit. Këto barna bëjnë që një burrë të bëjë edhe një orgasmë të dytë ose të tretë, pa e lejuar penisin të bëjë pushim. Ka mjaft sportistë që përdorin Viagrën edhe pse janë shumë aktivë seksualisht.

Lind pyetja: Pse ata kërkojnë nga trupi i tyre diçka të paarsyeshme?

Djem dhe burra, miq të mi, mbani mend: Penisi, çuditërisht, është një organ me labilitet funksional të madh. Por çdo gjë ka kufi. Indet e penisit, po qe se ekspozohen në një ndeshje të zgjatur, ose në një mbushje të tejzgjatur, mund të pësojnë dëmtime, të cilat mund të mbeten për ngaherë.

 

Dr. Adem Harxhi

Dr. Adem Harxhi November 8, 2017 18:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*