Motive te shekujve

October 20, 2019 12:17

Motive te shekujve

Moikom Zeqo

MARTIRIZIMI I ARDALION AKTORIT

 

Historinë paradoksale dhe të dyzuar të martirit Ardalion sinaknarët e Kishës Lindore e tregojnë shkurt me dy-tri fraza, stolisur me metafora standarte, larg çdo alegorie të shumëfishtë. Një gjë është e sigurtë: Ardilioni ka qenë idhujtar i thekur, imitues i shkëlqyer dmth aktor në kohën e perandorit Maksiminiam (285 – 305).

 

* * *

I gjatë, pak i kërrusur, me fytyrë ovale, me flokë të gjatë e mjekër të shkurtër binte në sy për energjinë e xhesteve dhe të zërit të fortë.

Ishte dhe ventrilok edhe pa lëvizur gojën zërin dhe fjalët i artikulonte nga të brendshmet e trupit. Për këtë dhunti e akuzuan për magjistar, por nuk ishte i tillë. Qe zemërbutë, kureshtar, herë herë kalonte kriza të befta epilepsie. Njerëzit për këtë nisën ta quajnë të shenjtë, të veçantë.

Si aktor luante mrekullisht edhe rolet e femrave. Kishte luajtur rolin e Elenës së Trojës, atë të Klimtemnestrës, të hyjneshës Artemis, si dhe të Reas dhe Andromakës. Gjatë aktrimit si femër rruante mjekrën dhe gjithë qimet e trupit, bënte makiazh dhe vinte paruka të mahnitëshme. Shkujdesja e tij qe e gjatë, kundërshtonte gjithçka, por edhe pranonte gjithçka.

 

* * *

 Një ditë vendosi të luante rolin e Efgjenisë në Aulidë, vajzës së Agamemnonit. Dihet që i jati e sakrifikon të bijën. Por Ardalioni qe njohur me një tregëtar çifut me sy të errët, misterioz dhe shumë të ditur. Çifuti i lexoi një shkrim të lashtë biblik: historinë e profetit Abraham, që Zoti i tha të sakrifikonte djalin Isak. Abrahami u mëdysh, por dashuria për Zotin e detyroi të ngrinte thikën e mprehtë, rituale. Zoti në vend të Isakut vendosi në altar një qëngj. Ky detaj qe përfundimtar. Nëse zotat paganë e pranuan vrasjen e vajzës Efgjenia Zoti i vetëm i çifutit e shmangu vrasjen e djalit Isak.

Ardelioni nuk e përballoi qetësisht zbulimin e tmerrshëm. I urreu zotat e shumtë dhe adhuroi tashmë Zotin e Vetëm.

Çifuti qe zolot nga brigjet e Detit të Vdekur, pjesëtar i një sekti kokëfortë të krishterë.

 

* * *

Por pocilizmi madhështor i Ardalionit nuk mund të kishte kuptim pa martirizimin. Në të vërtetë pushteti romak i martirizonte të krishterët. Ardalioni bëri kështu zbulimin e dytë: si sakrifikimi i Efgjenias ashtu dhe mos-sakrifikimi i Isakut në vetëdijen hyjnore në fakt qenë e njëjta gjë, ose kuptime të ndryshme të një ideje unike.

Arriti në këtë përfundim mbas shumë dilemave.

Në një teatër lokal, diku në Kapadokia, ai papritur luajti në  skenë rolin e vetë Jezu Nazaretasit. Por në vend të rojave romake (që s’ishin në skenë) ai kamxhikoi vetvehten. Për të shmangur shembëlltyrën e  urryer të kryqëzimit u vetvar dhe çau me thikë gjoksin. Shikuesit e teatrit u hodhën përpjetë nga çudia, entuziazmi, por edhe nga skepticizmi dhe neveria zyrtare.

 

* * *

Në sinaksaret lakonikë dhe kontradiktorë për Ardalion aktorin thuhet, se poshtë këmbëve të martirit u ndez një zjarr, si i ardhur nga kozmosi. Zjarri e pastroi figurën e neveritëshme, idhujtare të pabesueshme, të mëparshme të Ardalionit dhe figura e tij e dytë guximtare dhe parashikuese shkoi triumfalisht në Qiell e pastër, e besueshme, shndritëse, nëpërmjet llojit të dytë të Pagëzimit, të Pagëzimit të gjakut: kishte “kaluar përmes zjarrit” kështu që ishte i tepërt si “nëpërmjet ujit” (Psalmi 65-12).

(Durrës 1992)

 

KAFKA E LEPURIT

Në prill të vitit 1958, Tinguely, piktor i braktisur, por edhe idhnak, pasi përjetoi një vegim të tmerrshëm vendosi të ekspozojë kryeveprën e  jetës.

