Nё kufi të së pabesueshmes

February 18, 2018 10:21

Nё kufi të së pabesueshmes

Nasho Jorgaqi

 (Kujtimit të Heroit të Popullit Pal Mlyshi)

Kishim disa orë që udhëtonim dhe Gazi ynë ngjitej vazhdimisht në të përpjeta, duke lënë prapa male e hone, aq sa mua, që udhëtoja për herë të parë në këto anë, më dukej se, ashtu si e kishim nisur, do të sosnim në hënë. Kjo ndjesi më mbetej e gjallë, bile edhe kur qëllonte të zbrisnim nga makina. Në lartësinë e atyre maleve, yjet më ngjanin fare afër dhe nata kishte një ngjyrë të çuditshme. Ishte një natë prilli pa hënë. Flladi i lehtë që hynte nga dritarja, mbushte herë pas here makinën me kundërmimin e pyjeve. Ne ishim aq të topitur nga rruga e gjatë, sa ajo erë e këndshme na e lehtësonte dhe na bënte të merrnim frymë thellë. Megjithatë, tek vështronim jashtë, shpesh ngatërronim yjet që regëtinin nëpër qiell, me dritëzat e fushave e luginave që shtriheshin nën këmbët tona.

– E fundit, doktor, – tha Xheloja duke ndërruar marshet.

Gazi ngjiti të përpjetën e fundit, mori djathtas dhe hyri në një rrugë pa rrugë duke dredhuar në të dyja anët. Kur u futëm në pyll, makina e uli shpejtësinë dhe atëherë fillova të shikoja jashtë me vëmendje.

Nasho Jorgaqi

Në errësirën e dendur të pyllit dritat e makinës u bënë edhe më të forta. Dukej sikur aty nata ishte e dyfishtë. Unë ndiqja lëvizjet e makinës dhe vështroja drurët e pyllit që vinin drejt nesh si një valle pa mbarim.

Kishim hyrë thellë në pyll, kur qëndruam në një korije të vetmuar dhe aty zbritëm që të tre. Unë e Faredini hodhëm plaçkat në krah dhe pritëm Xhelon sa mbylli makinën e na udhëhoqi përmes drurëve me një elektrik dore. Ne zumë të ecnim pas tij, nëpër disa shtigje të ngushta që, si duket, i njihte vetëm ai. Më ka mbetur akoma në mendje ajo qetësi e thellë që ndillte përqark nesh një atmosferë fshehtësie e të papriturash. Hapat tanë jehonin me një kumbim të rëndë, kurse nga thellësia e pyllit dëgjoheshin disa zhurma të pakuptuara.

Në të dalë të pyllit, ne qëndruam në një shesh të mbuluar me bar të thatë. Aty pushuam disa minuta më këmbë dhe, pa folur, vazhduam rrugën për më tej. Xheloja shoi elektrikun e dorës dhe këtë e bëri, me sa kuptova, jo vetëm se tani kishim dritën e yjeve, por dhe për t’u maskuar. Rruga këndej kalonte prapë në të përpjeta. Në mbarim të pyllit, ngriheshin disa shkëmbinj të paformë. Ne përpiqeshim t’i shkonim pas Xhelos, po shtigjet në të përpjeta ishin të vështira. Ai, si sorkadhe, hipte e zbriste nga një shkëmb në tjetrin, aq sa unë e Faredini mezi e ndiqnim. Bile, vende-vende, filluam të ngjiteshim këmbadoras, duke pasur kujdes orë e çast sendet që kishim me vete.

Kur dolëm në krye të shkëmbit të dytë, (se ishin tre shkëmbinj njëri mbi tjetrin, sikur të kishin hipur kaluar), aty na priste Xheloja.

Faredini u mbush me frymë dhe tha me zë të ulët:

– Thirri!

Unë vështrova Xhelon. Ai vuri të dyja duart në buzë dhe, papritur, vendi jehoi nga disa klithma të thekshme. Në fillim nuk e dallova, por, kur ai e përsëriti disa herë, m’u kujtua zëri i gjelit të egër. Vendi aty vinte gjysmë i mbyllur dhe jehona dukej sikur vërtitej mbi kokat tona. Pas kësaj sundoi një heshtje e rëndë. Ne qëndronim me sy të ngulur andej nga errësira ishte më e dendur. Nuk kaloi shumë dhe nga lart erdhi një fishkëllimë e zgjatur që s’di të them se çfarë zëri imitonte. Xheloja klithi prapë në mënyrën e tij, po kësaj radhe vetëm një herë.

U bë një heshtje e shkurtër dhe në këtë kohë dy shokët e mi u morën vesh vetëm me një të tundur të kokës. Unë shikoja shkëmbin që ngrihej pranë nesh dhe nuk e merrja dot me mend se nga do të ngjiteshim, kur vura re hijen e Xhelos që lëvizte me zigzage në gjysmën e tij. Për një çast ai më humbi nga sytë. Faredini dukej shumë i qetë dhe, si një komandant në luftë, ndiqte me vëmendje të gjitha veprimet e Xhelos. Vetëm kur hija e tij u zhduk nga sytë tanë dhe pas kësaj zbritën nga lart ca zëra të mbytur, atëherë Faredini më dha shenjë ta ndiqja pas.

Tani çdo gjë po më dukej si një ëndërr. Ngjitesha këmbadoras dhe, padashur, vështroja honin e errët që hapej poshtë nesh dhe pyllin që nxinte tej në horizontin e natës. Mendja ime, e pamësuar me këto gjera, mezi e rrokte atë çka ndodhte rreth e qark. Më bëhej se në këta shkrepa të braktisur, në mes të kësaj shkretëtire të errët, ishte e vështirë e ndoshta e pamundur të rronte njeri i gjallë. Po unë nuk pata kohë të arsyetoja më gjatë, mbasi atë çast kishim arritur në vend. Në gjirin e shkëmbit të lartë, fshehur pas disa drurëve të vetmuar, hapej goja e një shpelle. Këtë mezi e dallova nëpër errësirë dhe e vërtetova vetëm kur  e dëgjova Faredinin të më thoshte:

– Futu, doktor, po kujdes, ule kokën!

