Mos varfëroni të varfërit (Bisedë me një prift të pazakontë, për shtëpinë e Zotit dhe problematikat e sotme shqiptare)

Entela Resuli August 27, 2015 15:03

Mos varfëroni të varfërit (Bisedë me një prift të pazakontë, për shtëpinë e Zotit dhe problematikat e sotme shqiptare)

Kam dëgjuar një herë një shprehje që u thuhej priftërinjve të rinj sapo dilnin meshtarë: “mos ia shtoni askujt hidhërimin më shumë se sa e ka e mos ia pakësoni askujt gëzimin kur po gëzon” e më vjen të them me të varfëritë të paktën “mos t’ia shtojmë më shumë varfërinë”, madje duhen ndihmuar që të ringrihen”- na thotë Dom Gjergji, i cili nuk është një prift tradicional që komunikon vetëm me besimtarët e tij. Ai është nga ata klerikë që ka një marrëdhënie shumë të mirë me median. Sot e kemi ftuar në një bisedë, për të ndarë me ne disa momente nga jeta e tij, por edhe diskutuar mbi krizat sociale që prekin shoqërinë.

Dom Gjergj Meta të habit me thjeshtësinë që e karakterizon. Të krijon ndjesinë e një njeriu shumë të afërt teksa flet por edhe kur e lexon në shënimet e tij të shpeshta. Ai herë pas here nuk nguron të shprehet mbi fenomenet që e ngacmojnë në të përditshmen.

Në një rrëfim për “DITA” Dom Gjergji tregon për jetën, fëmijërinë në fshat dhe sfidat e vendit në ditët e sotme.

Në këtë bisedë ai sjellë qëndrimet e klerikut aq edhe të opozitarit të zhvillimeve të sotme të botës shqiptare.

Dom Gjergji, sapo jeni kthyer nga pushimet. A mund t’ju pyesim edhe ju, si kaluat dhe a ja vlejti. Dhe a e morët shërbimin për atë çka paguat?

Pushimet ia vlejnë gjithmonë, sidomos kur ato i bën në vende të bukura dhe me personat e duhur. Një prift në përgjithësi ka mundësinë e një muaji në vit pushime të vazhdueshme ose të ndërprera dhe një javë për tërheqje shpirtërore (d.m.th. një kohë vetmie në të cilën lutesh dhe reflekton si një hapësirë intimiteti me Hyjin). Sigurisht kalova bukur me miqtë e mi dhe me motrën time edhe pse ishin pak ditë. Isha kësaj here në Jug të Shqipërisë. Zoti i ka falur Jugut bukurinë e detit, por shpresojmë që njerëzit të rregullojnë akoma më shumë kulturën e shërbimit e cila m’u duk e dobët për hir të së vërtetës.

Dom Gjergji, si është mëngjesi juaj, jeni një njeri që zgjoheni herët apo në një orar më të vonë?

Unë jam një njeri mesdhetar e si i tillë më pëlqen gjumi, por nuk e teproj. Mbaj mend si fëmijë zgjimet e mia shumë herët kur punoja në arat e fermës gjatë verës, por rikuperoja pasditeve të nxehta. Më pëlqen të zgjohem herët në mëngjes, por përgjithësisht ora 7 e mëngjesit më gjen aktiv d.m.th. gati të filloj ditën time që nis gjithmonë me një kohë lutjeje dhe meditimi.

Cila është ajo ngjarje apo ai moment që ka lënë gjurmë në fëmijërinë tuaj dhe ju e kujtoni shpesh?

Oh ka shumë gjëra që kujtoj në fëmijërinë time. Mund të them se kujtoj shpesh fëmijërinë time me gjyshin tim Gjergjin (unë kam emrin e tij). Po ashtu kujtoj se kam qenë një fëmijë shumë i lëvizshëm, e ngaqë jetoja në fshat nuk leja pemë pa hipur, rrugë pa lëvizur, këmbëzbathur duke vrapuar e kam qenë shumë çapkën. Kujtoj aktivitetet që bëheshin në atë kohë, kampionatet e brigadave, veprimtaritë jashtëshkollore, etj. Sigurisht më ka ngelur në mendje dita ime e parë e shkollës kur kam qenë gjashtë vjeç. E mbaj mënd si tani duke ecur me çantën në dorë dhe përparësen e zezë. Një komshije ime që më shikon e më thotë: uaaa qenka rritur Gjergji, qenka bërë për shkollë… Ajo ishte shtatë vjet më e madhe se unë në klasë të tetë. Por ka shumë gjëra të tjera që nuk mund të rreshtohen në një intervistë.

Ju keni lindur në qytetin e Durrësit, cila është lidhja që keni me vendlindjen, sot?

Unë kam lindur në rrethin e Durrësit, por jo në qytetin e Durrësit. Unë jam nga një fshat që quhet Rrushkull, pjesë e Durrësit. Me qytetin kam pasur kontaktet qysh herët në fëmijërinë time, pasi aty kisha hallën time e shumë njerëz të tjerë të afërt. Vendlindja ime për mua është shumë e rëndësishme. Aty jetojnë akoma prindërit e mi, vëllai me nusen dhe fëmijët dhe shumë kushërinj të mi. Megjithatë pjesa më e madhe e atyre me të cilët jam rritur kanë emigruar qysh në vitet ‘90. Kthehem shpesh në vendlindje dhe e ndjej lidhjen me të sikurse edhe me qytetin e Durrësit ku po jetoj prej dy vitesh si prift i Kishës Katolike të shën Luçisë në qendër të qytetit.

Si ka qenë rinia juaj?

Ajo është akoma, pasi nuk mendoj se jam plakur, thjesht kam kaluar në fazën më të lartë të saj. Një rini që e kam kaluar ndërmjet shkollës së mesme dhe seminarit ku jam përgatitur për prift. Kam qenë nxënës i shkollës së mesme, gjimnazit në Katund të ri në Durrës si të gjithë moshatarët e mi me të cilët ruaj ende kontakte të mira. Kam kaluar gjashtë vjet në Itali në Bari si student dhe kanë qenë vite të bukura për mua. Më pas jam kthyer në Shqipëri në vitin 2000 e kam punuar në Tiranë si prift te Katedralja e Shën Palit. Përsëri nga viti 2006 deri në vitin 2009 kam qenë student në Romë për një specializim. Mund të them se rinia ime është një rini në kërkim. Nuk kam reshtur së kërkuari në thellësi e në shtrirje. Unë mendoj se një i ri ka një armik të fuqishëm: mediokriteti, që do të thotë të strukesh përballë sfidave, të jesh i vogël, servil, të jesh i pabesë. Jam munduar ta luftoj mediokritetin me gjithë fuqitë e mia. Nuk e di sa ia kam dalë.

dom gjergj meta

Dom Gjergj Meta

Dom Gjergji, ju jeni një prift jo si gjithë të tjerët, jeni protagonist dhe këtë gjë duket sikur e shijoni. Si e shihni në raport me kishën modelin e klerikut si imazh publik?

Në Shqipëri mund të duket kështu, por kush e njeh realitetin e Kishës edhe jashtë Shqipërisë e shikon se nuk ka asgjë të veçantë te unë. Një klerik është për vetë natyrën e tij një person publik. Në momentin që ajo që ti bën i përket një komuniteti je person publik. Mund të jesh më shumë ose më pak publik, por je gjithmonë i tillë. Çdo prift të dielën jep meshë e predikon, pra ka një publik përpara. Në këtë moment ai është publik. Fjala protagonist si shumë fjalë të tjera është një fjalë e shumëkuptimtë. Të jesh i protagonist do të thotë të jesh i pari në luftë, pra në krye të frontit, njeri që i prin luftës. Unë mendoj se ka të tjerë që e bëjnë më mirë këtë punë dhe janë shumë priftërinj katolikë që punojnë palodhur çdo ditë në të gjithë botën e në të gjithë Shqipërinë në fronte të ndryshme, me të varfëritë, të braktisurit, me të varurit nga droga, me prostitutat, në fronte lufte etj. Janë heronj të vërtetë. Për disa rrethana ka qëlluar që unë të jem një person, një prift që ka pasionin e komunikimit dhe këtë ia kanë kërkuar edhe si shërbim në Kishë sikurse ishte p.sh. rasti i vizitës së Papës apo edhe raste të tjera kur kam qenë zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Thjesht bëj detyrën time e mundohem ta bëj mirë. Modeli i priftit sot ka ndryshuar, por jo thelbi i tij.

Dom Gjergji, përveçse shërbeni prej disa vitesh pranë kishës, ju jeni dhe një person i cili reagon për fenomenet sociale në vendin tonë. Çfarë ju ngacmon që të reagoni, të shkruani për to?

