Mustafa Demiri, arkitekti që ngjizi dhe krijoi Kopshtin Botanik të Tiranës

January 25, 2015 12:00

Mustafa Demiri, arkitekti që ngjizi dhe krijoi Kopshtin Botanik të Tiranës

Prof. M. Demiri është i pari dhe i vetmi që  përcaktoi parimet dhe kriteret shkencore bashkëkohore, si bazë për konceptimin dhe kryerjen e projektimit të Kopshtit Botanik. Ai është ideatori i konceptimit të projektit, në bazë të parimeve dhe kritereve më moderne shkencore bashkëkohore, çka e bën Kopshtin tonë Botanik të qëndrojë më lart se homologët e tij në vende të tjera, pavarësisht vjetërsisë dhe shtrirjes më të madhe të disave prej tyre.

Ai drejtoi gjithë punën për zbatimin dhe realizimin e Projektit të ndërtimit të Kopshtit Botanik, në tërësi dhe në çdo detaj të tij; drejtoi gjithë veprimtarinë për pasurimin e Kopshtit, duke dhënë vetë kontributin kryesor për këtë qellim.

Mustafa Demiri mishëroi aftësitë, vizionin dhe punën e tij shkencore në formësimin dhe konsolidimin e strukturës, fizionomisë dhe funksionimit të Kopshtit Botanik, si Institucioni serioz, qendror shkencor, me kontribute të rëndësishme shkencore në një radhë drejtimesh themelore, si lidhur me: sigurimin, ruajtjen dhe pasurimin e fondit gjenetik floristik të vendit, atij ballkanik, europian e më gjerë; aklimatizimin e bimëve e drurëve me vlera të rralla dhe të veçanta për vendin; krijimin e varieteteve dhe sorteve të reja të bimëve të dobishme, etj.

Kopshti Botanik, nën drejtimin e Prof. Mustafa Demirit, u krijua dhe u konsolidua edhe si një institucion qendror didaktik, në shërbim të mësimdhënies së shkencave natyrore botanike, biologjike, ekologjike, gjenetike, sistematike, evolucioniste, si dhe të mjaft disiplinave të tjera, themelore apo të aplikuara; të lidhura me të gjitha hallkat sistemit arsimor.

Kopshti Botanik u krijua dhe simbolizon edhe një institucion kulturor, për komunitetin e Kryeqytetit e gjithë vendit.

Kopshti Botanik është rezervat materialesh të gjalla për kërkime shkencore e praktike në një radhë fushash, si të morfologjisë, anatomisë, citologjisë, taksonomisë, biokimisë, gjenetikës, etj..  Por, fatkeqësisht, ky monument i gjallë kombëtar po cenohet e degradohet nga unaza e re dhe ndërtime të tjera, çka është një mëkat, madje krim kombëtar për shkencën e kulturën tonë.

Kush është Prof. Mustafa Demiri

Profesor Mustafa Demiri është një nga figurat më të shquara të shkencës mbarë shqiptare, shkencëtar pionier në disa fusha, me shtrirje të gjerë të kërkimit shkencor, me një vepër të tërë të plotë shkencore botanike, me kontribute të spikatura origjinale.

Lindi më 13 qershor 1923, në Elbasan, nga prindër Xhaferr dhe Hasie, me origjinë nga Dibra e Madhe. Në vendlindje kreu arsimimin fillor dhe Shkollën Normale, studimet e larta në Universitetet e Zagrebit e të Sofjes dhe kualifikime pasuniversitare në Budapest e Leningrad. U angazhua pandërprerje në veprimtarinë akademike e shkencore, në Institutin e Shkencave dhe Universitetin e Tiranës, duke u shquar si pedagog i talentuar, për nivelin e lartë shkencor-metodik, stilin efikas e tërheqës në marrëdhënie me studentët; përgatitjen e teksteve cilësore; u dallua si figurë e shquar e arsimit mbarë kombëtar, autor i 12 tituj tekstesh, deri me 7 ribotime. Prof. M. Demiri ka iniciuar fusha e drejtime të reja, ka realizuar studime themelore në tematika të rrokura për herë të parë dhe me kontribute të mirëfillta origjinale. Më kryesoret prej tyre janë fushat e Fitogjeografisë, të Gjeobotanikës, etj, në të cilat ka themeluar disiplinat universitare, drejtimet kërkimore shkencore, ka realizuar dhe studimet dhe publikimet e para shkencore dhe didaktike, si dhe ka iniciuar studiuesit e rinj në këto fusha. Prof. M.Demiri, në saje të kontributit jo të zakonshëm, u njoh nga shumë forume të institucioneve shkencore e dikasteriale, si një personalitet i shquar shkencor dhe akademik. Ai është vlerësuar me Çmimin e Republikës, me titullin e lartë “Mësues i Popullit”, me Urdhrin “Naim Frashëri” të Kl.I, me titullin “Qytetar Nderi” i Qytetit të Elbasanit. Megjithatë figura dhe vepra shkencore e M. Demirit, megjithatë, meritojnë vlerësim më të plotë: Së pari, do ribotuar vepra e tij, mundësisht e plotë; së dyti, do nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” (pas vdekjes); së treti, Kopshti Botanik do emërtuar me emrin e themeluesit të tij, “Kopshti Botanik “Mustafa Demiri”.

