Namik Osmëni, dëshmori që u vra nga Hamit Matjani

December 7, 2017 11:39

Namik Osmëni, dëshmori që u vra nga Hamit Matjani

 

Pyesin disa: kush janë heronjtë dhe antiheronjtë? Jeta, lufta dhe rënia e dëshmorit të atdheut, birit të shquar të Kaninës, Namik Osmënit, nuk ka nevojë për komente…

 Dr. Neki Dredha

Epilogu i një jete heroike si hyrje

Dita e 9 dhjetorit1946, si pa kuptuar, u thye. Vendin e saj po e zinte, dalëngadalë, nata. Në mendjen e Hamit Matjanit shkrepi një rreze shprese. Nata ishte ligësia e pandarë e shpirtit të tij. Me kobure në dorë kërcënonte shokët të qëndronin me doemos deri sa të ngrysej. Sulmin e shpërndau në disa drejtime.  Dëshironte ta çante rrethimin, qoftë dhe i vetëm. Dinakëria e tij ra në sytë e forcave të ndjekjes. Namiku urdhëroi të mësynin përpara se të ngrysej. Tigrin, siç e thërrisnin Hamitin banorët e kësaj krahine, duhet ta zëmë të gjallë. Në fjalë e sipër, Namiku bashkë me shokët e tij u hodhën në mësymje, ashtu sikurse hidhej dikur në betejë, kur ishte komisar batalioni. Automatikët e forcave të mbrojtjes e bënë shoshë trupin e një diversanti, i cili zgjati trupin aty pranë një bliri. Ishte Dalip Matjani, i nipi i Hamitit, i cili ra  pandjenja para syve të Namikut. Plagosja rëndë e Dalipit, vrasja e vëllait, e nipërve dhe e disa pjesëtarëve të bandës, e drithëruan dhe e tërbuan pamasë Hamitin. Ky priste prej kohësh, që Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, t’i dilte në grykë të automatikut. Në çastin që Namiku shpërtheu befas: “Dije o Hamit Matjani, se fati i Dalipit do të ndjekë dhe ty. Ahut të popullit nuk do t’i shpëtosh dot”…

Hamitit iu shtua tërbimi. Çasti i shumë pritur erdhi. Njeriun që e kërkonte me qiri i dolli papandehur në shenjë. Ashtu siç ishte, i strukur pas një dushku, e zbrazi plotësisht armën mbi të. Plumbi i mallkuar e përgjaku ballin e toger Namikut, i cili ishte në krye të sulmit, ballë për ballë me Hamitin. Trupi muskuloz i Proletarit ra mbi duart e fuqishme të shokëve të tij, që luftonin krah për krah me Namikun. Sytë iu errësuan. Forcat pak nga pak e lanë; ndërsa jeta dhe vepra e tij hyri në pavdekësi, atje në qiellin kaltërosh, ku rrezatojnë yjet e pa shuar.

Kush ishte Namik Osmëni?

Fillimi i vitit 1942 e gjeti Namikun duke punuar në furrin e lagjes Muradie, aty ku është sot lulishtja e restorant Mesaplikut, përballë Bashkisë,  ku ndodhej konsullata italiane, Prefektura dhe Karabinieria.  Ai punonte në gojë të ujkut. Por me aftësinë dhe urtësinë që kishte Namiku e kreu këtë detyrë mirë e bukur dhe pabujë. Prej këtej ndihmonte shokët ilegalë dhe njësitet guerile, që vepronin në qytet, furnizonte me miell dhe bukë familjet e bazave të luftëtarëve të lirisë me banim në Vlorë dhe në trevat e saj. Ai grumbullonte dhe shpërndante traktet, komunikatat dhe thirrjet për të ngritur popullin në këmbë kundër pushtuesve fashistë. Këto shtypeshin në shtëpinë e Namikut në Kaninë. Në Vlorë ia sillnin fshehur në gji, përmes një rreziku të mundshëm, e ëma, Leleja dhe bashkëshortja e tij, Vera.

Ishte një natë Nëntori e vitit 1942. Në furrën e bukës gjendej Namiku me Golikun (Hetem Gjinushin), drejtuesin e njësitit gueril të Vlorës. Me vete kishin shumë materiale sekrete. Jashtë era shqyente degët. Shiu binte me shtëmbë. Por “hijet” bënin punën e tyre të ndyrë. Pas një fare kohe furra u gjend e rrethuar. Rreziku ishte i pa shmangshëm. Armiku kishte prurë forca të shumta. Goliku me shokët u bënë gati të çanin rrethimin. Por Namiku me atë qetësinë e urtësinë e tij admiruese i udhëhoqi shokët nëpër një labirinth të errët drejt anës së pasme të furrës. Hapi një deriçkë, që e dinte vetëm ai, dhe shqiponjat e lirisë fluturuan në qiellin e lirë. Ndërsa Namikun e arrestuan, e burgosën, e torturuan, por nuk e mposhtën.