Jeta e Kishës nuk është një jetë private, pra e mbyllur vetëm brenda mureve të një ndërtese, por ajo është një jetë shoqërore, publike. Kisha jeton në një shoqëri të caktuar dhe është ajo vetë një shoqëri njerëzish të mbledhur në emër të Perëndisë, që janë të ngulur në hapësirë dhe kohë e si e tillë ajo ka të drejtë, madje detyrë, të flasë për shoqërinë, për problemet që ajo kalon e sidomos për atë çka ajo mendon se duhet thënë për të mbrojtur të varfëritë e të mënjanuarit si dhe tema të tjera sikurse është p.sh. bioetika (aborti, eutanazia, martesat ndërmjet personave me të njëjtën gjini, etj). Prandaj unë si prift jam pjesë e kësaj kishe dhe kur reagoj bëj vetëm detyrën time që është pjesë integrale, do të thoja përbërëse në thelb, e jetës së një meshtari katolik.

Familja është një nga çështjet që ju e trajtoni shpesh në shkrimet tuaja, por duke u nisur nga ngjarjet e fundit (kam parasysh rastin e motrave Kajtazi) apo edhe për një çështje krejt tjetër siç është martesa me të njëjtin gjini, çfarë mendimi keni? Ku po shkon familja? A po e humb ajo rolin dhe rëndësinë që ka?

Familja është qeliza e shoqërisë. Pavarësisht nga problemet unë mendoj se ende familja mbetet dhe do të jetë vatra më e bukur për lindjen, rritjen dhe zhvillimin e personit njerëzor. Unë jam rritur në një familje të bukur e ia uroj çdo personi që vjen në jetë këtë gjë. Për mua që jam rritur në një familje tradicionale dhe jam një i krishterë katolik, familja është ajo e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje. Pikërisht kjo lloj familjeje sot po pëson një goditje të madhe. Nuk është vetëm martesa ndërmjet personash me të njëjtin gjini, por edhe lehtësia me të cilën merret divorci sot, vështirësitë ekonomike që kalojnë familjet shqiptare, dhuna në familje, shtypja e gruas, papunësia, konfliktet ndërbreznore gjithnjë e më të dhunshme (ndoshta është rasti i motrave Kajtazi) etj, që sot e dëmtojnë familjen. Ndaj mendoj se familja ka nevojë më shumë për përkujdesje sidomos nga ana e institucioneve shtetërore apo fetare qofshin ato.

Ky numër kaq i lartë divorcesh në vend a lexohet si krizë në këtë drejtim?

Ka raste kur një martesë bëhet e pamundur, kthehet në një ferr të vërtetë, por edhe divorci e pas-divorci kthehet në ferr për shumë fëmijë të cilët jetojnë mes dy prindërve që shpesh urrehen e përdorin fëmijët si armë lufte. Më së pari duhet punuar që të ndihmohen çiftet në kriza e të rikuperohet çfarë të jetë e mundur. Në rastin kur nuk është e mundur, duhen ndihmuar prindërit e ndarë dhe fëmijët që të kalohet sa me më pak trauma ky proces e t’u garantohet fëmijëve një rritje sa më normale.

Sa e rëndësishme është të njohësh mirë partnerin përpara se të vendosësh?

Mendoj shumë e rëndësishme, themelore për kohët që po kalojmë. Kam asistuar shpesh në martesa që kanë pasur njohje shumë sipërfaqësore e problemet që kanë dalë më pas kanë qenë shumë të mëdha. Duhet një kohë njohjeje serioze. Fejesa duhet të jetë një kohë shoshitjeje shpirtërore dhe njerëzore. Ky/kjo a është personi i duhur për mua? A ka diçka që duhet të njoh te ai/ajo përpara se të vendos? Duhet të jetë një njohje serioze jo thjesht pëlqehemi e hajt martohemi.

A kanë shqiptarët njohuri për fenë? A jemi ne një popull i paditur për sa i përket religjionit?

Në këtë drejtim ka shumë probleme në fakt. Ka njerëz që dinë shumë, ka edhe nga ata që kanë përvojë shpirtërore të thellë edhe pa ditur shumë gjëra. Por ka edhe shumë nevojë për punë që njerëzit të njihen më mirë me besimin e tyre. Nuk më pëlqejnë kategorizimet në bllok si p.sh. shqiptarët nuk janë fetarë, janë kështu apo ashtu. Shqiptarët janë si të gjithë njerëzit në botë dhe besimin e kanë edhe ata ose nuk e kanë. Por ne kemi edhe historinë tonë në lidhje me besimin e atëherë vlerësimi bëhet duke u nisur nga shumë faktorë.