 

“Miçurini” i biologjisë shqiptare

 Sinteza më e lartë e punës kërkimore të Prof. Mustafa Demirit u kurorëzua me veprën e tij fondamentale “Flora Ekskursioniste e Shqipërisë” (1000 f., format i madh, T. 1983), që është Flora e Parë e Plotë Shkencore në Historinë e Shkencës Shqiptare, një kontribut i denjë për një Institut të tërë shkencor. Ajo zgjidh për herë të parë një radhë problemesh të rëndësishme teoriko-shkencore, si: strukturën e Florës së Shqipërisë; vendosjen e bimëve në një sistem tërësor në trajtë çelësi; përfshirjen e Florës së plotë të vendit, prej rreth 3250 llojesh (specie), të klasifikuara në 894 gjini (genus) dhe 149 familje. Ajo dëshmon se begatia e Florës shqiptare lidhet me kushtet e larmishme tokësore e klimaterike, shtrirjen e zonave të ndërthurura fitoklimatike, çka kushtëzon edhe rritjen e një numri të konsiderueshëm të llojeve endemike (32) dhe të llojeve subendemike (160 të tillë). Organograma bimore, prania e figurave për 80% të specieve, si dhe dy diftues të emrave, në gjuhën shqipe dhe latine është pjesë e rëndësishme shkencore e veprës. “Flora Ekskursioniste e Shqipërisë” e profesor Demirit pati jehonë të gjerë në opinionin shkencor botëror, që nga Italia në Suedi, nga Anglia në Rusi e Japoni, Kanada e SHBA, nga erdhën kërkesa, për autorin dhe Bibliotekën Shkencore të, për sigurimin e veprës dhe takime me autorin.

Kopshti Botanik i Tiranës

16403023Kopshti Botanik i Tiranës është themeluar në vitin 1971. Ai zë një sipërfaqe prej rreth 15 ha. Në të janë rritur rreth 1.400 lloje dhe nënlloje bimore, kryesisht të vendit tonë. Kopshti Botanik konsiderohet si Njësi Shërbimi Universitar, në varësi të drejtpërdrejtë nga Dekanati i Fakultetit të Shkencave Natyrore. Kopshti Botanik është Institucion Shkencor me tematika të ndryshme, ku kryesoret janë: Studimi i florës dhe bimësisë së Shqipërisë; Studimi i bioekologjisë së bimëve të introduktuara; Studimi i teknologjisë së kultivimit të disa bimëve zbukuruese; Studimi i trashëgimisë së tipareve të trëndafilave të kopshtijeve dhe krijimi i kultivarëve të rinj me hibridim; Përmirësimi i livadheve dhe kullotave natyrore të Shqipërisë; Studimi i agroteknikës së bimëve mjekësore, Monitorimi i florës dhe habitateve të rrallë të kërcënuar të Shqipërisë, etj. Ai publikon vazhdimisht Treguesin e Farave dhe ka marrëdhënie me rreth 160 Kopshte Botanike të botës. Ai është anëtar i Internacionales së Ruajtjes së Kopshteve Botanike (BGCI).

Si ka qenë dje?…

Kopshti Botanik është Institucion Mësimor dhe Edukues. Kopshti Botanik shërben si një laborator “natyror” për nxënësit dhe studentët e shkollave dhe universiteteve të ndryshëm të vendit. Këtu kryejnë aktivitet mësimore për studentët e Degës së Biologjisë (Fakulteti i Shkencave Natyrore – Tiranë) tre punonjës shkencorë, të cilët japin leksione dhe janë titullarë në lëndët Gjeobotanikë, Fitogjeografi dhe Biogjeografi, si dhe në disa lëndë pasuniversitare (të ciklit të dytë) në drejtimet biologjike. Ata aktivizohen rregullisht në drejtimin e praktikave në terren të disa lëndëve botanike si: Gjeobotanikë, Fitogjeografi, Biogjeografi, Sistematikë Bimësh dhe Botanikë e Përgjithshme si dhe udhëheqin diploma universitare dhe pasuniversitare. Gjithashtu, këta punonjës ndihmojnë gjatë praktikave nga fakultete ose dhe universitete të tjera në lëndët: Botanikë, Ekologji, Fitotekni, Farmaci, Dendrologji, Seleksion Bimor me studentët e Farmacisë, Veterinarisë, Agronomisë, Pylltarisë, Gjeografisë, Urbanistikës. Përveç këtyre, ata shoqërojnë praktikat mësimore dhe vizitat e nxënësve të të gjitha cikleve. Ndërkohe, Kopshti është dhe një qendër çlodhëse dhe informuese edhe për qytetarët e thjeshtë, veçanërisht në lidhje me problemet e florës e bimësisë shqiptare e natyrës në përgjithësi, sidomos të problemeve që kanë të bëjnë me evidentimin e vlerave dhe ruajtjen e saj. E ndërsa folëm kaq

…dhe si është sot?

farka_04_0Dikur një oaz çlodhjeje dhe kënaqësie, ndërsa sot, sot një korije fshati e lënë në fatin e vetë. Shko atje, nëse ke kohë pa shkuar, dhe do ta kuptosh sa e dhimbshme është të shikosh atë sipërfaqe të cunguar, ato bimë e drurë në degradim dhe zhdukje të plotë! Është i dhimbshëm fakti që mësojmë këtu, që vitet e fundit kanë humbur 180 bimë të rralla, specie të familjeve të rëndësishme si: kompozita, ombrellore, shqopore, gentianore, etj. Nga 1300 bimë që kishte kopshti në periudhën e tij më të mirë, sot ka gjysmën e këtij numri, 700 bimë. Për kopshtin nuk akordohen fonde, as për mirëmbajtje e rinovim, as për kujdes ndaj bimëve. Mbi të gjitha nuk ka ujë për ujitje. Urbanizimi i zonës bëri që sot kopshtit t’i merret fryma nga ndërtesat dhe betoni. Një tjetër shkak i degradimit të tij është se qytetarët e konsiderojnë atë park, duke shëtitur e duke prishur bimësinë. Por Kopshti nuk është park, është institucion shkencor dhe si i tillë duhet konsideruar e administruar.

 

Kopshti Botanik

 

Dëmi që i solli Unaza e Re                

Me gjithë përpjekjet dhe protestat e shoqatave mjedisore, me një vendim të qeverisë Berisha, u bë kalimi i një pjese të Kopshtit Botanik nën administrim të Ministrisë së Punëve Publike dhe Drejtorisë së Rrugëve, në funksion të ndërtimit të Unazës së Madhe. Segmenti i këtij projekti që preku Kopshtin Botanik zuri një sipërfaqe prej 9 mijë e 263 metra katrorë!…

 

Një kujtim i bukur në Kopsht!…

Janë të rralla familjet shqiptare që në një formë apo në një formë tjetër, të mos “e kenë Kopshtin Botanik në shtëpitë e tyre”. Nuk ka çift në Tiranë të martohet e të mos shkojë të bëjë një foto apo një videoklip në mjediset e Kopshtit Botanik. Ky sfond i bukur i natyrës i krijuar nga dora e njeriut nderon dhe mbulon gabimet e mijëra fotografëve profesionistë apo amatorë qofshin.

 

Institucion shkencor, jo park argëtues!

I rrethuar me ndërtime të shumta nga të katërta anët, me një numër shumë të madh banorësh, Kopshtit po i merret fryma dhe pak nga pak po i kufizohet hapësira. Banorët e lagjes e quajnë me fat që e kanë afër këtë mrekulli dhe shkojnë shëtisin ose prehen nën hijet e pemëve duke harruar që ai është institucion shkencor dhe jo park për të pushuar.

 

January 25, 2015 12:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*