Unë përkula trupin dhe hyra në shpellë, pa ditur ku të shkelja. Pastaj ndjeva dorën e Xhelos që më kapi dhe eca më tutje nëpër errësirën e thellë. Po kjo nuk zgjati shumë sepse, pasi hyri edhe Faredini, Xheloja ndezi dritën e cila ndriçoi një pjesë të shpellës. Shpella ishte e ngushtë në krye e pastaj vinte e zgjerohej në thellësi. Në fillim nuk më zuri syri asnjë të huaj veç shokëve me të cilët kisha ardhur, por, kur Xheloja lëvizi dritën, m’u duk sikur papritur doli nga thellësia e shkëmbit një njeri që hijet i jepnin përmasa të çuditshme. Bile, para se të shikoja atë, më buçiti papritur në vesh një zë i fortë:

– Mirë se erdhët, burra!

Ne u hodhëm menjëherë në krahët e njëri-tjetrit dhe mbaj mend që duart e tij më shtrënguan fort, sikur të më kishte mbërthyer një darë e hekurt. Zëri i tij i fuqishëm plot gjëmim, në çastin e parë m’u duk sikur nuk i takonte atij njeriu të gjatë, me trup të thatë, fytyrëhajthëm e me buzë të holla. Vetëm sytë e mëdhenj e të thellë, që shkreptinin paprerë, i shkonin zërit të tij burrëror.

Pastaj ne u ulëm mbi ca gurë të lagur dhe ai na dha prapë dorën, thuajse i kishim shkuar në shtëpi. Gjithë fytyra i vetëtinte nga gazi, ndërsa gjoksi i ulej e i ngrihej paprerë. Ai nuk dinte si t’i gëzohej qenies sonë. Matej të fliste e s’fliste dot.

– Ju mundova, shokë, – tha më në fund.

– Ç’të munduar, a derëbardhë! – ia priti menjëherë Xheloja, që atë kohë po zbërthente çantën. – Ti na thuaj, sa ditë ke pa ngrënë?

Ai nuk foli, po vështroi nga ne të tjerët.

– Mirë e ka Xheloja, – tha Faredini. – Vërtetë, sa ditë t’u bënë pa ngrënë, Martin?

– Lëre, mos pyet, – tha Martini dhe murmuriti diçka nëpër dhëmbë, që ne nuk e morëm vesh.

Pastaj Xheloja i vuri përpara çantën e hapur me ushqime. Ai zgjati dorën, mori një copë të madhe buke dhe filloi ta hante me nxitim. Kishte pothuaj disa ditë pa ngrënë dhe kjo kishte ndodhur jo nga pakujdesia jonë, po ngaqë vendi i fshehtë ku i linin ushqimet, ishte kontrolluar ato ditë, herë nga bandat, herë nga forcat tona të ndjekjes. Këtë ai nuk na e tha drejtpërdrejt, po e morëm vesh në bisedë e sipër.

Ne u munduam të mos e vinin re tek hante dhe, ndërsa unë fillova të hapja çantën time sanitare, Faredini, me vetulla të mbledhura dhe me vështrim të përqendruar, zuri t’i komunikonte direktivat e reja të qendrës.

II

Pal Mlyshi

Para disa ditësh, më pati thirrur në zyrë Faredini.

– Ti e di, doktor, – tha ai me një seriozitet që ia diktonte detyra, – se lufta jonë vazhdon. Bile, nga ndonjë pikëpamje, është bërë ndofta më e vështirë. Bandat e kriminelëve sillen akoma nëpër male. Po i bien popullit më qafë. Detyra jonë është që t’i asgjësojmë sa më parë dhe për këtë nuk mjafton që të ndeshemi ballë për ballë, por edhe t’i shkatërrojmë nga brenda. Kjo është arsyeja që një shoku ynë, i ngarkuar të hyjë në bandat e tyre, ka disa kohë që ka dalë në mal, po deri sot kriminelët nuk i kanë zënë besë. Ai është i detyruar të endet maleve fill i vetëm, i ndjekur herë nga bandat, herë nga forcat tona. Kuptohet që, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër rrezikohet jeta e tij dhe, si pasojë, dhe plani ynë për asgjësimin e kriminelëve. Tani kemi vendosur të bëjmë provën e fundit: t’i hapim shokut tonë një plagë në trup. Kjo është dhe arsyeja që të thirra. Ne e kuptojmë fare mirë se ç’do të thotë kjo për një mjek. E kuptojmë sa delikate dhe e ndërlikuar paraqitet situata për ty.

Pa mbaruar ai, unë e ndjeva menjëherë barrën e rëndë që po merrja mbi vete. Të them të drejtën u hutova. Qëndroja në heshtje para shokut tim dhe mundohesha t’i shpëtoja shikimit të tij të përqendruar. Ishte një çast që nuk mund të kapërcehej më një përgjigje sa për të kaluar radhën.

– Do të mendohem, – thashë në fund dhe u ngrita. Ai e kuptoi gjendjen time dhe, pa e zgjatur, e mbyllëm me kaq takimin e parë.

Shkova në shtëpi dhe, më parë se të gjeja zgjidhjen praktike, nxora librat. Shfletova qindra faqe, konsultova disa atlase anatomike. Në ato çaste më dukej vetja student dhe jo mjek i kaq viteve siç isha. Tërë ato që dija mbi trupin e njeriut, tani më ngatërroheshin. Pas çdo ideje që më lindte, më dukej sikur fshihej një pikëpyetje tinëzare që më trondiste besimin. Thosha se, po të dështoja unë, do të rrezikohej puna e gjithë shokëve.

Me këto mendime kalova gjithë natën. Kur erdhi mëngjesi, mbylla librat dhe, si u qetësova ca, fillova rishtazi të mendoja. Ndoshta këshilla e ndonjë kolegu do të më ndihmonte mjaft. Po kjo nuk lejohej kurrsesi. Çdo gjë duhej ta zgjidhja vetë. E pra, nga ta filloja provën? nga ç’pjesë e trupit të gjallë duhej të kalonte plumbi, që mundësisht të dëmtonte sa më pak? Duhej të çmësohesha nga mënyrat e zakonshme të arsyetimit. Tani duhej të arsyetoja kështu. Ç’duhet të bëja, jo për të mbyllur një plagë, po për ta hapur?