10990046_10207063319531533_4087084315038719236_nSi rrjedhojë, a jemi tolerantë fetarë nga padituria?

Toleranca para se të jetë virtyt fetar,është një virtyt njerëzor. Ne jetojmë në shoqëri e jemi të ndryshëm e kështu duhet të tolerojmë njëri-tjetrin. Kjo duhet të ndodhë në familje ku jemi të ndryshëm, në lagje, qytet e kudo jetojmë. Toleranca është virtyt i shoqërisë. Në rastin e tolerancës fetare të shqiptarëve më pëlqen të citoj një mikun tim i cili thotë se ne kemi një instinkt pothuajse natyror tolerance që na vjen nga historia, nga një sërë faktorësh të tjerë edhe nga fakti që ndajmë të njëjtën etni. Kjo na ndihmon të jemi tolerantë. Padituria mund të jetë shkak konflikti, por jo tolerance.

Qeveria prej disa kohësh ka nisur një sërë reformash, por çuditërisht këto reforma fillojnë me më të dobëtit…. Sa e rëndë është të godasësh njeriun e varfër?

Di të them që ka shumë të varfër e që trokasin përditë edhe te unë për t’i ndihmuar. Një i varfër kur është i tillë ka nevojë për përkrahje nga ana e të gjithëve. Zëri i të varfërit dëgjohet nga Zoti e duhet të dëgjohet edhe prej nesh. Kam dëgjuar një herë një shprehje që u thuhej priftërinjve të rinj sapo dilnin meshtarë: “mos ia shtoni askujt hidhërimin më shumë se sa e ka e mos ia pakësoni askujt gëzimin kur po gëzon” e më vjen të them, me të varfrit të paktën “mos t’ua shtojmë më shumë varfërinë”, madje duhen ndihmuar që të ringrihen. Ndërsa çështja e reformave është diçka që i përket një sfere tjetër për të cilën mund të flasin më mirë ata që i hartojnë dhe ekspertët ekonomikë.

Si mund të luftohet mjerimi, varfëria?

Mund të them se një kulturë solidariteti ndërnjerëzor, ndërfamiljar dhe ndërshoqëror, zbut jashtë mase varfërinë. Institucionalizmi i solidaritetit dhe dashurisë së ndërsjellët edhe në terma ekonomikë ia vlen të studiohet, për të krijuar një ekonomi sa më etike apo një etikë të ekonomisë.

Muajt e fundit po përballemi me fenomenin e azilit. Shumë shqiptarë po braktisin vendin. Çfarë i shtyn këta njerëz të largohen dhe si duhet menaxhuar situata në këtë rast?

Ka shumë arsye. Kam shkruar edhe herë të tjera për këtë gjë. Varfëria është mendoj shkaku kryesor. Menaxhimi i takon strukturave shtetërore. Por ne të tjerët mund të bashkëpunojmë që të gjendet zgjidhje për fenomenin së paku me informimin se atje nuk i pret parajsa.

A e ka ndryshuar njeriun teknologjia, sa? A kanë gjetur njerëzit një formë për t’u dukur më shumë?

Teknologjia është një frut i zhvillimit të inteligjencës njerëzore. Më pëlqen të citoj një pjesë nga dokumenti i fundit i Papa Françeskut me titull “Qofsh lëvduar” në të cilën ai thotë se teknika “…është e aftë të prodhojë të bukurën dhe ta bëjë qenien njerëzore të realizojë një “hop” drejt rrafshit të së bukurës” (Laudato sii 103). Prandaj ne duhet të falënderojmë Zotin për teknologjinë dhe aftësinë krijuese të njeriut. Nga ana tjetër kjo aftësi krijuese është kthyer edhe në një pushtet të pakontrollueshëm që shpesh njeriu e përdor për të bërë keq, për të vrarë, për të baltosur të tjerët, për t’u hakmarrë etj, etj. Teknologjia është një mundësi, por varet si e përdor. Ajo mund të të gllabërojë, por ti mund ta përdorësh për të bërë mirë.

A dëgjoni muzikë, çfarë vini re kohët e fundit në muzikën shqiptare?

Më ke prekur një temë delikate. Unë i përkas një brezi që është rritur me muzikën e realizmit socialist, me festivalet e TVSH deri në moshën 14 vjeçe. Më pas kam filluar të dëgjoj muzikën e lehtë sidomos atë italiane. Kam kaluar adoleshencën dhe rininë time ndërmjet këngëve të Baglioni-it, Vasco Rossi-t, Battisti-t, De Gregori-t, etj. Më vonë edhe muzikën në anglisht e po ashtu edhe muzikën klasike të cilën e dëgjoj me endje edhe pse mund të them se nuk kam një kulturë të mirëfilltë muzikore klasike. Muzika klasike është diçka që edukohet qysh fëmijë, nuk mund ta veshësh si një palë pantallona, ajo është një mënyrë jetese, një sjellje e qenësishme, të përfshin për nga brenda. Kjo do kohë dhe pasion. Për një lloj muzike që prodhohet në Shqipëri (e kam fjalën për muzikën mirëfilli komerciale dhe kinse popullore) çdo koment është i tepërt se duket sikur i jep shumë rëndësi. Edukimi me muzikën nuk bëhet sigurisht vetëm nga televizioni apo nga CD. Duhet mësuar në shkollë, duhet në salla koncertesh. Falë Zotit shihen dhe promovohen aty këtu nisma të ndryshme. Në Durrës p.sh. ku unë jetoj ka iniciativa shumë të mira në këtë drejtim. Madje edhe Kisha e Durrësit është e përfshirë në koncerte të natyrës klasike.

Në një status tuajin ju thoni: “Konstatoj çdo ditë e më shumë, duke i’u afruar të 40-ave, se betejat më të forta janë ato që ndodhin brenda nesh. Kjo mendoj se është shenjë rritjeje për një person normal”. Çfarë ndodh me njeriun e të 40-ave? Po me ju vetë?

Dhe citimi vazhdon… “Kush nuk sheh se ka “një llogore” brenda vetes dhe fokusohet gjithmonë dhe vetëm te llogoret jashtë vetes ka rrezikun e madh që të jetë gjithmonë i palumtur dhe i pakënaqur me jetën e tij e gjithmonë do të jetojë duke gjetur armiq për të luftuar.

Mund ta mbulosh, ta heshtësh, ta dhunosh këtë përmasë luftarake të brendshme, por një ditë a një tjetër ajo luftë na pret. E ajo është një luftë e mirë, një luftë për jetën.

Nëse vendos ta bësh në kohën e duhur do jesh në paqe ti e do t’u dhurosh paqen të tjerëve …”

Numri 40 në Bibël është shumë domethënës. Është koha (40 vjet) që populli i Izraelit ka kaluar nga skllavëria drejt lirisë nëpër shkretëtirë. I gjithë rrugëtimi i njeriut është një rrugëtim drejt lirisë së brendshme dhe të jashtme. Për këtë duhet shumë punë e punë serioze me veten. Është rruga drejt paqes së brendshme e kjo zgjat gjithë jetën, për aq jetë sa na jep Zoti. Lufta për të cilën bëhet fjalë është lufta e mirë për të cilën flet edhe Shën Pali. Për shumë arsye që kanë të bëjnë me rritjen, edukimin, kushtëzimet e shoqërisë, por edhe me arsye të mistershme, forca të errëta i kundërvihen të mirës brenda nesh. Ne duhet të luftojmë pa kompromis me të keqen.

 

A është qenia njerëzore interesaxhie që do të thotë afrohet me Zotin kur ka nevojë? Kur zemërohet Zoti me ne?

Po e nis nga fundi. Zoti nuk zemërohet kurrë me ne, se na ka për zemër. Në Letrën e tij të parë Gjoni apostull, një nga nxënësit e Krishtit, thotë se Hyji është dashuri, pra është thelbësisht dashuri. Si mund të zemërohet ai atëherë? Unë mendoj që Zoti ndjen dhimbje (simpati, sym pathos) për ne kur ne nuk shijojmë bukuritë që ai na ofron nëpërmjet jetës që na ka dhënë, Fjalës së tij, natyrës dhe çdo gjëje të bukur që na ka dhënë. Njeriu në thelb është i mirë. Edhe kur ai tregohet “interesaxhi” asnjëherë nuk e humb thelbin e tij të mirë e prandaj Hyji që ka vendosur të mirën në zemrën e njeriut nuk rresht së dashuri njeriun. Më pëlqen për këtë të citoj një shenjt të mesjetës, Shën Bernardin e Kiaravalles “Dashuria është e vetmja ndër të gjitha lëvizjet e shpirtit, ndër ndjenjat dhe afeksionet, me të cilat krijesa mund të hyjë në marrëdhënie me krijuesin, sigurisht jo si i barabartë; e vetmja me anë të së cilës mund të ndërkëmbejë me të afërmin tij, sigurisht në këtë rast ndërmjet dy të barabartëve..”

Dom Gjergji, çfarë ju bën më shumë përshtypje në Tiranë, në Shqipëri, çfarë vini re diçka që ju vret sytë sa herë dilni nga shtëpia?

Vë re se ka një problem të madh në brendësimin e konceptit të së mirës së përbashkët. Nuk jemi bashkëpërgjegjës për të mirën e përbashkët, për të mirën publike. Rritja në këtë drejtim është tregues qytetarie. Derisa nuk e kemi këtë sens përgjegjësie jemi pak qytetarë e shumë provincialë. Shpresoj ama se brezat e rinj po formohen dalëngadalë e për më mirë.

Entela Resuli August 27, 2015 15:03
Komento

13 Komente

  1. mirel August 27, 15:55

    keta durrcaket duken te prere per prift
    dhe prift prape duket qe este prej Durrci

    Reply to this comment
  2. Ajaxs August 27, 16:44

    E lexova me vemendje intervisten. Eshte nje person me bagazh te mathe dhe ja vlen ta degjosh dhe te mesosh prej tij.

    Reply to this comment
  3. Realiteti August 27, 18:37

    Intervista me nje prift te pa zakonte!?

    Sot ne shqiperi shiten ne menyre te pa permbajtur dogma nga me te ndryshme fetare, ku nje vend te dukshem e zene ajo myslimane, katolike dhe ortodokse.
    Le te shohim pikerisht ate katolike , me te cilen zonja E.Resuli mundohet te na e shese sapunin per djathe.
    Kisha katolike e ka fillimin e saje qe prej dy mije vjetesh dhe qe nga datimi i lindjes dhe deri me sot eshte e shquar per mashtrime, genjeshtra, fallsifikime te historise njerezore dhe krime ndaj popujve ne te gjithe rruzullin tokesor.
    Kisha katolike e mbeshtet doktrinen e saje fetare ne Bibel. Per ata qe nuk e dine po ju kujtojme se Bibla eshte shkruar nga ata qe e quajne vehten pasues te Jezu Krishtit dhe ku shkrimet me te hereshme datohen te pakten 80 vjet nga presupozimi i vdekjes se Krishtit.
    Bibla eshte e mbushur me thenije qe i kundervihen njera tjetres per figurat qe dalin ne kete liber gjoja te shenjte . Me vone kemi nje botim tjeter te Bibles , qe katoliket e quajne Testamenti i Ri.
    Bibla eshte e mbushur me tregime te natyres se perrallave te nje mije e nje neteve, me pjese te shkeputura kaotike, nga ngjarje te koheve si dhe me thenije te “shenjteve” qe kisha katolike i nxjerr nga thesi i mashtrimeve si bukepjekesi qe nxjerr simitet ne pazar.