Javët e fundit të Nëntorit të vitit 1942 Namik Osmëni ishte në Kaninë. Aty, në gjirin e bashkëfshatarëve të tij të zemrës, aty ku e ndjente veten më ngrohtë, më qetë dhe më të sigurt. Hallet dhe dertet e tyre nuk kishin të sosur. Kanina, vendi i bollëkut, vuante për bukën e gojës. Pasurinë e saj e gllabëronin taksidarët dhe qeveritarët fashistë, që e mbanin vendin nën kthetrat e tyre. Por flladi i lirisë po frynte anë e kënd Shqipërisë.  Ndjenja e shënjtë e bashkimit po hidhte rrënjë te mendjet dhe zemrat e intelektualëve mëmëdhetarë. Në çdo vatër e mendje kaninjote atë po e ngulitnin kaninjotët mendjendritur: Mynyr Xhindi, Ibrahim Dervishi, Namik Osmani, Ylfi e Xhevrije Sadiri, Aranit Çela, Shahin e Shaqo Kapllani, Faslli e Farudin Jaho, Muhamet e Bastri e dinush Bedini, Resmi e Zare Mici, Zyber Kadriu, Manxhar e Beshir Arshiu, Istref  Hyseni, Nimet Shabani, Fehim Bonjaku, Fitim Halili, Rrapo Hasimi, Ramo Abazi, Ismail Llano, Skëndo Dredha, Nazif Sinani, Reuf Zeqiri, Shahin Fejzaj, Bastri Mici, Nezir Boci, Ismail Mehmeti, Hamet Selami, Sadik Selimi, Memdu Sadiraj, Razi Xhafa, Myzafer Sihati, Arap Asllani,  e shumë shokë të tjerë. Bajonetat e ndryshkura të fashizmit, thoshte Namiku me shokë, do të përkulen, si purtekë kallami, përpara gjoksit të çeliktë të popullit shqiptar. Këtë do ta shikojmë edhe në festën e 30 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.  Dita e 28 Nëntorit – vijonte Namiku – do të përkujtohet me një demonstratë mbarë popullore të fuqishme. Kjo do të bëhet atje në Vlorën e kuqe, në sheshin, ku Ismail Qemali me Isa Boletinin valëvitën Flamurin e Skënderbeut në qiellin e lirisë. Atje ku zëri i ynë do të shpërthejë fuqishëm në ballë të kryengritjes kundër fashistëve.

***

Mëngjesi i freskët i 28 Nëntorit të vitit 1942 e zuri Namikun me mbi 50 kaninjotë në hyrje të Vlorës. Shahin Kapllani dhe Vezir Memishau prinin në ballë të gjindjes me Flamurin e Ismail Qemalit, që valëvitej lirshëm nga flladi mëngjesor. Pas tyre shkonin, me kurora ne duar, Laver Fejzua me Ramo Abazin dhe Hekuran Xhindi me Ismail Mehmetin.

Në dhjetor të vitit 1942 Namiku pranohet në radhët e partisë komuniste. Mbledhja u bë në shtëpinë e Manxhar Arshiut. Aty ku u krijua celula e parë e Partisë Komuniste e Kaninës. Sekretar i Celulës së Partisë u zgjodh Namik Osmëni dhe zëvendës sekretar Ylfi Sadiri; ndërsa anëtarë ishin Manxhar Arshiu, Resmi Mici dhe Zyber Kadriu. Më vonë Namiku ngarkohet me detyrë të organizojë dhe të drejtojë punën e partisë edhe në zonën e Drashovicës. Ai punoi me mish e me shpirt për shtimin e radhëve të çetës territoriale me luftëtarë mëmëdhetarë të përkushtuar, për të përballuar sulmin fashist, që pritej të niste nga çasti në çast. Namiku, me luftëtarët vullnetarë të zonës së Drashovicë e të Kaninës, do të rreshtohej në krahë të çetave të tjera në luftën frontale të Gjormit.

Brenda javës Vlora u mbush me mercenarë të Halil Halisë e të Selim Kaloshit. Nga një bisedë, që Namiku zhvilloi me disa mercenarë të tyre e kuptoi se ata ishin të zhgënjyer nga propaganda e kohës. I kishin sjellë në Vlorë të luftonin kundër komunistëve. Bajraktarët u kishin thënë se komunistët janë njerëz  të këqij, pa fe e pa atdhe. Ata luftojnë për të huajin… Madje u kishin  thënë se në çetat partizane ka shumë rusë, grekër dhe serbë. Kjo nuk është e vërtetë i kundërshtoi Namiku. Bajraktarët ju kanë mashtruar. Në çetat partizane ka vetëm shqiptarë.

Ishte data 1 Janari i vitit 1943. Në ora 14 të kësaj dite u ndez lufta në Gjorm. Gjëmimet e predhave të topave e të murtajave përshkonin rrjedhën e Lumit të Vlorës. Jehona e tyre përplasej në faqene malit të Stogoit, Çikës, Bogonicës, Çipinit, Tartarit, Beunit dhe u kthehej fashistëve përvendi më me forcë. Siç dukej në betejë merrnin pjesë edhe malet e shenjta. Këta kanë qenë, madje, strehë dhe mbështetje e fuqishme në të gjitha kohët, për lebërit dhe malësorë kreshnikë. Malet ishin jatak dhe burim forcë për ta. Këtu kanë thyer hundët ushtritë romake, bizantine, osmane, sllave, greke e italiane. Malet ishin, tashmë,  mbështetës të Çetës Plakë të Vlorës e të Kaninës dhe të 900 bijve dhe bijave nga treva të ndryshme të Labërisë, Topalltisë, Himarës e Mallakastrës. Autoblindat ishin në ballë të sulmit fashist. Pas predhave të artilerisë mësynin repartet e këmbësorisë, të karabinierisë e të milicisë fashiste me 700 forca dhe 1500 mercenarë të Halil Alisë. Pra, mësynin rreth 2.200 forca ushtarake. Këta përparuan deri në një farë kohe. Por muzgu i mbrëmjes e përmbysi kahun e luftës.

***

Në kohën që brigada e V ndodhej në zonat e veriut. Namik Osmëni, komisari i batalionit të V, bëri një bisedë politike me banorët e zonës. Këtu u ndodhën edhe disa prej malësorëve të zhgënjyer, që morën pjesë në luftën e Gjormit. Ata e  dëgjuan komisarin me vëmendje. Zëri dhe qëndrimi i tij burrëror u solli ndërmend furrtarin e Vlorës. I dhanë të njohur dhe pasi u përqafuan u radhitën në batalionin e V, ku ishte komisar Namik Osmëni, njeriu që i ktheu në rrugën e nderit, në rrugë e virtytit, në rrugën e bashkimit kombëtar. Ata e shoqëruan komisarin kaninjot fjalëzjarrtë e urtiplotë në luftë kundër ushtrisë nazifashiste në çlirimin e Gjakovës, Prizrenit  e deri në malësitë e Sanxhakut.

Gjatë kohës që bisha naziste, nën zjarrin e furishëm të armëve anglo-sovjeto-amerikane, tërhiqte bishtin e përgjakur në strofkullën e vetë të zhuritur, ku u varros kokë e këmbë, Namik Osmëni u kthye nga Malësia e Sanxhakut  në truallin amë.

Më 8 janar të vitit 1945 filloi punë në Shtabin e Korparmatës së III, në Shkodër, me detyrë shef i seksionit të armatimit. Në punë ishte shumë i vëmendshëm. Porositë e lëna i ndiqte hap pas hapi të kryheshin në kohë e me cilësi. Pra, kontrollit i kushtonte rëndësi të veçantë. Në të njëjtën kohë ngulmonte për të ngritur në një shkallë më të lartë njohuritë e tij ushtarako-politike. Në prill të po këtij viti transferohet me të njëjtën detyrë në Berat në Korparmatën e II. Namiku gëzonte nderim të veçantë tek oficërët dhe ushtarët. Në punë e në jetë ishte njëri shumë i drejtë, gojëmjaltë, i afrueshëm dhe i dashur me ta, rob i nderit dhe i besës, largpamës dhe i sakrificës, dinte të hynte me kujdes në zemrën e çdo njeriu, bisedonte gju më gju me ta, u kushtonte vëmendje nevojave të tyre dhe i zgjidhte ato në kohë. Pra, ishte një shpirt njeriu me frymëzim poetik, siç shprehen ata, që e kanë njohur nga afër. Vjershrimet e bukura e të shumta ua kushtonte Qemal Stafës e Teli Ndinit, Perlat Rexhepit e Misto Manes, Ali Demit e Rrapo Hasimit. Pra, këndonte trimi për trimat.

Me të motrën, Noçen, e cila luftoi krah për krah me Namikun, mbante lidhje të rregullta dhe shpesh  këshillohej me të edhe për gjëra intime. Në një letër që i dërgonte asaj me rastin e fejesës i uronte: “Jetë të lumtur dhe kam qejf të të them: u trashëgofshi së shpejti”. Tiparet dalluese të karakterit të Namikut kishin rënë në sy edhe të organeve drejtuese. Ata vlerësonin tek ai ndershmërinë, besnikërinë, largpamësinë, mprehtësinë e  përkushtimin në punë. Për këto e të tjera dhunti e emëruan Kryetar të Degës së Punëve të Brendëshme të Lushnjes. Kjo detyrë ishte shumë e vështirë për të. Ajo kërkonte urtësi e njohuri të gjithanshme, të ishte i besueshëm tek kushdo. Po ashtu të ishte i shkathët, të afrohej e të dëgjohej me vëmendje nga ata që e rrethonin e më gjerë. Të bashkëpunonte me ta dhe të hynte me lehtësi në zemrën dhe mendjen e tyre. Këto veçori Namiku i kishte të lindura. Ato u gdhendën mirë e bukur tek ai në rrjedhën e viteve të luftës. Namiku nisi të studjojë me ngulm. Ai mbaroi me sukses kursin e organizuar në Tiranë nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit.

***

Në ditët e para të dhjetorit të vitit 1946 qielli i plumbtë rëndonte si saç mbi kodrat e qytetit të Lushnjes. Mjergulla kishte hapur krahët e përhimët mbi to. Ajo sa vinte dendësohej dhe errësohej më tepër. Një shi i imtë e shoqëronte hap pas hapi. Kryetari i degës së Punëve të Brendshme të Lushnjës, Namik Osmëni, ishte i tendosur në kryerjen e detyrës. Punonte deri në orët e vona të natës. Ai kalonte nga njëri fshat në tjetrin. Aty takohej me banorët e tyre dhe bisedonte përzemërsisht me ta. Në qëndër të vëmëndjes kishte zbulimin dhe shpartallimin e bandave, që asokohe mbinin si këpurdhat pas shiut. Asgjësimin e tyre e prisnin me padurim, sidomos banorët e zonës, të cilët përjetonin terrorin e tyre. Namiku së bashku me repartet e ndjekies  dhe banorët e vendit ishin ditë e natë në lëvije e në përgjim. Ata kishin rënë në gjurmët e një bande. Po e gjurmonin atë orë e çast. Njëmbëdhjetë banditët e saj zvarriteshin  si bishë e tulatur nënë shkurret, gëmushat, drizat e gjethnajat e pyllit të dendur të Shegasit (Xheries). Namiku synonte ta hidhte në dorë të gjallë kryetarin e saj. Po Hamit Matjani ishte njeri i sprovuar e i shkathët në veprimtarinë e diversantit. Ai e njihte vendin pëllëmbë për pëllëmbë. Madje, e kishte nuhatur rrethimin dhe rrezukun që e kërcënonte. Prandaj po i binte pyllit kryq e tërthor. Kërkonte shteg për të çarë rrethimin. Namiku me forcat e ndjekjes e kishte futur në darë. Të gjitha shtigjet  e fshehta ia kishin zënë. Hamiti ishte në ethe. Ankthi po e brente. Shokët i nxiste të çanin përpara. Si njeri i atij vendi shpresonte të dilte tek një shteg i fshehtë. Vendi ishte shumë i pjerrët. Shiu binte me shtëmbë. Përrenjtë kishin dalë nga shtrati. Uji që derdhej prej tyre përmbyste ledhet e shpatinat. Siç dukej ora e ndëshkimit po afrohej. Por nata, nata e gjithësisë, po i buzëqeshte ligësisë së shpirtit të tij. Errësira e saj, që po endej pak nga pak mbi mjergullën e dendur, po i vinte në ndihmë. Koha ishte pus i zi. Hamiti po kalonte natën e fundit të tij. Ai u përpoq, si njeri i regjur në gjendje të tilla, të përfitonte prej saj.  Nuk thonë kot: “Ujku mjegull kërkon.” Por djemtë e nënave gjalmëzeza, ushtarakë e civilë, që Hamiti ua kishte prurë shpirtin në majën e hundës, ishin bërë gardh, me sy e veshë hapur në çdo shteg. Namiku e kaloi natën në prita. Ai e shkeli me këmbë errësirën e natës. Shkonte pritë më pritë dhe bisedonte me grupet e shokëve që rrinin në pëgjim, me syrin xixë. Dara e rrethimit ishte kryer me shumë kujdes. Banditët përpëliteshin brënda saj, si dhelprat në çark. Agu i mëngjezit po e griste errësirën e natës. Një hije po rrëshqiste në afërsi të buzës së pyllit. Dikujt prej shokëve të Namikut i tërhoqi vëmendjen. Por tisi i mugët dhe mjegulla e dendur i maskonin ende banditët. Namiku me shokët qëndronin gjithë sy e vesh në pozicion. Ata ishin shtrirë barkas në një korije. Këtë e  ndante nga pylli i dendur një përrua, faqet e të cilit ishin deri diku të zhveshura. Era e mëngjezit po frynte lehtë-lehtë. Mjegulla dhe shiu nisën të rrallohen. Pylli ishte ende në heshtje të plotë. Heshtjen e theu diku në largësi uturima e një makine që po çante drejt rrugës. Një krismë automatiku u derdh mbi të. Namiku u sigurua që Hamiti ndodhej brenda qerthullit. Hamiti po lozte zarin e fundit. Ai sulmoi makinën, që ishte në anën e kundërt, për të çoroditur  forcat e mbrojtjes. Pra, synonte t’i përqendronte ato në pikën ku hapi zjarr; ndërsa ai me bandën e tij të çante rrethimin tek shtegu i fshehtë, atje, ku për fat të tij, Namiku me forcat e mbrojtjes e prisnin të nxirrte kokën dhelpërushi plak. Proletari, siç e thërrisnin Namikun, ia  kuptoi qëllimin. Pas pak një breshëri predhash fluturuan mbi kokën e Namikut. Plani i Hamitit dolli sheshit. Namiku me shokë ishte ballë për ballë me tytat e pushkëve të bandës. Ai i dha urdhër mitraljerit ta përqendronte grykën e zjarrit të mitralozit mbi të rrethuarit. Të tjerët i porositi të ruanin gjakftohtësinë dhe të ndiqnin parreshtur lëvizjet e tyre. Qëllimin i tij ishte ta zinte Hamitin të gjallë. Për këtë arsye vëzhgonte me kujdes lëvizjet dinake të bandës. Me automatik në dorë u thirri: Jeni të rrethuar! Dorëzohuni! Në çast një breshëri predhash i fishkëllyen pranë veshit. Aty për aty e ndërroi vendqendrimin.