Në vështrim të parë këto arsyetime dukeshin paradoksale. Po detyra që m’u ngarkua nuk më lejonte të hyja në qorrsokakë që mund të dëmtonin çështjen. Armiku i klasës duhej të thyhej me çdo kusht. Më shkonte mendja te populli që po terrorizohej nga bandat, te shokët që po luftonin orë e çast me armiqtë, e, mbi të gjitha, kujtoja shokun tonë që endej maleve fill i vetëm. E ç’ishte një plagë para gjithë këtyre? Po ky mendim, të them të drejtën, nuk m’u qartësua menjëherë. Nuk më linin të qetë ato dreq paragjykime profesionale; sikur më pëlqente t’u jepesha ndjenjave të vockla. Kisha arritur deri në atë shkallë, sa të mendoja se më takonte mua t’i mbroja parimet e humanizmit tonë, por harroja, për një çast, se shokët tanë këto parime kishin vite të tëra që i mbronin me gjak e sakrifica.

E vërteta është se unë në fillim u hutova dhe isha i pavendosur. Këtë e kuptova  mirë të nesërmen, në ballafaqimin e dytë me Faredinin. Ne të dy njiheshim prej kohësh, po në rrethanat që po takoheshim, më ngjante sikur po shihesha për herë të parë me të. Megjithatë, përzemërsia me të cilën më priti kësaj here, më bëri ta ndjeja veten më të qetë se në takimin e parë.

– Hë, Kristaq, ç’bëre? Të futa në telashe, – m’u drejtua me buzë në gaz, kur u ulëm krah njëri-tjetrit në një kolltuk të gjerë.

– Mendova, – i thashë, – bile mendova gjatë.

– Shumë mirë atëherë, – ia priti ai me një zë të ngrohtë dhe më la të vazhdoja.

– Mund t’ia hapim një plagë… them t’ia hapim… në pjesën gluteale… në të ndenjurat…

Dhe mora të ndizja një cigare, i bindur se me ato që thashë, kisha gjetur të vetmen zgjidhje të mundshme. Tani ndihesha i lehtësuar nga tërë ajo barrë që më kishte shtypur e sfilitur, prandaj prisja që ai ta miratonte menjëherë. Po ai, për çudinë time të madhe, nuk foli fare. Për më tepër, iu zhduk gazi nga fytyra, vetullat iu mblodhën dhe thithi disa herë cigaren. Unë, sado që u stepa pak nga kjo, prapë nuk vonova t’i shpjegoja më gjerë idenë time.

– Nuk di si ju duket juve, po unë do të thosha se glutealet janë pjesa më e sigurt për të kryer atë që kërkoni ju… Në këtë pjesë ka pak enë gjaku dhe akoma më pak nerva. Pra, dhe rreziqet janë më të vogla dhe dhimbja është më e paktë…

Po ndërsa mundohesha të shpjegoja atë që kisha menduar gjithë natën, nuk di se si lexova papritur në fytyrën e tij pakënaqësi dhe një lloj shpotie për atë që po thosha.

– Jo, jo, doktor, – tha ai me një ton të prerë, gati të rreptë, – nuk e ke menduar mirë. Ke parë vetëm anën profesionale… Shoku ynë nuk do ta pranonte kurrë këtë zgjidhje.

– Si? – u hodha unë i habitur e i prekur njëkohësisht. – E pse, ç’të keqe ka këtu?

– Kjo është menduar e tëra keq, – ma ktheu ai i vendosur, megjithëse u përpoq ta zbuste pak tonin. – Prit, mos u ngut, ta shpjegoj unë. Pikësëpari, duhet ta dish se zgjidhja që propozon ti, do të thotë t’i hapim shokut tonë një plagë turpi. Pa mendo një herë se ç’telashe do t’i krijonte një plagë në një vend të tille! Kjo do ta prezantonte si frikacak. Burri goditet ballë për ballë me armikun, dhe jo duke i kthyer kurrizin. E kupton, pra, se ç’pasoja të këqija morale mund të sillte? Bile, mund të ngjallë dhe dyshime, kur ai ka kaq nevojë për prestigj dhe besim. Pra, ai duhet të shkojë tek ata si njeri që është  armiqësuar e gjakosur keqas me ne, me një plagë që ta mbush mendjen vërtet e jo në prapanica!

Pas këtyre arsyetimeve, unë e humba dhe për një kohë kujtova se nuk do të kishte rrugëdalje. Të gjitha ato që thoshte Faredini ishin të drejta, po nuk e merrja dot me mend se, veç glutealeve, në ç’vend tjetër mund të hapej një plagë pa rreziqe.

– Nuk di ç’të them, – ngrita supet duke u përpjekur të mposhtja nervozizmin që më kapi në befasi. Dhe, të them të drejtën, nuk di si do të isha sjellë, po të mos më qëndronte përballë aq e qetë dhe besimplotë fytyra e tij.

– Unë të kuptoj shumë mirë, doktor, – tha ai pas një heshtjeje. – E ke pasur të vështirë… Vështirë e kemi dhe ne, s’do mend! Duhet që armiku të mos dyshojë për asgjë dhe, njëkohësisht, shokun tonë ta lehtësojmë sa më shumë në detyrën e rëndë!

– E si mund ta lehtësojmë? – shpërtheva unë padashur. – Plaga mbetet plagë, kudo qoftë në trup. Po rreziku më i vogël paraqitet aty ku thashë unë.

Ai më buzëqeshi me pamjen e një njeriu që ka bindje në mendimin e tij dhe më tha me zë të qetë:

– Atë zgjidhje e hodhëm poshtë, apo jo? E thamë që në lojën që po bëjmë ka shumë rëndësi se në ç’pjesë të trupit është plaga. Ja, për shembull një plagë në gjoks, do të ishte një ndihmë e madhe për Martinin. Kjo do ta nderonte para armiqve, do të ngjallte besimin e tyre…

– Po kjo është krejtësisht e pamundur, – qesha unë, jo pa njëfarë triumfi. – Plaga në gjoks do të thotë ta vrasësh me dorën tënde!

Megjithatë entuziazmi im nuk e pati të gjatë. Shpejt e kuptova se kisha marrë kot. Faredini ndezi cigaren që i ishte shuar në mes të gishtërinjve dhe e thithi i menduar.

– Edhe ne jemi shqetësuar gjithë këto ditë, – tha ai, i tërhequr nga një mendim i rëndësishëm, – po shkuam me shpresë se mos gjeje ti ndonjë zgjidhje më të mirë. Jam i bindur se, po të të linim kohë, do ta gjeje këtë zgjidhje, po koha s’na premton fare. Mendo që ai baret nëpër male dhe pret përgjigjen tonë.

Faredini lëshoi cigaren në tavëll dhe u ngrit më këmbë duke bërë ecejake nëpër dhomën e gjatë. Unë e ndiqja me sy, pa lëvizur nga kolltuku.

– Varianti ynë është ky, – filloi ai të shpjegonte me kujdes, thuajse demonstronte ndonjë plan në hartë. – Mund ta kemi edhe gabim. Nuk është e thënë ta aprovosh medoemos. Ne, pa aprovimin tënd, nuk bëjmë asgjë. Siç ta thashë, ne duam që plani i qendrës të zbatohet, por dhe shoku ynë të mos dëmtohet ose të dëmtohet sa më pak. Për këtë të jeni realist. Ne themi kështu: të tërhiqet lëkura 5-6 gishta në sqetull dhe të qëllohet mbi të me kujdes, në mënyrë që, kur të lëshohet lëkura, njëra plagë të bjerë në gjoks e tjetra në shpatull. Natyrisht, kjo është një plagë lëkure dhe ti si mjek do t’i marrësh të gjitha masat, sidomos në konditat që ndodhet ai si komit nëpër male. Si thua, a ka mundësi të bëhet?

Unë nuk u nxitova të përgjigjesha, dhe, sikur të isha vonuar akoma, ai me siguri do të kujtonte se isha prekur në sedër. Po në të vërtetë unë isha shtangur nga ideja e saktë dhe praktike që ai ma paraqiti aq thjeshtë e qartë. Në ato çaste më erdhi mendimi se zgjidhjen që nuk e kishin gjetur studimet e mia, e kishte arritur mendja e hollë e shokëve me përvojë lufte kundër armiqve.

– Ka mundësi… posi! – thashë unë më në fund, pas një heshtjeje të shkurtër, që Faredini e mori si mëdyshje dhe shtoi menjëherë:

– Doktor, ti i di më mirë këto punë, prandaj thuaj të gjitha rezervat, që t’i kemi parasysh.

– Jo, jo, – nxitova unë, – zgjidhja juaj paraqet më pak rreziqe… Sigurisht, do kujdes dhe kuptohet se do ta bëjnë njerëz me përvojë dhe gjakftohtë…

– Përvojë për këto gjëra nuk kemi, – shpjegoi ai, – kjo është hera e parë…

– Përveç kësaj, – shtova unë, – që të kryhet kjo, kërkon disa kushte minimale.

Faredini, që rrinte më këmbë para meje, mblodhi buzët i pakënaqur dhe mua kjo m’u duk pak tallëse.

– Them, në rast se ka mundësi ta sillni këtu, ose të paktën të bëhet në qendrën më të afërt, që, sido që të vijë puna, ta kemi afër spitalin.

Ai u ul dhe, si ndezi cigaren, mori një pamje serioze dhe tha:

– Rrethanat janë të atilla, doktor, që jo vetëm nuk mund ta sjellim këtu, por as në qendrën më të afërt nuk e shpiem dot.

– Po si i bëhet, atëherë? – thirra i çuditur.

– Do të shkoni ta bëni në vend, në Malin e Kaçiles!

Ai foli në një mënyrë të prerë, duke më dhënë të kuptoja se për këtë gjë nuk kishte si të diskutohej. Dhe, ndërsa unë heshta, ai u mundua të më vinte përpara një argument tjetër:

– Kristaq, më thuaj, si do të veproje ti, sikur kjo të ndodhte dje në luftë?

Unë tunda kokën dhe, në vend që t’i përgjigjesha, bëra gjyq me vete.  Në luftë, luftova si gjithë të tjerët, mjekova me dhjetëra partizanë, me aq sa dija, por asnjëherë nuk u ndodha para një situate të tillë. Shkoja e i mjekoja shokët atje ku ishte rreziku më i madh, i mbaja në krahë, rrija vetë i uritur e u jepja atyre kafshatën e gojës, hiqja rrobat e këpucët e mia, bile edhe qelbin ua kisha thithur, kur e kishte dashur nevoja, po kështu si sot nuk më është shtruar asnjë detyrë…

Është e tepërt të tregoj se si vazhdoi më tej biseda jonë. Ishte e qartë se unë akoma zvarritesha dhe, nëse u shkunda nga paragjykimet e u ngrita në lartësinë e detyrës, këtë ua kam borxh shokëve, e në radhë të parë Martinit. Them Martini, se në qëndrimin e tij pashë se ç’fytyrë të madhërishme ka heroizmi i njeriut tonë në luftë.

 

III

Dhe tani që Faredini i jepte direktivat e qendrës me atë zërin e tij të shtruar, unë s’ia ndaja sytë Martinit. Ai vazhdonte të hante, po jo me atë vrullin e parë. Dukej i qetë, thuajse nuk mendonte fare për atë që e priste. Po unë që mendoja vetëm për këtë, me gjithë vendosmërinë që kisha për t’ia dalë në krye detyrës, prapë, në atë çast, ndërsa vështroja nofullat e tij të dala, ballin e zbehtë, duart e thata, më kapte papritur një dyshim që më trondiste. Madje, nuk di se si u gjenda një hop bosh dhe ai vështroi ngultas nga unë, aq sa m’u bë sikur m’i bleu mendimet dhe i buzëqesha pa qenë nevoja.

– Nënën dhe vëllezërit i ke mirë, – tha Xheloja kur mbaroi Fraedini.

Martini tundi kokën dhe nuk tha asnjë fjalë. Pastaj mbylli çantën e ushqimeve  duke mbajtur sytë përdhe dhe pyeti:

– Po ajo ç’bën?

Kaloi një hop në heshtje dhe pastaj Faredini tha:

– Është mërzitur, domosdo.

Martini bëri një gjest me dorë që unë nuk e mora vesh. Pas kësaj sikur u çel në fytyrë. Tani vështrimi i tij lëvizte lirisht.

– Keni ardhur tamam në kohë, – tha ai. – Situata nuk duron më. U përpoqa, siç e dini, po qe e pamundur. Prandaj ju shkrova. Pa dhënë provën e gjakut, ata nuk më pranojnë.

– Dakord, – tha Faredini. – Qendra e aprovoi. Doktor Kristaqi për këtë qëllim ka ardhur. Çdo gjë do të bëhet me kujdes. Mos ki merak nga asnjë telash.

Shpella gjëmoi papritur nga gazi i Martinit.

– Telashi më i madh ka qenë ai që hoqa. Kjo që thoni ju, do të ishte shpëtim për mua. Doktori të mos ketë frikë që më shikon kështu të hollë. Kështu jemi tërë familja, po jemi të fortë. Im vëlla kaloi tërë Operacionin e Dimrit me plagë në trup dhe nuk e gjeti gjë. Apo s’ka të bëjë kjo, si thoni, doktor?

Kjo pyetje më zuri krejt në befasi dhe nuk arrita t’i përgjigjesha. Dëgjova Xhelon që tha:

– Doktorit s’po i dëgjohet zëri sonte!

– Kushedi ç’thotë me mendje: ku më sollën kështu këta shokë! – shtoi Martini.

– As në ëndërr nuk e ka parë këtë shpellë, – tha Xheloja.

– Shpella ka parë plot, – shpjegoi Faredini, – se në këto shpella ka mjekuar të sëmurët gjatë luftës.

– Mund të fillojmë nga puna? – ndërpreva bisedën unë. – Si thoni?

– Unë gati jam, kur të doni, – u hodh Martini.

Faredini dhe Xheloja lëvizën dhe filluan të rregullonin vendin. Hoqën disa gurë dhe shtruan xhaketat në sheshin plot lagështirë.

Pastaj Xheloja vendosi dritën më lart, në mënyrë që të ndriçonte sheshin e hapur. Unë nxora të gjitha sendet e nevojshme nga çanta sanitare. Martinit nuk i shpëtonte asgjë.

– Zhvishuni dhe shtrihuni, – thashë, me një zë që më tingëlloi i huaj.

Ai u zhvesh nga brezi e lart dhe unë i tregova se në ç’vend do t’ia hapnim plagën. Tani e kisha marrë veten mirë dhe këtë e ndieja nga mënyra se si flisja.

E nisa punën nga gjilpëra. I bëra gjilpërën e parë dhe i kapa pastaj me dorë atë pjesë të lëkurës që bie nën sqetull. Ai ishte mjaft i lirë dhe dukej fare i qetë. Për më tepër, ndieja se kishte qejf të bisedonte. Ndoshta ngaqë kishte kohë pa biseduar me njeri!

– I çova fjalë kapobandës për të tretën herë, – tregonte ai, – po prapë nuk më besoi. Kishte thënë: “Le të shkojë te komunistët, se bukën e tyre ka ngrënë deri tani”.

– Nuk i hanë kollaj djallëzitë ata, jo, – u hodh Xheloja. – Ata janë djallëzia vetë.

Faredini, që rrinte prapa nesh, kishte nxjerrë revolverin e vogël që fekste nga drita dhe e fshinte me shami. Martini vazhdonte të tregonte si pa të keq:

– Isha te Shpella e Lopës, kur ata ranë në përleshje me forcat tona. I shikoja dhe luftoja me veten. E pra, nuk ma kishte marrë mendja që të rrija ashtu…

Kur ai fliste, unë vazhdoja punën time. Bëja pastrimin e vendit ku do të hapej plaga dhe provoja të tërhiqja lëkurën. Faredini kishte lënë revolverin mënjanë dhe më ndihmonte mua. Xheloja i rrinte Martinit te koka dhe e mbante me muhabet.

– Nuk e merrni me mend sa të poshtër janë, – thoshte ai, gjithë mllef. – Unë i pashë në sy, kur i vunë zjarr depos së bereqetit në Vril. Ishin po ata që vranë cucat në stan e i vunë thikat Ndoc Markut. Nuk di se ç’më ishte mbledhur këtu në gjoks.

– Ke të drejtë, – tha Xheloja, – vërtet nuk durohen…

– Fillojmë, atëherë! – fola unë.

– Gati, kur të doni! – tha ai me buzë në gaz.

Në këto fjalë nuk kishte asgjë të shtirë. Unë isha i bindur se në gjendjen që ndodhej ai, më mirë do të qe t’i nënshtrohej një sakrifice si kjo, sesa të bënte një jetë me sakrifica të pafund.

– Jo, jo, tërhiqeni, se e duroj, – tha Martini kur zura t’i tërhiqja lëkurën me pinca. Dhe fillova ta tërhiqja fort, po e dija se, sado që e kisha mpirë vendin rreth e qark, ajo me siguri i  dhembte. Po fytyra e tij nuk tregonte asnjë shenjë shqetësimi. Përkundrazi, e shihja se kishte dëshirë të fliste akoma. Deshi, bile, t’i tregonte prapë diçka Xhelos, po unë ndërhyra:

– Shtrihuni në kurriz, asnjë lëvizje, ju lutem!

Ai nuk foli më. U shtri i tëri mbi xhaketat e shtruara përdhe, ndërsa kokën e mbështeti në një gur, ku Xheloja kishte vënë kapelën.

Para se të filloja nga operacioni, i mata pulsin dhe, t’ju them të drejtën, nuk besova se ishte dora e tij. Kjo gjë më dha akoma më shumë zemër.

– Mbaje këtu, – iu drejtova Xhelos duke i dhënë pincat në dorë. – Tërhiqe tani, tërhiqe dhe pak… Mirë, lëshoje.

Pastaj vështrova nga shokët, duke u dhënë të kuptonin se po fillonte çasti më delikat.