    Jezu Krishti eshte thjeshte nje shpikje e tyre per te terhequr masat e paditura dhe te vuajtura te njerezve para 2 mije vjeteve. Historikisht nuk ka asnje dokument qe te provoje se na ka jetuar Jezu Krishti. Kur pyeten katoliket ne lidhje me Jezu Krishtin ata i drejtohen Bibles, pra nje libri qe nuk permban asnje te vertete historike. Ata qe kane patur durim ta lexojne do te ndeshen me bemat e Jezu krishtit qe ishte ne gjendje te mbushte sofrat e te varferve me te ngrena e te pira, qe u jepte driten e syve te qorruarve, qe kthente shkretetirat dhe detet ne kalime te pershtateshme per besimtaret etj, etj. Vete Jezu Krishti na paska lindur nga nje nene (Marija) e cila nuk kishte ngelur shtatzene me burrin, pra na ishte ngjizur nga fryma e shenjte shtatzene. Pastaj Kur Jezusi na u kryqezua dhe u varros ne nje shpelle, mbas tre ditesh kur shkuan te marrin trupin e pa jete, na u shfaq nje enjgjell qe u beri me dije se Jezusi na kishte fluturuar ne qiell per te shpetuar njerezimin, etj etj.
    Pa dyshim per ate kohe pata 2 mije vjetesh, perralla qe besoheshin dhe merreshin per te verteta nga masat e pa ditura.
    Me vone u krijua legjenda e krishterimit dhe hyri ne pushtet ne Romen e lashte per here te pare nga perandori Konstandin. Pa dyshim te dyja palet Kisha katolike dhe perandorija Romake do te ndihmonin njera tjetren per te sunduar.
    Qe nga ajo kohe kisha katolike bente ligjin dhe vendoste per fatin e njerezve. Krimet e kishes katolike duke filluar nga kryqezatat qe ishin thjeshte sipermarrje grabitese ne emer te Zotit duke vazhduar me konflikte te pa numerta luftarake rajonale dhe deri ne uzurpimin dhe zhdukjen e milionave te popujve indiane te Amerikes, ku hordhite spanjolle dhe portugeze te asaj kohe shoqeroheshin nga murgjit katolike me bibel ne dore dhe ligjeronin marrjen e tokave dhe pronave te atyre popujve me bekimin e kishes. Ne Europen e mesjetes nuk ishte e mundur asnje veprim pa ligjerimin e kishes katolike. Mesjeta Europiane eshte nje njolle e zeze ne historine e Kishes Katolike. Lufta qe ju be ideve perparimtare dhe iluministe te njerezve me te shquar te asaj kohe nga Kleri katolik eshte i vetem dhe i pa shembullt ne historine e njerezimit.
    Pasurija e klerit katolik eshte krijuar nga grabitjet e vazhdueshme te popujve si dhe nga fallsifikimet nga ana e Kishes. Fallsifikimi me i bujshem eshte ai qe njihet ne histori si “Dhurata e Konstandinit” e cila ligjeronte zoterimet e Vatikanit ne Rome dhe pronat e kishes katolike .
    Ne ditet e soteme jane te perditeshme njoftimet per abuzimet seksuale te prifterinjve tek femijet e vegjel. Kisha katolike denon perdorimin e kondomeve, megjithese perdorimi i kondomeve eshte nje mjet parandalues per semundjet ngjitese seksuale. Kisha katolike eshte kunder abortit edhe ne raste te tilla kur shtatzanija ka mbetur si rast i nje perdhunimi fizik te gruas.Vatikani ka patur censuren me te gjate ne historine e njerezimit ( 1557deri me 1965 ) per librat me te njohura nga korifejte e e literatures boterore, porese librin e A.Hitlerit ” Mein Kampf” nuk e censuroi. Dija shkencore e njerezimit ka kaluar ne lufte te vazhdueshme me Kishen Katolike ku mendimtare te shquar si Darwin , G. Bruno,N.Koperniku, G. Glilei etj, etj jane quajtur shkrime heretike, mbasi keta pionere te dijes se njerezimit binin ne kundershti me perrallat e Bibles. Per aresye te pa mundur mbasi jane me mijera guret dhe metodat mafioze qe ka perdorur dhe perdor kleri katolik per te mbajtur nen sundim njerezimin nuk i paraqes faktet e ketij institucioni famekeq qe udhehiqet nga Vatikani.
    Si perfundim nje trashegimi e tille e bujeshme me genjeshtra, grabitje dhe krime nuk mund te jete dhe nuk do te jete kurre e pranueshme per moral nga ana e prifterinjve katolike.
    Prifterinjte katolike jane pjese e sistemit te kishes katolike dhe do te vazhdojne te dergojne helmin e tyre te mbuluar me letra te bukura me ngjyra, porese ne thelb ata jane gangrena e shoqerise njerezore.
    Kush deshiron e pranon dhe ndjehet i ” lumtur ” ne boten e individuale te besimit fetar, porese shkrime te tilla si ky i zonjes E.Resuli qe nuk eshte hera e pare qe merret me pleherat e institucioneve fetare e meritojne qe ti tregosh kufirin.

    P.S. shenimi Pergjigju eshte i redaksise dhe jo i imi. Kush deshiron te komentoje artikullin e zonjes E.Resuli dhe jo komentet qe i behen ketij artikulli.

    Reply to this comment
    • Nje skipetar August 27, 19:58

      Bere shume mire qe sqarove se FEJA ESHTE OPIUM PER POPULLIN.
      Shikoni si po kacafyten skipetaret tani qe e kane percare nepermjet feve.
      Sepse jemi ne pergjithesi IDIOTE.

