Motive nga Lumi i Vlorës dhe fati i ditarit që fluturoi drejt Budapestit

August 28, 2018 12:42

Motive nga Lumi i Vlorës dhe fati i ditarit që fluturoi drejt Budapestit

 

Nga SEFER PASHA

Personazhi që më shoqëron të përpjetave të Lumit të Vlorës është nga kreshtat e Matogjinit, rrëzë malit të Tartarit. Njihet si njeri i thjeshtë, s’ka lidhje me ndonjë deputet, ministër apo me bashkiakët e Vlorës. Nuk është i zgjedhur në ndonjë forum, s’troket për punë nëpër zyra e nuk vrapon si militant nëpër mitingje për të përfituar ndonjë thërrime. Ai gjithashtu nuk rropatet pas hashashit e pas pasurimit brenda natës. Nuk është vidh i vetëm në mal, por lis në pyllin me lisa. Mikun  e quajnë Resul Bullaj, por për emrin e mirë që ka mbiemrin ia kanë zëvendësuar me emrin e fshatit Matogjin nga e ka origjinën. Këdo që të pyesësh të jep të njëjtën përgjigje. Lart në mal është Resul Matogjini. Resuli ka tufën me dele, rrit 400 gjela deti në vit, mban lopë, kuaj e punon tokën që e ia ka dhënë ligji.

E gjeta përpara stanit ku kishte rreshtuar të gjitha zilet dhe këmborët e bagëtive. Resuli më la pa mend me punën që po bënte. Ai po vaiste, pastronte gërvishtjet e fshinte me peshqir pluhurin e këmborëve dhe të zileve. E pyeta dhe mu përgjigj se delja është delikate. Ajo jep më shumë qumësht kur meloditë e këmborëve dhe të zileve nuk e bezdisin tufën me tringëllimën e çakorduar. Orkestra e “violinave” e qetëson tufën në kullotë. Kurse një gërvishtje e gjuhëzës e “trishton” dhe delja jep më pak qumësht. Delja e tremb qumështin edhe kur përballë saj vjen tufa me korba. Më çuditi detaj i këtij blegtori të apasionuar. Resuli ka një jetë që ushtron zanatin e blegtorit. Më parë ka pasur qindra krerë. Edhe tani ka një tufë të mirë. Ai furnizon me dhjetëra lokale që e mbajnë  klientelën me mish të pjekur. Udhërrëfyesi ka botën e tij. Nuk ka mbaruar për filozofi, por është i tillë.

Duke udhëtuar për në Matogjin ai nuk është i një mendje me ata që thonë se “Fajin e ka qeveria”, “Shteti të vërë dorë”, “Të gjithë këta janë kusarë”, “Edi Rama nuk punon”, e të tjera. Jo, thotë ai i revoltuar. Ne në Lumin e Vlorës themi “punoni o duar, të hani byrek e lakruar”. Për mua është e vërtetë që një qeveri e mirë e kthen Shushicën lart nga burimet, se ministrat, deputetët dhe të gjithë “përçorët” duhet të bëjnë shumë e më shumë, por sikur s’vete gjithmonë kënga që e kemi në majë të gjuhës: “Fajin e ka qeveria”. Tufën e deleve dhe të demave në Matogjin nuk do t’ma ruaj deputeti i zonës. Drejtoreshë e Bankës së familjes time është ime shoqe, Adivia. Unë Resul Matogjini jam vetë Edi Rama. Nga shkëmbinjtë e malit të Tartarit e nxjerr lekun. Gota e rakisë nëpër klube nuk të sjell mirëqenie. E lanë njerëzia fshatin dhe dremisin nëpër trotuaret e Vlorës e të Tiranës.

***

Udhëtimi nëpër fshatrat e lumit të Vlorës është baladesk. Si Resuli ka me dhjetëra e me qindra të tjerë. Ka biznesmenë që kanë dhe nga 1000 krerë bagëti. Tregtarët kanë punishte qumështi, vreshta, fabrika të përpunimit të vajit e të fruta perimeve. Mbledhësit e bimëve medicinale janë gjithashtu me qindra. Ndërtimi i rrugës i ka bërë fshatarët që qysh tani të mendojnë për fronte të reja të biznesit. Edhe një zall në Lumin e Vlorës është flori. Jeta po ndryshon. Herë pas here i kërkoj Resulit t’më rrëfejë ngjarje nga të Lumit të Vlorës. Ai më tregon shumë, por një e shënoj në bllok.

Gratë labe në raste fatkeqësish vinin një brez të leshtë për mesi. Brezi i leshtë i mbronte kur qanin. Gjatë lëngimit brezi i mbronte që të mos u pushonte zemra, të pësonin hemorragji në stomak, apo t’u plasaritej mëlçia e zezë. Për këtë brez kishte dhe nja dy vargje: /Mjerë, mjerë ato nëna/ Mjerë, mjerë o BREZVËNA”. Për BREZVËNAT folëm shumë. Brezvënat u shumuan në vitin e zi 1977. Kemi lënë pas Peshkëpinë, Drashovicën, Mavrovën, Kotën, Vajzën dhe kemi ndaluar në të majtë të fshatit Ramicë. Freskohemi tek një gurrë me ujë të akullt. Është ujë dëbore nga mali i Tartarit, më thotë Resuli. Ai më flet për ekonominë e fshatit që po ecën mirë. Kush i rri punës tek koka jeton edhe më mirë se në Evropë. Resuli më tregon legjenda e unë e ndjej se ai e ka një trishtim. Më ka humbur “Çipini” më thotë ai dhe heq në zemër. “Çipini” është kali i tij i bëshëm sa shkëmbinjtë e malit të Tartarit. Një natë me parë e kishin rrethuar ujqërit. Resuli e kishte lidhur në livadh. Tufa e ujqërve nuk e kishin ngrënë dot. “Çipini” është i paçjerrë dhe nuk ka dhëmbë ujku që t’i ngulet lëkurës së tij. Dy milion lekë ia kishte kërkuar një velçiot, por ai nuk e kishte shitur. “Çipini” ishte kalë për të marrë nuset. Burrat e Lumit të Vlorës janë të lidhur shumë me kuajt. Unë kisha me vete librin e autorit Ahmet Demaj nga fshati Velçë me titull: “Amanet kalin”. Tregimi ishte i jetuar dhe fabula gjithashtu qe e thjeshtë. I ati i autorit të librit në një rrethanë të caktuar të jetës kishte qenë i detyruar dhe e kishte shitur kalin, që ai e donte shumë. Kur e kishte përcjell blerësin tek shtegu i avllisë bashkë më kalin e dashur i kishte thënë: “Amanet kalin!”. Të ulur me Resulin në të njëjtin shkëmb në formën e sofrës ai shpreson se “Çipini” do të kthehet në stan. Kali është i shenjtë. Resuli tregon për një komandant të dikurshëm nga Lumi i Vlorës. Komandanti po i çonte asqerët në betejë. Por atij po i mbaroheshin ushqimet. U detyrua të therë kalin e shalës për të shpëtuar asqerët siç e thotë dhe kënga: /Edhe kalin e there/ Asqerëve ua dhe meze/.

Pastaj ai rrëfen një ndodhi me ujqërit. Resuli di shumë të tilla. Ujku shikon shumë natën, dëfton ai. Tregojnë se një ujk që nga maja e malit të Tartarit shikon natën një dele të zezë në shpatin e malit të Stogoit. Dhe ujku fluturon për atje. Por ujku natën nuk shikon afër. Delen e zezë nuk e pikas dot dhe kthehet sërish në malin e Tartarit. Kështu vrapoi tërë natën. Vraponte nga Tartari për në Stogua e kthehej gjersa e zuri dita tek Lumi i Kaurit në Vranisht. Ujku është një lloj “artisti”. Ai di marifete dhe tërheq në “thertoren” e tij gjënë e gjallë. Ulkonja para se t’i ushqejë këlyshët me qumësht i mëson ata që të lëpijnë me gjuhë një pluhur nëpër shkëmbinjtë gri. Ulkonja e kryen veprimin vetë e para dhe pas kësaj e imitojnë këlyshët. Pikërisht kur këlyshët e kanë kapërxyer pluhurin gri ulkonja u jep qumësht gjiri. Qumëshi i ulkonjës i përzjer me me pluhurin gri e vesh me një cipë të çelniktë plëncin e këlyshëve. Pran