e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Mrekullia Elhaida dhe kënga e korbave të politikës

3
Robert Përmeti
Postuar më: 3 Qershor, 2013 tek Letrat e Lexuesve

Një zë kristal, gjithë forcë e bukuri, pushtoi zemrat e artdashësve shqiptar e italianë. Elhaida shkodrane tashmë i përket gjithë popullit nga Saranda, Himara, Vlora, Korça, Tirana, Durresi, Burreli, Peshkopia e deri në trevat e kudobanuara nga shqiptaret. Të gjithë ndjehen krenarë, jo vetëm për talentin e saj, por mbi të gjitha për kontributin që ajo përcjell para botës së qytetëruar, se shqiptaret nuk duhet të përfaqësohen nga politikanët grindavec, por nga njerëz të talentuar. Pa paragjykime modestie mund te themi se ka shqiptarë shumë të talentuar edhe pse jetojnë në ambiente te trysnuara politike të ngarkuar me një thes problemesh ekonomike, sociale me garnitura të krimit e të korupsionit.

Zëri i saj i ëmbël, tingëllues e i kthjellët si uji i Bunës, çau papritmas smogun që i merr frymën shoqërisë shqiptare, nga politikanët e markave te ndryshme.

Smogu televiziv shqiptar, i krijuar nga figurat e rëndomta të politikës shqiptare, pothuajse nuk i krijuan hapsirë këtij talenti që të imponohet jo vetëm me bukurinë muzikore që na përcjell, por edhe me respektin që krijon me dinjitetin e saj njerëzor e artistik. Ekranet e shpikura nga njerëzimi për te debutuar artistët e të gjitha gjinive, tashmë janë kthyer në pronë të politikanëve që çirren e bërtasin duke sharë pa mbarim njëri tjetrin, duke sharë me nën e me motër, pamvarësiht nga moshat që kanë. Koha moderne po na servir pa problem “një lloj tjetër artisti”, që  nuk pëlqehet, por imponohet dhe ky quhet politikan i ekranit. I bindur se bën shou, i bindur se sa mezi e presin të premtojë gënjeshtrën e artë të radhës, me të njëjtat klithma, por vetëm kostumet e ndryshme nga ekrani në ekran, i kthen ata në pushtues të mediave duke përcjellë mesazhin: “Ç’na duhen artistet nëpër ekrane kur jemi ne”.

Harxhohen miliona nga paret e taksapaguesve shqiptar, për të bombarduar ekranet televizive 24 orë dhe po të ishte mundësia edhe 26,8 orë. Bërtasin pa mbarim, gënjejnë gati deri në pafajësi, kërcënojnë njëri tjetrin thjesht për kredibilitet, primitiv nga prejardhja e të veshur me kostume të shtrënjta, shtrëmbanik nga fiziku dhe investues për tu dukur elegantë. Sfilatë e shëmtuar e kohës që na serviret përditë nga mëngjezi në darkë aq sa kemi filluar të na neveritet vetja, sepse nuk kemi më fuqi që të neverisim këtë armatë të pafundme politikanësh.

I jam mirënjohës Elhaidës që me zërin e saj na dhuroi një mëngjez me reze drite, të ngrohtë e gjithë dashamirësi, i jam mirënjohës se ajo e vetme i injoroi gjithë klthmat e politikanëve që kanë krijuar simfoninë e korbave e që prej 23 vjetësh këndojnë të njëjtën melodi, por herë me çifteli e herë me kitarë elektrike.

Nuk e di se pse më kujtohet prralla e famëshme kur korbi i veshur si pëllumb, donte të sfidonte zërin e bilbilit. Rënqethëse është, kur mendon brishtësinë e bilbilit në raport me tufën e sorrave që klithin me kob. E megjithëatë bilbili mbetet bilbil dhe gjithmonë i dashur për të gjithë. Të xhelozuar korbat politikanë kanë mbetur të shtangur nga pushtimi i hapsirës njerëzore nga mrekullia e Elhaidës. Si është e mundur që një zë i vetëm të eklipsojë gjithë këtë lukuni harbute që ka në dispozicion prej kohësh, kohën, ekranet, militantët e një zë i vetëm i shumzoi me xero.

Si është e mundur që gjithë ajo Itali i vuri në dispozicion ekranet e saj dhe dashamirësit e saj artdashës, kur ajo ishte këtu pranë nesh, në Shkodren e Mjedës, Migjenit, Fishtes etj. Si ështe e mundur që “vaji i bilbilit” të Mjedës, nuk qënka midis turmës së militantëve, pjesë e mitingjeve zhurmëmëdhenj, pjesë e rumpallës qeveritare, që nuk merret me hallet e popullit, por me transportin e podiumeve e te militantëve.

Dhe dihet se korbat do të investojnë sido që të jete, të paktën sa për fushatë të kenë mundësi të kendojnë një duet me mrekullinë Dani. Dhe dinë ata se si të të joshin, sepse kanë në dispozicion nuhatjen e miut, që kur gjuan djathin, lëviz mustaqet me shumë shkathtësi sa majtas djathtas. Lëviz me shkathtësi edhe pse diku mund të jetë macja, por për ta nuk ka rëndësi kjo, sepse ata e kanë mësuar nga njëri tjetri e jo nga leximet se: “Qëllimi justifikon mjetin”, term që e përdorin kur duan të marin pamjen e filozofit.

Arti nuk është relike për zbukurim, por është cilësi e të jetuarit e të menduarit të një populli dhe për sa kohë populli do ti qëndrojë larg artit, për sa kohë do të jetë indiferent ndaj artistëve, ai do të kthehet viktimë e drogës, krimit e korupsionit. Arti ka mision emancipimin e shoqërisë, ka mision të ushqejë një komb me energjinë për të jetuar e jo për të rojtur. Për të rojtur na e ka dhene perëndia, për të jetuar duhet të luftojme e të përpiqemi, ndryshe mbetemi primitiv.

 

Opinion nga: Robert Përmeti


3 Komente


  1.  
    b.kanani

    pa mbaruar pune ne itali birisha e ftoj qe te kendoj ne mitingun permbylles te fushates,kulmi i injorances,kush dreqi na i pruri ne drejtim keta vemje te shoqerise,nuk len kerkend te beje nje cik karrier po po cfar behet.




  2.  
    Gramoz

    VAJZA NA NDEROI E BEKUAR QE NA KE LEHTESUAR SHPIRTIN E NDERUAR VAJZE MOS BJER PRE EKETYRE SHARLATANEVE SE KETA JANE NJERES HEDHIN LUMIN DHE S DUAN T,IA DINE PER KALIN TI TANI JA KE BERE VENDIN VETES DYERT I KE TE HAPURA KUDO MOS DEGJO HALLDUPET ESHTE FYERJE PER TY ZONJUSHE QE TE BIESH VIKTIME E JOZEFINE KOK PA LARE SUKSESE




  3.  
    Dardan

    I dashur Permeti, me pelqen shume artikulli juaj. Edhe ne te larguarit neper pikat e largeta te botes prej pushtimit terrorist berishian ndihemi keq para ekraneve kur politika e enderrave mashtruese vjell helmin ne veshet tane. Nje vrejtje (nese e pranoni)! Mund te perdornit ne vend te fjales xhelozuar, fjale te tjera si “plot lakmi” ose “te zilepsur” etj. Arsyeja e vrejtjes sime eshte per ate qe ndiihem i shqetesura nga fjalet e huaja qe sjellin politikanet si dhe nga krijimet e fjaleve te reja ne shqip nepermjet fromimit morfologjik te huaj. (kuroj, strapacoj, dakortsoj, xhelozoj e qindra te tjera)





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)