– Prit, – u hodh Faredini i menduar. – Kështu nuk është mirë, ka rrezik që flaka e plumbit të djegë lëkurën. Ata do ta kuptojnë dhe do t’i nxjerrin telashe. Të vëmë më mirë një shami para pincave.

Kjo që thoshte ai ishte me vend, po atë kohë më erdhi krejt e papritur. Vërtet, unë kisha marrë përsipër të qëlloja, po punën e shamisë as që e kisha menduar. Kjo qe arsyeja që u vura në pozitë të vështirë dhe qeshë gati t’i kërkoja ndihmë Fardinit, kur dëgjova zërin e Martinit:

– Ma jepni mua, doktor, të qëlloj.

Nuk e mora vesh pse i tha këto fjalë: Vërtet i qe mbushur mendja të qëllonte, apo donte të na nxiste ne që po vonoheshim. Këtë e mendova më vonë, sepse atë çast, ato fjalë më bënë të mblidhja menjëherë veten. Nxora me të shpejtë nga çanta sanitare një copë garzë të gjerë dhe urdhërova me zë të prerë:

– Afrohu, Faredin. Nëm revolverin. Ti Xhelo, rri gati.

Unë i dhashë Faredinit të mbante garzën dhe vetë mora revolverin. Martini, edhe në këtë çast, nuk jepte shenja shqetësimi. Bile, nuk shtrëngonte asnjë muskul. Vetëm një damar i dridhej në cep të syrit të djathtë.

Erdhi çasti që isha çliruar nga urdhrat dhe kujdeset. Të gjithë prisnin që unë të filloja. Vështroja garzën dhe mundohesha ta matja largësinë me sy, po ndërkaq vërtisja revolverin në dorë për të dëbuar shqetësimet e fundit. Më ishte ngulur në mendje ideja që kurrë nuk isha shquar si qitës. Vërtet do të qëlloja në largësi të vogël, po rreziku ishte i madh. Për një qime mund të prekja në brinjë dhe atëherë situata do të ndërlikohej keq. Ç’mund të bëja unë atëherë, futur në këtë shpellë plot lagështi? Me siguri aksioni do të dështonte ose do të shtyhej për më vonë, me pasoja të rrezikshme.

– Nuk është mirë t’ju zërë dita këtu, shoku doktor, – më gjëmoi zëri i Martinit në vesh.

Unë mblodha forcat dhe, duke i shpëtuar vështrimit vetëtitës që më vinte nga poshtë, thashë:

– Asnjë lëvizje!

Ngrita dorën dhe mata për herë të fundit largësinë me njërin sy. Kishte ardhur ai çast që s’priste më. Si u mbusha me frymë, fiksova dorën në largësinë që m’u duk e përshtatshme dhe vura gishtin tregues në këmbëz. Ndjeva që isha shkarkuar krejt nga dridhjet dhe atëherë kuptova se sa gjë e madhe është të përmbajturit në çaste të tilla. Mbaj mend se ajo copë garzë m’u zgjerua para syve sa një çarçaf, ndërsa unë mundohesha më kot të shquaja atë që fshihej pas saj. Nuk di sa zgjati ky çast që m’u duk pa mbarim. Po qe vështrimi vetëtitës i Martinit, që më erdhi nga poshtë, ai që më dha sinjalin të shtija. Unë nuk dëgjova krismën, po gjëmimin e shpellës. Pashë flakën e kuqe dhe ndjeva të më mbyste era e athët e barutit. Pastaj më kapi veshi mbyturazi thirrjen “Të lumtë!”. Pashë që Faredini i kishte duart të lira dhe u ngrit e afroi dritën. Për mua nuk ekzistonte në atë kohë asgjë në botë, veç atij rrethi të vogël, ku skuqte si trëndafil plaga e hapur  e shokut tonë. Plumbi në goditjen e parë kishte kaluar tej e tej lëkurës, pikërisht në ato pjesë që kishim parashikuar. Për fat të mirë, gjaku qe aq i paktë, sa unë nga gëzimi harrova të kujdesesha. Kjo erdhi edhe sepse Martini, jo vetëm që nuk u ndje fare por dhe, pasi kisha qëlluar, nuk tregoi asnjë kujdes për veten.

Xheloja hapi pincat dhe lëkura e tërhequr u lëshua në vendin ku ishte më parë. Unë i dhashë dorën Martinit dhe ai u ngrit ndenjur. Përshtypja tani u bë e plotë. Plumbi kishte “hyrë” përpara në gjoks dhe kishte “dalë” prapa në shpatull.

– Të dhëmbi? – e pyeta.

– Pak.

– Do ta ndiesh më vonë, kur të ftohet, – tha Xheloja.

Martini kishte ulur sytë në gjoks, sikur të shikonte aty një qëndisje e jo një plagë të hapur.

– Në shenjë i paske rënë doktor! Të faleminderit! – tha dhe më vuri dorën në qafë e më shtrëngoi fort pas vetes. Unë, që e kujtoja veten aq të përmbajtur, ndjeva të më ngroheshin sytë. Po asnjëri nuk më vuri re, sepse të gjithë i kishte hutuar gëzimi dhe përqafoheshin.

Kur unë zura të merresha me mjekimin e plagës, Faredini dhe Xheloja, sipas planit, dolën në sheshin e vogël para shpellës dhe shkrehën armë në ajër. Për disa minuta u bë një betejë e vërtetë: gjithë vendi shungulloi nga krisma pushkësh e automatikësh, nga bomba të llojeve të ndryshme. Shpella jonë lëkundej e buçiste, sa thamë se do të na zinte brenda nga gurët e vegjël që binin orë e çast. Po unë e vazhdova punën i qetë. Pasi i bëra gjilpërën e dytë, u kujdesova për plagën. Për fat të mirë, gjaku sa vinte i pakësohej dhe kjo s’kishte si të mos më qetësonte. Veç kësaj, Martini nuk jepte asnjë shenjë lodhjeje. Përkundrazi, sytë i xixëllonin dhe shikonte gjithë gaz nga hyrja e shpellës, nga vinte batareja e armëve.

