MYSHKU I MOTEVE

Demir Gjergji May 9, 2016 17:36

MYSHKU I MOTEVE

Nga opusi poetik i Bërnsit, është një poezi që e kujtoj më shpesh… Ajo për urithin, të cilin e pret përgjysmë plori, ndërsa poeti po lëron tokën… Sa herë e sjell ndërmend atë poezi, përfytyroj poetin e përlotur, duke mbajtur në dorë trupin e sakatuar, ende të ngrohtë, të kafshëzës së gjorë e të pafajshme. Kjo poezi m’u kujtua edhe tani, duke lexuar krijimin e Bledar Koçit “Luga prej druri”.

Nuk dua trapezë të mbushur shandane/ As pjata floriri me lugët argjend/ S’ka vlerë shkëlqimi mbi qelqet mondane/…Veç lugës së drunjtë që zemra më dhemb.

Shkruan Bledari pasi ka thurur këngë krenarie për vendlindjen e tij, pasi ka kënduar me trishtim e lot udhëve të gjata të mërgimit, pasi e ka kthyer në metaforë mbresëlënëse hijen e Tomorit, pasi i ka thurur dashurisë vargje nga fundi i shpirtit dhe brengave e çasteve sublime të saj. Poezia e mësipërme, veç talentit të autorit, dëshmon për ndjenjën e thellë njerëzore të tij, për atë nderim që ka për rrënjët e lisave dhe gurët e themelit, për frymën e të gjyshërve dhe qershizën e sapoçelur, për zërin e nënës dhe hiret e motrës, për vatrën e zjarrit dhe sofrën e bukës, për gjakun e fisit dhe ujin e shkëmbit. Këto motive, në një farë mënyre, ai i bën terminale dhe pista të aeroportit për t’u nisur drejt qiejve të botës. I mbushur me to, ai ndjehet njeri në çdo metropol e përpara çdo gjuhe e tradite tjetër të kombeve dhe shteteve. Më shume se identiteti në pasaportë, janë këto motive që e bëjnë të ndjehet i barabartë në ajrin dhe trafikun e metropoleve të Evropës.

Nuk kam qenë asnjëherë në Prishtën e tij dhe, po të mos ndeshja mes vargjeve plot melodi rimash e muzikalitet metrike myshkun e blertë që mbulon ashpërsinë e shkëmbinjve, do ta mendoja atë vend të ashpër dhe të ftohtë. Por elementet dhe motive poetike të poezisë së Bledit, shto edhe natyrën e tij të butë, të qeshur e fisnike, m’i kanë bërë të dashura këto vende të Skraparit që gjelbërojnë nga pyjet, zbardhin nga borërat, fshihen nga mjegullat apo dremitin netëve nën hijen e Tomorit. Në gjithë këtë klimë vargjesh e eksperimentesh letrare që zotëron sot kudo, një poezi si kjo e Bledit, vjen që të na thotë se poezia e traditës, poezia e shpirtit, poezia e ndjenjës së sinqertë e të thellë, të paklonuar, e gjen shpejt dhe gjithnjë rrugën për te lexuesi. Ky libër, ku ka bërë strehë poezia e këtij autori kthjellon fund e majë. Vargjet e këtyre krijimeve të bëjnë t’i shijosh dhe, duke i shijuar, të emocionohesh deri më tronditje, të bëjnë të përjetosh gjendje, që rrallë i gjen në poezinë e sotme moderne, qofte edhe të elitave. Kjo poezi të mëson se njeriu, qoftë edhe në lartësitë e mëdha mbi oqeane, ndërsa fluturon me avion modern nga një hemisferë në tjetrën, qoftë edhe i pajisur me mjete komunikimi të fjalës më të fundit, ka nevojë të ndjejë si dashurohet duke lexuar poezi të tilla si “ Nagi”, “Flu”, “Sonte”, dëshiron ta verë në provë dashurinë për vendlindjen duke lexuar: “Ike, nanaja ime, ike!”, “Bastuni”, “Gërmadha ime”, apo të përmallohet si te poezia “ Mall”. (“Çapita në shtigje të blerta,/ I dehur, i etur, përmallur…/Qershia rrëzë gardhit më shkundi,/ Një copëz malli të lagur”).

Së fundmi mund të them, se kjo poezi është si kënga e zogjve. Të udhëtosh nëpër të, është si të ndjekësh udhën e zogjve hapësirave të qiellit, pa u kujtuar se po kalon mbi kufijtë e tokës të ndarë në shtete, fe, politika, moda e sekte…

Demir Gjergji May 9, 2016 17:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*