Na ishte njëherë një djalë i pafajshëm…

August 2, 2016 10:52

Na ishte njëherë një djalë i pafajshëm…

“Jam përndjekur nga Sigurimi që kur isha 17 vjeç”. Pohimi befasues i regjisorit të famshëm në reagimin e tij për shkrimin “Pse duhen ndaluar dramat e Pëllumb Kullës”, botuar te “Panorama”, zbulon një histori interesante që hedh dritë mbi disa aspekte të panjohura për mënyrën e sjelljes së regjimit me njerëzit e artit, veçmas me ata me biografi të papërshtatshme politikisht.

Në shpluhurosjen e dokumenteve të hershme, Kulla përpiqet të ndriçojë misteret e labirintheve, siç pohon ai, ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj.

Përtej vështrimit bardhë e zi, në rrëfimin e tij vijnë ngjarje e ndodhi ku përshkruhet me një qasje interesante natyra represive e regjimit dhe diferencat e karaktereve të zyrtarëve të nomenklaturës, si një bashkësi besnikësh të verbër që kapërcejnë madje edhe limitet e kohës në përballjen me viktimat e tyre dhe një pjese tjetër, që rriskon nga vetja për të lehtësuar sa të mundet grupin e të pambrojturve.

Më poshtë botojmë pjesën e parë të kujtimeve të Kullës, që zbulojnë rrethanat e panjohura të largimit të dhunshëm nga skena e teatrit në guroren e Kaninës…

 

Nga Pëllumb Kulla

Shpluhurosje dokumentësh të hershëm të rubrikës “Dossier”

Para ca ditësh z. Afrim Himaj që kujdeset për rubrikën “Dossier” të Panoramës, pat nxjerrë në dritë dy dokumentë të vitit 1966 që mbanin nënshkrimin e një sekretari të Komitetit të Partisë së Vlorës. Falenderoj zotin Himaj për fjalët tepër vlerësuese që pat derdhur në komentarin e tij, por sidomos  për publikimin e këtyre dokumentëve, të cilët hedhin dritë mbi labirinthet ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj që llogarisnin të kishin si mbështetje vetëm punën dhe aftësitë e veta.  Kliko https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=1138660902864142&id=172702136126695

Që të dy dokumentët kanë nevojë të shpjegohen  dhe nga ana e njeriut që fokusohej aty, e që jam unë, tashmë në një moshë të shtyrë.

Janë të vërteta aty nënvizimet e nxira të prejardhjes, të përsekutimeve, listimet e të arratisurve që me sytë e kohës duhet ta degdisnin varkën time në fund të detit të Vlorës. Por kaq! Të tjerat pastaj janë shpifje dhe ngarkesa keqdashëse. Interesant ishte dyshimi  i  burokratëve vlonjatë të kohës mbi përkrahjen që mund të kisha unë nga elementë dashamirës në Ministrinë që mbulonte teatrot. Dhe pastaj paradoksi më i madh dhe më  uluritës ishte ai që Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh i shfaqej nga Vlora pikpyetja torturuese se kush më pat futur mua, një individ si unë, me përbërje aq të rënduar, në Shkollën e Lartë! Dhe këta mehmurë nuk dinin një fakt, që vetëm në ndonjë zyrë lokaliteti nuk dihej: që këtë lëshim të pazakontë e mëshirëmadh e pat bërë vetë Enver Hoxha! (Kam folur disa herë në shtyp për këtë takim fatlum me të parin e vendit, kërkesën që i  bëra unë atij dhe pëlqimin që dha ai).

“Ky njeri,” ankohet sekretari Gani Keçi në shkresë, “është në përpunim aktiv nga organet e Punëve të Brendshme si element armik me pikëpamje të theksuara borgjezo-revizioniste dhe zhvillon agjitacion e propagandë armiqësore.”

A mund të përfytyrohet një autoritet i frikshëm i diktaturës duke denoncuar në Sekretariat të Enverit një çunak 26 vjeçar, pinjoll reaksionarësh, me të pushkatuar e të arratisur në familje, që ka sypatrembësinë, paturpësinë dhe marrëzinë të bëjë agjitacion dhe propagandë armiqësore në mes të Vlorës?!

T’i dërgosh aparatit të lartë të partisë një shkresë të titulluar “Mbi çështjen e aktorit Pëllumb Kulla” do të thotë që është hapur tashmë një çështje! Do të thotë që aparati i ka kërkuar llogari partiakëve të Vlorës për degdisjen e një djali të ri në guroren e Kaninës, pasi ai pat shkruar dramën e parë të fillimeve letrare, një dramë entuziaste rinore, që po vlerësohej në konkursin e 25 vjetorit të Partisë. E ka paraqitur atë dhe në teatrin ku bën pjesë, shokët e trupës e kanë mirëpritur veprën. Teatri i Vlorës e ka miratuar dhe regjisori përgatiti vënien në skenë. Asnjë gabim ideor nuk kishte drama, asnjë ndikim borgjezo-revizionist, apo “dominim të formës mbi përmbajtjen,” siç thuhet në denoncimet e Keçit. Pra, ra si rrufe nga qielli i kthjellët mosmiratimi në Komitetin e Partisë nga Sykot dhe Keçët e asaj kohe. Nga ana tjetër, konflikti i aparatçikëve mediokër të Vlorës, me Ministrinë e Kulturës dhe me tre teatrot, që ndërkohë po e vinin atë në skenë, përzjente shumë probleme, ngaqë prekeshin shumë interesa. Teatri AZ Çajupi për pesë ditë do t’u jepte shfaqjen e dramës sime spektatorëve korçarë dhe atë po e vinte në skenë, jo dokushdo por mjeshtri Luarasi. Në Durrës kishin përfunduar procesin në tryezë dhe aktorët flisnin mirë për rolet që i tërhiqnin. Në Institutin e Arteve, pedagogu Spahivogli kish filluar një punë diplome me studentët që më së miri i përshtateshin pjesës time. Rolin kryesor të inxhinjerit ia kish ngarkuar studentit brilant Sheri Mita, ndërsa atë të vajzës kryeqytetase, ia kish besuar shoqes sime, (që më pas u bë gruaja ime), Xhuljetës. Nuk mund të përfytyrohej një qielli aq i kthjelltë për një autor të ri. Dhe nuk po ndodhte kjo për inat të Gani Keçit dhe Janaq Sykos, shefit që drejtonte kulturën në Vlorë! Nuk ishin “miqtë” e mi që po ua bënin hilen. Isha unë një djalë i shëndetshëm dhe ambicioz, që po i nxirrja në dritë të shtrembër me trillin tim marrok për t’u endur në fushën e letërsisë skenike.

Ndalimi i veprës shkaktoi keqardhje në trupën tonë vlonjate. Punët vështirësoheshin se unë nuk mund ta tërhiqja dramën nga konkursi, dhe nuk kisha arsye, kur ajo atje po çante me sukses drejt çmimeve të larta. Kjo vinte në pozitë të vështirë Komitetin e Partisë, aq më tepër kur tek ne, në teatër, po shfaqej hapur pakënaqësia e artistëve, që “kulaçin e bërë në magjen e tyre do ta hanin të tjerët.”

Dhe Keçi me shokë punuan fort dhe e gjetën zgjidhjen: me shkresa të nxira dhe me një urdhër nga lart, puna u ndërpre, në të njëjtën ditë, në të gjitha këto skena. U evitua turpi nëse vepra  do të shfaqej në dy qytete me teatro që kishin emra dhe histori më të pasura se Vlora.

Unë në jetën time kam hasur vështirësi, por kam gjetur edhe njerëz dashamirës, me botë të gjërë shpirtërore. Por kundërshtarët e mi të fuqishëm, duhet logjikisht të kishin dhjetëfishin e “miqve”, nga ai lloji që i mendonin ata dhe e patën më të lehtë t’i mobilizonin në betejën e tyre me një qënie të brishtë.

Kur kjo ngjarje u bë e njohur, keqardhja preku shumë njerëz të mirë të botës së artit dhe politikës. Atëherë po, u shfaqën miqtë. Një ndër ta, poeti i madh Dritëro Agolli, aso kohe një gazetar i thjeshtë i seksionit të kulturës në gazetën Zërin e Popullit, nisi të trokiste fort nëpër dyer zyrash të rënda, por pa çarë dot. Atëkohë as Dritëroi nuk e kishte staturën që i njohim tani dhe asqë kishte me mua miqësinë që kemi sot. Emri im Agollit nuk i thoshte asgjë dhe do të mjaftonte përmendja e vetëm njërës prej të zezave në jetëshkrimin tim, që të largonte cilindo pa i vënë aspak faj, jo vetëm atëherë, por as edhe sot. Por falë i qofshim Zotit për ekzistencën e pabujshme të njerëzve të tillë që u skandalizuan nga vepra kriminale e atyre aparatçikëve vlonjatë me mashën e Luftës Klasore në duar. Duhet ketë qenë ajo përpjekje  e tij pa frut që e frymëzoi poetin për një vjershë që e publikoi shumë më vonë, në gazetën “Drita”, edhe pa ndodhur kolapsi i komunizmit. Vjersha ishte me dedikim me iniciale dhe vetëm në vitin 1993 Dritëroi e përmblodhi në një vëllim poetik dhe miku im i shquar më nderon në këtë ribotim, me dedikimin me emër të plotë. Është një vjershë që nis me strofën: Këndon një zog në majë të shtogut/një burrë i keq vrapon ta vrasë/se dikur gjyshi i këtij zogut/ mbi kokë i pat lëshuar glasë… e tje…