– Dëgjo, Martin, – nisi t’i jepte këshillat e fundit Faredini, ndërsa unë, pasi ia kisha mjekuar plagën, po e ndihmoja të vishej. – Plagën nuk do ta ngasësh, derisa të të jepet rasti ta lash me raki, ose me ujë të zierë. Kur të vesh në mes të tyre, mundohu të kollitesh, gjoja se të ka kapur plumbi në mushkri. Pështyj gjak, duke gërvishtur pak mishrat e dhëmbëve. Këmishën do ta mbash kështu të gjakosur.

Dola jashtë shpellës dhe nga era që më ra, ndjeva se isha djersitur. Pas disa orësh, për herë të parë mora frymë me tërë qenien time. Tani më ishte zhdukur ai ankth që më kishte kapërthyer gjoksin.

Dëgjova zërin e Faredinit që urdhëronte për nisje dhe hodha sytë përpara. Turbull horizonti po regëtinte në lindje.

Kur hyra brenda, ata qenë ngritur. Xheloja mbante dritën në dorë.

– Ma bëni hallall, shokë, – tha Martini. – Ju mundova gjer këtu dhe ju futa në merak të madh, sidomos doktorin, – dhe më shtrëngoi fort dorën.

– Mos fol kështu, – ia priti Xheloja, – po thuaj, më dhatë plumbin dhe tani po ikni…

Na kapi gazi të gjithëve dhe unë nuk di të them a ishte gaz i vërtetë apo bënim ashtu që të fshihnim pikëllimin që na kishte kapur para ndarjes.

– Kjo qe një detyrë e vështirë që e kryem me sukses bashkërisht, – tha Faredini pas heshtjes që pasoi. – Po merita e parë të takon ty, Martin. Tani që do të ikim ne, shtrihu dhe fli ca orë. Trupi yt ka nevojë për pushim.

Kur morëm të iknim, u përqafuam me radhë me shokun tonë por kësaj here, ndryshe nga hera e parë, lëvizjet e tij ishin më të kujdesshme…

– Të fala, – i murmuriti ai Faredinit me një zë që mua më tingëlloi në vesh drithërues. Kjo qe e vetmja herë që atë e tradhtoi diçka.

I fundit mbeti Xheloja. Ai shoi dritën dhe shpella u zhyt e tëra në errësirë.

Ne filluam të zbrisnim shkëmbinjtë ngadalë njëri pas tjetrit. Pylli poshtë këmbëve tona qëndronte si një egërsirë e fjetur. Unë çapitesha pas shokëve në heshtje. Më kishte kapluar një ndjenjë e fortë që s’di se pse më përtërinte kohën e luftës. Ndjeja sikur po kthehesha nga një betejë e rreptë në prapavijë, ndërsa shokët luftonin akoma në vijën e parë të zjarrit.

Disa ditë më vonë Faredini më njoftoi se Martinin e kishin pranuar në bandë dhe se ishte mirë me shëndet!

 

February 18, 2018 10:21
Komento

13 Komente

  1. Mark .U.K February 18, 15:06

    Nje gje e pat bere Pal Mlyshi, pat vrar te kushririn per tu hyre ne qef komunistve.Nasho thuejese vrau Preng Mlyshin kushrinin e pare.Meritat qe paten kta spiuna mbaruan bashk me komunizmin .

    Reply to this comment
    • Peshku February 18, 20:03

      E paska marre pagesen nga ambasada ruse per kete shkrim. Botoje ne Rusi e Serbi kete shkrim ne sllavisht me mire.

      Reply to this comment
  2. Besniku February 18, 16:55

    Jam rritur me Kujtimin e heroizmave te partizaneve ne lufte,qe na sollen lirine, e te heronjve te heshtur ne paqe, te cilet luftuan, ashtu pa buje, per te na siguruar qetesine.
    Te dy palet kane qene dhe do te jene tere jeten, pjese e lavdise dhe e shembullit , ne historine e perpjekjeve per liri dhe per konsolidimin e shtetit shqiptar.
    I perjetshem kujtimi dhe sakrifica sublime e Pal Melyshit.

    Reply to this comment
  3. demo February 18, 18:14

    eee re Nasho,re Nasho.Te jesh shkrimtar i sigurimit te shtetit,eshte si te jesh fans i zani Caushit,Kakamit,Azem Hajdarit,e llumit te shoqerise..Sigurimi i shtetit ishte pjesa me e pabese,me e ndyre e Komunizmit enverist.Te pakten Ismail Kadare nuk arriti kurre deri tek idolatria e armes se terrorit.Dy personazhet me negative te Dimrit te Vetmise se Madhe,vinin nga sigurimi i shtetit.Nuk e di a lejohen te ribotohen ne Gjermani heroizmat e veteraneve te GESTAPO-s

    Reply to this comment
    • Tartufi February 18, 19:12

      Amerikanet ,, o demo,, flasin me ze te ulet ,kur thone ;
      Mos i veshte potinet Gjermani perseri,se nuk e dime si do
      tja heqim ?? Kur flasin per Ruset ,, o demo,, thone ; lei se
      mire jane ,si dje dhe sot,hane nje soj patate,na duhen per dite te keqe ?? Per keta dordolecet e imagjinimeve te luftes haroike si Jorgaqi me shoke,jane argetime,jo gje tjeter, nuk duhet te shqetsohemi shume,se na pakesohet humori ,po te mos derdellisin me pralla .
      Veteranet ne ate vend Gjerman ,kane lindur bije dhe bija,qe bota i shikon me frike te madhe,se nuk bhet shaka me ta ????????

