Muaji i parë rus i Krimesë

April 23, 2014 13:46

Muaji i parë rus i Krimesë

“New York Times” rrëfen jetën e qytetarëve dikur ukrainas, sot rusë. Nga këndvështrimi administrativ dhe burokratik Krimea është në një gjendje konfuzioni të përhershëm 

Prej mëse një muaji Krimea është pjesë e Rusisë, të paktën sipas referendumit të zhvilluar në të më 16 mars. Ndërsa tensionet ndërkombëtare mes Rusisë e Ukrainës dhe Rusisë e vendeve të tjera vazhdojnë, në Krime ndryshimi ka qenë i menjëhershëm dhe me shumë pasoja praktike shpesh të papëlqyeshme për popullsinë vendase.

Problemet më serioze kanë të bëjnë me tranzicionin burokratik të gadishullit. Banorët e Krimesë duhet të ndryshojnë targat automjeteve, sigurimet, dokumentet shkollore të fëmijëve të tyre, librezat mjekësore në një sistem tjetër shëndetësor dhe pasaportat për të udhëtuar jashtë shtetit edhe pse tani një gjë e tillë është e pamundur. Të gjitha fluturimet ndërkombëtare janë anuluar, përveç atyre që çojnë drejt Rusisë.

Çdo ditë mijëra persona vihen në radhë në zyrat publike, sot të drejtuara nga rusët, për të konvertuar dokumentet e tyre. Në të shumtën e rasteve  janë të nevojshme javë para se të merret dokumentacioni i kërkuar, shpjegon “New York Times”.

Aspekt shumë shqetësues është mënyra se si menaxhohet siguria  në Krime. Nëpër rrugë hasen shpesh skuadrat e vetëmbrojtjes, të përbëra nga ushtarakë pa një mandat të caktuar, që pretendojnë të mbajnë  sipas mënyrës së tyre sigurinë në vendet publike, duke nisur nga stacionet  dhe pikat e kontrollit përgjatë rrugëve kryesore. Aktivistë politikë, kundërshtarët e bashkimit me Rusinë dhe homoseksualët  janë personat që i druhen më shumë pranisë së grupeve të organizuara që shpesh veprojnë pa asnjë kontroll.

Bashkimi me Federatën Ruse ndodhi brenda një kohe të shkurtër dhe ishte praktikisht e pamundur planifikimi i çdolloj aktiviteti për ta bërë më pak traumatike periudhën e tranzicionit. Analistë të ndryshëm vlerësojnë se do të jenë të nevojshme të paktën dy ose tre vjet për të plotësuar kalimin nën protektoratin e qeverisë ruse.

Yelena Yurchenko, ministre e Turizmit në Krime, i refuzon kritikat që qarkullojnë gjatë këtyre ditëve mbi konfuzionin e madh në gadishull: “Broçkulla! Janë probleme të vogla  të zgjidhshme. E shumta mund të jetë një problem për personat që nuk duan të hidhen hapa përpara”. Sipas Yurchenko kalimi te Rusia përbën një mundësi të madhe për Krimenë kryesisht në nivelin ekonomik.

Në vend janë të pranishëm dhjetëra funksionarë të mbërritur nga Rusia për t’iu shpjeguar krimeanëve se si funksionojnë  ligjet ruse dhe për të dhënë konsulencë. Shumë banorë të Sinferopolit, kryeqytetit krimean, shpjegojnë për  të përditshmen amerikane se po jetojnë në një gjendje të rënduar pasigurie thuajse mbi të gjitha aspektet e jetës dhe nuk dinë kujt t’i drejtohen për problemet e tyre.

Importimi i ushqimit dhe i të mirave të tjera është në krizë. Djathi dhe mishi i derrit nuk mund të importohen më nga Ukraina dhe kontrolli i kufijve me rregullat e reja ruse po çon në zhdukjen e produkteve që gjenden zakonisht nëpër supermarkete. Dyqanet e kompanive shumëkombëshe  si “McDonald’s” dhe “Metro” janë mbyllur. Kompanitë nuk duan të rrezikojnë të sanksionohen për faktin  se e ushtrojnë veprimtarinë në një territor që pretendohet nga dy shtete. Për të zgjidhur problemin e bankave të Krimesë të mbyllura dhe jofunksionuese, presidenti rus Vladimir Putin lajmëroi se brenda një muaji do të hapen filialet e reja të bankave ruse. Disa agjenci ekzistojnë që para aneksimit dhe janë aktive, por për t’u futur brenda duhen kaluar orë të tëra radhësh të gjata.

Zyrtarisht periudha e tranzicionit drejt menaxhimit burokratik dhe administrativ të Rusisë do të përfundojë në janar të 2015-s. Rusia parashikon të shpenzojë deri në 2 miliardë euro për të gjithë operacionin, por sipas analistëve kostot do të jenë shumë më të larta.  Mes premtimeve të bëra janë rritjet e pensioneve dhe investime të shumta në infrastrukturat e reja./Përgatiti: Dorina Gjuzi 

April 23, 2014 13:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim