Motiv i përjetshëm

April 25, 2018 10:56

Motiv i përjetshëm

Mikja ime nuk di më ç’të them,
tok me vitet dhe neve u tretëm,
do të vijë një ditë që unë s’do të jem,
po ti prapë s’do të mbetesh vetëm.

Mikja ime nuk di më ç’të them,
tani këmbët mezi po më mbahen,
shpejt do vijë një ditë që unë s’do jem,
po ti buzët s’do t’i lësh të thahen!..

Mikja ime nuk di më ç’të them,
jeta ime pak nga pak po ndryshket,
shpejt do vijë një ditë që s’do të jem,
po ti gjirin s’do ta lësh të vyshket.

Mikja ime nuk di më ç’të them,
se ti më ke ndjekur hap pas hapi,
shpejt do vijë në ditë që s’do jem,
po mërzia ty nuk do të kapi.

Trupi im ende pa u ftohur,
mund të thuash: ”Atje e ka vendin!.”,
dhe do hiqesh sikur s’më ke njohur,
emrin tim kur të ta përmendin!

Mikja ime nuk di më ç’të them,
po dhe ty nuk të vé dot bisht,
shpejt do vijë një ditë që s’do jem,
dhe kush shkon harrohet-natyrisht!

Mikja ime kjo s’është një përrallë,
po një e vërtetë sa Botë e Vjetër,
ne s’u morëm vesh sa ishim gjallë,
jo më kur të jem në Botën tjetër!

Rikrijim

S’më vjen keq për vitet që më ikën,
ato ikën fare pa më prekur,
s’më vjen keq për zjarret që m’u fikën,
se kush ndizet-digjet për t’u tretur.

S’e kupton aspak njeriu i shkretë,
si i tretet jeta në çdo orë,
flokëziu me syrin shigjetë,
kthehet në kodrinëz me dëborë.

Ashtu e pësova edhe unë,
që besoja vetëm në rininë,
dhe kur çaja zhveshur në furtunë,
s’e mendoja kurrë pleqërinë!.

Gota ime plot me verë të kuqe,
nuk do boshatisej asnjëherë,
porse jeta qenka plot me huqe,
ato qé t’i fal-sërish t’i merr!..

Dhe s’të lë aspak që të mendohesh,
ishte-apo s’ishte çasti i duhur,
edhe kohé s’ke që të shikosh,
jetën tënde bërë baltë e pluhur.

Shekuj do të shkojnë e do të vijnë,
ne do jemi lodra për mëshirë,
shpirtrat njerëzorë do ulërijnë,
në një natë të zezë-në shkretëtirë!

A.DUKA

April 25, 2018 10:56