      Reply to this comment
  4. ELIOT February 18, 21:13

    OR NASHO KOQJA …QE E MBAN VETEN PER SHKRIMATR PER FILLOZOF ….. POR KAQ IDIOT ISHE MORE QE SE KUPTOVE QE ARMIKU I KLASES ..ME I MADHI ISHTE NE MES TE TIRONES MORE DERREZI …ISHTE ENVERI …SE AI I VRAU TE GJITHE ISH PARTIZANET … APO E HARROVE HISTORINE E L .N C….DHE NA SHKRUAN PER . PAL MELYSHIN ..NJE COPE KATUNARI SPIUN E ENVERIT DHE MEHMETIT … QE MBRONTE POPULLIN….KE ¨POPULL … ATE QE RRINTE PA BUKE .ME BUKE MISRI ME QEPE DHE PUNONTE NE FUSHAT …. HE … …SHKO TREGOJA KETO HISTORINA COBANVE … SE ..NE NE PARIS LEXOJME HISTORINA TE VERTETA JO E LAGU SE LAGU …MA PAL SPIUNIN … E BERI SHKOLLEN NE RUSI KY KOQJA …KUJTON AKOMA SE ESHTE NE 40 QE I RRENNIN POPULLIN ANALFABET … C ESHTE KJO HISTORIE …. PO KAPIN DIVERSANTET ..HA HA HA HA HA HA HA SA DIVERSANTE RUSE HYNE NE AMERIKE DHE SE CAN TRAPIN .A.MERIKANET . CIFTI ROZENBER ……I COI STALINI TE BENIN PROP KOMUNISTE TE ..SPIUNONON BAZAT E AMERIKANEVE .DHE C IA SI KAPI NE MALE JO ..I KAPI NE MES TE QYTETIT …. KY NASHO QENKA NJE RROT K …. KISHA QEF TE KISH PERBALLE NE NJE EMISION NE TELE PARA MIJERAVE SPEKTATORE DHE DO TA BEJA …MUT . PER RRENAT E BOLSHEVIKEVE TE QELBET ..TURP TE KEN KETO SERB TE ENVERIT …

    Reply to this comment
  5. Gjorku February 18, 22:16

    Jo mè kot filmi i kushtuar heroit Pal Mèlyshi èshtè njè nga filmat shqipètarè mè tè mirè pèrgjithmonè. Lufta Na-çl i shporri njè herè e mirè pushtuesit dhe bashkè me ata dhe bashkèpuntorèt e tyre bajraktarèt e malsisè. Pal Mèlyshi èshtè njè hero i vèrtetè jo vetèm se dha jetèn pèr popullin dhe pushtetin e tijè, por Ai u ngrit me vrullin e tijè rinorè kundèr pushtetit arkaik tè bajraktarizmit nga ku ishin dhe rrènjèt e tijè tè gjakut. Mendoni pèr njè moment sikur Shkèlzeni i Saliut tè luftojè banditizmin e tmershèm tè babait tè tijè qoftè dhe me armè nè dorè ??? Pal Mèlyshi ishte njè nga bijtè e rallè tè Mirditès, njè Hero pèr ata qè besojnè se liria e atdheut dhe popullit kanè gjèrat mè tè çmuara nè jetè. Lavdi dèshmorève tè Atdheut ! Brezit tè ri sot, duhet ti rekomandohet tè shikojnè filmin ” Operacioni Zjarri ” pèr tè kuptuar se heronjtè janè thesaret e çdo kombi.

    Reply to this comment
    • Leshi February 19, 03:23

      I gjori ti o muzhiku Gjork.
      Lufta nacl i shporri pushtuesit?!?!?!??!?!?
      Nuk ta ka fajin njeri qe e mer per te vertete kete.

      Reply to this comment
      • Gjorku February 19, 08:54

        E kisha fjalèn pèr Nèntorin e ’44 more Lesh, se sot e di qè jeni kthyer qè nè mèngjes serbes, serbes duke ngrènè pèrshesh. Siç duket zoti Leshi po vjen nga njè bandè e shpartalluar…Mjekim Cubash bre burrè ! Ta thajnè plagèn si me magji ! Shko ! Shko o Llesh se po tè presin fmija !

        Reply to this comment
    • Baftiari February 19, 07:06

      Brezi i sotem mendon per Pi…Ka…By.. dmth PyKaBi..!

      Reply to this comment
    • ELIOT February 19, 19:12

      More gjorku nuk e di a je naive ;;;;; PO BUDALLAH ….. NE KOHEN E ENVERIT ..BEHESHIN VETEM FILMA POPOGANDE .DO ME THENE RRRRRRENNNNNNA … KU PE TI NJE FILME QE TE FLISTE PER DEMOKRACINE QE LUFTUAN ENDERRUAN PARTIZANER …KU PE NJE FILME QE TE FOLTE PER EGALITENE BARAZINE .. PER ..LIBERTENE .. ..KUR NE EUROPE FRANCEZET ITALIANET BELGET HOLLANDEZET SHETITNIN BOTEN PA E CARE KOKEN …ENVER HITLERI I VRISTE RININE NE KUFIJ S LEPUJ ….E QUAN KETE TRIMERI … KUR NE BOTE I MBUSHIN FRIGOT PLOT ..NE NE SHQIIPERI AS ME BUKE ME KOS NUK NA DILTE …PE NDONJE FILME QE TE TREGONTE REAALITETIN ?????? ME THUAJ … KUR FAMILJET E PARTIZANEV MBANIN RRALLE CDO MENGJEZ PER NJE SHISHE KOSI ..NEXHMIJE KURVA LEXONTE GAZETAT QE I MERRTE NGA PARISI NE DAJT ME PUSHIME …PAL MLYSHI SPIUNONTE RININE QE LUFTONTE PER LIRI PER DEMOKRACIE … DHE TI E QUAN TRIM ..NJE COBAN ANALFABET SI PALI ..GJEN BUZE LANES NE TIRANE CDO DITE …. EDHE HITLERI KISHTE SPIUNA QE I SHPENDAU NE EUROPE NA BOTE ..ME TE ZGJUAR SE PALI …POR …….. OH ZOT DISA SHQIPTARE ME CONCEPTIN E JETTES ME BEJNE PER TE QESHUR …JANE SHUME MBRAPA …..

      Reply to this comment
      • Gjorku February 19, 23:27

        Eliot ! – A bèn vetè apo je idiot !

        Reply to this comment
        • ELIOT March 2, 19:27

          JO katnari nga momli ;;;;; JAM PATRIOT ….. JE SUIS ALABANAIS … POUR TOUJOURS .. POR KULTURA E JOTE …. CIVILIZMI I YTI ..STE LEJON TI KUPTOSH DISA GJERA …. DUHET TI BEJME ME VIZATIME SI NE KOPESHT …SE TRUNI I JOT …ESHTE I BARABARTE ME NJE VOGELUSHE 7 VJECE …. TA COMPRIS ….TETE DE BITE …..MERCI

          Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*