Mëngjesi e kishte grisur plotësisht perden e natës. Agimi zbardhte anekënd. Shiu u rrallua, ndërsa shkëmbimi i zjarrit të luftës u dendësua. Ai u ndez në disa prita. Banda kërkonte me çdo kusht të gjente një shteg për të kaluar nga ana tjetër e përroit. Lufta ndezi pyllin. Të dy palët ruanin me këmbëngulje pozicionet e luftimit. As njëra nuk bënte lëshime. Mitralozat villnin zjarr. Një plumb i armikut e plagosi mitraljerin e Namikut. Ky vrapoi ta zëvendësonte. Por mitralieri e siguroi se plaga ishte e lehtë. Namiku u kthye nga vinin plumbat e armikut dhe thirri: “Dorëzohu Hamit Matjani, se s’ke nga shkon!… Ke rënë në grackë. Populli të kërkon të japësh llogari për bëmat e tua.”

Në vend të përgjigjes i erdhi një breshëri automatiku nga pylli. Automatiku i Namikut volli zjarr aty për aty mbi të. Ujku i pyllit ia kishte njohur zërin Namikut. Ai qëndronte strukur në përgjim dhe priste i mbështetur pas një dushku ta fuste Namikun në shënjestër; ndërsa banditët e tjerë i porositi të villnin zjarr pa pushim mbi forcat e mbrojtjes së popullit. Një nga oficerët e mbrojtjes, që ia kuptoi qëllimin ndjellakeq këtij njeriu dinak, i cili të linte përshtypjen se po bënte gjumin e gjarprit, i pëshpëriti Namikut: Kujdes shoku Toger se nuk i tregon gjarpri këmbët. Ai i mallkuar është si gjarpri i rrëzës. Nuk hidhet në dorë, se e njeh vendin me pëllëmbë. Atij duhet t’i shtypet koka. Mirëpo, Namiku s’luante nga e tija. Ai donte ta zinte Hamitin se s’bën të gjallë.

***

Sipër në bregoret bleroshe të Ballagatit, atje në fshatin Gjuzë, në oborrin e lulëzuar të shkollës 8 vjeçare, atje ku fëmijtë ligjërojnë gjuhën e ëmbël të shqipes, atje përpara tyre ngrihet madhështor monumenti i përjetësisë së këtij divi sypatrembur të Kaninës labërore, i cili edhe dy jetë po të kishte, të dyja do t’i jepte për mbrojtjen dhe begatinë e atdheut.

December 7, 2017 11:39
Komento

20 Komente

  1. demo December 7, 13:25

    Hamit Matjanin jua solli peshqesh pako postale me parashute Kim Filbi,se gjalle ne dore nuk kapej Hamit Matjani.

    Reply to this comment
  2. Ada.Vlore December 7, 15:05

    Faleminderit.Z.Neki per keto kujtesa te lavdishme.

    Reply to this comment
  3. albi December 7, 17:28

    Ky ka qene budalla. Edhe u biri atij i ngjan Fis budallenjsh.Hamiti e peshkoi dhe i futi plumbin.Vellai i Shezo Osmenit,psikopat i lindur.

    Reply to this comment
  4. albi December 7, 17:29

    Ky ka qene budalla. Edhe i biri atij i ngjan Fis budallenjsh.Hamiti e peshkoi dhe i futi plumbin.Vellai i Shezo Osmenit,psikopat i lindur.

    Reply to this comment
    • Epo kjo pune! December 7, 19:17

      or komentues koti, pse ofendon heronjte, apo mos je race me kelliren Matjani qe vriste bujqit per sport, apo meqe i ka dhene dhjekorate presidenti dhjerokrat dhe u be burre i mire me rregull treshi. Kishte plot patriota komuniste por antikomunizmi nuk te ben patriot sepse shume nga keta kellirat lyen duart me gjak shqiptari ne lufte dhe pas lufte gjeten jatak tek armiku shekullor grek e serb. Nje kriminel ishte dhe ti ndaje me ke je, me luften dhe trimat apo me halet qe rrinin vrimave

      Reply to this comment
    • Gjiu December 8, 16:40

      E sakte. E ç’heronj jane keta partizanet sllavo-komuniste?! Hamit Matjani ishte oficer i shtetit shqiptar. Partizanet injorante, si ky “heroi”, ishin nen udheheqjen e Dushan Mugoshes e Miladin Popiviçit si gjate luftes edhe me pas.

      Reply to this comment
  5. Epo kjo pune! December 7, 18:46

    Faleminderit i nderuar Neki Dredha, rrofsh qe i ben jehone trimave te Kanines dhe qofsh i nderuar dhe respektuar vete.

    Reply to this comment
  6. lenci December 7, 19:41

    o demoooo!
    kim filbi nuk ishte me ne sherbimet sekrete britanike qe ne mes te vitit 1951, kurse hamiti u kap i gjalle ne maj te vitit 1953…e pra, u kap ne gracken e ngritur nga kadri hazbiu, si rezultat i radiolojes “liqeni i vajkalit”.
    kete e pranon cia amerikane, e cila, ne dokumentet e deklasifikuara arkivore te saj, pranon se hamiti bashkepunoi me sigurimin per te shpetuar jeten.
    po ti, o demo, nuk di anglisht, prandaj prit kur libri te perkethehet. ja, keshtu!

    Reply to this comment
  7. Kamunisti December 8, 12:14

    Hamit Matjanj ra si peshk ne doren e Sigurimit legjendar te Shtetit me “radiolojen” e kursisur prej tyre. U varr ashtu sic varren tradhetret e Atdheut dhe te popullit.
    Por çudia e revanshit antikomunist, bashkpuntoreve dhe fashisteve anti shqiptare, qendron kur “shoqata Laberia” dekoron ne nje akt te turpshem presidentin ballist Bujar Nishani, pikerisht kete president sharlatan qe dekoroi kriminelin Hamit Matjani.
    Por revanshi antishqiptar i pinjolleve te bajraktareve, kolaboracionisteve e bashpuntoreve te fashizimt e nazizmit shpejt do kaloje si nje histeri antishqiptare e trazicionit 25 vjecar ku antivlerat dhe modelet e keqija, qe perfaqesojne lloj-lloj interesash meskine e antishqiptare, jane kthyer me koke poshte, si nje perjudhe e turpshe ku e verteta dhe vleresimi i heronjeve dhe atdhetareve te vertete do ndiçoje si ylli i mengjesit per brezat e rinj te shqiptareve evropiane.
    Si kudo ne boten demokratike, bashkepuntoret dhe kolaboracionistet, gjithashtu dhe ata qe ne kete mejhane shqiptare na jane shitur gjate ketyre 27 viteve si nacionaliste e patriote do demaskohen publikisht dhe do turperohen per bemat e eterve te tyre ashtu sic turperohet sot nje gjerman per baben apo gjyshin e vet nazist, nje francez per baben apo gjyshin e vet kolaboracionist apo nje finlandez per baben apo gjyshin e vet kuisling.

