Ndahen çmimet në Panairin e Librit

November 18, 2017 16:49

Ndahen çmimet në Panairin e Librit

 

Një ditë para mbylljes së Panairit të Librit, juria e përbërë nga personalitete të letrave shqipe vlerësoi autorët e përkthyesit më të mirë të edicionit të 20.

Autor i vitit u shpall Betim Muço me veprën “Yjet janë fare pranë” për trajtimin në thellësi dhe elegancë stilistike e gjuhësore të temës së emigracionit në kontekstin kombëtar. Çmimin në nder të autorit, i cili u nda nga jeta dy vite më parë, e tërhoqi motra e tij.

“Ky roman me të cilin nderohet me çmim është shkruar në muajt e fundit të jetës. Është i papërfuduar kapitulli i fundit dhe nën kujdesin e Martës ai ka parë dritën e botimit”, tha Tefta Muço.

Diana Çuli u vlerësua si përkthyesja më e mirë e vitit për sjelljen në shqip të autorit arbëresh Carmine Abate.

“Sigurisht çdo vlerësim për punën tonë është një kënaqësi shumë e madhe. Kishte konkurrentë të fortë, njohës të gjuhës e përkthimit, kështu që ndihem e vlerësuar që në atë grup të ndriçuar u vlerësova”, tha Diana Çuli, përkthyese.

“Faik Konica dhe dritëhijet e një diplomati”, me autor Agron Alibalin, u vlerësua në kategorinë e letërsisë studimore origjinale.

“Ndihem shumë i lumtur, i emocionuar dhe i detyruar për diçka tjetër në të ardhmen”, tha Agron Alibali, shkrimtar.

Ndërsa Persida Asllani, në tentativën e saj për të sjellë një libër për fëmijë, qëlloi e suksesshme duke marrë çmimin me botimin “Më quajnë Musine Kokalari”.

“Është një emocion i veçantë. Kisha dyshimet e mia, a është në formën e duhur, në ligjërimin e duhur për fëmijët. Fakti që juria e vlerësoi nga ky këndvështrim, ndoshta nuk do t’i mërzisë fëmijët me këtë libër”, tha Persida Asllani, shkrimtare.

Për herë të parë, me çmime në këtë edicion të veçantë u vlerësuan edhe Shtëpia Botuese “Onufri” dhe “Pika pa sipërfaqe”, si edhe 3 libraritë “Adrion”, “Arjan Goga” në Shkodër dhe “Artini” në Prishtinë, për kontributrin në afrimin e librit sa më pranë lexuesit.

November 18, 2017 16:49
Komento

1 Koment

  1. intelektuali November 18, 21:42

    NJE TURP DHE REZIL I SHOQERISE SONE CIVILE

    Po si ka mundesi te vleresohet me medalje kriminelja e Enverit, Diana Culi, qe denoi me vdekje poetet Vilson Blloshmi dhe Genc Leka?

    PO CFARE SHTETI KRIMINEL DHE PA PIKE MORALI EVROPIAN ESHTE KY?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*