Muresan: Reforma në drejtësi nuk bllokohet

January 29, 2016 20:26

Muresan: Reforma në drejtësi nuk bllokohet

Eurodeputeti Siegfried Muresan, njëkohësisht zëdhënës i PPE-së, deklaroi të premten gjatë një interviste për mediat se “çdo politikan që mendon se mund të bllokojë reformën e gjyqësorit do të dështojë”.

“Kam një mesazh shumë të qartë për ata që duan të bllokojnë reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ata do të dështojnë. Ky është një proces që merr kohë, por procesi nuk mund të ndalet. Ata politikanë që duan të ruajnë sistemin e vjetër me një raport të paqartë midis politikës, shtetit ligjor, drejtësisë dhe ekonomisë, duhet të dinë se bota e vjetër nuk do të jetë pjesë e të ardhmes”, shprehet Muresan në një intervistë të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e PD-së.

Ai sjell në vëmendje shembullin e Rumanisë dhe Bullgarisë, ku agjencitë kundër korrupsionit kanë arritur arrestimin e ministrave, ish-ministrave, ish-kryeministrave nga çdo parti, e majtë, e djathtë, në qeveri apo opozitë. “Rumania dhe Bullgaria u anëtarësuan në 2007”, shton ai, raporton Java

Lufta kundër korrupsionit është prioritet për ne, vijon Muresan, ndërsa thekson se “ne kemi instrumentat e duhur, por procesi mund të marrë kohë”.

Lidhur me dekriminalizimin, Muresan vlerëson rolin kyç të PD-së në aprovimin e ligjit. Sipas tij, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dy parakushte për çdo shoqëri demokratike. Për Muresan, “ka një lidhje të qartë midis mirëqënies së një vendi dhe mungesës së korrupsionit”.

“Vendet që përfitojnë nga investimet më të mëdha janë gjithnjë vendet që janë më të besueshme dhe më pak të korruptuara. Sa më pak korrupsion të ketë, aq më shumë investime, aq më shumë rritje ekonomike dhe aq më nivel të lartë pagesash do të ketë për qytetarët”, shprehet ai.

January 29, 2016 20:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*