Mposhtja nuk është Bindje 

October 2, 2017 17:25

Mposhtja nuk është Bindje 

Spanja ka hyrë në një prej krizave më të rënda politike që prej rikthimit të demokracisë, në vitin 1978. Dhuna shtetërore, aspak proporcionale nuk mund të krijojë bindje, për të imponuar respektimin e ligjit. Kjo, pasi mposhtja fizike, nuk ka pasur asnjëherë fuqinë të krijojë bindje logjike. Madje, është gjeneruesja kryesore e rritjes së mos bindjes dhe rebelizmit, sidomos ndaj rajoneve, që janë në të drejtën e tyre, për të shprehur mendimin e shumicës, përmes mjeteve demokratike. Por, a duhet të shërbejë ligji si një materie e ngurtë, ku në emër të tij të mund të justifikohen akte të tilla dhune? A është ushtrimi i dhunës, mjeti i fundit i përdorur, pas shterimit të të gjithë mjeteve të tjera, për të futur në kornizën ligjore një situatë, që shfaqet kërcënuese duke dëshmuar se, ka dalë nga shinat e funksionimit të shtetit të së drejtës ?

Logjika e përdorimit të dhunës, nga të djathtët në pushtet, shfaqet e bazuar në kuadrin e shkeljes së kushtetutës spanjolle. Pra, e përdorur nën filozofinë e rikthimit të nevojshëm të situatës, brenda kornizës ligjore. Qëllimi i saj, ishte mbrojtja e padiskutueshme e kushtetutës. Kushtetuta, sipas autoriteteve spanjolle, duhet të respektohet me çdo kusht dhe në çdo rrethanë. Çdo akt i palejueshëm, që mundëson organizimin e referendumeve të njëanshme të rajoneve në Spanjë, duke rënë ndesh me Kushtetutën, konsiderohet i paligjshëm. Si rrjedhojë, situata duhej të rikthehej në shinat normale të shtetit të së drejtës, në çdolloj rrethane dhe me çdo mjet.

Por, ekzagjerimi i ndërhyrjes policore dhe brutaliteti i shfaqur, në mënyrë paradoksale do të vinin në dyshim vetë “karakterin e pa ekuivok të mbrojtjes së frymës ligjore”, duke ngritur një tjetër pikëpyetje, nëse ligji është krijuar për të mbrojtur integritetin fizik dhe moral të qytetarëve, apo për ta dhunuar atë ?

Përveç vënies në dyshim të këtij karakteri thelbësor, mënyra e zgjedhur nga qeveria spanjolle për të zgjidhur situatën, do të ekspozonte edhe dy elementë të tjerë:

Së pari, përmes dhunës dhe skenave të përgjakjes, ata lejuan shfaqjen botërisht të një situate ku Katalonja privohet nga elementë thelbësorë të demokracisë, siç është shprehja e mendimit të shumicës. Dhe kjo hap shtigje reflektimi, që e keq-pozicionojnë qeverinë e djathtë spanjolle. Jo vetëm, teksa nuk lejon aspak mjete demokratike për të bërë të mundur shprehjen e lirë të mendimit, por tek shfaqet tërësisht e shpenguar në përdorimin e dhunës.

Së dyti, kushtetuta nuk mund të jetë një materie e ngurtë, që mund të legjitimojë kaq ftohtësish dhunën, teksa hapet faqja x dhe paragrafi y, që e justifikon atë! Dhe ku po aty, në mënyrë po paradoksale, një tjetër faqe dhe paragraf shfaqen, si garant i mbrojtjes ndaj tyre!

Fakti që kushtetuta rishikohet vazhdimisht, në varësi të rrethanave të kohës, lejon imponimin e logjikës së konsensusit dhe të dialogut. Për më tepër, ky dialogim lehtësohet edhe nga fakti se vendimi për organizimin e referendumit, vjen si proces i dalë nga një Asamble e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe demokratike, dhe si rrjedhojë nuk mund të konsiderohet një akt absolutisht i pavlefshëm.

Për më tepër, kuadri ligjor ndërkombëtar, që kanë sjellë rastet e referendumeve për shkëputje favorizojnë në mënyrë të mjaftueshme dëshirën për dialog të katalanasve, duke mos mohuar as dëshirën për shkëputje.

Në rastin e pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë doli me një opinion duke vlerësuar se, “Asnjë rregull i së drejtës ndërkombëtare nuk e ndalonte një ndarje”. Dhe në rastin e Kebekut, opinioni i dalë në vitin 1998, nga Gjykata Supreme e Kanadasë vlerësonte qartësisht se,   “Kur një provincë dëshiron të shkëputet, parimi i besnikërisë federale kërkon që provincat e tjera të federatës të kryejnë negociata”.

Dhe në rastin e Katalonjës, është pikërisht ky element që Spanja e refuzon në mënyrë kategorike.

Përgjatë qeverisjes socialiste të Zapateros, Katalonja kishte arritur të negocionte një status të ri, duke mundësuar më shumë autonomi dhe duke u njohur si komb.

