Naftëtarët, gjysmë viti pa rrogë

Sokol Hysenaj January 23, 2016 09:44

Naftëtarët, gjysmë viti pa rrogë

Viti 2015 iku si një vit i trishtueshëm edhe nga qyteti i vogël i Ballshit. Me qindra të rinj emigruan rrugëve të ftohta të Gjermanisë në kërkim të një shprese. Ndërsa uzina e naftës ka muaj që e bren ndryshku i heshtjes atje mbi luginën e vogël të Gjanicës.

Naftëtarët e lodhur nga varfëria, ata që për gjysmë shekulli shkulën nga nëntoka dhe përpunuan miliona tonelata naftë, nuk kanë me ç’të gëzojnë fëmijët e tyre, ndërsa uzina e rrudhur qëndron në kllapinë e heshtjes buzë lumit. Gjatë këtyre viteve KPTHN-ja u shndërrua në një shoqëri aksionere me emrin ARMO e cila do të rinovohej dhe do të përshtatej me kërkesat e tregut. Por ndodhi e kundërta e asaj që pritej. Ajo u la në mëshirë të amortizimit dhe të plakjes së parakohshme. Mbi këtë shoqëri u ngjitën si shushunja buzët e panginjura të korrupsionit dhe keqmenaxhimit. U bënë shumë tenderë për tenderë, por jo atje ku i dhimbte uzinës dhe kolonat e saj të hekura filloi t’i brejë ndryshku i harresës.

Dhe sot shikon trishtim dhe zhgënjim në sytë e punëtorëve që për gati një gjysmë shekulli kanë përpunuar me mijëra tonelata naftë. Për fajin e kësaj kohe të mjerë e mbërthyer nga kthetrat e korrupsionit, naftëtarët heqin fëmijët nga shkolla, se ka një gjysmë viti që u mohohet rroga.

Si u thanë papritur damarët e hekurt të kësaj uzine? E gjithë kjo tragjedi e luajtur mbi kurrizin e punëtorëve ka për skenarist korrupsionin dhe keqmenaxhimin.

Sokol Hysenaj January 23, 2016 09:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*