Ndahet nga jeta poeti dhe përkthyesi Llambro Ruci

July 9, 2018 13:19

Ndahet nga jeta poeti dhe përkthyesi Llambro Ruci

Vetëm dy ditë më parë, Llambro Ruci shpërndau në rrjetin e tij në Facebook këtë shprehje lapidare nga Dostojevski “Ne i vrasim të gjithë në jetë, miku im: Dikë e vrasim me plumba, dikë me fjalë, një tjetër me vepra… dhe dikë tjetër e vrasim duke mos bërë asgjë, me gjërat që duhet t’i kishim bërë”.

Dje poeti, përkthyesi, gazetari dhe studiuesi Llambro Ruci u nda papritmas nga jeta në moshën 72 vjeçare duke shkaktuar një dhimbje të thellë te familja e tij dhe duke lënë pa fjalë miqtë dhe shokët e tij të shumtë, që tashmë nuk janë vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë, sidomos të botës së letrave.

Të shumtë dhe nga të gjitha anët ishin miqtë dhe të njohurit e tij që i shprehën familjes ngushëllimet më të sinqerta duke bërë dhe vlerësime më të larta për të si një personalitet i shquar në fushën e letrave.

Llambroja lindi në Dhërmi në vitin 1946, në fshatin ku ka lindur edhe shkrimtari i madh Petro Marko. Pavarësisht se pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Tiranë dhe në qytete të tjera, shpirti i tij nuk u nda për asnjë çast nga Bregu i detit, nga Dhërmiu dhe Himara, bukuritë dhe shpirtin e të cilave ai i plazmoi në krijimtarinë e tij të shumanshme, në poezi e prozë, në monografi, reportazhe e studime shkencore.

Por lidhjen e fortë me Himarën, ai e përmblodhi disa vjet më parë në librin voluminoz “Himara, Zëra e Akrokerauneve: rrëfime, përshkrime, dokumente dhe këngë”, një punë që i ka kushtuar shumë e shumë vite punë hulumtuese dhe analitike.

Rrugëtimin e tij në fushën e letrave ai e filloi si poet në vitet ’60 duke botuar me dhjetëra vëllime me poezi, përfshi edhe letërsinë për fëmijë. Poezia e tij shquhej për origjinalitet, ndjeshmëri të lartë, lirizmin e hollë dhe ngrohtësinë njerëzore që transmetonte. Llambro Ruci ka punuar si gazetar dhe kryeredaktor në disa organe qendrore të shtypit letrar, si “Drita”, “Nëntori” (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve), revistën “Ylli” etj.

Duke qenë se dinte shkëlqyeshëm greqishten (pasi kishte lindur në një fshat greqishtfolës) ai ishte prej shumë vitesh një ndër përkthyesit më të spikatur nga kjo gjuhë në poezi dhe prozë. Ndër veprat më të rëndësishme të përkthyera prej tij janë “Odisea” nga Homeri, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, e autorit Kostas Varnalis, poezi nga Konstatin Kavafis, Jorgo Seferis, Safo, Elitis e dhjetëra autorë të tjerë grekë, klasikë e modernë.

Përkthimet e Llambros shquhen për skrupulozitetin e tij për t’i qëndruar sa më pranë origjinalit greqisht, por edhe për ta sjellë atë sa më ëmbël dhe më bukur në shqip. Ai nuk ngutej që t’i butonte shkujdesshëm këto përkthime, pasi e çmonte vlerën e tyre, ndaj dhe u kthehej e rikthehej disa herë para se ato të shihnin dritën e botimit. Këtë punë ai e bënte me një përgjegjësi të lartë, jo vetëm se ishte vetë krijues, por edhe për faktin se një sërë nga autorët që ai sillte në shqip, ishin përkthyer edhe nga autorë të tjerë.

Ndër monografi, prozë e studime e botuara nga Llambro Ruci në vite veçojmë “Llambro Andoni”, “Ali Pasha, tiran apo reformator”, “Pëshpërima për të tjerë e për vete: esse, prozë e poezi dhe përkthime” etj. Ndërkohë që ishte duke punuar dhe për një sërë veprash të tjera, që ai i kishte në kujtesën e kompjuterit dhe nuk arriti t’u jepte dorën e fundit, siç e kishte zakon. Gjithsesi, punët që ka bërë dhe veprat që ka botuar e fusin Llambron në një vend të nderuar të kulturës sonë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Llambro Rucit!

Limos Dizdari, Xhevat Lloshi, Xhevat Beqaraj, GëzimTafa, Arif Hasko, Agim Vinca, Bashkim Kuçuku, Virgjil Kule, Kristaq Laka, Aleksandër Çipa, Xhevdet Shehu, Gjikë Kurtiqi, Xhevahir Spahiu, Diana Çuli, Sokrat Habilaj, Mehmet Gëzhilli, Sadik Bejko, Myzejen Shapllo, Bashkim Hoxha, Luan Rama, Petraq Risto, Stavri Dajo, Fatos Tarifa, Petro Kokushta, Fluturak Gërmenji, Bardhosh Gaçe, Spartak Gjini.

July 9, 2018 13:19
Komento

6 Komente

  1. Dhimiter M Xhoga.(Guri Naimit D.) July 9, 13:49

    Dhimbie;miq e dashamires per Llambro Rucin.
    Nga Toronto e Kanadase.

    I ndieri bere Llambro Ruci, biri asaj familie te nderuar, na ka LLAMBURITUR nje jete me vepren e tij.
    I perjeshem kujtimi tij,fatkeqesisht ndare ne kulmin e jetes tij Ngushellime familjes dhe dashamiresve.
    Me dhimbien e tere miqve dhe dashamiresve ne Toronto te Kanadase, me vepren e Tij ne mendie dhe ne zemer.
    Pasuesi Veteran
    Dhimiter M.Xhoga..

    Reply to this comment
  2. Pellazgos July 9, 13:51

    Vetem fshat Greqishtfoles!
    Po Emrat qe per fat te keq te historise Vasilet u bene Hamza,Sulejmane,Qemaler qe shkuan ne drejtim te kundert me Arvanitasit,Arbereshet.
    Njeriu ne jete vleresohet nga vepra dhe kush shkoi ne Turqi dhe punoi per te ne kohen e shpernguljeve te te pareve tane Orthodhokse neper Italine e sotme apo Greqi nuk mund te quhet i ndershem,patriote.
    Po Bregdeti jo “Greke” por shqipetare sipas myslimaneve turq i kane akoma emrat Athina,vasiliqi,Urania,Aristidh,Petro etj.

    Reply to this comment
  3. Ngushellime Familjes se Llambro Ruci-t July 9, 14:05

    Po i ikin gjithe inteligjenca ,intelektualet
    njerzit e urte e Artit e Kultures Shqiptare .
    Zot !
    Kur shof se cdo mbes pas ne ate Bote Shqiptare ,
    trembem ,ligeshtohem ,trishtohem per vdekje …

    Reply to this comment
  4. olimpia July 9, 18:01

    Lamtumiire shok i vjeter,gjithe jeten per kulturen,i lire ne mendime ,i shkelqyer ne veprimtarine praktike…

    Reply to this comment
  5. Xhevair Lleshi July 9, 18:25

    Kaq befasisht të humbëm mik dhe në rrugën që ti sose ecin vazhdimisht njerëz, shokë e miq ‘armësh’ ku askush nuk mund të kthehet dot pas dhe në fletët e pamundura për t’i parë gjejmë njëri-tjetrin duke vijuar secili ëndërrimin e vet. Lamtumirë mik. Në rrugë do përmbushim amanetet për njëri-tjetrin…

    Reply to this comment
  6. perkthyesi July 10, 09:07

    Ju lumte per kujdesin qe tregoni per njerezit e shquar te artit, kultures dhe fushave te tjera te ekonomise! Eshte per tu ardhur keq, kur ne mediat vizive, as nuk permenden fare figurat e ndritura te ketyre fushave, por trumbetohen me te madhe b….. e Bleones dhe hundet dhe “bemat” e pseudokengetareve te rruges dhe tallavase…! Nje turp i papare. Ju pergezoj si gazete, dhe familjen e Llambros e ngushelloj nga zemra per humjen e njeriut te tyre te dashur!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*