Mungesa e PD-së në Just BE? Nuk e di. Duhet të pyesni ata. Ne i kemi ftuar – thotë Fule

ILVA TARE - INTERVISTË March 26, 2013 20:46

Mungesa e PD-së në Just BE? Nuk e di. Duhet të pyesni ata. Ne i kemi ftuar – thotë Fule

 

Në një intervistë për Tonight Ilva Tare në Ora News, Komisionieri Evropian  për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë Stefan Fyle, thotë se perspektiva evropiane nuk i përket vetëm qeverisë, por edhe shumë aktorëve të tjerë që duhet të marrin pjesë në këtë process. Më poshtë, intervista e plotë:

Tare: Komisioner Fyle, faleminderit që më mundësuat këtë intervistë. Kam shumë kohë që pres për të. Dua t’ju pyes fillimisht pse zgjodhët të merrnit pjesë në një aktivitet me praninë e shoqërisë civile, akademikëve, medias dhe qytetarëve për t’u kërkuar angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë në procesin e integrimit. Pse kjo zgjedhje?

Fyle: Së pari nuk kemi bërë ndonjë ndryshim në politikën tonë. Ne gjithmonë kemi thënë se perspektiva evropiane nuk i përket vetëm qeverisë, por edhe shumë aktorëve të tjerë që duhet të marrin pjesë në këtë proces në mënyrë që pronësinë e këtij procesi ta kenë të gjithë dhe shoqëria civile është njëri prej këtyre aktorëve tejet të rëndësishëm. Dhe, së dyti, në këtë moment të caktuar të vitit mua më duket se politikanët janë gjithnjë e më të përqëndruar në zgjedhjet e ardhshme. Vullneti i tyre për të ecur përpara përsa i përket axhendës së integrimit në BE ka një vlerë korresponduese, pra në të njejtin nivel. Prandaj vendosëm që të vazhdojmë dialogun duke u fokusuar tek shoqëria civile dhe nëpërmjet edhe medias, për të përfshirë sa më shumë qytetarë që të jetë e mundur.

Tare; Në media në fakt u komentua që ju nuk u takuat as me Kryeministrin Berisha dhe as me liderin e opozitës Rama?

Fyle: Herën e fundit kur isha këtu u takova me ta dhe m’u duk që në atë kohë ata ishin të fokusuar pikërisht tek zgjedhjet e ardhshme. Këtë herë takova Ministren e Integrimit dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Integrim.

Tare: Ra në sy që nuk kishte përfaqësues nga Partia Demokratike. A mund të na e shpjegoni këtë? 

Fyle: Nuk e di. Duhet të pyesni ata. Ne i kemi ftuar.

Tare: A ju vjen keq që ata nuk kanë ardhur?

Fyle: Natyrisht që po. Mënyra se si ne kemi folur për shumë çështje ka qënë një mënyrë ku të gjithë mund të gjejnë një mënyrë për të kontribuar në debat dhe për ta çuar përpara.

Tare: Z. Komisioner, përse është në interesin e Shqipërisë të bëhet pjesë e BE-së. A mund t’ua shpjegoni me pak fjalë teleshikuesve, të gjithë shqiptarëve? Përse është në interes të Shqipërisë për të qenë pjesë e BE-së?

Fyle: Jo, jo, unë mund t’u jap perspektivën e BE-së, por mendoj se për këtë çështje duhet të japin shpjegime përpara qytetarëve politikanët shqiptarë. Politikanët evropianë vendosën shumë kohë më pare dhe arritën në përfundimin se Ballkani Perëndimor duhet të kthehej në një zonë stabiliteti dhe paqeje. Në të njejtën kohë, t’i ofrohej në të ardhmen begati vende të Ballkanit Perëndimor dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë ishte duke iu ofruar atyre antarësimin në BE. Vetë shqiptarët duan shumë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i BE-së. Unë kam parë shumë sondazhe dhe ndoshta Shqipëria është një nga vendet më entuziaste për antarësimin në BE. E vetmja gjë që uroj është që kjo të dukej edhe në llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e autoriteteve dhe të gjithë aktorëve politikë që të japin rezultate pikërisht për këtë pritshmëri.

Tare: Ju e thatë më parë që nuk e kuptoni se përse ekziston ky mur mes dëshirës së shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së dhe politikanëve nga ana tjetër që nuk po ndihmojnë për ta shembur këtë mur. Ju, a mund të ndihmoni, ndërmjetësoni?