Në kopështin viktorian të Muzeut të Artit Modern në New York ngriti një skulpturë haluçinante prej allçiu, një lloj idhulli të Magjisë Vudu.

Erdhën të tërë gazetarët e mediave, paparacët, koleksionistët miliarderë dhe pleq, mjeshtërit anonimë të shkencave okulte, poetët kabalistë, artistët homoseksualë, që kishin lënë përgjysëm studimet, zjarrfikësit me kaska, agjentët e FBI-së, si dhe dy tri shkrimtarë nobelistë.

Heshtja qe lemeritëse. Të gjithë i kishin ngulur sytë dhe kamerat tek artisti me sqimë të pabesueshme.

Tinguely kishte ardhur gati lakuriq, i lyer me tatuazhe në lëkurë, që tregonin figura kafshësh abstrakte, pa harruar dhe një citat nga Mateu 2-5.

Fytyrën e kish lyer me ar llamburitës, por flokët i kishte rruar krejt. Mbante në dorën e majtë një lepur të ngordhur, të bardhë.

Ju afrua skulpturës, prej saj dilte filli i një fitili, e ndezi me një fije shkrepse dhe klithi tri herë “O God!”. Skulptura shpërtheu butë dhe ra e tëra duke shpërndarë gjithashtu një lloj pluhuri me ngjyrë të artë, që krijoi maska në fytyrat e të pranishmëve si dhe mbuloi thirzat e kamerave.

Pastaj Tinguely i spjegoi lepurit të ngordhur idenë e kryeveprës së vet të paparë për tri orë rrjesht.

 

* * *

Kjo ngjarje nuk është e shpikur. Është e regjistruar saktësisht nga Kronika. Artikujt që u shkruan me ngut por dhe plot pezm filozofik, madje dhe teologjik shoqëroheshin nga fotografi të mëdha. Buja qe ciklike, por pastaj, siç ndodh, çdo gjë u harrua.

 

* * *

Drejtori i Muzeut Moder, dr. Clarch, historiani më i famshëm i pikturës së Rilindjes së hershme italiane refuzoi të paguante pastruesit që të hiqnin gërmadhën e allçiut në kopësht. Drurët e ruajtën pluhurin me ngjyrë të artë për shumë kohë.

Fansat e çmendur të Tinguely-t i ruajtën në koleksionet e tyre të kota disa nga gjethet. Më në fund ishin zjarrfikësit zemërmëdhenj të New York-ut që i hoqën copat e allçiut dhe lanë me rryma uji të ftohtë drurët e pafajshëm.

Më keq e pësoi artisti. Në fytyrë ju krijua një ekzemë e urryer dhe e qelbur. E quajtën plot zilepsje si shembëlltyrë të Jobit. U shërua vetëm mbas tri vjetësh.

 

* * *

Po lepuri i ngordhur? Ah, harruam lepurin, simbolin e publikut, që ju drejtua leksioni epokal. E mbështollën me një qese plastike dhe e hodhën në koshin metalik të plehrave.

Ca mace bastarde e zbuluan, e hëngrën dhe ja shpërndanë eshtrat. S’dihet se si – kjë është shënjë e fshehtë e providencës, kafkën e lepurit e gjeti një kozmonaut: NASA-s, që e mbajti si një relike në dhomën e fëmijëve. Një miku i tij në pension, (çuditërisht qe historian i artit) e pa kafkën e lepurit dhe i mahnitur ja kërkoi. Dëshira ju plotësua. Kafka e lepurit u ekspozua në një stendë xhami mbas 25 vjetësh nënkuptohet në Muzeun e Artit Modern, por pa etiketë identifikimi, të shkruar!

(Durrës, 1999)

 

SERAPIONI I SIDONIT

Prindërit e Serapionit të bekuar (nuk ruhen emrat e tyre!) ishin me origjinë nga Sidoni, qytet i lashtë i bregut verior të Palestinës. U shpërngulën në Egjipt. Serapioni fëmijë qe i lëvizshëm, madje grindavec. Kur u rrit mbante një thikë, me të cilën therrte njëlloj fytet e kecave dhe njerëzve. I braktisi prindërit për të njohur botën “në udhëtim të lirë”. Në shkretëtirën tebeane nën Diellin përvëlues i ngordhi deveja, pa ujë dhe lakuriq (i hoqi tërë rrobat nga vapa e tmerrëshme) përjetoi një lloj paravdekje plot ankth ferri dhe ëndrre me lule. E gjeti një asket i shkretëtirës, i dha ujë, e ringjalli. Ju përkushtua Jezu Krishtit. Përfundimisht.

Kurrë më nuk veshi rroba. Mbulohej vetëm me një çarçaf ndaj u quajt edhe Serapioni i Sindonit (sindon në greqishten e dialektit kopt do të thotë çarçaf).

Hodhi tutje thikën dhe mbajti kryqin.

 

* * *

 

Përsëri shtegëtoi. Asketi i kishte dhënë një Ungjill. E mësoi përmendësh. Kishte një kujtesë të frikëshme.

Në qytetin Memfis pa në kalldrëm disa lypësa që po vdisnin urie. Ahere Serapioni e shiti Ungjillin dhe me paratë mori ushqim dhe ujë për lypësit. “Shita Kryezotin (Krishtin) për ata që kishin nevojë”, thoshte më pas, kudo, pa patur frikë dhe ndroje nga blasfemitë.

 

* * *

 

Madje edhe të krishterët nisën ta quajnë të marrë. Por dihet mirëfilli se marrëzia është formë e hyjnitetit, tërë teologët nuk e përbuzin dhe nuk e shmangin dot këtë ide delikate, por edhe fantazishpërthyese.

Ahere bëri diçka më të skajshme: e shiti vehten si skllav tek idhujtarët dhe heretikët, gjatë bisedave me ta me kreshmën dhe agripninë e tij i tërhiqte drejt njohjes së mistereve të krishtera.

 

* * *

Lundroi si klandestin drejt Romës, i fshehur në një fuçi vere, bosh. Një marinar mjekrosh, me një sy të nxjerrë nga një duel i pafat me thikë, i dehur, e zbuloi, e rrahu e qëlloi me shkelma. Kapiteni i hodhi litarin në fyt. Serapioni ra në gjunjë, ju lut, i tha se udhëtoi fshehurazi se nuk kishte para, por e kish bërë gjithçka për një qëllim: kishte parë në ëndërr se në Romë jetonte e mbyllur 25 vjet rrjesht një virgjëreshë. Donte ta takonte. Ky ishte një urdhër hyjnor. Kapiteni i anijes qeshi.

– Në këtë botë nuk ka femra virgjëresha, i tha me kërcënim. Je një gënjeshtar. Por edhe unë pashë mbrëmë në ëndërr që do të ndodhë një shtrëngatë e rrezikëshme. Nëse ndodh shtrëngata do ta fal jetën, po të shpëtojmë gjallë nga furia.

Mbas disa orësh erërat u kërleshën, rrufetë dogjën dyrekun, deti u xhindos. Agonia qe e  tmerrëshme, e papërshkrueshme. Në agim deti ra, shpëtuan. Kapiteni e fali Serapionin.

 

* * *

Serapioni arriti në Romë. Shpejt mësoi ku qe mbyllur virgjëresha e famëshme. Shkoi tek ajo. I thirri se donte ta shihte. Të Tërë u skandalizuan kur panë se dera e mbyllur për çdo burrë të botës befas u hap.

Serapioni hyri brenda.

Mes qirinjve të ndezur qe një grua e re e mbuluar me çarçafë të zinj. Me kokën e mbuluar, si një kafshë mistike në një shpellë prehistorike.

Serapioni u fal, i kërkoi asaj të dilte jashtë.

– Jam e vdekur për gjërat tokësore. Po njerëzit ç’do të thonë nëse do të dal?

Zëri i saj sikur vinte nga thellësia e hiçit, mijëvjeçarëve dhe përdëllimit të pakufishëm.

– Je e gënjyer nga Djalli, i tha Serapioni i menduar. I vdekuri nuk mendon kështu. Nëse je e vdekur, eja me mua të ecim të zhveshur në qytet.

Asketja erdhi në vete dhe duke kërkuar falje u përkul përpara të vdekurit të vërtetë.

Virgjëresha u zbulua, ishte krejt lakuriq nën çarçafët.

Ahere ndodhi mrekullia më e pashpjegueshme.

Nga dera e të ngujuarës dolën të dy, nudo, përpara syve të njerëzve të hakërritur.

Adami i ri dhe Eva e re!

Kjo ngjarje skandaloze nuk u harrua kurrë.

Pastaj u bënë të padukshëm dhe u zhdukën përgjithmonë.

 

* * *

 

Tërë sinaksarët për mrekullitë e shën Serapionit janë kontradiktorë.

Shfaqjen lakuriq të tij dhe të virgjëreshës në Romë e përmendin me dyshim, por nuk e mohojnë krejtësisht.

Sinaksarët e Kishës Lindore përplasen me ato të Kishës Perëndimore përsa i përket kohës kur jetoi shenjti. Disa përcaktojnë shekullin e II, disa shekullin e VI, por disa variante dhe fragmente edhe shekullin e XI. Teologët kjo gjë nuk i shqetëson aspak. Dihet se shenjtorët kanë vetinë e ubikuitetit, d.m.th. mund të shfaqen si shëmbëlltyrë njëherësh në vende të ndryshme si dhe njëkohësisht në kohëra të ndryshme.

I bukur kush i kupton misteret e Pafundësisë!

(Durrës, 2000)

October 20, 2019 12:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*