Moti pritet të përkeqësohet, qarku Shkodër në zonën e rrezikut

March 7, 2018 17:45

Moti pritet të përkeqësohet, qarku Shkodër në zonën e rrezikut

Sinoptikanët parashikojnë përkeqësim të motit me reshje intensive që do të vijojnë gjatë ditës së nesërme e deri në fundjavë.

Si pasojë rreziku nga përmbytjet mbetet i lartë për shkak të nivelit të lumenjve Drin dhe Buna. Ultësira e Shkodrës mbetet më e rrezikuara.

RREZIKU NGA PËRMBYTJET

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të rëna në pjesët malore të basenit. Sot (e mërkurë, dt.07) dhe në vazhdim përgjatë datave 8 dhe 9 Mars 2018 në basenin Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë rritja e niveleve për shkak të ardhjes së prurjeve nga pjesët e larta malore në drejtim të pjesës fushore të basenit. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, do të vazhdojë zgjerimi i hartës së përmbytjeve. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen ditën e Enjte, 8 Mars 2018. Për arsye të rritjes së rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës.

PARASHIKIMI METEO

RESHJET: Sot pasdite (e mërkurë, dt.07) dhe nesër (e enjte, dt.08) në shumicën e qarqeve priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, shoqëruar edhe me shtrëngata. Në qarkun e Elbasanit priten reshje intensive, deri lokalisht shumë intensive (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Shumica e reshjeve pritet që të bien në mbrëmje dhe gjatë pjesës së parë të ditës së nesërme.

Pritet prania e reshjeve në formë dëbore në 1.000 m mbi nivelin e detit, por kryesisht në veri dhe veri-lindje të vendit.

TEMPERATURAT : Nesër (e enjte, dt.08) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 9 / 14 °C

në vendet e ulëta: 6 / 13 °C

në vendet malore: 2 / 9 °C.

ERA : Sot pasdite (e mërkurë, dt.07) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë, ndërsa nesër (e enjte, dt.08) era pritet të fryjë e fortë në të gjithë territorin.

o.j/dita

March 7, 2018 17:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*