Myzeqeja e Vlorës, motra e vogël e Labërisë së madhe

July 20, 2014 14:18

Myzeqeja e Vlorës, motra e vogël e Labërisë së madhe

 Që në vështrimin e parë të hartës së Shqipërisë, sytë të venë te ajo pjesë me ngjyrë të gjelbër, simbolika e legjendës të së cilës çuditërisht përputhet me atë çka prek, gjen e ndjen në horizontet e gjera të kësaj fushe të paanë e të begatë. Ja, pikërisht këtu, në jug, në skaj të Ultësirës Perëndimore, gjendet ajo që në librat e gjeografisë njihet zyrtarisht e shkencërisht si Myzeqeja e Vogël, ose Myzeqeja e Vlorës. Këndi që krijon deti dhe Vjosa mban me përkujdesje këtë fushë të begatë. Pikërisht këtu, mbi këto ujëra, valët përhapin zëra të largët historie. Ismail Qemali në udhëtimin e tij të mundimshëm dhe historik nëpër baltërat e Myzeqesë drejt Vlorës në vitin 1912, bëri aventurën trimërore e ngazëlluese. Teksa në njërën anë e hipën në trap për të kaluar Vjosën myzeqarët, në anën tjetër e prisnin lebrit me këngën: “Cili je ti, more burrë”…për ta çuar pothuajse në krah në Vlorën e Flamurit. E ndërsa ndjek rrugën për në Vlorë në krahun e djathtë të shfaqet laguna e e madhe e Nartës, Narta vetë dhe kodrinat e saj të veshura me gjelbërim të përhershëm. Por me qënë se jemi këtu le të flasim një herë për Novoselën.

 

Novosela, motra e vogël e Labërisë së Madhe   

Novosela me 12 fshatrat e saj me atë klimë, me atë det aq aty pranë, me atë tokë aq pjellore, me atë lumë që e lag në pjesën veriore, me rrugën kombëtare Fier-Vlorë që e përshkon në gjithë gjatësinë e saj, me ata njerëz aq punëtorë, të çiltër e tradicionalisht mikpritës është një nga bukuritë e stolisura me dorë të Vlorës. Në fakt ajo është si një portë hyrëse për në qytetin e Flamurit dhe nis te dy urat historike të Mifolit, e para e ndërtuar nga Italia në kohën e Zogut  dhe e dyta e ndërtuar në vitet e socializmit. Themi historike për këto dy ura, pasi pikërisht këtu, në trazirat e vitit të mbrapsht 1997 u vunë kufijtë e Vlorës të dalë jashtë kontrollit të qeverisë së atëhershme pas rënies së firmave piramidale. Duke qenë një zonë kryesisht fushore dhe pak kodrinore, me një klimë mesdhetare dhe nivel të kënaqshëm të reshjeve vjetore, ekzistojnë të gjitha mundësitë për një zhvillim intensiv të bujqësisë. Të dy anët e rrugës ekzistuese nacionale dhe të konfiguracionit të trasesë së autostradës së re Fier-Vlorë janë mbushur plot objekte të rinj, ku operojnë biznese të fuqishëm prodhues dhe tregtues. Duke i rënë cep më cep territoreve të kësaj komune, tej në bregdet syri të zë një vijë bregdetare interesante, me plazhe ranorë, breza pyjore me potenciale të turizmit balnear, të peshkimit turistik, të agro-turizmit, të cilat, për fat të keq, shfrytëzohen pak. Për të shfrytëzuar kapacitetet turistike janë bërë studime dhe po luftohet që ato të marrin një zhvillim më të madh, për ta shfrytëzuar këtë pasuri të natyrës, sepse ende në këtë zonë mungojnë strukturat akorduese, rektoret cilësore.

 

 Pishë-Poro

Pishë-Poro, deri në 2004 një Rezervë Natyrore e Menaxhuar përfaqëson duna ranore të mirëzhvilluara (deri në 6-8 m lartësi) si dhe bimësi psamofite, higrofile dhe halofite. Pjesa kryesore e rezervës mbulohet nga pylli i pishës. Një pjesë e dunave ranore të Pishë-Poros janë shkatërruar si pasojë e marrjes së paligjshme të rërës. Me gjithë dëmtimet e mësipërme, ish Rezerva Natyrore e Menaxhuar është akoma në gjendje të mirë. Pjesët e degraduara të saj mund ta rimarrin veten nëse bëhen ndërhyrjet e duhura.

 

Kallenga

Kallënga është një lagunë e cekët prej 450 ha. Lidhet artificialisht me detin nëpërmjet një kanali që është hapur vetëm kohët e fundit. Përdoret për peshkim me rrjeta ndërkohë që së fundi në gryken e kanalit është ndërtuar dhe një dajlan.

 

Kodrat e Panajasë

Kodrat e Panajasë shtrihen në pjesën lindore dhe jugore të zonës së mbrojtur. Pika më e lartë arrin 246 m dhe ndodhet midis Trevllazërit dhe Llakatundit. Makja mesdhetare dhe pylli i dushkut, dikur tipike për këtë zonë, sot janë zëvendësuar nga ullishtat.

 

Fusha e Akërnisë

Shtrihet në veri të lagunës së Nartës dhe kriporeve. Dikur një tokë kënetore, sot kjo hapësirë është zëvendësuar nga toka bujqësore. Deri në fillimin e viteve’ 90, fusha mbulohej nga një rrjet i kompletuar ujitjeje dhe kullimi. Më pas, një pjesë e mirë e rrjetit të ujitjes dhe kullimit u shkatërrua. Një pjesë e madhe e tokës së dikurshme bujqësore sot është braktisur ose përdoret për kullotje.

 

 

Narta: natyrë, begati dhe bukuri

Truall-per-shitje-ne-Vlore-ne-Zvernec-bregdet-10Laguna e Nartës shtrihet në pjesën veriore të qytetit të Vlorës me një sipërfaqe të pasqyrës ujore prej rreth 41.8 km2 duke u kufizuar në jug e jugperëndim nga kodrat piktoreske të Zvërnecit. Në ishullin më të madh ndodhet Manastiri i Zvërnecit. Në anën perëndimore laguna ndahet me detin Adriatik nga një rrip i ngushtë toke. Nga laguna e Nartës, një sipërfaqe prej rreth 3.8 km2 është ndarë nëpërmjet një argjinature dhe shfrytëzohet për nxjerrjen e kripës (Kriporja e Skrofotinës). Zona është një kompleks lagunor i përbërë nga shumë habitate të cilat fomojnë një rrugë për përhapjen dhe migrimin e llojeve bimore dhe shtazore. Laguna Nartë ndodhet në afërsi të vijës bregdetare dhe lidhet me detin me anë të dy kanaleve të komunikimit, me anë të të cilëve kryhet procesi i ujëkëmbimit: kanali verior (dajlani i madh), dhe kanali jugor (dajlani i vogël), respektivisht me gjatësi 900 m dhe 190 m dhe gjerësi 30 m dhe 16 m. Karakteristikë e lagunës është furnizimi me ujë nga deti gjatë periudhës së baticës dhe shkarkimit të ujërave gjatë zbaticës. Nga llogaritjet rezulton se nga laguna largohen nëpërmjet avullimit një shtresë uji prej 1, 173 mm në vit, nga ku 56% e saj në periudhën e thatë qershor-shtator. Kripshmëria e ujërave në stinën e verës arrin vlera shumë të larta deri S = 78.0%, dhe në periudhën e dimrit vlerat e kripshmërisë zbresin në S = 36.0%. Në pellgun ujëmbledhës të lagunës Nartë, takojmë habitate natyre dhe gjysmë natyral-artificiale si: vetë laguna Nartë, pjesa perëndimore e Lagunës Nartë, ishulli i Zvërnecit, rezervuarët e vegjël ujor pranë lagunës, pjesa kodrinore lindore (ullishtat), pjesa lindore (tokat bujqësore), pjesa veriore e lagunës (kriporja), pjesa jugore e lagunës (hapësira midis pyllit të Sodës dhe vetë Lagunës), rezervati natyror Pish- Poro, liqeni i Godullës dhe Kallëngës, fusha e Grykë- Pishës, fusha e Dëllenjës, gjoli i kumeve (në Dëllenjë), shtrati i vjetër i lumit Vjosë, dunat ranore, tokat e kripura në lindje të Rezervatit Natyror Pishë-Poro. Për nga rëndësia kombëtare, Nartën e rendisin si zonën e dytë në Shqipëri më të rëndësishme për shpendët e ujit, pas zonës së Karavastasë. Gjatë dimrit në Nartë strehohet më shumë se 23% e shpendëve të ujit. Për nga rëndësia ndërkombëtare zona plotëson kriteret e rëndësisë ndërkombëtare, për numrin total të shpendëve të ujit dimërues me më shumë se 48,700 individë. Rosat dhe bajzat janë llojet më të pranishme duke përfaqësuar respektivisht 4,7% (18,000 individë) dhe 3,5% (13,500 individë) të numrit të përgjithshëm të shpendëve. Sezoni i folenizimit regjistron një numër të lartë të folenizuesve që lëviz nga 650-850 çifte. Folenizuesit kryesorë janë dallëndyshet e detit dhe baltakët. Numri i llojeve të shpendëve të rrallë në zonën e lagunës së Nartës është 31, numri i llojeve të vyera është 93, lloje të rrezikuara 7, si: Pelikani kaçurrel, Skifteri, Karabullaku i vogël, Shqiponja e detit, Shqiponja e madhe e rosave, Kryekuqja e vogël, Rosa kokëbardhë etj. Të tjera specie të rëndësishme në lagunën e Nartës janë qefujt, ngjalat,  levreku etj   Gati 80% e numrit të familjeve cilësohen si fermere me aktivitet ekonomik bujqësoro-blegtoral. Zona e Lagunës së Nartës banohet nga një popullsi tërësore prej rreth 23, 000 banorësh.

Kriporet

Perfshin pjesen e dikurshme veriore te lagunes se Nartes e transformuar ne Kripore ne fillimet e viteve ‘50. Siperfaqja e sotme eshte afro 1 500 hektare. Perbehet nga shume pellgje te ceket ne brendesi te te cilave ka diga dhe ishuj te vegjel qet i kthejne kriporet ne vende teper interesante per shpendet e ujit folezues.

 

Dunat e Nartës

Ndodhen në plazhin midis kripores dhe portit të ri. Përfaqësojnë grupe dunash të krijuara nga veprimtaria akumuluese e erës në rërën e plazhit. Ato janë disa km të gjata, 30 m të gjera dhe 3-4 m të larta. Përfaqësojnë objekte me vlera ekologjike, kulturore, dhe turistike. Vlerat e tyre janë të karakterit kombëtar.

 

Zvërneci

Ishulli i Zvërnecit, ndodhet në lagunën e Nartës. Ka një sipërfaqe prej 7 ha, dhe është i veshur nga një bimësi e dendur e përbërë nga llojet: selvi, dafinë dhe mëretë. Në ishull ndodhet  Kisha e Shën Mërisë, një monument i rrallë kulture që i takon shekullit të 13-të. Është e tip kryq me kupole e narteks. Në ambientet e brendshme të saj ruhen fragmente pikturës murale e altari i gdhendur në dru zbukuruar motive me lule e kafshë. Kishës i jep vlerë origjinale hajati i shtruar me pllaka guri. që në anën veriore merr dritë nga shtatë harqe të mbështetur në kolona guri. Kisha është e restauruar dhe është monument kulture. Kisha e Shën Mërisë shërben si vend lutje dhe bëhen ceremoni fetare ortodokëse dhe çdo vit kujtohet 15 gushti, ditëlindja e Shën Mërisë.

 

Plazhi

Zverneci ka pak kohë që shfrytëzohet për plazh. Në fillimi ishin vendësit, por edhe të tjerë që ia dinin vlerën dhe donin qetësi dhe frekuentonin hapësirat e mëdha të rërës së butë dhe kurative të këtij bregdeti të veçantë. Vitet e fundit plazhi i Zvërnecit është mbushur plot me pushues, të cilët vijnë edhe nga jashtë Shqipërisë për veçoritë që ka, sidomos për familjarë dhe fëmijë. Në këtë zonë janë bërë mjaft investime, qoftë për rrugën, por edhe për objekte të tjera publike. Lokalet dhe hotelet e shumtë bëjnë një shërbim të shkëlqyer, me një kuzhinë karakteristike të zonës, ku zotëron gatimi i peshkut, sidomos qefullit, si dhe i mishit të qengjit dhe kecit. Rruga për në Zvërnec është tepër panoramike dhe kalon mes për mes Pyllit të Sodës dhe më pas në pritat e lgunës.

         

 

Triporti

Veç shumë e shumë të tjerave, në Nartë ndodhen edhe dy vendbanime me karakter historik, dhe çuditërisht të studiuar pak, ndoshta edhe për vështirësinë e rrëmbimit të tokës nga deti dhe mbulimit të objekteve. Këta janë Tiporti dhe Spiranica.

Triporti ndodhet ne perndim te qytetit te Vlores, ne lindje te lagunes se Nartes,prane fshatit Zvernec.Germimet arkelogjike kane nxjerr ne drite gjurme te ndertimeve antike dhe te nje bankine qe futet thelle ne det. Triporti ne kohet e vjetra,para lindjes se Krishtit e me von ka sherbyere si nje port i rendesishem i  detit Adriatik qe lidhte qytetet e Aulones,Apollonise,Orikut,Amanties etj. Ne buze te detit, nen uje jane gjetur renojat e e ndertimeve si dhe objekte te ndryshme arkelogjike.

 

Spinarica

Spinarica, sipas shkrimeve te autorëve të ndryshem e dokumenteve të kohës, është një nga qytetet e rëndësishme të Mesjetës në detin Adriatik. Ajo ndodhej në lagunën e Nartës në derdhje të lumit të Vjosës, në pjesën lindore të detit Adriatik. Spinarica ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare, veçanërisht në shekullin e 12-të, kur përmendet për herë të parë në dokumentet e shkruara. Ajo ka qenë e njohur për tregtinë e drithërave, kripës, prodhimeve bujqësore e blegtorale, drurit, hekurit dhe sendeve të zbukurimit etj. Në qytetin e Spinaricës kanë patur konsujt e tyre Venecia, Pulia, Raguza. Pas pushtimit turk, në shekullin e 15-të Spinarica e humbet rëndësinë e saj dhe zhduket nga kronika. Ende gjurmët e këtij qytet nuk janë indetifikuar, për shkak të ndryshimeve natyrore, që kanë ndodhur në lagunën e Nartës.

 

 

July 20, 2014 14:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*