      Reply to this comment
  4. Sanyyasin August 27, 20:23

    Se cfare eshte feja(te gjitha fete) dhe jo vetem, me mire se OSHO nuk e ka argumentuar njeri.
    Me pelqeu pasazhi i luftes se brendshme me te cilen njeriu duhet te perballet per te arritur qetesine e brendshme, sepse vetem atehere dikush aerin te vleresoje ne te vertete jeten dhe realitetin qe e rrethon.
    Njerezimi ka nevoje qe te ndricohet ne dimensionin e brendshem.

    Reply to this comment
  5. LOVE August 27, 20:41

    BUKUR !
    E kam lexuar disa here Dom Gjergjin ,eshte gjithperfshires dhe me shume kulture .

    [REDAKSIA ESHTE E LUTUR TE HEQI FJALEN “PERGJIGJUNI”
    shkruani “IDOT TE PADOBISHEM” ]

    Reply to this comment
  6. Eugent August 27, 20:43

    Feja eshte dhe ka qene kulture per popullin, nga nje ane po te thuhej autori i sentences se opiumit do e shanin, nga ana tjeter e marrin si universale citimet e tij, problemi eshte tjeterkund, mos e ngaterroni fene me luften, feja eshte mendesi mijeravjecare e percjelle ne vlera. norma, ligjesi edhe ne ditet sot, edhe ne theniet e te pareve tane, te gjysherve qe duam, apo te njohurit te lagjes, apo te ndriturit e qytetit, ka vendin e saj ne kohen e saj, ashtu si gjithe dijet e tjera, dhe kjo mendesi vjen jo nga shpirtngushtesia po nga shpirtmbylltesia.

    Reply to this comment
    • mirel August 27, 21:07

      feja eshte nje mendesi primitive mijeravjecare e percjelle me antivlera, ligesi, dhe perfitim vetem per finoket

      Reply to this comment
  7. Amerikani... August 27, 21:44

    ..JEZUSI predikon PAQE, DASHURI dhe FALJE, per te gjithe boten…Sikur bota te funksiononte vetem nje perqind sipas Ungjllit te Jezusit, do kishte me pak varferi, me pak luftra dhe urrejtje…Njerezit me te medhenj te te gjitha fushave dhe te te gjitha koherave, ndermjet te tjerash kane qene dhe te krishtere te mire….ZOTI ne thelb eshte dashuri…..dashuri per çdo gje, kudo dhe per gjithkend,…Dikur Ajnshtajni i madh shkruante….” Ekziston një forcë jashtëzakonisht e fuqishme, që deri më tani shkenca nuk ka arritur ti gjej një shpjegim formal. Është një forcë që përfshin dhe rregullon gjitha tjerat, dhe madje është prapa çdo fenomeni që vepron në univers dhe ende nuk është identifikuar nga ne. Kjo forcë universale është DASHURIA.
    Kur shkencëtarët kërkuan një teori të unifikuar të universit, ata harruan forcën më të fuqishme të paparë. Dashuria është dritë, që ndriçon ata që japin dhe e marrin atë. Dashuria është graviteti, sepse i bën disa njerëz të ndjehen të tërhequr ndaj tjerëve. Dashuria është fuqi, sepse shumëfishon më të mirën që kemi, dhe i lejon njerëzimit të mos shuhen në egoizmin e tyre të verbër.
    Dashuria shpalos dhe zbulon. Për dashuri në jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është Dashuria”….Me shembullin e JEZUSIT, njerezit kane bere vepra te pavdekshme ne dobi te njerezimit….”Njerezit qe e kerkojne lumturine jashte ZOTIT, jane te deshtuar,….kombet qe lene rrugen e TIJ , jane te humbur pergjate historise….”thaPapa Françesku ne Tirane…….

    Reply to this comment
  8. Eugent August 27, 21:46

    -Per mrimitivet feja duket primitive.

    Reply to this comment
  9. Eugent August 27, 21:48

    Per primitivet feja duket primitive, cdo forme mendimi qe futet ne debat me vete fese ne fakt eshte ne nje lloj forme fe, te gjithe ndjekim fete tona, a thua te jemi primitive?

    Reply to this comment
  10. Nje skipetar August 27, 22:03

    Sot 50 vet u gjeten te vdekur ne nje kamjon….Vinin nga luftrat fetare qe behen neper bote..Zoti ende nuk dij gje?
    Sa njerez driteshkurter jane viktima te injorances…

    Reply to this comment
  11. Eugent August 27, 22:14

    Pse, po e njeh Zotin si egzistence? Cudi po kundershtohej nje gje e tille!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*