    Reply to this comment
  8. Plaku Xhuxhumaku December 8, 13:58

    Te gjithe keni te drejte, edhe e lagu, edhe s’e lagu, edhe e hengri edhe s’e hengri, nje here e bleu pastaj e shiti.

    Reply to this comment
  9. MYVENA December 8, 23:07

    Nderime per Ju ,trim dhe i ndershem Neki Dredha, qe i njeh dhe shkruan per trimat,per ata qe luftuan fashizmin; si gjithe bota e perparuar,qe e deshen dhe luftuan per atdheun dhe popullin, pa marre leke, por duke dhene edhe jeten. Fakti qe Ju po shkruani per Namikun e shoket e tij, se lufta u be me mijera heronj,trego tergon se ata jetojne vertet ne zemrat e popullit. Ka qindra shekuj qe njerezimi admiron dhe frymezohet nga heroizmi i shkelqyer i 300 spartaneve ,per te mbrojtur lirine e venditdhe ,njekohesisht, perbuz efialtet.Per lirine e Shqiperise dhane jeten 28 mije spartane. Ata jane ajka e trimerise se djemlerise shqiptare, qe populli i nxjerr ne momentet me te veshtira te historise se tij per mbijetese. Nderrime dhe respekte Neki Dredhes e te tjereve si ai qe me shkrimet e tyre rifreskojne historine tone.

    Reply to this comment
  10. demo December 9, 05:36

    Finlandezet luftuan si Mangusta me Kobren,si bletet me Ariun rus grabitqar.Mbrojtja e familjes nga dhunuesi dhe mbrojtja e Atdheut nga pushtuesi JANE TE SHENJTA.Finlandezet bashkepunuan me Gjermanet per te mbrojtur atdheun.Udheheqesi i luftes se tyre Menaheim,sot eshte i nderuar ne Finlande dhe e ka monumentin ne mes te Helsinkit.Hamit Matjani ishte luftetar i Lirise nga pushtimi sllavo-komunist.Populli i Darsise se Peqinit duhet te jete krenar per birin e tij.Ky fis i lashte ILIR.pasardhes te Daorseve te lashtesise luftoi heroikisht kunder ushtrise serbe ne 1912 dhe jane pikerisht fisi Matjani,qe e udhehoqen kete lufte te pabarabarte,qe beri te mundur MOSARRITJEN E TRUPAVE SERBE NE VLORE NE 28 Nentor 1912.Ishte lufta popullore e fiseve Plaka,Xhika,Lamcja ne Sulove,qe me vone u shpallen kulake nga Enver Hoxha,;Ishte lufta e Pajallareve,Elezeve,Tfallinjve ne Dumre,qe dhane 184 deshmire qe i theri Serbi ne Mal te Allajbeut.Te gjithe keto sakrifica bene te mundur qe ushtria serbe te mos mberrinte ne Vlore dhe te shpetohej Pavarsia e Shqiperise
    Proletaret kane kurdisur nje Gogol per Hamit Matjanin dhe bashkeluftetaret e tij te Lirise.Populli i Darsise,i Xherijes Dumrese do ja ngreje monumentin prej Floriri se dha jeten per lirine e popullit nga Junta Terroriste serbo-ssllave e Enver Hoxhes.

    Reply to this comment
    • Kamunisti December 9, 16:01

      Hamit Matjani ka vrare me shume se 20 vete, midis tyre dhe Papa Ilian priftin patriot qe mbeshteti LANÇ pjesa tjeter civile e ushtarake te thjeshte te popullit te myzeqese. Perese i vrau te gjithe keta se ishin komuniste? Jo! I vrau se pretendonte qe nepermjet terrorit te ngjallte frike qe populli te qendronte pasiv dhe te mos e mbeshteste qeverine popullore te sapo dale nga lufta. Luftetaret dhe trimat qe bene leften kunder okupatorit. Pra me pak fjale Hamit Matjani ishte nje terorist si terroristet e ISIS sot. Vetem ne Shqiperi ndodh qe pasardhesit e terroristeve kane surrat te glorifikojne keta kriminele. Kudo ne Evropen e pas luftes pasardhesit e krimineleve e bashkuptoreve te nazizmit ndihen te turperuar nga bemat e eterve te tyere. Vetem ne Shqiperi ju plehra ju lejojne qe dhe ti dekoroni. Flisni per sllavo komuniste por ju bashkepunat dhe me qeverine e Venizelosit me marreveshje per ta shitur Shqiperine ku pas lufte Shqiperia e Greqia do bashkoheshin ku ministria e mbrojtjes dhe ajo e jashtme do drejtohje nga greket vetem e vetem qe mos qeverisnin shqiptaret e PK. Te njejtat prakse bete dhe pas lufte. Ndersa Enveri qe ishte nacionalisti i vertete ja tregoi vendin Titos e titisteve per 45 vjet ne kohen kur ju fashisteve u desntonin anglezet qe donin ta ndanin Shqiperine pas lufte. Ju vishnin ju ushqeni jugosllavet dhe greket dhe ju desantonin si minj ne RSh. Dhe po si minj perfunduat ne çarkun e sigurimit te shtetit. Dhe si fashiste te betuar qe keni ngelur dhe sot, vetem lavdi dhe respekt nuk keni per te pasur kurre nga elita intelektuale dhe populli patriot shqiptar. Ne gjirizet e historise ka per tu shkruar aktiviteti antishqiptar i eterve tuaj dhe pasardhesve, megjithe politiken anti shqiptare te serbomadhit Berisha qe ju nxori ne nje moment çoroditje te kombit nga gjirizet per tua shitur njerezve te paditur si heronj. Po dhe çoroditjeve te ketij trazicioni shkerdhatokracie mesa duket po i vjen fundi ku bashke me te do rikthehen dhe psudo antikomunistet dhe kriminelet e luftes aty ku kane dale e aty ku e kane dhe vendin. Ne gjiriz…

      Reply to this comment
    • Amerikani December 9, 16:12

      Po Kuislingut ne Norvegji i kane bere ndonje bust o Demo? Po marshallit Paten heroit te luftes se pare boterore dhe ushtarakut qe ja dorezoi Parisin gjermaneve se mos digjej i kane bere ndonje bust ne France o Demo?
      Te fala ballistit Nishani.

      Reply to this comment
  11. albi December 9, 19:56

    Hahahahh
    Enveri nacionalist.Enveri qe vrau popullin e tij.Qe izoloi vendin e tij.Qe vrau gjithe shokete tij.Qe nuk linte kundershtaret politrike te vinin ne vendin e tyre. Qe e ndrronte padronin e tij sa here i levizte karrikja .
    Turp qe ka akoma shqiptare qe mendojne keshtu.

    Reply to this comment
  12. albi December 9, 19:58

    Ky qe thoni ju ka qene nje budalla qe eshte vrare nga pazotesia e tij.Kishte gjithe ato forca dhe e vrau nje njeri me rreth 15 veta.S kini turp.
    Kauza e Hamit Matjanit fitoi.Te gjithe ju, kuqot komuniste, sot shqyeni bythen per te shkuar ne Amerike.

    Reply to this comment
    • Amerikani December 10, 10:22

      Albi ke lexuar ndonjehere ndonje liber ne jeten tende? Se nga kom qe ben duket qe je rrush i papjekur i ketyre viteve te pas 90.

      Reply to this comment
  13. demo December 9, 22:39

    Amerikan [email protected] me gjermanet(se i kemi miq den babaden),por edhe me djallin do te bashkepunoja per te mbrojtur tokat e zaptuara nga serbo-greket.Asnje cope Shqiperie nuk ka shkuar deri me sot ne Austri dhe ne Gjermani.Juve ju vjen per mbare te mburreni se keni bere lufte me armiq imagjinare.Kur hynte ne lufte gjermani bente “piazza pulita”.Vrau 10 mije serbe ne 24 ore ne Kragujevac dhe beri stive drush.Pse nuk ja mbajten doren ata ustallaret tuaj partizanet serbo-malazes?.Lexo dokumentat e Nojbaherit:Shqiptaret i konsideroi popull aleat.Hitleri thote:-Shqiperia do te vetqeveriset.Se cfare hesapesh te vjetra qindra vjecare ka Gjermania me Francen,keto nuk i barazoni dot me Shqiperine.Po!Gjermania e ka pushtuar Francen ne 1870,ne 1916 dhe ne 1940.dhe Filip Peten eshte tradhetar,kuisling,dezertor etj Poooor Austro Hungaria,qe formoi shtetin shqiptar ne 1912,e cliroi Shqiperine ne 1915 nga serbo-malazezet dhe greket.Gjermania e Hitlerit bashkoi Shqiperine Etnike nen qeverisjen e Regjenteve Lef Nosi,Pater Anton Harapi,Fuat Dibra,Rexhep Mitrovica.Pra Gjermania neqoftese ishte PUSHTUESE PER FRANCEN,ISHTE CLIRUESE PER SHQIPERINE.Ashtu sic ishte edhe per shtetet balltike dhe Finlanden te zaptuara nga populli me shovinist qe ka pare bota,Populli sllav.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*