Për t’u ritakuar me skenën m’u deshën të kalonin  pesë vjet të gjatë. Miq të tjerë të mrekullueshëm vlonjatë, si Ismet Cibaj sekretar i Komitetit të Partisë në Fier, Axhem Gjonaj, nënkryetar i Komitetit të Vlorës dhe të tjerë, bënë të mundur që unë të atashohesha me emërim në Estradën dhe Teatrin e Fierit, ku erdha më i burrëruar, me një bagazh më të plotë jetësor dhe artistik. Kalvari im ishte i gjatë por mua asnjëherë në qytetin bregdetar nuk m’u vunë në dukje as vërejtjet për veprën që shkrova dhe as për sjelljen time “të padenjë, të padisiplinuar dhe politikisht të dënueshme”. Pra unë u dëbova nga studiot dhe skena e teatrit por asnjëherë nuk m’u tha motivacioni i këtij ndëshkimi. Nuk m’u tha që vepra kish të meta ideore, e nuk kish sesi, ngaqë Konkursi i 25 Vjetorit dhe opinioni artistik kombëtar ua pat kyçur me autoritet, gojën. Nuk më thoshin dot as që po më syrgjynosnin dhe po më shpinin te gurët, ngaqë unë kisha përbërje biografike të rënduar. E nuk kish sesi, se ndërkohë, me vonesë – me vonesë, por edhe ata kishin marrë vesh që kjo qe kapërcyer tashmë nga vetë i madhi i vendit dhe përderisa pas takimit me të, pushkatimet dhe arratisjet në fisin tim qenë ndërprerë, nuk dilte dot Keçi para Hoxhës!

Edhe në Fier, për një kohë hija e ngjarjes së Vlorës më shfaqej, por jo me ato përmasa. Puna ime në këtë qytet të ri, ku unë kalova periudhën më të begatë të jetës, kishte vlerësime të larta dhe unë kurrë nuk u nëpërkëmba. Përkundrazi! Jeta mes artistëve të shkëlqyer e mes publikut frymëzues fierak ishte e bukur.

Ndodhte ama, nganjëherë, që në mbledhjet, që provokoheshin kur dënoheshin grupet e shumta armiqësore në nivele të larta të ushtrisë, ekonomisë dhe ideologjisë, na ngrinin të premtonim si papagaj, se ne si kundërpërgjigje do ta rrisnim cilësinë e artit skenik. Na shkundnin me atë rast, që të na bënin të ndërgjegjshëm se sa i detyroheshim popullit, sidomos ca nga ne, që në jetët e tyre… Dhe qëlloi që njëherë, ndërsa më kishin ngritur të bëja premtimin tim, më pyetën: “A mund të na e thuash ti, shok, se nuk na e ke thënë kurrë: përse të dënuan në Vlorë në vitin 1966?!”

Kishin kaluar dhjetë vjet që isha pjesëtar i kolektivit atje, me ca kredenciale të forta si repertori i gjërë i krijimtarisë që shfaqej çdo javë në televizion! Iu përgjigja:

“Nuk ju a kam thënë kurrë, more shokë, sepse nuk ma kanë thënë kurrë! E kam kërkuar të ma thoshin motivacionin në Vlorë, nuk ma thanë. E kam kërkuar edhe në Tiranë. Heshtje e plotë! Pa ta provoj ta kërkoj edhe këtu tek ju, në Fier, mbase ma thoni: Përse në fund të atij vitit 1966, më dërguan të nxjerr gurë në majë të Shashicës mbi Kaninë?!”

 

*****

Kartela e Sigurimit: Kulla synon përmbysjen e pushtetit

Kartela e Sigurimit per Pellumb Kullen

Kjo faksimile e kartelës së Sigurimit “Model 1” i përket të riut 17­ vjeçar Pëllumb Kulla. Një nga rastet e rralla ky, kur policia e fshehtë merrte në përpunim institucionalisht një adoleshent. Përpunimet (përndjekjet) në komunizëm regjistroheshin në këto lloj dosjesh: PP (Përpunim paraprak), kur vinte ndonjë e dhënë e paverifikuar.

Nëse ajo vërtetohej, ngrihej në nivel 2B ose 2A. Dosja “2B” hapej për të gjithë të parashikuarit kundërshtarë të regjimit të llojit “bir prefekti”, “bir kulaku” etj. Ata mbaheshin nën gjurmim dhe një herë në muaj dokumentohej një raport rreth tyre. Dosja “2A”, ndryshe dosja e përpunimit aktiv, që nënkuptonte vëzhgimin 24 orë për objektin me prirje armiqësore. Ekzistonte sakaq edhe përpunimi aktiv, si problem i centralizuar përmbi një person. Ky problem ndiqej me pseudonim, p.sh. problemi i centralizuar “Bataku”, “Bloza”, “Plehu”… Këto janë fjalët që pëlqente më shumë Sigurimi.

August 2, 2016 10:52