Mungesa e Trump në ceremonitë për McCain dhe lufta brenda republikanëve

August 31, 2018 18:10

Mungesa e Trump në ceremonitë për McCain dhe lufta brenda republikanëve

 

Presidenti Donald Trump mungon dukshëm në ceremonitë e përkujtimore që po zhvillohen për senatorin John McCain.

McCain dhe Trump nuk u pajtuan për një numër çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Disa analistë e shohin grindjen mes tyre si simbolikën e përplasjeve të vlerave brenda Partisë Republikane.

Në pesë ditët e homazheve për senatorin republikan John McCain, një numër figurash të shquara në politikën amerikane, përfshirë ish-nënpresidentin, Joe Biden, i cili foli në shërbesën e së enjtes për të nderuar mikun e tij të afërt.

“Gjithmonë e kam menduar Johnin si vëlla. Kemi patur shumë zënka si të ishim në një familje.”

Biden ishte kandidati për nënpresident në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës që i fitoi Barack Obama.

Një ish-rival tjetër, George W. Bush, mposhti John McCain për kandidaturën presidenciale republikane në vitin 2000.

Këta politikanë kanë luftuar me senatorin McCain, ndonjëherë edhe ashpër.

Megjithatë, ai u kërkoi të dy ish-presidentëve, Bush dhe Obama, të mbajnë fjalime lamtumire në funeralin e tij.

“Shumë herë kur bisedon me njerëz që dikur ishin armiqtë e tij politikë, sheh se tani janë miqtë e tij më të mirë. Ai ishte në gjendje të ndryshonte situatën dhe të rregullonte marrëdhëniet”, thotë Peter Kunhardt regjisor i dokumentarit “For Whom the Bell Tolls”.

I vetmi që mungon në shërbimet përkujtimore për senatorin McCain?

Presidenti Donald Trump.

“Nuk jam i sigurt nëse kemi parë ndonjëherë, të paktën në jetën tonë, një situatë si kjo ku një president republikan dhe një senator republikan nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin në një shkallë të tillë sa të mos të ftohet për funeralin e tjetrit dhe kur presidenti ndryshon mendimin nëse do të ngrejë flamurin në gjysmë shtize“, thotë David Barker me Universitetin Amerikan.

Flamuri mbi Shtëpinë e Bardhë u ul në gjysmë shtize, më vonë u ngrit dhe pastaj përsëri u ul, pas kritikave të ashpra për presidentin Trump.

Përveç një ngushëllimi në Twitter ditën e vdekjes së senatorit McCain, deklarata e parë publike e presidentit Trump erdhi dy ditë më vonë.

“Ne vlerësojmë shumë gjithçka që senatori McCain ka bërë për vendin tonë”.

McCain ishte një kritik i ashpër i presidentit, për të cilin mendonte se ishte shumë pranë Moskës.

McCain e shihte Presidentin rus Vladimir Putin si një diktator dhe shpesh nxiti veprime të Kongresit kundër tij.

Më pas erdhën pikëpyetjet e presidentit Trump nëse McCain ishte një hero i Luftës së Vietnamit.

“Është hero lufte, sepse u kap rob. Më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”.

Analistët thonë se armiqësia McCain-Trump përfaqëson luftën midis pushtetarëve të vjetër dhe të rinj të partisë republikane.

“Të pëlqen ose jo, partia e re republikane është tani partia e Trumpit. Nuk është një parti rreth tregut të lirë apo tregtisë së lirë apo e parimeve që e dallonin dikur partinë republikane, përfshi disa nga ato që dallonin senatorin John McCain, si politika e jashtme fuqishme”, thotë analisti David Barker.

Përsa i përket senatorit McCain, ai duket se po dërgon një mesazh të fundit jo vetëm për Trumpin, por edhe Putinin, duke zgjedhur disidentin rus Vladimir Kara-Murza si një nga njerëzit që do të mbajnë arkivolin e tij. /VOA

a.s/dita

August 31, 2018 18:10
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*