Por, situata ka njohur përkeqësim që me ardhjen në pushtet të konservatorëve.

Partia popullore, arriti të realizonte anulimin e këtij statusi, përmes Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010. Dhe Gjykata Kushtetuese e Spanjës, është e njohur për varësinë që ajo ka nga politikat e Madridit. Dhe pikërisht këtu do të niste edhe fillimi i përshkallëzimit politik të situatës. Qeveria katalanase, kërkoi disa herë të diskutohej paraprakisht për autonominë, por qeveria konservatore e Madridit e ka refuzuar gjithmonë dialogun. Dhe bëhet fjalë për një dialog, që mund të realizohej edhe përgjatë procesit të rekursit qeveritar, ku shkëmbimi i pikëpamjeve mes dy administratave, mund të luante rolin e nevojshëm për një konsensus.

Dhe teksa, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, i hoqi thelbin, apo esencën statusit të autonomisë së vitit 2006, duke anuluar një sërë nenesh pasi i vlerësoi ato si antikushtetuese, si p.sh: futjen e konceptit të kombit katalanas në statusin e autonomisë, apo përcaktimin e gjuhës katalanase si gjuhë e një karakteri preferencial mbi spanjishten, të djathtët do të refuzonin çdo tentativë për dialog mes palëve.

Pak më vonë, do të kemi sërish refuzim qeveritar për dialog, në lidhje me nivelin e transferimeve të burimeve fiskale të Katalonjës drejt shtetit qendror, e perceptuar kjo si e papranueshme. Refuzimi për dialog do të vijonte më tej, edhe ndaj kërkesave të vazhdueshme për rishikim të modelit të financimit të rajonit dhe në vitin 2014, për organizimin e një referendumi për vetë-përcaktim.

Dhe do të ishte pikërisht krijimi i kësaj klime, që do të favorizonte fuqizimin e krahut politik, pro pavarësisë së nevojshme të vendit, duke bërë të mundur edhe nxjerrjet e tyre si fitues, në zgjedhjet rajonale të vitit 2015. Pra, përshkallëzimi gradual i situatës politike, u krijua në rrethana mohimi sistematik ndaj dialogut dhe konsensusit.

E djathta spanjolle nuk ka pranuar kurrë që të negociojë.

Por, ka edhe një aspekt, që nxjerr në pah jo vetëm paaftësinë e politikës së Madridit për t’u treguar vizionare, por edhe mungesën e një politik-bërje pragmatike, që mund të zvogëlonte shanset për përshkallëzim të mëtejshëm politik. Teksa referendumi u konsiderua i paligjshëm, pra jashtë kornizës kushtetuese, qeveria mund edhe thjesht ta injoronte atë, pasi refuzimi kishte shanse të mëdha të fitonte. Rasti i referendumit të fundit në Skoci, është provë edhe e një reflektimi pragmatik përballë pasojave, që shoqëron një ndarje politike dhe territoriale. Në fund të fundit, ka edhe vullnete popullore reflektuese, që i shikojnë të padobishëm kufijtë e rinj, që mund të krijojnë barriera duke ndarë vendin nga BE, në një Union, që i ka fshirë ato. Por, partia popullore zgjodhi rrugën e shtypjes përmes dhunës, duke shfaqur një imazh brutal, të një djathte të pamëshirshme përballë të moshuarve dhe grave. Pra, të djathtët zgjodhën rrugën e gabuar, duke injoruar kërkesat e katalanasve. Diskutimet, apo negocimet mund ta kishin zbehur aspiratën për pavarësi, drejt një autonomie edhe më të gjerë. Çdo hipotezë do të ngelej e hapur, për sa kohë dialogu nuk ndodhi kurrë. Dhe në mungesë të dialogut u shpalos dhuna! Duke arrestuar drejtuesit katalanas, duke bastisur zyrat e votimit dhe sekuestruar materialet zgjedhore, dhe duke zhvendosur gardën civile gati për të “pushtuar” zonat rebele, dhe duke e përmbyllur me dhunë fizike, pa dallim moshe dhe gjinie. Lëvizje, që rrisin shansin që të pozicionojnë në një shumicë absolute, duke i kthyer madje mendjen edhe asaj pjese të popullsisë, që mendon se pavarësia nuk është zgjidhja optimale për aspiratat katalanase.

Një gjest i thjeshtë, një votim krejt i zakonshëm, u shndërrua brenda pak minutash në një gjest heroik, jo në mbrojtje të kombit, por në mbrojtje të lirisë për t’u shprehur, të së drejtës për t’u vetëvendosur dhe të demokracisë. Një gjest, që dëshmon paaftësinë e një politike për të pasur vizionin e duhur, maturinë e nevojshme dhe vullnetin për të respektuar pikërisht atë, që ajo pretendon se mbron : “ligjin”, “demokracinë” dhe “qytetarët” e saj.

DITA

 

October 2, 2017 17:25