Fyle: Nuk e di nëse fjala ndërmjetësim është fjala e duhur. Në një mënyrë, mes ndërmjetësimit tonë të përditshëm që kemi ne në një farë mënyre ndërmjetësojmë. Po të shikohen përshembull 12 prioritetet kyçe dhe lista e kërkesave minimale që kemi për të sjellë qeverinë dhe opozitën së bashku gjëra të cilat janë të nevojshme jo vetëm për Komisionin, por edhe për shtete anëtare që të jepet statusi i vendit kandidat, bëhet fjalë për një punë të përbashkët. Fatkeqësisht, shikojmë që nuk kemi pasur mundësi që kjo pritshmëri të realizohet dhe na vjen keq që janë gjithë këto ligje dhe iniciativa që janë miratuar dhe të tjera që duhen miratuar. E vetmja gjë që dëgjojmë kur vijmë në Shqipëri janë 3 ligjet, politikanët në barrikadat e tyre dhe askush nuk dëshiron që të bëjë kompromis. E shoh që ka një trysni që është gjithnjë e në rritje për shkak të zgjedhjeve, por shoh gjithnje e më pak vend për kompromis. Dhe për këtë më vjen keq.

Tare: Ju e keni përmendur më herët mungesën e kulturës së kompromisit që mungon tek politikanët tanë. A e keni menduar ndonjëherë nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon me ne dhe kulturën e kompromisit? Pse nuk e kemi të zhvilluar?

Fyle: Në fakt e përmenda edhe në konferencë. Fjala kompromis nuk është fjalë e keqe. Edhe projekti i BE-së funksionon falë kompromisit dhe është në interesin e 27 shteteve anëtare që së shpejti bëhen 28 me Kroacinë. Gjithmonë ka nevojë për kompromis dhe politikanët e kuptojnë se shpirti i kompromisit nuk është mosrealizimi i ambicjes së një vendi, pra e ardhmja dhe aspirata e tij. Ka nevojë për më shumë gjithëpërfshirje.

Tare: Nuk e di sa e ndjetë ju, por ka një farë frustrimi tek shqiptarët. Një pjesë e tyre mendojnë që Brukseli, duke mos ia hapur derën Shqipërisë, nuk penalizon vetëm politikanët, por penalizon edhe vetë shqiptarët të cilët janë të lodhur nga ky proces pa fund i integrimit evropian. Dhe po ashtu edhe një ndjesi që ju merreni me politikanë që janë të akuzuar për korrupsion dhe në një farë mënyre e mbajnë peng ëndrrën europiane të vendit tonë.

Fule: Jo! Prisni pak. Dera është e hapur. Ftesa për të kaluar nga ajo derë qëndron ende dhe ka qenë aty. Ajo që mungon është Shqipëria që nuk po jep rezultate për ato kërkesa që janë bërë dhe më vjen keq. Por zgjerimi është sa aspekt politik, aq edhe teknokratik. Ka një balancë të mirë midis politikanëve që e çojnë përpara, por vendet kandidate duhet të japë rezultate dhe integrimi varet nga meritat e secilit vend. Meqë ra fjala. Aftesia e politikanëve shqiptarë për të rënë dakord për çështje të cilat janë të nevojshme që të krijojnë mjedisin e duhur ekziston, si për shembull e treguan me liberalizimin e vizave, por duhet të jetë diçka tjetër që e pengon.

Tare: Vini në pikëpyetje nëse e duan apo jo integrimin?

Fule: Thjesht po them që duhet të ketë duhet edhe diçka tjetër dhe e kanë në dorë politikanët shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë që të gjejnë përgjigjet.

Tare: Zgjedhjet.  Vihet re një vëmendje e madhe e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 23 qershorit. Sa të rëndësishme janë ato për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE?

Fyle: Shumë të rëndësishme. Shtetet anëtare, dhe jo Komisioni, e kanë bërë të qartë në dhjetor se mënyra se si do të bëhen zgjedhjet do të jetë shumë e rëndësishme për integrimin e mëtejshëm, për hapat e mëtejshme të integrimit të Shqipërisë. Çdo palë zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Të gjitha. Por në rastin e Shqipërisë, ne nuk harrojmë dot se çfarë ndodhi në 2009 dhe më pas. Shpresoj që të gjithë të jenë duke punuar shumë. Mund t’ju them se përsa i përket komunitetit ndërkombëtar ne po punojmë shumë, pra që problemet të mos përsëriten

Tare: Problemi që përmendët në 2009 dhe në zgjedhjet e tjera – ne sikur kemi problem për të bërë zgjedhje të mira të lira dhe të ndershme. Mos është ky një problem imazhi. Cfarë mendojnë shtetet anëtare të BE-së?

Fyle: Unë mendoj se ndoshta është tepër herët për të folur për një imazh të caktuar. Por mendoj që po t’i shohim shtetet anëtare se si i trajtojnë çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë, natyrisht që duhet të themi që ka një pritshmëri shumë të lartë përsa i përket zgjedhjeve. Unë shpresoj që politikanët shqiptarë dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në përgatitjen e zgjedhjeve do të dërgojnë një mesazh shumë të qartë, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar që ne mund të bëjmë zgjedhjet të lira dhe të ndershme.

Tare:  Por na duket sikur është pothuajse e pamundur që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë zgjedhje të përsosura. Në çfarë shkalle do të pranonit ju parregullsi të mundshme?

Fyle: Janë shtetet anëtare të cilat po përpiqen që çdo herë të kenë zgjedhje gjithnjë e më të mira. Kjo nuk është tragjedi në vetvete. Është një prirje. Është një prirje  angazhimi për atë që vendet janë në gjendje të arrijnë. Do të varet shumë nga OSBE-ja dhe ODHIR-i.

Tare: Edhe ju do të monitoroni?

Fyle: Ne natyrisht që do të kemi njerëzit tanë që do të jenë pjesë e misionit vëzhgues të OSBE-ODHIR-it. Do të luajmë rolin tonë siç dhe e kemi bërë në përgatitjen e zgjedhjeve. Po presim ashtu si edhe vetë shqiptarët raportin paraprak të OSBE-ODHIR-it dhe pas zgjedhjeve edhe raportin përfundimtar dhe së bashku me Përfaqësuesen e Lartë dhe zv/Presidenten e Komisionit, pasi të shikojmë e dëgjojmë ODHIR-in, do të japim gjykimin tone.

Tare: Po ashtu ka edhe një perceptim, se zgjedhjet do të kontestohen. Ka analistë apo anëtarë të maxhorancës që thonë se opozita po krijon terren për të kontestuar rezultatin në rast se nuk do ta ketë në favor rezultatin. Si dhe perceptimi se komuniteti ndërkombëtar mund të përdoret në këtë përpjekje për të kontestuar zgjedhjet. Ju a keni dëgjuar dëgjuar diçka të tillë?

Fyle: Unë kam dëgjuar spekullime tek-tuk. Rregulli numër një është që të mos komentoj dhe të mos bëj komente për spekullime, pasi atëherë spekullimet mund të kthehen në teori apo në alternativa. Unë mendoj se synimi është, dhe unë shpresoj që të jetë edhe synimi të cilin e ndajnë të gjithë politikanët shqiptarë, që të bëjnë më të mirën e mundshme dhe çdo gjë të mundur që të ketë sa më pak terren për kontestim të zgjedhjeve.

Tare: Komisioner, ju a mendoni që Komisioni e ka pasur gjithmonë qasjen e duhur për krizën politike në Shqipëri? Përshembull, bojkoti i Parlamentit nga opozita në vitin 2009.  Kur shikoni politikat tuaja, a keni menduar se ndoshta duhet të kishit qenë më të rreptë për ta ndaluar bojkotin?

Fyle: T’ju them të vërtetën ma ka bërë një politikan këtë pyetje. Unë jam një nga ata që them që na duhet  të mësojmë nga gabimet tona dhe nuk duhet të kemi frikë që të shikojmë veten tonë në pasqyrë dhe të shikojmë ku i kemi gabimet, por kurrë nuk do të jemi në gjendje që të bëjmë në mënyrë absolute çdo gjë, në rast kur nuk kemi një partner që ka vullnetin e duhur. Dhe mund të shtoj që në rast se ky partner apo këta partnerë, sepse bëhet fjalë për të gjithë palët e interesuara, na thonë që kjo mënyrë është më e mirë, unë sigurisht që do reflektoja për këtë. Ne e kemi për zemër Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.

Tare: A prisni ndonjë krizë të re politike pas zgjedhjeve?

Fyle: Jo!

Tare: A keni ndonjë plan B, C, D etj?

Fyle: Nëse plani A janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme? Unë e di se si funksionojnë gjërat në një pjesë të Evropës që sa herë që thuhet që ka një plan B, harrohet plani A. Plani ynë A është vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Le t’i realizojmë ato

Tare: E kuptova që s’do ma thonit edhe sikur të kishit një plan B. Pas rekomandimeve që ju keni dhënë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, ne e dimë se çfarë ndodhi që tri ligjet nuk u miratuan. A jeni të zhgënjyer që politikanët shqiptarë nuk e morën parasysh këtë rekomandim? Dhe, a jeni të zhgënjyer që politikanët shqiptarë nuk mund të japin rezultate edhe për kërkesa kaq minimale?

Fyle: Jam i zhgënjyer. Jam i zhgënjyer pasi ndonjëherë më duket sikur gjithmonë problemi ka qenë te këto tri çështje. Ne kishim një listë të gjatë dhe qeveria bashkë me opozitën ja dolën t’i realizonin, në gati 95%, për të mos thënë më shumë. Ka pasur një moment që, si opozita dhe qeveria, kanë vënë interesin e vendit mbi interesat e tyre vetiake. E vetmja gjë që unë nuk kuptoj është se përse kur ishim aq afër vijës së finishit, pati një ndërthurje dhe lidhje të çuditshme që e komplikuan çështjen.

Tare: Edhe pse ju e bëtë të qartë se referendumi për miratimin e tri ligjeve nuk i kontribuonte kulturës së kompromisit dhe të gjithëpërfshirjes, maxhoranca e miratoi në parlament. Çfarë komenti keni në lidhje me këtë?

Fyle: Komenti im është që zgjerimi ka të bëjë me të mësuarit e metodës evropiane dhe mënyra evropiane nuk ka të bëjë vetëm me rezultatin, por edhe me metodën se si arrihet deri diku. Pra, nëse dikush këtu mendon se ne do të kënaqemi me miratimin me referendum të tri ligjeve, duke shmangur konsensusin dhe gjetjen e një kompromisi, duhet të dijë se kjo nuk do të funksionojë

Tare: Çfarë kostoje kanë pasur vonesat në integrimin e Shqipërisë që prej 2009-tës?

Fyle: Nëse e shohim në planin rajonal, Kroacia do të jetë shteti i 28-të anëtar i BE-së. Kemi filluar negociatat me Malin e Zi. Ka pasur progres edhe në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe po ecim përpara me Bosnje-Hercegovinën, po ashtu edhe me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, pavarësisht krizës, dhe një dialog i niveli të lartë vazhdon. Ne nuk kemi qënë  kurrë kaq afër për të dhënë rezultate  për hapjen e negociatave. Së dyti, në këtë kohë krize ekonomike dhe financiare ne do të jemi shumë më të fortë nëse i bëjmë ballë sfidave, që kanë të bëjë me punësimin, me rritjen e ekonomike dhe me konkurueshmërinë në rastin se jemi të gjithë bashkë. Më mirë bashkë të gjithë se sa secili veç e veçc, ndonjëherë edhe në kurriz të të tjerëve. Sa më shpejt që Shqipëria t’i rikthehet rrugës së integrimit, aq më shpejt do të hapen negociata për antarësim. Aq më mirë do të jetë për shtetin e së drejtës, në pavarësinë e drejtësisë, në një klimë më të mirë biznesi. Ekonomia është një problem, një sfidë e madhe në Shqipëri. Unë dëshiroj një sinjal shumë të fortë përsa i përket axhendës evropiane që të ketë sa më shumë ardhje investitorësh dhe jo të largohen nga Shqipëria dhe fatkeqësisht kjo po ndodh.

Tare: Ju po flisni për rastin e CEZ?

Fyle: Unë po flas për një sërë kompanish.

Tare: Ka shqetësim në Bruksel?

Fule: Sigurisht që ky është shqetësim. Kur shikojmë që investitorët e huaj, që planifikojnë  investime afatgjata, por pastaj largohen duke u ankuar për shtetin e së drejtës ose, më saktë, për mungesën e shtetit të së drejtës, natyrisht që është shqetësim. Por, mbi të gjitha, duhet të jetë shqetësim edhe për vetë shqiptarët.

Tare: Çfarë ndikimi ka pasur kriza aktuale ekonomike në vendet e BE-së, në procesin e zgjerimit, ose siç njihet “lodhja e zgjerimit”, ndërkohë që ka krizë ekonomike edhe në vendet kandidate dhe aty quhet “lodhja nga reformat”.

Fyle: Jo, nuk është kështu. Jo, nuk është një përgjigje politikisht korrekte. Më thoni një shembull, ku shtetet antare nuk e kanë mbajtur premtimin që kanë bërë për zgjerimin, nuk keni për të gjetur një rast të tillë.  Prandaj e them. Pra, kriza ekonomike natyrisht që po e bën BE-në që ta marrë seriozisht integrimin evropian. Edhe në lidhje me vendet kandidate, nuk do të thotë që ne po i braktisim  këto vende, por përkundrazi dëshirojmë që t’i përfshijmë gjithnjë e më shumë edhe në këto procese aktuale të reformave ekonomike, bankave e të tjerë, sepse këto vende në të ardhmen do të jenë vende anëtare.  Kështu që këto janë thjesht justifikime të mëdha, kur flisni për lodhjen nga reformat. Aty ku e shoh unë problemin, është se tek disa nga partnerët tanë axhenda e brendshme lë në hije axhendën europiane.

Tare: Ju më pyetët për shembuj, ku për shembull BE ka treguar lodhje, por ka disa eurokratë ose analistë në Bruksel që thonë se muaji i mjaltit për zgjerimin ka mbaruar që me pranimin e Kroacisë dhe anëtarësimi i radhës do të bëhet pas 10 vjetësh.

Fule: Me gjithë respektin, këta analistë nuk janë shefat e zgjerimit. Zgjerimi drejtohet nga politikanët dhe nuk do të gjeni asnjë rast të vetëm ku politikanët kanë dështuar në angazhimet e tyre për zgjerimin.

Tare: A mendoni që sfidat ekonomike me të cilat do të përballet Shqipëria në muajt e ardhshëm, do të kenë ndikim në procesin e integrimit?

Fule: Shpresoj që jo, sepse ne do të përballemi me këto sfida së bashku. Pra ne do të ndihmojmë ekonominë shqiptare me përforcimin e shtetit ligjor, që komuniteti i biznesit të ndjehet më i qetë në Shqipëri. Të dyja palët kanë vetëm përfitime nëse e përshkallëzojmë procesin e zgjerimit.

Tare: Po procesi i zgjerimit është ngadalësuar apo nuk e pranoni këtë?

Fule: Po ku është ky ngadalësim? Ma trego. Kroacia do bëhet shteti i 28-të. Jo, të lutem, më fal. Do çelim negociatat me Malin e Zi. Shtetet anëtare kanë dhënë në dhjetor një udhërrëfyes tepër të qartë për Serbinë, për Kosovën po ashtu, për ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ka kushte shumë të qarta për aplikimin e besueshëm për sa i përket Bosnje-Hercegovinës. Më trego.

Tare: Por po ashtu ju keni qenë dhe më kreativë sepse keni bërë për shembull disa forma të veçanta por specifike për çdo vend. Me Bosnjen kemi një dialog të strukturuar për drejtësinë, me Kosovën kemi një dialog të strukturuar për shtetin e së drejtës ose një nivel anëtarësimi përsa i përket Maqedonisë, po për Shqipërinë?

Fule: Po kjo nuk do të thotë që zëvendësohet ose që ka ndonjë mangësi angazhimi nga BE, por për mangësinë e vendosmërisë nga partnerët tanë. Synimi është që të ndihmojmë që të përqendrohen tek prioritetet për axhendën e BE-së. Kështu që përsa i përket Shqipërisë, ne jemi seriozë dhe jemi të vendosur që të kemi një angazhim të rregullt edhe në një nivel të lartë por edhe në një nivel pune, dhe se si do të quhet, po ju them se presim ide dhe nga politikanët shqiptarë sepse duam që ata të ndjejnë pronësinë e kësaj çështjeje.

Tare: Në mes të prillit do të bëni një raport që do të diskutohet nga shtetet anëtare në qershor. Si do të jetë raporti për Shqipërinë?

Fule: Nuk mendoj që do të kemi një raport për Shqipërinë. Po të ketë progres dhe  të kemi diçka për të raportuar, unë do të jem i pari që do të shtyj që të dalë ky raport. Por, po s’pati progres nuk do të ketë raport dhe e kundërta. Çfarë do them unë? Me falni, por që nga tetori, kur bëmë rekomandimin, nuk ka patur progres? Kjo nuk do të ishte serioze. Unë jam tërësisht i angazhuar dhe i vendosur që ne të japim një raport thelbësor në rast se do të kem në dorë rezultate të forta për t’u bazuar. Por nuk i kam këto rezultate

Tare: A ka ndodhur kjo më parë me ndonjë nga vendet e tjera të Ballkanit ku ju të mos raportoni progres?

Fule: Në rast se do të shikoni shtetet anëtare ata duan që ne të raportojmë në rast se do të ketë diçka për të raportuar. Çdo rast është i veçantë. Nuk mund të krahasojmë gjëra të pakrahasueshme

Tare: Shqipëria ka një influencë tek shqiptarët në rajon. A është instrumentalizuar kjo influencë nga politikanët shqiptarë në mënyrë që të marrin diçka nga Brukseli?

Fule: Jo, unë asnjëherë nuk e kam ndjerë këtë dhe përveç raportit të kaluar të progresit, ne gjithmonë e kemi lavdëruar rolin e Shqipërisë në rajon, për bashkëpunimin që ka Shqipëria. Shqipëria ka qenë burim stabiliteti në rajon dhe ne e vlerësojmë këtë shumë. Në fund të vitit të shkuar, shtetet anëtare, bënë një koment që retorika nacionaliste që dëgjojmë ndonjëherë, që vjen nga Tirana, nuk ndihmon për sa i përket imazhit të Shqipërisë.

Tare: Nacionalizmi po kërcënon edhe disa nga vendet e BE-së, nga vendet themeluese, Spanja, Greqia, Italia, Belgjika etj? Atëherë, pse jeni ju kaq kundër retorikës nacionaliste në Shqipëri që kryeministri thotë është një nacionalizëm i shëndetshëm dhe që nuk kërcënon fqinjët?

Fule: Nacionalizmi, më vjen keq t’ju them, nuk është i shëndetshëm dhe duhet luftuar brenda shteteve anëtare apo vendeve kandidate apo atyre potencialisht kandidate. Ne nuk duhet të ngatërrojmë nacionalizmin me patriotizmin dhe nacionalizmin me interesin tonë të përbashkët, interesat e minoriteteve në vende të tjera duhen marrë në konsideratë në mënyrë absolute.

Tare: Cilat janë kërcënimet që shihni ju në rast se Shqipëria vazhdon me retorikën e saj nacionaliste?

Fule: Unë shpresoj që nuk do të vazhdojë në mënyrën që kemi dëgjuar së fundmi dhe unë përpiqem të lexoj ndërmjet rreshtave të atyre deklaratave që bëhen. Është në interesin tuaj që të siguroheni që shqiptarët jetojnë në kushte të mira, pavarësisht se ku janë në Shqipëri apo në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që të shmangim retorikën nacionaliste e cila, jo vetëm në këtë rajon, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian po na bën të gjithëve të mos ndjehemi mirë.

Tare: Twitter-i juaj i fundit për Shqipërinë për sa i përket nacionalizmit. Ishit ironik apo ishit në humor atë ditë kur shkruat se Shqipëria po bëhet krijuese dhe pyetet nëse nacionalizmi është i bazuar në vlerat euroatlantike?

Fule: Në fakt ai Tweet fliste vetë, kështu që nuk vlen që të bëjmë komente të tjera.

Tare: Dakort, nëse ju nuk doni të bëni koment për këtë, dëshiroj që të bëni koment për një perceptim tjetër që ekziston dhe që ka të bëjë me Maqedoninë fqinje. Besoni vërtet që Maqedonia ka problem vetëm me emrin apo kërcënimi më i madh janë marrëdhëniet e helmuara ndëretnike?

Fule: Nuk ka qenë kurrë vetëm çështja e emrit. Ka patur disa çështje, për shembull, po të shikojmë dialogun e nivelit të lartë për anëtarësimin, ka patur disa çështje për të cilat ne kemi folur. Ajo që po thoja unë është që ndërkohë  procesi i Ohrit duhet fuqizuar më tej, në mënyrë që të ndihmohen këto marrëdhënie ndëretnike, jo të ndërlikohen ato në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në të njëjtën kohë unë kam qenë në anën e atyre që kanë thënë që, nëqoftë se nuk gjendet një zgjidhje për emrin, atëherë nuk do të ketë një ndikim shumë të mirë në marrëdhëniet ndëretnike. Unë kam qenë shumë i inkurajuar kur kam parë që në Shkup janë marrë disa hapa pozitivë, edhe në Sofje kam vlerësuar shumë politikanët bullgarë që kanë treguar kurajë atje edhe përpjekjet e zotit Mimiç natyrisht në kontekstin e procesit të zgjerimit të cilat kanë intensifikuar kërkimin për një zgjidhje.

Tare: A mendoni që Shqipëria ka mundësi që të bëhet pjesë e këtij klubi vendesh potenciale apo do të lihet vetëm me Bosnjen?

Fule: Natyrisht që unë e besoj këtë sepse përndryshe nuk do të isha këtu për herë të dytë këtë vit dhe nuk do të isha një i ftuar kaq i shpeshtë këtu. Dhe po të shikohen komentet që bëj unë në Tëitter, ndoshta ju nuk i vlerësoni të gjitha ato, por të gjitha janë në interesin e Shqipërisë. Të paktën nga këndvështrimi im personal, por edhe nga Komisioni, kemi të bëjmë me një çëeshtje angazhimi.

Tare: Si do t’i përgjigjeshit juve kritikëve që thonë që sjellja e Komisionit për serbët ka qenë shumë më e butë se sa sjellja e tyre me Shqipërinë. Keni ndonjë miqësi me serbët ju që mund të jetë pak më e veçantë se me shqiptarët sepse ka zëra se keni më shumë miqësi me politikanë serbë sesa shqiptarë?

Fule: Jo jo, Këto janë gjepura. Ne natyrisht që gjithmonë kërkojmë miq dhe një miqësi që të jetë e bazuar në vlerat dhe parimet e BE-së. Këto do të ishin gjëra shumë të rëndësishme dhe këto do të ishin miq edhe të mitë. Më falni, por ndonjëherë ne përpiqemi që të krahasojmë gjërat, por na duhet të pranojmë se po krahasojmë gjëra të pakrahasueshme që nuk krahasohen dot.  Serbia dhe Kosova është një çeshtje vërtet delikate dhe e vështirë.  Çdo vend tjetër partner ka një situatë tjetër specifike. Unë mendoj që angazhimi ynë, vullneti ynë, politikat tona janë në nivelin e duhur me sfidat.

Tare: Po perceptimi i BE-së në lidhje me cilësinë e udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të fundit?

Fule: Si njerëz të angazhuar, të përkushtuar, që dëshirojnë një të ardhme evropiane për qytetarët e tyre dhe nuk kam asnjë arsye që të bëj ndonjë dallim midis udhëheqësve në Europën Qendrore dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Ajo që është e rëndësishme është përgjegjshmëria dhe llogaridhënia. Pra ajo që është e rëndësishme është që të jetë kuadri demokratik i cili funksionon dhe që të kuptohet edhe njëherë që zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Këto kanë rëndësi.

Tare: A ka ndonjë lidhje mes shqiptarëve që janë një vend kryesisht mysliman dhe faktit që procesi i integrimit evropian ka mbetur me Bosnjen duke marrë parasysh në veçanti faktin që edhe Turqia, një vend tjetër mysliman, është lënë mënjanë nga axhenda e Bashkimit Europian?

Fule: Nuk ka aspak të bëjë me këtë. Arsyeja e vetme pse me Turqinë disa kapituj na janë bllokuar është vendimi i disa vendeve anëtare të BE së bashku ose i ndonjë shteti në mënyrë të njënashme. Por nuk ka të bëjë fare me besimin musliman të Turqisë.

Tare: Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri. Ju dëshironit që të shikonit disa rezultate të prekshme në tetor. I keni parë këto rezultate?

Fule: Shpresoj që të mos jem unë i vetmi që dëshiroj të shoh rezultate. Shpresoj që shqiptarët dëshirojnë të shikojnë rezultatet. Nëse kemi parë arritjet e të gjithë zinxhirit të fazave që ka lufta kundër korrupsionit?  Jo, nuk i kemi parë. Por nuk mund të arrihet vetëm për një ditë, një javë apo një muaj. Të shohim që të akuzuarit shkojnë në gjykatë, të dënohen dhe shkojnë në burg, këto janë provat që duam të shohim.

Tare: Sistemi i gjyqësorit dhe i shtetit të së drejtës, a mendoni që po bën mjaftueshëm për t’u përmirësuar dhe sa influencë kanë politikanët, bizneset apo dhe grupet kriminale në vendimmarrjen në drejtësi?

Fule: Kjo në fakt do t’ja vlente për një intervistë tjetër dhe duheshin edhe 15 minuta të tjera të paktën në intervistë por, po t’i kthehem pyetjes tuaj të parë për shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin, ka patur progres por tejet të ngadaltë në mënyrë që ne të jepnim rekomandimin për fillimin e negociatave,. Natyrisht edhe pas raportit të fundit të progresit, ato kanë mbetur 12 prioritete kyçe në fokus të punës që duhet bërë. Roli për sa i përket organizatave kriminale, nuk mund të spekuloj dhe nuk do të spekuloj për to këtu. Unë mendoj që vetë qytetarët shqiptarë, kam ndjesinë që politikanët shqiptarë, duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha që kurdoherë që të kenë nevojë për sistemin e gjyqësorit, qytetarët të presin në fund të fundit vetëm një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe profesional

Tare: Çfarë do të ndryshojë në sistemin gjyqësor kur Shqipëria të jetë më afër BE-së?

Fule: Sistemi gjyqësor do të jetë i paanshëm, profesional dhe njerëzit në rast se do të kenë probleme dhe do të duhet t’i drejtohen gjyqësorit, pa u menduar dy herë nëse do ta çoj cështjen në gjyq apo jo, a më duhet t’i jap ndokujt rryshfet apo diçka të tillë? Sepse Shqipëria do të tregojë rezultate për një gjyqësor i cili është i bazuar në vlera të vërteta, dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndjehen mirë dhe që asgjë e keqe nuk mund të ndodhë dhe që edhe sikur të ndodhë ndonjë gjë e tillë ata mund të drejtohen gjithmonë tek gjyqësori që do të jetë gjithmonë në krahun e tyre dhe do t’i mbrojë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ILVA TARE - INTERVISTË March 26, 2013 20:46
Komento

3 Komente

  1. BAY AREA Ca. March 26, 23:56

    Z. Fyle kete here qenka shume i trembur nga Berisha. Ai e di shume mire qe Berisha ka per t’i vjedhur zgjedhjet e rradhes. Ne kemi nje shprehje qe Z. Fyle duhet ta mesoj: Kurva, sado premtime thote, nuk i mban, ajo perseri Shkerdhehet. Z. Fyle pak a shume ky eshte portreti i Berishes, por ai eshte dhe vrastari me i madh i ketij populli, e ka ne gen nga sistemi Komunist ku ka milituar me dekata. Kur te debohet me dru Saliu me 23 Qershor, hajde fol per gjyqesorin, policine e Shtetit, per shitje pasurish kombetare, per ekonomin qe jemi pas Gjermanise, ( ja kemi fut Frances e Anglise, per Hallanden as qe behet fjale etj) per korrupsionin, lirine e fjales, per investitoret e huaj, per zgjedhje te burgosura dhe te pandershme, per shtet antiligjor, per ndarje pushtetesh ( si ky qe kemi ne, ne Krye Monarkun Sali dhe familjen e Tij). Edhe ti z. Fyle nuk di se cfare te besh me ne, por futi prap ndonje Darke te Krokodili me Salen se kete here viktime do te jete prap populli Shqiptar, por dhe TI ruaje pak …… se helbete Sali i thone.

    Reply to this comment
  2. eugen March 27, 01:47

    A thoni copetimi i interasave bankare te qipros ,,dhe menjura se si EUROPA MEME shkaterroi nje shtet qe kishte bazuar ekonomine e Tij ne te VETMEN INDUSTRI QE KISHTE PRA (INDUSTRIA BANKARE) ate qe do te beje dhe Berisha ne Shqiperi kur thote nje kompani 1 euro, ti kete vene mende lidereve tane te politikes ???
    Mosvajtja e Berishes dhe e Rames ,,ne kete takim eshte nje note proteste ne heshtje per eteret tane europiane per intrigat dhe copetimet qe ata po i bejne Europes ,, duke e kthyer Eurozonin ne nje Gjermanozone,,dhe duke lene te kuptohet qe Shqiperia nuk deshiron ne keto caste e bazuar dhe tek eksperienca e aleateve tane Turq ,, qe nje vend i vogel sic eshte Shqiperia nuk ka nevoje per ombrellen mbrojtese te Gjermanise ose te Europes ,, por ka nevoje per programe te reja invenstimesh duke filluar nga emapulimi mesimor ,, agrar,,dhe duke vazhduar me projektet e rendesishme ,, sic eshte shfrytezimi i burimeve energjitike si ujore ashtu dhe tokesore!!!

    Reply to this comment
  3. dembeli March 27, 09:02

    pse nuk do klasa politike qe te hyjme ne europe? …..ethjeshte fare se duan te pasurohen duke vjedhur dhe jo duke punuar……

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*