Moxhi zbulon sekretet e Partizanit
Nga Arkiva
Luçiano Moxhi është numri një te Partizani për momentin, pasi është pikërisht ai që do të ndërtojë ekipin për sezonin e ardhshëm.
Gjithçka do të nisë nga pankina dhe trajneri i ri do të zgjidhet për një javë sikurse është shprehur italiani në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres”.
Moxhi ka folur për planet e tij, largimin e Torasës dhe eliminimin nga Europa League.
PLANI – “Ajo që mund t’iu them për momentin është se jemi duke vlerësuar trajnerin dhe futbollistët. Trajneri? Do të jetë një italian, kjo është e sigurt. Pashë skuadrën, tre apo katër ndeshje, tani jam duke punuar për skuadrën dhe për trajnerin. Por, në momentin aktual nuk mund t’iu them asgjë me saktësi. Kemi një muaj e gjysmë kohë për të zgjedhur futbollistët dua të shoh se cilat janë situatat dhe rrethanat më të mira. Sa i përket trajnerit, do të zgjidhim gjithçka brenda një jave”.
TORASA – “Problemi qëndronte në faktin se si fantazist i skuadrës, shënoi vetëm dy gola dhe për një futbollist në atë rol janë shumë pak. Ndaj, mund të them që nuk më bindi”.
ELIMINIMI NGA EUROPA – “Në fakt, në syrin tim, nuk mendoj se e meritonim plotësisht këtë eliminim. Por, mbetet një fakt i rëndësishëm që njerëzit duhet të vlerësojnë. Skuadra ndaloi, pra i mbylli aktivitetet kur mbaroi kampionati. Bëri pushim 1 javë apo dhjetë ditë dhe më pas rinisi stërvitjet, duke pasur parasysh edhe faktin se deri në sfidën ndaj ekipit bullgar, zhvilloi vetëm një miqësore. U gjend që të përballej me një ekip, kampionati i të cilit kishte nisur prej katër ditësh. Sigurisht, hapi i kundërshtarëve ishte shumë më i madh dhe s’mund të ishe ndryshe. Ata ishin në qendër të një përgatitje, ndërsa Partizani ishte i ndaluar sepse kishte mbaruar kampionatin prej kohësh. S’ka asgjë më shumë se kaq. Duhet të përpiqemi që të ndërtojmë një ekip që do të bëjë më mirë dhe do të synojë të arrijë rezultate të rëndësishme. Puna ime, e përsëris, do të jetë pikërisht kjo”.
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento